Skadon afati, qeveria nuk sjell dot në Kuvend Buxhetin 2015

0
151

Ervin Kaduku

 –   Duket se “terezia është prishur” nga mosmarrëveshjet e lindura mes Financave dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që kërkon rritje të taksave në kushtet e mosrealizimit të të ardhurave

–   Financat: Nuk do të ketë rritje pensionesh, vetëm indeksim sa inflacioni

 mbledhja e qeverise RamaSipas Ligjit Organik për Buxhetin e Shtetit, brenda datës 1 nëntor, kryeministri, në emër të Këshillit të Ministrave, i paraqet Kuvendit projektbuxhetin për vitin e ardhshëm financiar. Duket se kjo datë nuk do të respektohet as sivjet, siç nuk u respektua as vitin e kaluar. Muaji tetor po përfundon, por qeveria jo vetëm që nuk e ka miratuar dhe nuk e ka gati për Kuvend projektligjin më të rëndësishëm financiar, por nuk ka shqyrtuar ende as draftin e përgatitur nga Financat. Siç është sanksionuar në ligj, brenda datës 25 tetor Këshilli i Ministrave duhej të kishte miratuar me vendim projektbuxhetin vjetor dhe programin buxhetor afatmesëm të rishikuar çdo vit. Më pas, p/ligji nis odisenë në diskutimet e komisioneve parlamentare. Miratimi i buxhetit nga Kuvendi i hap rrugë më pas dekretimit të tij nga Presidenti dhe botimit në Fletoren Zyrtare, që sjell hyrjen e tij në fuqi duke nisur nga 1 janari.

Duket se pengesë themelore këtë vit mbetet çështja e energjisë elektrike, e cila prej vitesh është barrë në buxhet dhe një nga shkaktarët kryesorë të rritjes së barrës së borxhit shtetëror. Duke e gjykuar një gjë të tillë si një rrezik serioz për stabilitetin financiar të vendit, FMN është duke kërkuar hollësira për kostot që mund të vijnë nga sektori energjetik në vend dhe që mund të prekin buxhetin. Energjia elektrike dhe fondet që duhen për sigurimin e saj edhe për vitin 2015 duket se po mbajnë peng edhe paketën fiskale dhe projektbuxhetin e vitit që vjen.

 

Drafti

Buxheti i vitit të ardhshëm është parashikuar të jetë në vlerën e 4.5 miliardë dollarëve, bëjnë të ditur burimeve nga Ministria e Financave. Sipas variantit paraprak të Ministrisë, fushat prioritare ku do të fokusohen dhe investimet janë arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe infrastruktura, sektorë këta që kanë dhe ndjeshmëri më të madhe sociale.

Vitin e ardhshëm, sipas burimeve, investimet totale parashikohen të jenë 4.3% më të larta, eksporti neto i mallrave dhe shërbimeve parashikohet të vazhdojë përmirësimin e bilancit të tij neto me rreth 5.8%. Ndërkaq, ndërtimi duhet të kthehet në norma pozitive të rritjes për vitin 2015. Prodhimi industrial, duke përfshirë industrinë nxjerrëse dhe atë të prodhimit, do të rritet mesatarisht me 6.1%, ndërsa prodhimi bujqësor, duke supozuar kushte normale klimatike, është projektuar 4.4% më i lartë se viti 2014.

Borxhi publik do të vijojë të jetë shumë i lartë, në rreth 71.7% e PBB-së.

Totali i të ardhurave parashikohet në vlerën 391 miliardë lekë.

Për pushtetin vendor parashikohet të ketë më pak fonde për personelin, ndërkohë që për pensionet nuk parashikohet rritje, por vetëm indeksim në përputhje me nivelin e inflacionit. Me rritje gjithnjë të vogla janë parashikuar edhe fondet për kompensimin në vlerë të ish-pronarëve dhe fondi për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency