Skandali/ SHBA heton FIFA-n, 100 milionë dollarë të vjedhur, zyrtarë të lartë në pranga

0
154

 

SHBA heton FIFA-nKorrupsioni duket se ka arritur majat në institucionin më të lartë të futbollit, por kjo duket se nuk shqetëson Blaterin që është shprehur se nuk heq dorë nga posti i Presidentit

Shtëpia e Futbollit Botëror (FIFA) është përfshirë nga një ‘tërmet’ para Kongresit të saj të 65-të, edhe pse në një dalje publike të fundit, zgjedhjet të premten do të bëhen normalisht. Këtë e përcaktoi Valter De Gregorio, drejtori i Komunikimit më FIFA-n. Policia e Zvicrës ka arrestuar disa zyrtarë të këtij institucioni, me pretekstin se kanë qenë të përfshirë në korrupsion. Sipas amerikanes “New York Times” arrestimet janë bërë nga autoritetet zvicerane, me kërkesë të Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Zyrtarët e arrestuar do të ekstradohen në Amerikë. Zyrtarët e arrestuar, numri i të cilëve shkon mbi 10 persona, akuzohen se kanë mashtruar dhe kanë bërë pastrimin e parave. Thuhet se këto arrestime janë kryer pas një hetimi trevjeçar që ka bërë FBI. Nga ana tjetër, vetë zëdhënësi i FIFA-s, deklaroi që një hetim të tillë, e ka kërkuar vetë FIFA që 18 nëntorin e kaluar në një kohë që nga ana tjetër ky hetim ka gati vjet që bëhet përtej Atlantikut, pasi atje janë bërë edhe transaksionet financiare. Gjatë viteve të fundit, FIFA ka punuar në dy drejtime kryesore, forcimin e rregullave të lojës së futbollit por edhe shkeljen e tyre. Institucioni që qeveris lojën në popullore të botës është transformuar në një kolos shumëmilionësh me një fuqi të madhe por me pak përgjegjësi…të paktën sipas kritikëve. Pika që mbushi gotën ishte caktimi i Rusisë dhe Katarit për organizimin e dy botërorëve dhe kjo jo për shkak të emrit të dy vendeve por për shkak të procedurës që u ndoq për të shkuar te këto dy kandidatura. Pas këtij momenti, FIFA organizoi një proces pastrimi brenda saj. Për të qenë më të qartë, pastrimi nuk ndodhi ndaj figurave të dyshuara por ndaj akuzave që peshonin mbi supet e një institucioni që falë fuqisë financiare ka arritur të imponohet me arrogancë. Por pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë aktorë kryesorë në një proces pastrimi në një kohë kur futbolli nuk është shumë popullor në vendin përtej Atlantikut? Sipas CNN, Uashingtoni nuk kërkon të rrijë duarkryq në këtë lojë që po luhet nga FIFA, sepse mbi të gjitha në lojë është një event si Kupa e Botës por edhe miliarda dollarët që fitojnë vendet që e organizojnë me të ardhurat dhe nga turizmi dhe imazhi. FIFA si pikë rëndese e një eventi të tillë, mesa duket ka bërë autogol, jo për faktin se zgjodhi Rusinë e Katarin, por sepse nuk pranoi të bënte transparencë me gjithë procesin. Prokurori që udhëheq hetimet është Michael Garcia, i cili për 19 muaj ka studiuar dokumentacionin e lidhur me botërorin 2018 dhe 2022 duke hartuar një raport prej 350 faqesh. Drita jeshile në FBI u ndez me pastrimin e emrit të figurave më të larta të FIFA-s nga Komiteti i Etikës dhe ky ishte një asist për hetuesit amerikanë që janë vënë në lëvizje për të evidentuar dhe më pas arrestuar të dyshuarit për korrupsion. Çelësi që hapi dyert për autoritetet hetuese amerikane është ish anëtari i Komitetit Ekzekutiv të i FIFA-s, Chuck Blazer. Ai ofroi dokumente dhe regjistrime sekrete të takimeve me kolegët e tij në FIFA, duke vendosur përpara faktit shumë prej emrave të rëndësishëm të selisë me qendër në Zyrih. Një tjetër arsye pse SHBA u përfshi në këtë çështje është edhe fakti se ky vend është pjesë e Concacaf-it, ku ish presidenti Jeffrey Webb u akuzua për afera korruptive, por figura e tij u pastrua pikërisht nga FIFA. Aktualisht, sipas përllogaritjeve të bëra nga Zyra Federale e Drejtësisë në Zvicër, të akuzuarit dyshohen se kanë marrë ryshfete me vlerë deri në 100 milionë dollarë në total gjatë 25 viteve të fundit. Në këmbim, ata kanë siguruar prioritete mediatike, marketingu, sponsorizimi në mënyrë të padrejtë në SHBA. Me fjalë më të thjeshta, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e hedhin këtë valle sepse shumë prej interesave ekonomike dhe financiare të Uashingtonit janë prekur nga korrupsioni që ka hedhur rrënjë në FIFA por i ka shpërndarë degët në të gjithë globin, përfshirë këtu edhe vendin më të fuqishëm të planetit.

 

Fifa: Blater nuk jep dorëheqjen

FIFA mban një qëndrim zyrtar në lidhje me arrestimet e zyrtarëve të lartë të cilët akuzohen për korrupsion dhe influencim në zgjedhjet për caktimin e Rusisë e Katarit për organizimin e Kupës së Botës 2018 dhe 2022. Zëdhënësi Walter De Gregorio u kujdes që të qartësonte pozicionin e institucionit më të lartë të futbollit, duke theksuar fillimisht se hetimi i autoriteteve amerikane do ta ndihmojë FIFA-n të pastrojë imazhin edhe pse vjen në një moment dekilat siç janë zgjedhjet presidenciale për të cilat konfirmoi se do të mbahen rregullisht. “Të gjithë do të bashkëpunojmë me drejtësinë amerikane për ta zbardhur sa më shpejt këtë çështje. Ne jemi të interesuar që të pastrohet imazhi i institucionit nga të gjitha këto akuza. Unë nuk mund të jap emra apo numrin e të arrestuarve gjatë aksionit sepse ngjarja është në hetim. Mund të konfirmoj se Kongresi do të zhvillohet normalisht sepse hetimet nuk kanë asnjë lidhje me punimet që do të mbahen për zgjedhjen e presidentit të ri të FIFA-s”. Një qëndrim i prerë nga ana e FIFA-s që po kalon një nga momentet më të vështira të historisë së këtij institucioni por që nuk do të ndikojë aspak tek punimet e Kongresit ku pritet që Blatter të fitojë një tjetër mandat 4-vjeçar. De Gregorio saktësoi gjithashtu se hetimet nuk do të prekin as vendimin për organizimin e Botërorit 2018 dhe 2022 në Rusi e Katar, ndërsa nënvizoi se Blatter nuk ndihet përgjegjës për skandalin. “Përgjigjet për personat e akuzuar mund t’i japë vetëm prokuroria amerikane. Botërori 2018 do të zhvillohet në Rusi dhe ai i vitit 2022 në Katar. Për sa i përket presidentit Blatter mund të them se ai do të vihet në dispozicion të hetimeve për të hedhur sa më shumë dritë. Ai nuk është i përfshirë në këtë çështje, prandaj nuk ka arsye për të dhënë dorëheqjen. Blatter është i qetë dhe po vazhdon punën për organizimin e Kongresit. Ne dëshirojmë të vazhdojmë rrugën e nisur 4 vjet më parë dhe asgjë nuk do të na ndalojë”. Qëndrimi zyrtar i FIFA-s mund të shkaktojë edhe më shumë tension mes aktorëve të ndryshëm në botën e futbollit pasi Blatter mbetet një nga njerëzit më të sulmuar në këtë institucion. Nga raportimet zyrtare ai mbetet nën hetim por nuk ka ende një akuzë edhe pse në të shkuarën shumë faktorë politikë apo zyrtarë të lartë të federatave kanë drejtuar gishtin e akuzës ndaj tij për mungesën e transparencës dhe shkallën e lartë të korrupsionit në institucionin që ai drejton.

 

 

Princi Ali: Nuk pranohet kriza e FIFA-s

Trazirat që kanë përfshirë nivelet më të larta drejtuese të FIFA-s nuk mund të liheshin pa u komentuar nga njeriu që pretendon të marrë drejtimin e saj. Princi Ali Bin Al Hussein, kandidati i vetëm në garën me Sepp Blatter, tha se me skandalin e fundit të korrupsionit, FIFA nuk mund të qëndrojë më nën kaosin që vjen nga regjimi i zviceranit. “FIFA-s i duhet një lidership që udhëheq, orienton dhe mbron federatat. I duhet një lidership që pranon përgjegjësinë për veprimet që bën dhe që nuk e delegon fajin diku tjetër. Nuk mund ta pranojmë këtë krizë që ka përfshirë FIFA-n. Është një krizë që ka nisur prej kohësh dhe që nuk ka lidhje vetëm me ngjarjet e fundit”. Pavarësisht situatës kaotike nga arrestimi i disa zyrtarëve të lartë të FIFA-s, të cilët akuzohen për korrupsion, qeveria botërore e futbollit ka deklaruar se zgjedhjet presidenciale do të zhvillohen sipas planit. Në garë kanë mbetur Princi Ali dhe Blatter, pas tërheqjes së Figos dhe Van Praag.

 

Roshi pranë Këlnit, Meha para opsionit Shalke

Edhe Odise Roshi ka ardhur me pushime në Shqipëri dhe pikërisht në Fier pranë familjes se tij, por ende nuk dihet e ardhmja e tij. Pas një sezoni pozitiv të Frankfurt ku mesfushori i krahut shënoi në disa takime, është Këln që dëshiron të rikthejë Roshin në skuadër. Dhe Roshi është aktivizuar te Keln në vitin e parë kur u transferua nga Shqipëria në Gjermani Nëse pista e Këlnit nuk realizohet, Odiseja është i vendosur që këtë sezon të ndryshoj ekip, duke i matur forcat në një skuadër më të fortë. Ndërkohë kanë filluar pushimet edhe për Alban Mehën ne Kosove, por telefoni nuk mbyllet, sepse menaxheret punojnë për te ardhmen e tij. Futbollisti i Paderbornit mbërriti në Mitrovicë ditën e djeshme, për të pushuar disa ditë përpara grumbullimit me ekipin kombëtar. Kontrata e tij me Paderbornin ka përfunduar dhe mesfushori është në kërkim të një destinacioni të ri. Pas dorëheqjes së Di Mateos nga drejtimi i Shalkes, emri i Andre Braitenraiter është ai që përflitet si pasues i tij. Në këtë mënyrë, mesfushori shqiptar mund të ketë një dritë jeshile për mesfushën e skuadrës së Bundesligës gjermane. Me largimin e mesfushorit Kevin Prince Boateng, mund të ketë një hapësirë të shtuar në ekipin gjerman, ku afrimi i mesfushorin e Kombëtares mund te jete nje alternative.

 

Casillas: De Gea, me eksperiencë

Iker Casillas beson se portieri i Manchester United-it, David De Gea, është i gatshëm për ta mbrojtur portën e Real Madridit. Kapiteni i “Los Blancos” është kritikuar në sezonet e fundit, ndërsa spekulohet se mund ta largohet nga “Bernabeu” këtë verë. Ai ka thënë se dëshiron të qëndrojë, ndërkohë që thuhet se De Gea mund të transferohet në kryeqytetin spanjoll. “Mendoj se ai mund ta durojë presionin. Duke pasur respekt për Atletico Madridin që është një klub i shkëlqyer, por mendoj se Manchester Unitedi është klub më i madh dhe jam i sigurt se koha te United i ka shërbyer si një përvojë e shkëlqyer”, – ka deklaruar Casillas për “Cadena Ser”. I pyetur se a do të qëndronte nëse Reali e blen De Gean, ai ka thënë: “Pse jo? Do të mbijetoja. Më pëlqen konkurrenca”.

 

Wenger: Vidal, i preferuari im

Arsene Wenger ka pranuar se është një fans i Arturo Vidalit dhe nuk e ka hedhur poshtë mundësinë e transferimit të mesfushorit të Juventusit. Gazetarët e kanë pyetur menaxherin e Arsenalit rreth thashethemeve për kilianin dhe sulmuesin e Real Madridit, Karim Benzema. Megjithatë, ai nuk ka komentuar asgjë rreth blerjeve të mundshme, duke mos mohuar as pohuar asgjë. “Më pëlqen Arturo Vidal. Mund ta shihni se tashmë nuk jam i disponuar të flas për transferimet”. “Do të merremi me transferime pas finales së Kupës FA. Të gjitha janë të dyshimta, askush nuk e di nëse janë të vërteta apo jo”, ka thënë tekniku francez.

 

Pique: Sa më i vjetër, aq më i mirë në fushë

Gerard Pique thotë se po bëhet më i mirë me kalimin e viteve dhe se dëshiron të qëndrojë te Barcelona deri në fund të karrierës së tij. Qendërmbrojtësi spanjoll u kthye te “blaugranët” shtatë vite më parë pas një qëndrimi te Manchester United dhe ka shijuar sukses të madh në “Camp Nou”. 28-vjeçari ka edhe katër vite në kontratën e tij me kampionin e Spanjës, ndërsa shpreson që të vazhdojë të luajë akoma më gjatë te katalanasit. “Do të pensionohem te Barça. Nuk e di kur – sa më i moshuar që jam, aq më i mirë po bëhem. Jam i sigurt për këtë. Nuk mund ta imagjinoj veten me një fanellë tjetër”, – ka thënë qendrori katalanas.

 

Barça në sulm për Fabinjo

Mbrojtësi i Monacos, Fabinho, është etiketuar si opsion për të zëvendësuar Daniel Alvesin te Barcelona. Mundo Deportivo shkruan se Fabinho, i cili ishte i huazuar te skuadra e Ligue 1 nga Rio Ave para se të nënshkruajë kontratë të përhershme, ende është në pronësi të një pale të tretë. Kjo që do të thotë se Barca mund ta transferojë atë më me lehtësi. Fabinho më herët ka qenë i huazuar te ekipi i dytë i Realit, Real Madrid Castilla, dhe është përcjellë nga drejtuesit e Barcës për tashmë një kohë të gjatë.

 

Bolt dhe Powell, triumfues në 100 dhe 200-metërsh

Usain Bolt dhe Asafa Powell kanë triumfuar në mitingun e Ostravës respektivisht në garat e 200 dhe 100 metrave. Në eventin e përvitshëm që zhvillohet në Çeki rekordmeni Botëror në garat e sprintit 100 dhe 200 metra tregoi një formë të mirë edhe pse është ende larg gjendjes së tij optimale. Bolt, i cili mori pjesë vetëm në garën e 200 metrave, e përshkoi pistën me kohën 20 sekonda e 13 të qindtat duke lënë pas atletin amerikan Isiah Young dhe grekun Tsakonas. Sprinteri xhamajkan përmirësoi në këtë mënyrë kohën e tij më të mirë gjatë këtij viti në garën e 200 metrave prej 20 sekondash e 20 të qindtat të vendosur në muajin prill në Xhamajkë, por Bolt ka ende punë për të bërë nëse dëshiron ti afrohet sadopak rekordit të tij Botëror në këtë dispilinë prej 19 sekondash e 19 të qindtat. Ndërkohë në garën e 100 metrave në mungesë të Bolt ishte Asafa Poëell ai që ngriti lart flamurin e Xhamajkës. Ky i fundit e ndali kronometrin me kohën 10 sekonda e 4 të qindtat duke lënë pas amerikanin Young dhe britanikun Richard Kilty.

 

Arsenal pranë nënshkrimit me Morenon

Arsenal është duke përcjellë nga afër sulmuesin e Villarealit, Gerard Moreno. Sipas “Daily Mirror”, “topçinjtë” janë të interesuar ta sjellin në Emirates Stadium 23-vjeçarin i cili ka edhe një vit të mbetur në kontratën e tij në El Madrigal. Moreno raportohet se është në dispozicion për tre milionë funte, që duket se do të jetë një biznes i mirë pasi ai shënoi 16 gola në të gjitha garat në sezonin e fundit për Nëndetësen e Verdhë. Ende nuk është e sigurt nëse Arsenali do të bëjë ofertë për lojtarin, por ai vazhdon të mbetet në radarin e skuadrës londineze.

 

De Bruyne: Flas me Volfsburgun për Bajernin

Ylli i Volfsburg, Kevin de Bruyne i ka hapur derën një lëvizjeje të mundshme drejt Bayern Munich. 23-vjeçari ka gëzuar një formë të mirë prej se është transferuar në “Volkswagen Arena” duke e frymëzuar klubin e tij drejt vendit të dytë në Bundesligë, dhe finales së DFB Pokal. Volfsburg insistoi se belgu nuk është në shitje ndërsa skuadrat që interesohen më shumë për të janë Bayern dhe Manchester City. “Nëse Bayern janë të interesuar, atëherë ata duhet të flasin me Volfsburgun”, – tha ai për Sport Bild. “Ata do të marrin një vendimin pasi ata janë përgjegjës për të ardhmen time. Gjithçka që dijë në lidhje me klubet e interesuara është nga leximi në gazeta. Unë nuk kam folur me ndonjë klubet tani. Megjithatë, unë nuk mund të them se definitivisht do të qëndrojë këtu këtë verë”, – tha De Bruyne. De Bruyne u bashkua për 20.000.000 € në janar të vitit 2014 nga Chelsea pasi nuk kishte hapësirat e duhura nën urdhrat e Jose Mourinhos.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here