SHTYHET VOTIMI/ Deputetët “rebelë” lënë mazhorancën në mungesë kuorumi, tërhiqet për të martën ligji për policinë

0
122

Florenc Drizari

komisioni i ligjeve 25 korrik 2014“Policia e Shtetit me ndryshimet e në ligj, merrë përgjegjësinë për ruajtjen dhe sigurimin e personaliteteve të larta shtetërore e të objekteve me rëndësi të veçantë, përgjegjësi që më parë i ka pasur Garda e Republikës. Në nenin 142, të këtij ligji përcaktohet se me vendim të Këshillit të Ministrave do të bëhet njehsimi i gradave të punonjësve të Gardës  me gradat e përcaktuara në këtë ligj”

Komisioni i Ligjeve shtyu për javën e ardhshme miratimin në tërësi të projektligjit “Për Policinë e Shtetit”. Edhe pse komisioni miratio të gjitha nenet e draftit në fjalë, mungesa e kuorumit bëri që krytari i këtij komisioni Fatmir Xhafaj, ta tërhiqte draftin për miratimin në tërë, duke e lënë për të martën e ardhshme. Në mbledhjen e djeshme munguan depuetetët, Tom Doshi, Mark Frroku, ndërsa deputeti Armando Prenga, u largua herët nga mbledhja. Kur diskutimi i ligjit po shkonte drejt fundit, u larguan dhe deputetët Tahir Muhedini dhe Piro Lutaj, duke lënë mazhorancën në mungesë kuorumi.

“Ka vërejtje e sugjerime? Dy rekomandime për komisionin përgjegjës, le t’i shqyrtojë. Dakord? Dakord!”,-deklaroi Xhafaj. Më herët deputetët, Doshi, Prenga dhe Frroku, munguan edhe në votimin e ligjeve që kërkonin shumicë të cilësuar në seancën plenare të së enjtes, duke bërë që mazhoranca të tërhiqte draftet që kërkonin shumicë të cilësuar. Në një reagim të mediat pas seancëns, deputetët theksuan se kishin festuar ditëlindjen e një prej kolegëve të tyre dhe se qëndrimi i tyre nuk ishte një lëvizje kundër Kryeministrit apo forcës politike që ai drejton.

 

Projektligji

Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve, projektligjit “Për Policinë e Shtetit”, iu bënë disa ndryshime, përfshirë edhe pjesës për Byronë Kombëtare të Hetimit, ndërsa çështjes së Gardës së Republikës nuk iu dha zgjidhje përfundimtare. Këtë vendim pritet ta marri Komisioni i Sigurisë, me kryetar Spartak Brahon, i cili ka kundërshtuar ashpër disa ditë më parë iniciativën e ekzekutivit për dy çështjet e lartpërmendura.

Ndërkaq, sipas ekzekutivit, projektligji për Policinë e Shtetit synon që të rrisë autoritetin e Policisë së Shtetit si institucion përgjegjës për rendin e sigurinë, parandalimin dhe zbulimin e veprave penale dhe jo vetëm. Në këtë projektligj i është përcaktuar e drejta dhe përgjegjësia që jo vetëm të konstatojë, por dhe të marrë masa administrative për çdo shkelje të ligjit në të gjithë territorin e vendit, kur ajo nuk përbën vepër penale. Gjithashtu, në ndryshimet e bëra, përcaktohet se misioni i Policisë së Shtetit është ruajtja e rendit e të sigurisë publike, ruajtja e personaliteteve të larta shtetërore dhe objekteve të rëndësisë së veçantë, garantimi i zbatimit të ligjit në përputhje me Kushtetutën dhe akte ndërkombëtare duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut.  Policia e Shtetit me ndryshimet e bëra sëfundmi në ligj, merrë përgjegjësinë për ruajtjen dhe sigurimin e personaliteteve të larta shtetërore e të objekteve me rëndësi të veçantë, përgjegjësi që më parë i ka pasur Garda e Republikës. Në nenin 142, të këtij ligji përcaktohet se me vendim të Këshillit të Ministrave do të bëhet njehsimi i gradave të punonjësve të Gardës  me gradat e përcaktuara në këtë ligj, funksionet organike dhe pagën për gradë në  Drejtorinë e Ruajtjes së Personaliteteve të Larta Shtetërore dhe Objekteve të rëndësisë së Veçantë. Në këtë vendim pasqyrohet tabela e funksioneve korresponduese për çdo gradë. Kur oficeri dhe nënoficeri i Gardës , me hyrjen në fuqi të këtij ligji, mbajnë një gradë më të ulët se ajo që u takon në bazë të vjetërsisë  në shërbim, të arsimimit dhe kualifikimit, ata marrin gradën përkatëse për një periudhë deri në dy vjet nga çasti i hyrjes në fuqi të ligjit dhe jo më pak se koha e nevojshme për kryerjen e kursit të kualifikimit për  marrjen e gradës sipas funksionit. Në mbledhjen e djeshme anëtarët e komisionit vendosën që ligji të hyjë në fuqi 6 muaj pas Botimit në Fletoren Zyrtare.

 

 Neni 142

Trajtimi i punonjësve të Gardës së Republikës

2. Punonjësi i Gardës së Republikës i punësuar në strukturën e ruajtjes së personaliteteve të larta shtetërore dhe objekteve të rëndësisë së veçantë emërohet në strukturat e tjera të Policisë vetëm nëse ka përfunduar arsimin policor përkatës, të përcaktuar në rregulloren e Policisë.

3. Kalimi nga sistemi i gradave të Gardës së Republikës, në sistemin e gradave të Policisë, si dhe tabela e funksioneve korresponduese për çdo gradë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

4. Punonjësi i strukturës së ruajtjes së personaliteteve të larta shtetërore dhe objekteve të rëndësisë së veçantë, që, për shkak të implementimit të këtij ligji, ka gradë të konvertuar më të lartë se ajo që ka funksioni ku do të emërohet, do të mbajë gradën dhe do të trajtohet financiarisht për një periudhë deri në 1 (një) vit.

5. Në përfundim të periudhës 1-vjeçare, nëse punonjësi nuk emërohet në funksion me gradë të njëjtë, ai lirohet nga Policia.

 

Italia kryeson presidencën e BE-së/ Kryediplomatja italiane Mugerini takohet me krerët e politikës shqiptare

Ministrja e Punëve të Jashtme të Italisë, Federica Mogherini, zhvilloi një vizitë në Shqipëri në kuadër të mbajtjes së Presidencës italiane në Bashkimin Evropian. Gjatë vizitës së saj, kryediplomatja e shtetit fqinj u prit në takime nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani, kryeparlamentari Ilir Meta, zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Në takimin që pati me kreun e shtetit, Presidenti Nishani vlerësoi vizitën nё Tiranё të Ministres sё Jashtme Mogherini si shprehje të qartë të vëmendjes së vazhdueshme dhe rëndësisë qё Presidenca italiane e Bashkimit Evropian i jep Shqipёrisё nё veçanti dhe si njё tregues të nivelit tё shkëlqyer tё marrëdhënieve e partneritetit strategjik dypalësh. Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, Nishani shprehu mirënjohjen ndaj Italisë për rolin e dorës sё parё nё mbështetjen pёr marrjen e statusit kandidat tё Shqipёrisё, duke theksuar se dera e Italisë ka qenë gjithmonë e hapur për ne sa herë kemi trokitur në të dhe nënvizoi se Presidenca italiane e Bashkimit Evropian ёshtё njё mundësi mё shumё pёr afrimin tonё institucional me Brukselin dhe pёr tё fokusuar më shumë vëmendjen e Bashkimit Evropian ndaj Shqipёrisё e mё gjerё ndaj gjithë rajonit tonё.
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti në një takim të veçantë Ministren e Punëve të Jashtme të Italisë, Federica Mogherini, duke vlerësuar partneritetin strategjik midis dy vendeve dhe në të njëjtën kohë, shprehu besimin se Italia do të bëjë përpjekjet maksimale për të mbështetur një lidhje më të fortë të Shqipërisë dhe rajonit me Bashkimin Europian gjatë presidencës italiane. Në emër të qeversisë shqiptare, zëvendëskryeministri Niko Peleshi priti në takim ministren e Punëve të ashtme të Italisë, Federica Mogherini, duke e falënderuar atë për mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë Shqipërisë në të gjitha fushat, por veçanërisht në procesin e integrimit europian dhe për lobimin në favor të marrjes së statusit të vendit kandidat nga Shqipëria.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency