Skandali / “Stresi” arratiset nga komisariati i policisë numër 3, hidhet nga kati i dytë

0
161

stresiAlma Çuka

Arkimed Lusha arratiset nga kati i dytë i komisariatit të policisë. Ishte pa pranga. Pezullohen 6 efektivë të policisë. SHKB nis menjëherë hetimet lidhur me çështjen

 

Një ngjarje e rëndë për Policinë e Shtetit ndodhi mbrëmjen e djeshme në komisariatin e policisë numër 3 Tiranë. Këngëtari i njohur me emrin e artit “Stresi” është arratisur nga komisariati, duke u hedhur nga kati i dytë i ndërtesës. Burime të policisë së kryeqyteti bëjnë me dije se ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 20:00. Nga të dhënat e para të policisë Arkimed Lusha ishte ndaluar nga blutë e kryeqytetit për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit”. Pas shoqërimit nga efektivët ai është dërguar në mjediset e komisariatit, ku dyshohet se është lënë në dhomë i vetëm dhe pa pranga. Sapo është futur në katin e dytë të ndërtesës, në dhomën e të shoqëruarve, Stresi ka përfituar nga neglizhenca e punonjësve të policisë, të cilët ishin në shërbim, duke u larguar nga dritarja e dhomës. Burime të policisë thanë se Arkimed Lusha, një nga personat shumë problematikë për drejtësinë, në momentin e ndalimit ka qenë duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur. Fillimisht mësohet se Stresi nuk ka pranuar të bëjë matjen e sasisë së alkoolit, por punonjësit e qarkullimit rrugor e kanë detyruar të qëndrojë dhe t’u nënshtrohet rregullave. Pas këtij momenti, ai është shoqëruar nga efektivët e rrugores në komisariatin numër 3. Aty u është dorëzuar punonjësve të shërbimit, të cilët duket se kanë neglizhuar në detyrë.

 

Hetimi

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Policisë së Shtetit. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm pranë Ministrisë së Brendshme ka nisur hetimin administrative. Sapo është dhënë informacioni, të parët janë pezulluar gjashtë efektivët e policisë, të cilët në momentin e arratisjes, kishin marrë detyrë të kontrollonin të shoqëruarin dhe të mos lejonin qëndrimin e tyre vetëm. SHKB dyshon se mes efektivëve të policisë mund të ketë pasur persona të cilët kanë ndihmuar këngëtarin të arratiset. Në të njëjtën kohë Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim këngëtarin Arkimed Lusha i njohur me emrin e artit Stresi. Pas arrestimit ai do të përballet me drejtësinë për dy vepra penale, atë të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe atë të arratisjes nga vendi i vuajtjes së dënimit. Arkimed Lusha nuk është hera e parë që bëhet problem për drejtësinë. Ai është shoqëruar disa herë nga efektivët e policisë, pasi është kapur duke mbajtur armë pa leje, ka shkelur edhe më parë rregullat e qarkullimit dhe një herë tjetër është përfshirë në një skandal rrahjeje të një artisti. Në të gjitha rastet, Lusha ka arritur t’i shpëtojë drejtësisë, duke marrë dënime fare minimale, ose shpallur i pafajshëm.

 

 

Lezhë

Shpërthen bombola e gazit, digjet tërësisht banesa

 

Një familje në qytetin e Lezhës është tronditur, pasi banesa e saj është shkrumbuar tërësisht si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi. Burime të policisë së qytetit bëjnë me dije se nga shpërthimi i bombolës është djegur e gjithë banesa, e cila është në pronësi të Preng Markut. Fatmirësisht, nuk ka dëme në njerëz. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Kotël të komunës Dajç në qytetin verior, rreth orës 13:30 të ditës së djeshme. Burime nga policia bëjnë me dije se ngjarja dyshohet të jetë aksidentale dhe nuk ka të lënduar.

 

 

Elbasan

I dënuari me burg përjetë Dritan Kateshi, 5 orë leje për varrimin e nënës

 

I dënuari me burgim të përjetshëm, Dritan Kateshi, ka marrë 5 orë leje. Drejtoria e Burgjeve i ka dhënë leje Kateshit pas vdekjes së nënës së tij, Zenepe Kateshi. I dënuari u shoqërua nga Forcat Speciale. Dritan Kateshi konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë, pasi ka qenë një nga kapot e bandave të vitit 1997 në qytetin e Elbasanit. Banda e krijuar nga ai mori emrin e kryetarit të saj, Dritan Kateshit, ndërsa filloi aktivitetin e vet në maj të 1997. Banda e Kateshit aktivitetin e saj kryesor e ka nisur me grabitje në akset rrugore, vendosje gjobash, vjedhje me dhunë të makinave etj. Të trimëruar me armët në krah dhe numrin e madh të pjesëtarëve të grupit shumë shpejt nisën edhe me krimin e vrasjes.

 

 

Lezhë

Përndiqte ish-bashkëshorten, arrestohet autori

 

Prej disa kohësh përndiqte gruan me të cilën kishte jetuar disa vite. Ndonëse ishin të divorcuar, ish-burri nuk e linte të qetë. Pas veprimeve, të cilat ishin bërë të shpeshta, policia në qytetin e Lezhës, ka bërë të mundur arrestimin e autorit. Burime nga policia thanë se i arrestuari është 45-vjeçari Gegë Vata, me banim në Ishull-Lezhë. Mësohet se ai ka përndjekur duke ngacmuar, kërcënuar dhe shkaktuar ankth në mënyrë të përsëritur, ish-bashkëshorten e tij, e cila është identifikuar si shtetasja me iniciale L. V., banuese në Balldren, me arsim të mesëm. Arrestimi i Vatës është bërë mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:00, ndërsa materialet procedurale në lidhje me këtë ngjarje i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Përndjekja”.

 

 

Lezhë

Terrorizojnë me armë qytetin, në kërkim autorët

 

Disa persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë mbi një shtëpi në qytetin e Lezhës. Burime nga policia konfirmojnë se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së qytetarit të identifikuar me inicialet F. B,, 42 vjeç, banues në Lekundë të Mirditës. Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 11 gëzhoja, 4 bërthama plumbash dhe 3 këmisha plumbi. Fatmirësisht, si pasojë e goditjes me armë zjarri nuk ka pasur të dëmtuar. Ndërkaq, po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Materialet në lidhje me këtë ngjarje i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprën penale “Kanosjes” dhe “Prodhim e mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency