Shtyhet vendimi i Këshillit të Mandateve/ Doshi paraqet raport mjekësor. Avokatët e deputetit, Llallës: Nxitim i çuditshëm me arrestimin

0
131

Gëzim Saliu

 Shtyhet vendimi i Këshillit të MandateveAvokatët: Prokuroria e Përgjithshme, pa kryer asnjë veprim që kërkon ligji, merr përsipër të bëjë shkelje flagrante të tij, i mohon Doshit të drejtën të mbrohet vetë apo me avokat

Shtyhet seanca dëgjimore e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit për deputetin Tom Doshi, pasi ky i fundit kërkoi dy ditë më shumë kohë për arsye shëndetësore. Përmes përfaqësuesit të tij ligjor Vladimir Meçe, Doshi ka kërkuar edhe dy ditë kohë për seancën në Kuvend, duke paraqitur edhe një raport mjekësor, i cili vërteton, sipas tij, pamundësinë për të qenë pjesë e mbledhjes. Sipas raportit të siguruar nga gazeta, deputeti mëngjesin e djeshëm u paraqit në një spital privat me dhimbje koke, të përziera dhe dhimbje në gjoks. Mjekët i kanë rekomanduar deputetit Doshi shtrimin në spital për shkak të hipertensionit arterial dhe për të përcaktuar dhimbjen në gjoks, gjë të cilën, siç thuhet në shkresën mjekësore, ai e ka refuzuar. Doshi, në kërkesën bashkangjitur raportit, theksoi se në kushtet e refuzimit të shtrimit në spital, mjekët i kanë kërkuar të qëndrojë në regjim shtrati dhe se shpreson që do të jetë gati për t’u paraqitur përpara Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, brenda dy ditësh. Po ashtu në mbledhjen e djeshme nuk ishte i pranishëm as kreu kristiandemokrat Mark Frroku, për të cilin Prokuroria kërkoi gjithashtu arrestimin nën akuzën se kanë inskenuar atentatin që Doshi pretendon se ishte planifikuar gjashtë muaj më parë për vrasjen e tij. Frroku paraqiti mbrojtjen me shkrim në Këshill, ndërsa nesër të dy kolegët deputetë pritet të dëgjohen publikisht në një mbledhje të hapur për mediat, pas kërkesës së deputetëve demokratë për më shumë transparencë. Ndërkaq, anëtari i opozitës në Këshillin për Imunitetin, Eduard Halimi, në përfundim të mbledhjes tha se Doshi kishte dorëzuar një raport mjekësor përmes avokatit të tij, duke justifikuar mosprezencën e tij në mbledhje e ku ka kërkuar që mbledhja të shtyhet me 5 ditë. Por deputetët e Këshillit vendosën që mbledhja të shtyhet vetëm me dy ditë. Ndërsa kërkesa e dytë për heqjen e imunitetit edhe të deputetit të Partisë Socialiste Koço Kokëdhima nuk është dhënë një vendim. “Ka tri javë që kërkesa është në dyert e Kuvendit ende nuk ka nisur në Këshillin e Rregullores. Për Kokëdhimën nuk morëm përgjigje se nënkryetari i Kuvendit do të konsultohej me të tjerët”, – tha Halimi. Nga ana e tij anëtari socialist në Këshill, Armando Subashi, tha se ende nuk ka nisur shqyrtimi i kërkesës së Prokurorisë, porse nesër do të dëgjohen të dy deputetët bashkë. “Kishim një kërkesë zyrtare mbi tavolinë që kërkonte shtyrjen e mbledhjes, bashkangjitur saj ishte edhe raporti. Nuk e di sa ditë është raporti, por nga kryesuesi i këshillit u tha se në kërkesë ishte thënë që “besoj se mbas dy ditësh do jem gati të bëj mbrojtjen time”, – pohoi ai.

 

Avokatët e Doshit

Ndërkohë, ditën e djeshme avokatët e Doshit, Ferid Muçaj dhe Vladimir Meci, i kanë bërë një kërkesë Prokurorisë së Përgjithshme duke deklaruar se nxitimi i organit të akuzës për arrestimin e ligjvënësit shkodran është i çuditshëm. “E quajmë nxitim te pashpjegueshëm këtë veprim, sepse Prokuroria e Përgjithshme pa kryer asnjë veprim qe kërkon ligji, merr përsipër te beje shkelje flagrante te tij:I mohon atij te drejtën te mbrohet vete apo me avokat, i mohon te drejtën për te dhenë shpjegime apo paraqitur prova. Duke cenuar parimin kushtetues te një procesi te rregullt ligjor. Zoti Doshi njoftohet vetëm nga media për një proces hetimor, akuza dhe kërkesa për arrestim”, – thuhej në kërkesën e avokatëve. Përpara se t’i drejtohej Kuvendit, sipas avokatëve, Prokuroria e Përgjithshme duhet të kryente veprimet përkatëse, siç është komunikimi ndaj deputetit Doshi i fakteve për çfarë dyshohet dhe provat; ta vendoste atë para mundësisë që të mbrohej vetë apo me një avokat, si edhe t’i krijonte mundësinë që të jepte një version të tijin, dhe vetëm pasi të krijonte bindjen se ndaj tij duhej marrë masë sigurimi, të merrej vendimi që u mor. “Gjithçka kërkojmë është respektimi i ligjit e mbi të nuk duhet të dale askush, as prokurori i Përgjithshëm”, – thuhej në kërkesën e avokatëve.

 

 Protesta e PD-së para Kuvendit: Çështja “Doshi” po manipulohet, qeveria kërkon mbylljen e saj

Partia Demokratike nuk i ka ndalur protestat që kërkojnë dorëheqjen e Kryeparlamentarit Ilir Meta, duke theksuar se çështja “Doshi” po manipulohet dhe se qeveri po kërkon mbylljen e shpejtë e saj. Në protestën e radhës para Parlamentit, nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho, theksoi: “Ngjarjet e ditës së premte treguan se kësaj historie nuk do t’i shkohet deri në fund; që ajo po manipulohet; që synimi i drejtuesve të qeverisë është ta mbyllin atë. Ata kanë vendosur të sakrifikojnë dy ushtarë të krimit për të shpëtuar gjeneralët, për të shpëtuar urdhërdhënësit. Me kriminelë në të gjithat nivele drejtuese nuk ka ta ardhshme as për ne as për fëmijët tanë”. Nga ana tjetër, PD vuri ne dukje dy standardet qe përdoren për te gjykuar qytetaret dhe ata qe kane pushtet. “Në këtë vend, deputetët, ministrat, gjyqtarët, prokurorët shtrohen këmbëkryq dhe gju më gju me kriminelët, kurse qytetarët e thjeshtë për mospagesën e një fature të energjisë elektrike përfundojnë në burg”, – tha Spaho.

 

 Prokuroria: Duhet ndalur Frroku, pasi ka rrezik arratisjeje. Deputeti: S’kam ndërmend të iki

Pas kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e deputetit Frroku, pasi ekziston mundësia që ai të arratiset duke qenë se ka dyshtetësi, dje ka reaguar vetë deputeti duke thënë se është i gatshëm që të bashkëpunojë me drejtësinë dhe nuk ka ndërmend që të largohet nga vendi. “Përmes këtyre radhëve dua që të shkurajoj të gjithë gojët e liga se unë Mark Frroku, deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe kryetar i Partisë Kristian-Demokrate paskam rrezik për arratisje, pasi e kam shprehur publikisht gatishmërinë maksimale për tu përballur me ligjin dhe drejtësinë për të gjitha akuzat që më janë bërë këto ditë. Arratisja është vetëm në mendjen e atyre që më kanë cenuar mua si qytetar, politikan dhe i zgjedhur. Unë i kam hedhur poshtë me neveri të gjitha akuzat e ngritura ndaj meje dhe tani jam në të drejtën time për tu mbrojtur në të gjitha instancat ligjore, si i zgjedhur dhe si qytetar i Republikës së Shqipërisë”, – theksoi Frroku. Në relacionin shoqërues të kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda për Kuvendin, thuhej: “Siç dihet botërisht, shtetasi Mark Frroku, përveç shtetësisë shqiptare, ka edhe një shtetësi tjetër. Në këto kushte, kërkesa e organit të akuzës është për një masë sigurimi të karakterit shtrëngues për këtë shtetas, pasi në këto kushte ai mund të rrezikojë të largohet nga territori i Shqipërisë. Rrezikshmëria shoqërore e këtij personi, duke marrë parasysh pozicionin që ai mban si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, në raport me publikun dhe me institucionet ndërkombëtare është tejet e lartë, duke iu referuar veprimeve të kundërligjshme dhe sociale të rrezikshme”.

 

 Topalli, Llallës/ “Kërkesë më të turpshme se për kallëzim të rremë Prokuroria nuk mund të bënte”

Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka reaguar sërish dje lidhur me çështjen “Doshi”, duke kritikuar edhe punën e organit të akuzës. “Përpjekja për te na e shitur për dekriminalizim akuzën e Prokurorisë për “kallëzim te rreme” ndaj dy deputetëve të mazhorancës është jo vetëm fyese, por e rrezikshme. Kërkesë më të turpshme nuk mund të bënte Prokuroria! Dy deputetët e kallëzuar dhe 17 shokët e tyre duhet të lënë mandatin e deputetit dhe të hetohen jo për dëshmi të rreme, por për rekordet e tyre kriminale. Akuza qesharake e bazuar në thëniet e Bamit nuk është forca e shtetit, por dobësia e tij”. Më tej, Topalli theksoi se moshetimi i Kryeparlamentarit Meta, “për bisedën dhe akuzën e bere ndaj opozitës në zyrën e tij me një të afërm të një deputeti është vetëm nënshtrimi i Akuzës së Shtetit ndaj qeverisë! Por arsyeja substanciale se pse shteti është katandisur këtu është Edi Rama dhe Ilir Meta! Ata i futën në Parlament këta “trimat”, për pushtet! E gjitha mban një erë shumë të keqe! Mos u gënjeni! Dekriminalizimi nuk mund të bëhet nga të inkriminuarit, të korruptuarit. Dekriminalizimi nuk bëhet kurrë nga kalbësirat, e as me gjysmëkalbësirat; dekriminalizimi nuk bëhet as me këto lloj akuzash”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency