Shqipëria “ngel në klasë” për energjinë e rinovueshme…

0
129

Ervin Kaduku

 

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, ku bën pjesë vendi ynë, kritikon mungesën e përmbushjes së detyrimeve lidhur me legjislacionin, që është edhe një parakusht për aderimin në Bashkimin Evropian

 

Hidrocentrali-fierzeQeveria “Rama” ka marrë një “shuplakë” të re nga institucionet ndërkombëtare lidhur me mungesën e përmbushjes së detyrimeve të marra nga shteti shqiptar. Në 11 shkurt, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë (Kom-Enit) i ka nisur Shqipërisë një letër të hapur për mospërmbushjen nga ana e saj të legjislacionit të Kom-Enit mbi energjitë e rinovueshme. Shqipëria ka pasur afat deri në 30 qershor 2013 për dorëzimin e planit kombëtar të energjive të rinovueshme, por një gjë e tillë ka kaluar “stafetë” për qeverinë e re, që u konstitua pas zgjedhjeve të qershorit të një viti më parë, por qeveria shqiptare nuk e ka aprovuar dhe dorëzuar ende një plan të tillë.

Bashkë me Shqipërinë u është tërhequr vëmendja dhe Bosnje & Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Ukrainës, të cilat po ashtu nuk kanë dorëzuar planet e tyre kombëtare. Është hera e parë që sekretariati i Kom-Enit lëshon letra paralajmëruese për energjinë e rinovueshme.

 

Direktivat

Në vitin 2012, Këshilli Ministerial i Kom-Enit transpozoi dhe përshtati Direktivën 2009/28/EC mbi promovimin e energjive të rinovueshme. Sipas direktivës së transpozuar, secila palë e traktatit ndërmori një objektiv për energjitë e rinovueshme për vitin 2020. Direktiva kërkon aprovimin e planeve kombëtare të energjive të rinovueshme për realizimin e objektivit. Planet ndajnë objektivin e përgjithshëm në objektiva sektorialë dhe zbërthejnë masat konkrete të nevojshme për arritjen e tyre. Pa këtë plan direktiva nuk mund të zbatohet.

Shqipëria ka afat deri në 10 Prill të aprovojë dhe dorëzojë planin kombëtar ose të justifikojë mungesën e tij.

 

Ligji në letër

Ligji për energjitë e rinovueshme, i cili ka hyrë në fuqi në qershor 2013 ngarkon qeverinë që të aprovojë planin kombëtar të energjive të rinovueshme brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e ligjit, pra brenda qershor 2014. Një draft ligj i planit kombëtar është përgatitur tashmë dhe pret aprovimin e tij zyrtar.

 

Trendi ndryshe në Evropë

Turbinat me erë dhe parqet diellore po ndryshojnë zotërues me ritme rekord, duke sinjalizuar një rritje “oreksi” për aktivet e tyre nga fondet e pensioneve, po ashtu edhe kohë të vështira për shërbimet publike që janë shitësit më të mëdhenj në “kontinentin e vjetër”. Kjo është një tendencë e kundërt me atë çka po ndodh në vendin tonë.

Rreth 43% nga 275 marrëveshjet e përfunduara në industrinë e energjisë gjatë nëntë muajve të fundit ishin për gjeneratorët e rinovueshëm, duke u rritur nga 37 për qind në periudhën e një viti më parë, sipas të dhënave të hartuara nga “Ernst & Young LLP”. Vlera e të gjitha marrëveshjeve u rrit në 104 miliardë dollarë nga 93 miliardë dollarë.

Blerësit duke filluar nga siguruesi “Aviva Plc” e deri te fondi danez PFA Pension A/S po kërkojnë për fitime, që arrijnë mesatarisht rreth 6% në turbinat me erë dhe parqet diellore, sipas të dhënave të hartuara nga “Bloomberg”. Shërbime të tilla si “GDF Suez SA” e Francës, “Iberdrola SA” e Spanjës dhe “Dong Energy AS” kanë zbrazur fabrikat për të siguruar mënjanë një shumë cash-i teksa çmimet e energjisë ranë dhe konkurrenca është rritur nga gjeneruesit e pavarur.

Shërbimet publike “thjesht nuk kanë kapital për të shpërndarë në vëllime të pafundme të investimeve të energjisë së rinovueshme”, tha Ben Uarren, i cili punon në sektorin e financës së mjedisit në “Ernst & Young”. Aktivet po tregtohen nga zotërues të ndryshëm me “ritme rekord” dhe shitjet do të vazhdojnë, tha ai.

 

Privatët

Aktualisht subvencionet shtetërore për burimet e rinovueshme po reduktohen nëpër Evropë dhe SHBA, udhëhequr nga reduktimet retroaktive për projektet ekzistuese në Spanjë, Greqi, Rumani dhe Republikën e Çekisë. Shërbimet publike me kapacitet bërthamor të tilla si RWE dhe EON janë gjithashtu duke u përballur me një situatë edhe më të vështirë në përpjekje për të rritur fitimet, teksa Gjermania dhe Franca kanë reduktuar programet e energjisë atomike.

Shërbimet publike në Evropë llogaritej të zinin rreth 10 për qind të investimeve botërore të turbinave të erës dhe diellore në pesë vitet e fundit. Por ndërkohë që shtetet përjetojnë krizë, privati ka hedhur mirë sytë ndaj këtij aktiviteti me fitim afatgjatë. Për fondet e pensionit, fitimet nga fabrikat e energjisë së ripëratëritshme i tejkalojnë shumë nga fitimet e obligacioneve të qeverisë dhe janë mbështetur nga kontrata për të shitur energji në çmime më të larta se tregu.

 

 

Të ardhurat nga kontributet shoqërore, “gropa” 300 milionë euro/vit

Nëse ka një zë në buxhet, ku financat kanë hapësirë për të rritur të ardhurat, është ai i të ardhurave nga sigurimet shoqërore, teksa ai është 4-5 pikë përqindjeje më i ulët se i vendeve të tjera në rajon, duke qenë mesatarisht në rreth 4% të PBB-së, nga 9-10% që e kanë shtetet fqinjë me ne. Ky nivel i ulët reflekton informalitetin e madh në tregun e punës, në dy drejtime: së pari, pagat deklarohen shumë më të ulëta sesa janë realisht dhe së dyti, numri i atyre që punojnë në të zezë është shumë i lartë.

 

 

Burimi: Ministritë e Financave të vendeve përkatëse

Edhe në programin afatmesëm të qeverisë, pritshmëritë për të hyrat nga ky zë nuk janë aspak ambicioze. Ato mbeten në nivelin e 3.8-3.9% të PBB-së, duke mos shënuar aspak rritje në afatin e mesëm.

Nëse do të mblidheshin të paktën me të njëjtin nivel me rajonin, buxhetit do t’i shtoheshin në vit edhe rreth 300-370 milionë euro, duke zbutur ndjeshëm skemën e deficitit të pensioneve, e cila sot është pothuajse e falimentuar dhe po detyron qeverinë që të marrë në konsideratë rritjen e moshës së pensionit te gratë në 65 vjeç nga 60 që është sot, dhe nga 65 në 66 vjeç për burrat, veprim ky që mund të ketë pasoja sociale.

 

 

 

Projektligji: Kompanitë e sigurimeve, pagesë shtesë 7% mbi xhiron

Të gjitha kompanitë e sigurimeve do t’i nënshtrohen pagesës së një tarife prej 7%, e cila do të përdoret më tej për rritjen e sigurisë rrugore në vend.

Deri më tani kjo tarifë nuk ka ekzistuar, por në paketën e sigurisë rrugore prej 60 masash të hartuar nga qeveria, është përcaktuar si masa e 24 që do të kontribuojë në këtë drejtim. Konkretisht në këtë masë thuhet: “Vendosja e një tarife rreth 7% për kompanitë e sigurimeve kundrejt shërbimit të ofruar nga ana e Policisë Rrugore, sipas legjislacionit në fuqi”.

Sipas parashikimeve të bëra në paketë, projektligji në fjalë do të nisë të hartohet dhe diskutohet në muajin Mars, ku do të bëhen ndryshimet përkatëse në ligjin “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Ekspertët e sigurisë rrugore shprehen se ka dy mënyra për aplikimin e kësaj tarife. E para është vjelja e tarifës prej 7% për çdo policë sigurimi nga vlera e TPL-së, e cila pak ditë më parë u rrit në 21 mijë lekë dhe rruga e dytë është mbajtja e kësaj tarife nga tatim-fitimi i kompanive.

Projektligji do të hartohet me bashkëpunimin e disa institucioneve duke filluar nga Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, si dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency