Situata ekonomike/ Basha: Protesta popullore, Qeveria instaloi shtetin policor, rriti çmimet dhe taksat

0
116

Erneta Shevroja

 Kreu i opozitës: Protesta për t’i thënë kësaj qeverie të ndalet në rrugën e së keqes ose përndryshe do ta ndalim me forcën e sovranitetit

 basha me gra sipermareseNë statusin e kreut të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha u ka bërë dje thirrje të gjithë qytetarëve të dalin të protestojnë për papunësinë, për rritjen e gjobave dhe të taksave, për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe për përkeqësimin e ekonomisë dhe pasigurinë që shkakton mazhoranca me politikat qeverisëse. Basha, në një takim me gra sipërmarrëse, tha se nuk mund të ecet përpara duke zëvendësuar shtetin ligjor me atë të policor.

 

Thirrje për protesta

Thirrjeve të deputetëve të PD-së për protestë i është shtuar edhe kreu i Partisë Demokratike. Në një tryezë me gra sipërmarrëse të organizuar dje nga Bashkia e Tiranës, Basha tha se ekonomia sot është me e dobët, duke shtuar se 90 për qind e popullsinë vuan për bukën e gojës në një kohë kur qeveria rrit gjobat dhe taksat. Kjo situatë e rënduar, sipas Bashës, është efekt i paketës fiskale dhe të politikave të qeverisë.

“Nuk ecet përpara duke zëvendësuar shtetin ligjor me shtetin policor, qytetarët në protestë për bukën e gojës, për të drejtat e mohuara”, – tha Basha. “Këto janë protesta për bukën e gojës, këto janë protesta për të drejta të mohuara arbitrarisht që janë në kushtetutë e në ligj, por që shkelen ditë për ditë. Ju bëj ftesë edhe ju, grave sipërmarrëse të bashkohemi, për të thënë pikë së pari se e vërteta është se gjërat janë më keq dhe më keq po shkojnë dhe së dyti, për t’i thënë kësaj qeverie të ndalet në rrugën e së keqes ose përndryshe do e ndalim me forcën e sovranitetit që buron dhe është e drejta e patjetërsueshme e qytetarëve të lirë të këtij vendi dhe askujt tjetër”, – vijoi kreu i opozitës. Lideri i opozitës u shpreh se 90% e njerëzve luftojnë për bukën e gojës, ndërsa qeveria vazhdon të mbyllë mijëra vende pune. “Për fat të keq, sot të bësh biznes kërkon një kurajë të madhe. Të flasësh sot për biznes, ku 90% e njerëzve luftojnë për bukën e gojës, kërkon guxim. Sipas tij, ekonomia sot “përtej propagandës dhe demagogjisë qeveritare është më e dobët se kurrë. Bines është më i kërcënuar se kurrë, qytetarët janë më të varfër, më keq në çdo fushë. Një në tre shqiptarë, sipas statistikave zyrtare është i zhytur i borxh për konsumin e përditshëm, për bukën e gojës. Ky është efekt i drejtpërdrejtë i paketës fiskale, i politikave të qeverisë. Papunësia po arrin nivele alarmant prej 20% dhe po prek kryesisht të rinjtë dhe gratë”.

 

Çmimi i energjisë

Për kreun e PD-së, qeveria me ndryshimet për çmimin e energjisë, heqjen e fashës mbrojtëse prej 300 KV/orë, përpiqet të mbledh para të humbura. Çmimet e reja, që prekin më shumë shtresën e varfër, tha Basha do të rriten me 70 për qind më shumë se shuma aktuale e energjisë. “Nuk mbledhim paratë për energjinë. Cila është zgjidhja? Rrisim çmimin e energjisë, heqim fashën mbrojtëse. Po dy milionë e njëqind mijë shqiptarë që preken nga kjo, me çmime që mund të shkojnë deri në 70% më të larta se ato që paguajnë sot, problem i kujt janë?! Kush merr përgjegjësi për ta?”, – u shpreh kreu i opozitës.

Ndërkaq, kryetari i Bashkisë së Tiranës përmendi edhe rritjet e njëpasnjëshme të taksave të ndryshme, ku veçoi atë për naftën që u rrit me gati 50 për qind. “U mor kjo masë dhe pavarësisht se bizneset nuk janë në gjendje ta paguajnë këtë, taksidarët u mbijnë si kërpudhat pas shiut, në mëngjes deri në darkë, deri sa detyrojnë ata të shkojnë drejt falimentimit, drejt masave drastike, drejt shpunësimit masiv apo drejt informalitetit”, – deklaroi Basha. Ndërkaq, kreu i opozitë theksoi se e vetmja rrugë për të dalë nga situata e rënduar është ulja e taksave dhe respektimi i ligjeve të këtij vendi dhe jo zëvendësimi i ligjit me policinë. “Rruga është ajo e uljes së taksave, e rritjes së efiçencës dhe uljes së taksave, e barrës së barabartë dhe jo favorizimit të klientelës politike që çon pastaj në rritjen e gjobave, shumëfishimin e gjobave apo rritjen e çmimit të energjisë. Nuk ka nevojë të rritet çmimi i energjisë. Përkundrazi, duhet bërë gjithçka për të parë nëse mund ta ulim çmimin e energjisë, se të jemi të sigurt se po ta bëjmë këtë do të na përkthehet në një vlerë të shtuar ekonomike, kudo. A mund të arrihet kjo? Sigurisht që mund të arrihet nëse ne bëjmë të mundur që të gjithë të mbajnë peshën që u takon, në bazë të ligjit por edhe kjo nuk arrihet me dru. Kjo arrihet duke rritur efiçencën e strukturave përkatëse, duke shmangur klientelizmin, përfitimet abuzive që kanë sot njerëzit e lidhur me pushtetin, që janë edhe konsumatorët kryesorë të energjisë elektrike në vend dhe jo duke u rënë në qafë më të vobektëve, më të pamundurve apo sipërmarrësve”.

 

 Vizitë në Slloveni/ Nishani: Qasja pozitive ndaj Kosovës, në favor të paqes e stabilitetit në rajon

Kreu i shtetit, Bujar Nishani, në një vizitë zyrtare ka takuar dje të gjithë zyrtarët e lartë të shtetit slloven. Me secilin prej tyre Presidenti Nishani ka folur për marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve si në rrafshin diplomatik, ashtu edhe ekonomik. “Qëllimi i kësaj vizite është avancimi i marrëdhënieve ndërmjet vendeve tona në planin dy dhe shumëpalësh, forcimi i bashkëpunimit në kuadër të integrimit evropian, nxitja e bashkëpunimit rajonal dhe shkëmbimi i pikëpamjeve për zhvillimet e fundit ndërkombëtare. Mund të them, se kemi pasur pikëpamje të njëjta dhe mirëkuptim të plotë”, – tha Nishani në takimin me homologun e tij slloven, Borut Pahor. Sipas Presidentit, Sllovenia është një zë i fuqishëm në BE për rajonin tonë. “Qasja pozitive e Sllovenisë ndaj Kosovës, si dhe ndaj gjithë zhvillimeve në rajon, kanë qenë në favor të paqes e stabilitetit të qëndrueshëm, prosperitetit dhe integrimeve euroatlantike të të gjitha vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kosova sot është prova e qartë se ky qëndrim ishte shumë i drejtë”, – është shprehur kreu i shtetit. Ndërkaq Nishani është ndalur edhe tek sfidat e tjera të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit me të drejtat të plota në BE.

“Lufta kundër krimit të organizuar, politika antikorrupsion, reformimi i drejtësisë, bazuar në parimet e gjithëpërfshirjes, transparencës, profesionalizmit dhe pavarësisë nga politika dhe grupet e interesit, si dhe ndërtimi i administratës publike profesionale jashtë ndikimeve politike, mbeten prioritet tona, kur bëhet fjale për zhvillimin e mëtejshëm të reformave”.

Po ashtu, Presidenti është takuar edhe me komunitetin shqiptar që jeton në Slloveni. Nishani ka ndarë me shqiptarët mesazhe pozitive dhe i ka falënderuar për ruajtjen e identitetit shqiptar dhe gjuhën amtare.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency