Takimi me dyer të mbyllura Arvizu në Kuvend: Mbikëqyrje parlamentare institucioneve të sigurisë

0
143

Florenc Drizari

arvizuLeonard Demi: Javës që vjen do të diskutojmë ligjin për mbikëqyrjen parlamentare të institucioneve informative

 

Ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, zhvilloi paraditen e djeshme një takim me deputetët e Komisionit për Sigurinë Kombëtare. Takimi mes tij dhe përfaqësuesve të legjislativit shqiptar zgjati për më tepër se një orë dhe mbledhja u zhvilluar me dyer të mbyllura. Në përfundim të takimit palët zbardhën disa nga pikat e diskutimit ku në fokus ishin mbikëqyrja civile e institucioneve të sigurisë, mbikëqyrje në të cilën nënkuptohet edhe kontrolli parlamentar pranë këtyre organeve, veçanërisht në Ministrinë e Mbrojtjes ku opozita ka kërkuar prej afro një viti inspektim nga ana e Kuvendit. Një pikë tjetër diskutimi mes palëve ishte edhe bashkëpunimi i Shqipërisë me vendet e tjera aleate të NATO-s po në fushën e sigurisë. Gjithashtu mësohet se është diskutuar edhe për takimin e zhvilluar disa ditë më parë në qendrën Marshall në Gjermani, ku një pjesë e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë diskutuan rreth çështjeve të sigurisë.

ALEKSANDËR ARVIZU

Ambasadori amerikan Arvizu shpjegoi në mënyrë të përmbledhur qëllimin e vizitës së tij me deputetët e Komisionit të Sigurisë, duke i renditur ato në tri pika. “Patëm një diskutim shumë konstruktiv. Fokusi i takimit, siç e shprehën dy zotërinjtë, ishte roli i mbikëqyrjes parlamentare mbi çështjet ushtarake dhe të sigurisë së vendit. Folëm mbi parimet themelore, meqenëse si Shtetet e Bashkuara edhe Shqipëria janë aleatë në NATO. Mes parimeve të shumta që diskutuam, theksin e vumë tek tri prej tyre posaçërisht. I pari është që çdo anëtar i NATO-s merr përsipër angazhimin të ketë një sistem funksionues politik demokratik të bazuar në ekonominë e tregut. Parimi i dytë është angazhimi për marrëdhënie të mira me vendet fqinje. Parimi i tretë themelor është mbikëqyrja civile mbi veprimtaritë ushtarake dhe çështjet e sigurisë kombëtare”, – deklaroi ambasadori amerikan. Duke e quajtur një takim të frytshëm bisedimin me deputetët e komisionit të Sigurisë, z. Arvizu tha se “Shtetet e Bashkuara janë krenare që janë partnere me Shqipërinë dhe presim me kënaqësi ndërveprime të tjera të këtij lloji”.

KRERËT E SIGURISË

Në përfundim të takimit, dy krerët e Komisionit për Sigurinë Kombëtare, kryetari Leonard Demi dhe nënkryetari Ilir Gjoni, vlerësuan bashkëpunimin dhe ndihmën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë institucioneve të sigurisë, duke pohuar gjithashtu se javën e ardhshme në Kuvendin e Shqipërisë do të diskutohet edhe projektligji i veçantë për kontrollin parlamentar. “Javës që vjen në Komisionin e Sigurisë ne do të fillojmë të diskutojmë ligjin për mbikëqyrjen parlamentare të institucioneve informative të vendit tonë. Ligj i cili bazohet në përvojën më të mirë të vendeve demokratike, siç janë Anglia dhe vende të tjera që kanë përvojën në këtë drejtim”, – deklaroi Leonard Demi. Nga ana e tij, nënkryetari Gjoni informoi në në takimin me ambasadorin e Aleksandër Arvizu u diskutua nevoja e kontrollit parlamentar të institucioneve të sigurisë. “U theksua me të madhe si nga ambasadori po ashtu nga të gjithë anëtarët e komisionit nevoja e përforcimit të rolit mbikëqyrës të Komisionit të Sigurisë, si një nga elementët e fondamental të funksionimit të shtetit ligjor dhe të rritjes së transparencës së institucioneve të sigurisë”, – tha deputeti socialist Ilir Gjoni.

 

 

PD – PS përballen sot për armët tek Siguria dhe Ligjet

Projektligjit për armët pritet të diskutohet për herë të parë në Komisionin përgjegjës, atë për Sigurinë Kombëtare, ndërkohë që diskutimet për këtë draft kanë mbetur pezull edhe në Komisionin e Ligjeve. Gjatë shqyrtimit të këtij projektligji priten debate mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës, edhe për faktin se socialistët nuk i kanë votuar disa nene të këtij ligji me argumentimin se drafti i paraqitur nga ekzekutivi është e panevojshëm të diskutohet aktualisht. Sipas opozitës ky ligj pajis me armë deputetët dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave, dhe për këta ata e quajnë të panevojshëm miratimin e kësaj nisme. Ndërkohë nga ana e mazhorancës projektligji shihet si një plotësim i nevojshëm i ligjit ekzistues për faktin se ai është miratuar që në vitin 1992 dhe tashmë është e domosdoshme përshtatja edhe me ligjet e Bashkimit Evropian. ndërkohë, gjatë ditës së djeshme Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar”. Më pas komisioni miratoi edhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në legjislacionin në fuqi për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”. Ky projektligj u shqyrtua dhe u miratua sot edhe nga Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë.

 

Vlorë, konsulli italian, thirrje italianëve: Votoni në Shqipëri

Konsullata italiane në Vlorë ka nisur punën për të përgatitur votuesit italian për zgjedhjet që do të mbahen në datën 24-25 shkurt. Konsulli italian në Vlorë, Stefano Bergesio, është shprehur se të gjithë italianët që gjenden në Shqipëri dhe që kanë regjistruar vendbanimet e tyre pranë njësive diplomatike, kanë nisur të pajisjen me fletët e votimit, me qëllim që më pas nëpërmjet postës së shpejtë fletët e votimit të shkojnë në Itali. Konsulli Bergesio është shprehur se kjo mënyrë votimi është shumë e sigurt dhe aplikohet për më shumë se 3 milionë italianë që jetojnë jashtë Italisë ndërkohë që zarfet me fletët speciale duhet të dërgohen përpara datës 21 shkurt. Kjo mënyrë votimi, sipas burimeve nga Konsullata e Vlorës mund të gjejë përdorim edhe në zgjedhjet në Shqipëri për shkak të numrit shumë të madh të emigrantëve shqiptarë, të shpërndarë në të gjithë botën.

 

 

Mediu: Me rëndësi ndërtimi i impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura

Ministria e Mjedisit prezantoi një ditë më parë projektvendimin për përdorim në bujqësi të llumrave dhe ujërave të ndotur, pjesë e projektit të Bashkimit Europian SELEA. Në qendër të diskutimit ka qenë ndërtimi i impianteve konvecionale të trajtimit të ujërave të ndotura, ku vendi ynë rezulton të ketë vetëm dy të tillë “Shqipëria ka sot vetëm dy impiante konvecionale të trajtimit të ujërave të ndotura. Këto investime janë bërë të mundura me ndihmën e financimeve të qeverisë gjermane. Ato i përkasin qytetit të Pogradecit dhe Kavajës. Dua të kërkoj dhe të adresoj kërkesën për shumë bashki që të ndërmarrin masat për financimin dhe implementimin e projekteve për impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura.”- deklaroi ministri i Mjedisit. Sipas ministrit Mediu, Bashkia Tirane ka filluar nga hartimi i projektit për ndërtimin e impiantit të pastrimit të ujërave të ndotura, financuar nga qeveria japoneze.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency