Shtëpitë në vend mbeten bosh, s’ka para për blerje

0
167

Në qarkun e Tiranës, përqindja e banesave boshe është 17.4% ndaj totalit, ndërsa në qarkun e Durrësit 19.6%. Ajo çka bie në sy në qarqet e Tiranës dhe Durrësit, është shkalla e konsiderueshme e banesave të dyta apo atyre sezonale

shtepi bosh Pas një hovi 20-vjeçar të ndërtimeve, afro 22% e banesave në Shqipëri janë boshe. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, mbështetur në anketimet e Censusit të vitit 2011, mesatarisht një në pesë banesa në vendin tonë qëndrojnë të zbrazëta. Qarqet me përqindjen më të lartë të banesave boshe janë Vlora me 32.3% dhe Gjirokastra me 30.4%. Kjo e dhënë lidhet kryesisht me shkallën e lartë të emigracionit në këto qarqe drejt Greqisë fqinje. Të tjera qarqe me përqindje të lartë të banesave boshe janë edhe Dibra apo Lezha, ku afërsisht një ndër katër banesa nuk shfrytëzohet. Por përqindje relativisht të lartë të banesave boshe kanë edhe qarqet me dyndje demografike pas rënies së diktaturës, si Tirana apo Durrësi.

 

Në kryeqytet

Në qarkun e Tiranës, përqindja e banesave boshe është 17.4% ndaj totalit, ndërsa në qarkun e Durrësit 19.6%. Ajo çka bie në sy në qarqet e Tiranës dhe Durrësit, është shkalla e konsiderueshme e banesave të dyta apo atyre sezonale. Kështu, në qarkun e Durrësit nëse shtojmë edhe banesat e këtij lloji, në total përqindja e banesave të pazëna dyfishohet dhe arrin në 36%, ndërsa në Tiranë arrin në 26.7%. Sipas INSTAT-it, qarku me përqindjen më të ulët të banesave boshe është Elbasani, me 17.1%.
Kriza dhe rënia e kërkesës për prona në fakt e ka tkurrur ndjeshëm tregun e pasurive të paluajtshme në vitet e fundit, ku çmimet në shumicën e zonave janë në rënie dhe shitjet të pakta. INSTAT raporton se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, në gjithë Shqipërinë u miratuan 97 leje ndërtimi, nga 128 që ishte numri i lejeve në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pavarësisht nga rënia, lejet vazhdojnë të jenë të përqendruara kryesisht në qarkun Tiranë, ku në gjysmën e parë të vitit 2014 u miratuan 43 leje ndërtimi, ndërsa vijojnë qarku Vlorë me 17 dhe Fieri me 14. Në qarkun e Durrësit për këtë vit është miratuar një leje e vetme ndërtimi.

 

“Lulëzojnë” qiratë

Në tiranë po “lulëzon” çdo ditë biznesi i dhënies së shtëpive me qira. Zonat ku ka më shumë garsoniere, 1+1 apo 2+1, është ajo përreth Qytetit Studenti. Shumë familjarë kanë krijuar hapësira në shtëpitë e tyre private për t’i dhënë me qira. Mosfunksionimi i institucioneve ka bërë që qiratë të kapin shifra stratosferike, sidomos për një vend me të ardhura të pakta si Shqipëria. Një garsoniere afër Qytetit Studenti kushton nga 180-200 mijë lekë (të vjetra). Kërkesat e larta të studentëve ka bërë që familjet të përfitojnë duke rritur çmimin e qirave. Në zonat e tjera të Tiranës çmimi i një shtëpi 1+1 varion nga 150-250 lekë.

 

Pse po ngelen stok shtëpitë

67% e agjentëve imobiliarë nuk kanë shitur asnjë banesë në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas vrojtimit periodik të Bankës së Shqipërisë për tregun e pasurive të paluajtshme, ky sektor vazhdon të jetë në krizë të thellë. Akoma më negative është situate për pronat tregtare, ku 92% e agjentëve dhe ndërtuesve nuk kanë kryer asnjë shitje të vetme për të gjithë tremujorin. Kërkesa e dobët ka vazhduar të ulë çmimet mesatare të banesave në rang vendi. Indeksi i çmimit të banesave pësoi rënie me 16.8% ndaj një viti më parë. Edhe vlerësimet për tremujorin e dytë të 2014 janë negative, duke reflektuar ulje të mëtejshme të çmimit të banesave. Pesimizmi konsumator dhe kërkesa e dobët për prona është reflektuar edhe në ecurinë e kredisë për blerjen e pasurive të paluajtshme. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të Qershorit 2014 kredia në këtë segment ka rënë me afro 10% me bazë vjetore. Kredia për prona ka rënë pavarësisht nga ulja e interesave, që mesatarisht janë 1 pikë përqindje më të ulëta krahasuar me një vit më parë. Banka e Shqipërisë studion në mënyrë periodike ecurinë e tregut të pasurive të paluajtshme, në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar. Pasuritë e paluajtshme janë forma kryesore e kolateralit për garantimin e kredive bankare. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të qershorit, vlera e kredive në proces ekzekutimi ishte mbi 700 milionë euro ose rreth 19.2% e totalit të kredisë për ekonominë. Kriza në tregun e pronave e ka bërë të vështirë procesin e rikthimit të kredive të humbura, përmes shitjes së kolateralit. Sipas Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e dytë të këtij viti, bankat kanë përfituar 52% të vlerës së ekzekutimit në aktive fikse dhe afro 39% në cash. Kjo do të thotë se bankat shpeshherë detyrohen t’i marrin në pronësi pasuritë e lëna si kolateral, për shkak të dështimit të ankandeve për shitjen e tyre.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency