Skandali/ Doshi dhe Frroku merren në pyetje, dosja përfundon në Gjykatë

0
111

Doshi dhe FrrokuMbërrin në Gjykatën e Lartë dosja e Prokurorisë së Përgjithshme me kërkesën për vleftësimin e arrestit dhe caktimin e masës së arrestit. Avokatët kundërshtojnë

Dy deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku qëndruan në ambiente të ndara në Drejtorinë e Policisë Tiranë natën e ndalimit datë 26 mars. Ndërkohë, mëngjesi i djeshëm ishte ndryshe për ta. Në dhomat e secilit u futën prokurorët e çështjes për të plotësuar procesverbalin e marrjes në pyetje. Pas tyre mbërritën edhe avokatët mbrojtës. Këta të fundit, më të ashpër në deklaratat e tyre për mediat. Fjalët e dy deputetëve të ndaluar tashmë u pasqyruan në media përmes avokatëve mbrojtës. E njëjta gjë ndodhi edhe për qëndrimin. Por në një kohë që avokatët presin të marrin në dorë dokumentet e Prokurorisë që provojnë akuzat e ngritura ndaj dy deputetëve, Prokuroria ka vazhduar me veprimet e saj paraprake. Pas marrjes në pyetje prokurorët Adnand Xholi dhe Altin Binaj hartuan edhe materialin, i cili iu paraqit Gjykatës së Lartë për vleftësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurimit. Urdhri i ndalimit për dy deputetët u firmos pak pas mesditës së të enjtes nga prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla. Deputeti Tom Doshi sipas Prokurorisë akuzohet se ka konsumuar veprat penale të dhënies së dëshmisë së rreme, kallëzimit të rreme dhe kanosjes me jetën për dhënien e dëshmisë së rreme. Ndërsa deputeti Mark Frroku nga ana tjetër akuzohet për konsumimin e veprës penale të kallëzimit të rreme dhe dëshmisë së rreme para organit procedurës.

 

Arrestimi

Tom Doshi dhe Mark Frroku u shoqëruan për në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë rreth orës 16:30 minuta të së enjtes. Menjëherë pas veprimit të parë ndaj tyre u mor masa e ndalimit, për të cilën Prokuroria kishte kërkuar më parë lejen nga Kuvendi i Shqipërisë. Të dy deputetët e pritën me qetësi ndalimin, për të cilin ishin përgatitur më parë. Tom Doshi u ndalua teksa qëndronte në banesë, ku pak minuta se të mbërrinte policia postoi dhe një status në faqen e tij sociale “Facebook”. Ndërsa Mark Frroku u mor nga ambientet e biznesit të tij në Kombinat. Asnjë prej tyre nuk kundërshtoi policinë, por të qetë u futën në makina private duke përfunduar në Drejtorinë e Policisë në dhoma të ndara. Nata e parë ishte e qetë. Ndërsa të vetmit që trokitën në dyert e policisë ishin familjarët, të cilët dërguan ndërresa dhe ushqime.

 

Deklaratat

Asnjë prej personave tashmë të ndaluar nuk kanë pranuar akuzat e ngritura nga Prokuroria e Përgjithshme, pas kalimit të çështjes nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Tom Doshi, protagonist kryesor i kësaj ngjarjeje, i cili akuzoi kreun e Kuvendit se kishte organizuar një atentat ndaj tij, vazhdon t’u qëndrojë deklaratave të mëparshme, duke u shprehur se janë tërësisht të vërteta dhe nuk ka asgjë të rreme, ashtu sikundër shprehet akuza. Por në këtë qëndrim del edhe deputeti Mark Frroku që nga ana e tij shprehet se nuk ka lidhje me ngjarjen që, sipas tij, është stisur nga Doshi. Mes dy deputetëve, thotë akuza, ka problem në deklarime. Doshi gjithashtu është shprehur nga ana e tij se ka në dorë prova, të cilat vërtetojnë se akuza ka manipuluar çështjen, madje është shkuar deri aty sa Durim Bami është kërcënuar me jetë në qeli. Por përkundër asaj që deklaron Doshi, Prokuroria e Përgjithshme ngul këmbë se Tom Doshi ka inskenuar eliminimin e tij fizik, duke hedhur baltë.

 

Marrja në pyetje

Prokurorët e Krimeve të Rënda përfunduan marrjen në pyetje të deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku. Prokuroria ka plotësuar procesverbalin e pyetjeve me të pandehurit ku të pranishëm kanë qenë dhe avokatët mbrojtës. Mësohet se në seancën e marrjes në pyetje në Drejtorinë e Policisë dy deputetët kanë mbajtur të njëjtin qëndrim si më parë. Pra, kanë mohuar gjithçka të servirur nga akuza, madje kanë shkuar më tej kur kanë thënë se gjithçka po bëhet e rrezikshme me veprimet dhe mosveprimet e prokurorisë.

 

Durim Bami merret në pyetje nga Krimet e Rënda

 Personi që ra i pari në prangat e policisë si person që ishte paguar për të vrarë deputetët Tom Doshi dhe Mhill Fushi, Durim Bami, do të hetohet dhe gjykohet në të njëjtën dosje me deputetët. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme bëjnë me dije se çështja është e lidhur dhe në këto kushte Bami do të gjykohet nga Gjykata e Lartë, pasi më parë të ketë përfunduar hetimi i Prokurorisë. Dje gjatë paradites Durim Bami i është nënshtruar një seance pyetjesh në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Kjo seancë zhvillohet tri ditë pasi akuza ndryshoi për të kualifikimin e veprës penale, nga ajo e vrasjes për shkak të cilësive të viktimës në dëshmi të rreme. Prokuroria është e bindur se ka në dorë prova të plota se dy deputetët kanë inskenuar në bashkëpunim vrasjen, duke akuzuar drejtpërdrejt figurën e kreut të Kuvendit Ilir Meta.

 

Doshi: Kam video të dytë, Prokuroria ka manipuluar

 Deputeti i përjashtuar nga radhët e Partisë Socialiste dhe i ndaluar të enjten për tri akuza të ngritura nga Prokuroria e Përgjithshme, është shprehur se në Gjykatën e Lartë do të provojë manipulimet e akuzës. Doshi deklaroi para se të arrestohej se disponon një video, e cila tregon, sipas tij, që Durim Bami është kërcënuar në ambientet e paraburgimit nga një punonjës policie. Doshi gjithashtu është shprehur se nuk ka pasur asnjëherë besim të Prokuroria, edhe pse për 18 ditë me radhë ka qenë i pranishëm në ambientet e saj me prova konkrete. Sipas Doshit, Ilir Meta bëri çdo përpjekje për të mbyllur çështjen, e cila, thotë ai, nuk mund të mbetet me kaq. Deputeti kërkoi disa herë praninë e ndërkombëtarëve në hetimin e situatës. Por Prokuroria e Krimeve të Rënda e kundërshtoi kërkesën e tij, duke pretenduar se situata mund të zgjidhej pa pasur nevojën e ndërkombëtarëve. Po kështu u kërkua edhe kryerje e një akti ekspertize për videon e publikuar nga Tom Doshi në fillim të marsit. Hetimi për akuzat publike të Tom Doshit se ndaj tij ishte inskenuar një vrasje u nisën kryesisht nga Prokuroria e Krimeve të rënda. Këtij organi iu deshëm vetëm 18 ditë për të dalë me konkluzionin se vrasja është inskenuar nga Tom Doshi, Durim Bami dhe Mark Frroku.

 

 Avokatët/ “Ndalim i kundërligjshëm, Prokuroria ka tejkaluar kompetencat”

 Mbrojtja e dy të ndaluarve e ka cilësuar të kundërligjshëm vendimin e Prokurorisë. Paraditen e djeshme, mbrojtja e Doshit i është drejtuar Gjykatës së Lartë me kërkesën për lirim të menjëhershëm

Avokatët i janë drejtuar Gjykatës së Lartë paraditen e djeshme me kërkesën për lirimin e menjëhershëm të deputetëve. Avokati Vladimir Meçi depozitoi në sekretarinë e Gjykatës së Lartë kërkesën për lirimin e deputetit Tom Doshi i marrë tashmë si person që dyshohet se ka konsumuar tri vepra penale. Por për avokatin Meçi Prokuroria ka gabuar rëndë, pasi ka vepruar në tejkalim të kompetencave të saj. Sipas Meçit, deri dje ata nuk janë njohur me provat, ndërsa Prokuroria tha ai nuk mund të kërkojë ndalimin e klientit të tij për aq kohë sa nuk rrezikohet prishja e hetimit dhe mundësia e largimit të tij jashtë vendit. Me ligj, tha avokati, një person ndalohet kur ka dyshime të bazuara se ai mund të largohet jashtë vendit, ndërsa arrestimi kryhet kur ekzistojnë dyshimet se mbajtja e tij në gjendje të lirë do të prishte provat. Por ai shtoi më pas se deputeti Doshi nuk rrezikon as të largohet dhe as të prishë provat, pasi është vetë ai që i është drejtuar Prokurorisë për të dorëzuar provat konkrete. Për avokatin e gjithë rruga që ka ndjekur akuza është e gabuar dhe në tejkalim të kompetencave.

 

Visha dhe Gjokutaj

“Nuk kemi asnjë lidhje me akuzat fantazma apo lidhje me vrasje që aludohet se ka përgatitur Kryetari i Parlamentit”. Kështu janë shprehur dy avokatët mbrojtës të deputetit tjetër të ndaluar Mark Frroku, Genc Gjokutaj dhe Saimir Vishaj. Ndërkohë, po sipas tyre, mësohet se kreu kristiandemokrat Mark Frroku ende është i befasuar nga arrestimi i tij dhe nga fakti që është implikuar në historinë e atentatit që Doshi pretendon se Kryeparlamentari Meta kishte urdhëruar ndaj tij. Qëndrimi që Frroku ka mbajtur para prokurorëve dhe oficerëve gjyqësorë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, u bë publik nga dy avokatët e tij Saimir Vishaj dhe Genc Gjokutaj. Në një prononcim për mediat pas marrjes në pyetje të deputetit Frroku, avokatët thanë se prangosja e klientit të tyre është e jashtëligjshme dhe se në seancën gjyqësore për masën e sigurisë do të kërkojnë lirimin e tij. Saimir Vishaj përsëriti disa herë qëndrimin e klientit të tij, duke thënë se Mark Frroku nuk ka pasur asnjë dijeni për atentatin që Doshi pretendon se do të bëhej ndaj tij gjashtë muaj më parë. “Mark Frroku është i befasuar se si persona të tjerë kanë sajuar vrasje të porositur gjoja nga kryetari i Kuvendit. Nuk kemi asnjë lidhje me akuzat fantazmë në lidhje me ndonjë vrasje nga kreu i Kuvendit. Klienti ynë përjashtohet në mënyrë kategorike nga ndonjë dijeni për porositje të ndonjë vepre të tillë, nuk e di kush i sajon këto gjëra, akuza të fabrikuara nga njerëz të papërgjegjshëm”, – u shpreh Vishaj. Ai tha se është i bindur në paligjshmërinë e arrestimit por shtoi se nuk do të dorëzojë kërkesë në Gjykatën e Lartë për lirimin e Frrokut, porse do t’i shprehë argumentet në seancën gjyqësore që pritet të mbahet të shtunën.

 

Formulimi i akuzës ndaj deputetëve dhe dyshimi mbi klasifikimin

 Prokurori i Krimeve të Rënda, Adnand Xholi, dhe prokurori tjetër, Altin Binaj, përgjatë natës së djeshme kanë përpiluar kërkesën për caktimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Lartë ndaj dy deputetëve të Parlamentit Mark Frroku dhe Tom Doshi. Në përpilimin e kërkesës mësohet të ketë asistuar dhe vetë kryeprokurori Adriatik Llalla, ku së bashku me dy prokurorët e tjerë kanë renditur një sërë provash, si përgjime, tabulate telefonike dhe dëshmi, të cilat, sipas akuzës, vërtetojnë se deputetët kanë mashtruar por njëherësh kanë kanosur me jetë dhe shtetasin Durim Bami, edhe ky tashmë i arrestuar. Urdhri i ndalimit i Prokurorisë së Përgjithshme për arrestimin e dy deputetëve duket se do shërbejë si “thikë” me dy presa në Gjykatën e Lartë. Kjo, pasi nëse Gjykata e Lartë do të pranojë këtë urdhër si të ligjshëm, i cili motivohet në kushtet e rrezikshmërisë për ikje të deputetëve, do të çojë Doshin dhe Frrokun të pandehur disa ditë më vonë në Gjykatë. Por nëse Gjykata e Lartë vendos të pranojë kërkesën e avokatëve për nxjerrjen e paligjshëm të urdhër-ndalimit dhe kontrollit të banesave, atëherë çështja ndaj dy deputetëve del “nul” dhe se çdo veprim i kryer pas këtij vendimi është i paligjshëm dhe dosja pushohet nga ana e organit procedues. Duket se Prokuroria është nxituar me marrjen e një vendimi kaq të shpejtë për arrestimin e deputetëve, në një kohë kur Frroku dhe Doshi nuk i janë fshehur asnjë ditë hetimit të zhvilluar pak kohë më parë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Tjetër gjë, që është e diskutueshme juridikisht janë dhe akuzat e ngritura nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, pasi flitet për një akuzë si kallëzimi i rremë, ndërkohë që qoftë Frroku, por edhe Doshi nuk kanë bërë kallëzim. Ndërsa për sa i përket akuzës së dëshmisë së rreme para prokurorit, juristët shprehen se edhe një vepër penale e tillë nuk qëndron, pasi deputetët janë pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen dhe jo në cilësinë e dëshmitarit në Gjykatë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency