Shlyerja e pjesshme ose e plotë e kredisë, si ndryshojnë interesat

0
156

tablet-credit-cardKonsumatori ka të drejtë të kryejë në çdo kohë, edhe para afatit të maturimit, shlyerje të pjesshme ose të plotë të detyrimeve të tij të lindura nga kontrata e kredisë konsumatore Në këtë rast, banka duhet të bëjë një reduktim të kostos totale të kredisë. Ky reduktim konsiston në uljen e interesave dhe kostove të aplikuara mbi pjesën e pashlyer të kredisë, për periudhën e mbetur sipas kontratës së kredisë. Në rastin e shlyerjeve të kredisë para afatit, banka ka të drejtën për një kompensim të drejtë dhe objektiv, për kosto të mundshme të lidhura direkt me shlyerjen/et e kredisë para afatit, me kusht që shlyerja para afatit t’i përkojë një periudhe për të cilën norma e interesit është fikse, sipas përcaktimit në kontratën e kredisë. Nëse periudha midis shlyerjes para afatit dhe maturimit të kredisë është mbi 1 vit, kompensimi i përcaktuar më lart nuk tejkalon 2 për qind të shumës së kredisë së paguar para afatit dhe nëse kjo periudhë nuk kalon 1 vit, kompensimi nuk tejkalon 1 për qind të shumës së kredisë së paguar para afatit Kompensimi për shlyerjet e parakohshme nuk aplikohet në rastet e mëposhtme:

– nëse shlyerja realizohet në bazë të një kontrate sigurimi, e cila ka si qëllim shlyerjen e kredisë

– për kredinë kufi (overdraft-in )

– nëse shlyerja e kredisë para afatit i përkon një periudhe për të cilën norma e kredisë nuk është fikse.

 

Tërheqja

Konsumatori ka të drejtën të tërhiqet nga marrëveshja dhe/ose kontrata e kredisë konsumatore pa dhënë ndonjë arsye për këtë qëllim, brenda një periudhe kalendarike 14-ditore. Ky afat fillon nga dita e arritjes së marrëveshjes ose lidhjes së kontratës, ose nga data kur konsumatori merr dijeni për kushtet kontraktuale (nëse kjo e fundit është e mëvonshme). Përpara ushtrimit të kësaj të drejte konsumatori njofton bankën për synimin e tij (brenda afatit prej 14 ditësh) për t’u tërhequr nga kontrata e kredisë. Në qoftë se kredia është disbursuar dhe përfituar nga konsumatori dhe në qoftë se ky i fundit ushtron të drejtën për t’u tërhequr nga kontrata, banka njofton konsumatorin për vlerën e kredisë që duhet t’i rikthehet nga konsumatori. Kjo vlerë përbëhet nga shuma e kryegjësë dhe interesit për ditët përkatëse, si dhe shpenzimet e mundshme të bankës të krijuara nga veprime me palë të treta për efekt të disbursimit të kësaj kredie. Shpenzimet e mundshme të bankës të krijuara nga veprime me palë të treta për efekt të disbursimit të kësaj kredie, përfshihen në çdo rast në informacionin kontraktor, ndërsa interesi llogaritet mbi bazën e normës së interesit të rënë dakord. Nëse pala konsumatore përbëhet nga disa persona, dhe njëri prej tyre ushtron të drejtën për t’u tërhequr nga kontrata e kredisë konsumatore, atëherë dhe personat e tjerë që përbëjnë palën konsumatore kanë të drejtën të tërhiqen nga kjo kontratë. Nëse një konsumator tërhiqet nga kontrata e kredisë, edhe personi që ka hyrë në detyrime kontraktore duke dhënë garanci për detyrimet e konsumatorit sipas kësaj kontrate, mund të tërheqë gjithashtu garancinë/të e vendosura prej tij për ekzekutimin e kësaj kontrate.

 

 Bonot e thesarit, rriten transaksionet në tregun sekondar

Tregu sekondar i letrave me vlerë ka marrë një lloj gjallërimi gjatë 9 muajve të parë të këtij viti, megjithëse mbetet ende larg karakteristikave të një tregu të zhvilluar. Të dhënat e fundit të publikuar nga AMF tregojnë se transaksioni i llojit B “Shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar” gjatë periudhës janar-shtator 2014, ka pasur një rritje prej 912 milionë lekë ose 20.51%, krahasuar me periudhën janar-shtator 2013, ndërsa është ulur numri i transaksioneve në masën 7.84%. Ndërkohë që transaksioni i llojit C “Blerje nga individët para afatit të maturimit” gjatë periudhës janar-shtator 2014 ka pasur një ulje prej 105 milionë lekë ose 4.89% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013, ndërsa numri i transaksioneve është rritur në masën 0.72%. Krahasuar me periudhën janar-shtator 2013, vihet re një rritje në vlerë absolute e totalit të transaksioneve të llojit B dhe C të marra së bashku me rreth 1,018 milionë lekë. Sipas AMF vëllimi i tregut sekondar të letrave me vlerë të qeverisë gjatë periudhës janar-shtator 2014 u dominua në masën 78.96% nga transaksionet në instrumente afatshkurtër (bono thesari) dhe pjesa tjetër prej 21.04% ishin instrumente afatgjatë (obligacione). Për sa i takon numrit të transaksioneve, 93.34% e të gjitha transaksioneve të tregut sekondar të letrave me vlerë të qeverisë, i takojnë transaksioneve të kryera me bono thesari. Të dhënat statistikore të tregut me pakicë të letrave me vlerë të qeverisë gjatë periudhës janar-shtator 2014 flasin për një dominim të transaksioneve “Blerje në tregun primar” dhe “Shlyerje e vlerës nominale në maturim” përkatësisht me 62.06% dhe 21.59% kundrejt volumit të përgjithshëm. Pjesëmarrja në tregun sekondar të letrave me vlerë të qeverisë dominohet nga investitorët individualë, të cilët kryejnë rreth 97.57% të të gjitha transaksioneve në këtë treg.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency