Shpërblimet e fundvitit/ Pensionistët e shtresat në nevojë, 2-3 mijë lekë, rrugorët e Tiranës e të dalluarit në arsim 40 mijë

0
121

Gëzim Saliu

 Rama, negociata me ministrat para publikimit të shifrave, diskuton jashtë me Ahmetajn dhe Canin

Edi Rama dhe deputeti i PS, Erion Brace, lsa sakte dhjetor 2014Kryeministri Edi Rama bëri publike dje shpërblimet e fundvitit për një sërë kategorish, ku për pensionistët kryefamiljarë dhe shtresat në nevojë janë parashikuar 3 mijë lekë të reja e ndërsa për pensionistët e tjerë do të jepen vetëm 2 mijë lekë ose 20 mijë lekë të vjetra. “Po ashtu do të ketë një shpërblim të posaçëm për veteranët e luftës dhe të përndjekurit e regjimit komunist mbi moshën 65 vjeç. Të dyja këto kategori do të marrin një shpërblim prej 50 mijë lekësh ose 50 dollarësh. Do të shpërblejmë për Vitin e Ri të gjitha familjet e policëve të vrarë dhe të gjitha familjet e ushtarakëve me misione jashtë Shqipërisë dhe për të dyja këto kategori shpërblimi do të jetë 100 mijë lekë ose 100 dollarë”, – bëri të ditur Rama. Nga ana tjetër, u vu re se ndryshe nga çdo vit dëmshpërblimet bënin dallime mes kategorive, ku për shembull në arsim do ta përfitonin 40 mijë lekë të reja vetëm trupa mësimore e 10 shkollave të rankuara të parat në klasifikimin e Maturës Shtetërore. Po ashtu e njëjta strategji është ndjekur edhe për policinë ku do të shpërblehej vetëm njësia e Task-Forcës Rrugore të Tiranës me 40 mijë lekë të reja. “Do të japim një shpërblim edhe për një njësi modeste në numër, por që ka dhënë një kontribut të posaçëm në shpëtimin e njërës prej pasurive më të rëndësishme natyrore të këtij vendi, që është Parku Kombëtar i Divjakës, me 400 mijë lekë ose 400 dollarë për person”.

 

Diskutimet

Gjatë kohës që në seancën plenare po diskutoheshin ndryshimet e Kodit Rrugor dhe në foltore ishte ngjitur ministri i Transportit, Haxhinasto, Kryeministri Rama nisi të konsultohej me disa nga ministrat e tij për shpërblimet e fundvitit. Duket se detajet e fundit kreu i qeverisë i vendosi t’i zgjidhë pikërisht në seancën e Parlamentit, ku fillimisht ai zbriti dhe takoi në vendin e deputetëve, ligjvënësin socialist Erjon Braçe. Pasi bisedoi për pak minuta me të, duke marrë edhe “këshillat” e fundit nga kreu i Komisionit të Ekonomisë dhe vlerësimin e këtij të fundit për shpërblimin që lidhej me njësinë e Parkut të Divjakës, Rama zhvilloi bisedime me ministrat Cani dhe Ahmetaj. Më pas pranë kreut të qeverisë erdhi edhe ministri i Shëndetësisë Beqaj si edhe zv.kryeministri Peleshi dhe në bazë të atyre kategorive që zbardhi Kryeministri më pas në fjalën e tij, duket se temë kryesore e diskutimit informal ka qenë pikërisht shpërblimi i fundvitit. Pas këtyre bisedimeve, Rama ka kërkuar një konsultim më të afërt me ministrin e Financave dhe atë të Ekonomisë, të cilët i ka marrë të dy jashtë sallës së Parlamentit për pak minuta, ku ka dakordësuar deri në fund shifrat e sakta të shpërblimeve. Pas thuajse 15 minutash, Kryeministri dhe dy ministrat rikthehen në sallë e ndërkohë para se të merrte fjalën në podium ku bëri të ditur shifrat e parave që do përfitojnë si shpërblim fundviti kategoritë përkatëse, Rama mori edhe një letër nga Kryeparlamentari Meta.

 

Rama ngatërron shifrat: 400 mijë lekë ose 40 USD. Ndërhyn Braçe dhe e korrigjon

Ndërkohë, gjatë bërjes publike të shpërblimeve të fundvitit nga salla e Parlamentit, kreu i qeverisë bëri dy ngatërresa momentale në përkthimin e shifrave nga lekë në USD. Kështu, në rastin e shpërblimit të 3 shërbimeve më të mira shëndetësore të Republikës së Shqipërisë me 400 mijë lekë për secilin, kreu i qeverisë e përktheu këtë shifër në vetëm 40 dollarë, kur duhej 400 dollarë. Po ashtu e njëjta gjë ndodhi edhe me njësinë policore. “Do të shpërblejmë njësinë më të mirë policore, që është Njësia Policore e Qarkullimit të Tiranës me 400 mijë lekë për individ ose 40 dollarë”, – u shpreh Rama. Pas kësaj shifre të dytë, ka ndërhyrë deputeti Erjon Braçe nga salla, i cili ka korrigjuar Kryeministrin, duke theksuar se shifra duhet të jetë në të dyja rastet 400 dollarë dhe jo 40. Kjo ndërhyrje u mirëprit nga Rama, i cili tha nga foltorja e Kuvendit: “Po, 400 dollarë, e saktë”.

 

Ja sa marrin shpërblime

 Pensionistët kryefamiljarë, të vetmuar ose në çift – 30 mijë lekë

Familjet në ndihmë ekonomike – 30 mijë lekë

PAK – 30 mijë lekë

Pensionistët e tjerë – 20 mijë lekë

Veteranët – 50 mijë lekë

Familjet e policëve të vrarë – 100 mijë lekë

Familjet e ushtarakëve në misione jashtë Shqipërisë – 100 mijë lekë

Trupa mësimore e shkollave të rankuara të parat në Maturë Shtetërore – 400 mijë lekë për çdo mësues

Nxënësit e shkëlqyer që nga pjesa e dytë e ciklit të dytë 9 vjeçar – 50 mijë lekë

Studentët e ekselencës – 50 mijë lekë

Trupa e 3 shërbimeve më të mira shëndetësore – 400 mijë lekë për secilin

Njësia më e mirë policore që është ajo e qarkullimit të Tiranës – 400 mijë lekë

Njësia e Parkut Kombëtar të Divjakës- 400 mijë lekë

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency