Sa e varfërë është sot Shqipëria

0
141

Mithat Frashëri

Mithat FrashëriNë Kalendar të motit që shkoj, në faqe 75 e poshtë, nënë emrë: “Ç’jan’ ata që shkojnë zallit”, qërtonim mëmëdhetarët tanë, pse s’punojnë e janë përtacë. Shumë njerës që kishin kënduarë atë artikllë, na thonë se ish e padrejtë se edhe Shqipëtarëtë punojnë, të mjerëtë gjithënjë pa prerë. Vërtet Shqipëtarët e gjorë punojnë! Vërtet heqin njëmijë mundime për të nxjerrë një copë bukë! Oh, kush nuk ka parë shqipëtarin në Shqipëri e ka parëjashtë Shqipërisë, që bredh andej e këtej duke patur shpresë të bëhet një zaptie, a një kollçi e të hajë një copë bukë!

Kush nuk e ka parë shqipëtar’ e gjorë të dergjetë nëpër qytetet e mbëdhenj duke priturë bukënë? Kush nuk’ e di që Shqipëtari vete në Jemen dhe në vende më të largët e shkruhetë zaptie, për të ngrënë bukë?Këto që themi janë të vërteta dhe tregojnë sa vuan dhe sa punon i varfëri djal’ i Shqipërisë për të nxjerë bukë! Kam njohurë një Shqipëtar që të këputte shpirtin; s’kish as ç’të hante, as ç’të vishte. E pyeta a kish gjësend në shtëpi; m’u përgjigj se kish një familje, që vuante urije. – A ke tokë për të punuarë? – i thashë. – Kam disa pendë tokë, po s’ka kush t’i punojë; unë kam dalë në kurbet, tjatrë njeri s’kam në shtëpi, as të holla që të ze ndonjë njeri të punojë! A e kupëtuatë? I bir’ i botësë kish dalë në kurbet për të fituarë të holla, po vete si dhe e shoqeja e djemte s’kishin buke të hanin; arat i linin pa punuarë, se s’kish kush t’i punonte!Nukë do t’ish vallë më mirë sikur, ay shqipëtar i gjatë sa një hosten, të rrijë në shtëpi, të punojë arënë e të shkojë një jetë të lumturë midis të fëmijësë, se sa të arratiset andej e këtej dhe të mos ketë bukë të hajë?Një vent, ku dheu nukë punohetë, ku bota s’është lidhur pas dheut, kurrgjë s’munt të vejë mbarë, se çdo njeriu ay dhe ku ka lindurë, do t’i duketë si i huaj. Shumë të mençim kanë thënë që Inglizët venë mbroth se gjindja, në çdo gjë që ka ngjarë, gjithënjë ka ndenjur e lidhurë dhe e pandarë nga dheu. Inglizët, sado që kanë tokë shterpë më të keqe se ne shqipëtarët, e kanë dashur dhenë dhe shtëpinë e tyre, edhe sa herë kan’ ardhurë të huaj, inglizët kanë punuarë të mbajnë arën e të jenë zot shtëpie. Shqipëtarët bëjnë liksht, fare liksht që janë lidhurë pas qeverisë (turke) e që çdo njeri shpreh të gjejë bukë në punë të qeverisë (të hyqymetit)…Të mejtohemi pakë: a bën mirë një shqipëtar që le penk shtepine, arën a fëmijën dhe vete kërkon memurijet, apo shkruhetë zaptie? Mbase thoni se i gjori shqipëtar vete nga e keqja, se nukë munt të rrojë në shtëpi të tij; është, pra, i shtrënguarë të dalë në kurbet të nxjerë bukënë! Po valle qysh e fitojnë atje këtë të pakë bukë?Ay i mjerë që le ëmbëlsin’ e shtëpisë, që le fëmijen e dashurë të tij, që le vendin e bukurë ku ka shkuarë djalërinë e tij…, lë penk shtëpinë e del për kësmet, vete në një qytet të huaj, gjen një bej e i lutetë t’i gjejë bukë; shkojnë disa muaj, disa vjet pa gjeturë ndonjë vent: në këtë kohë fëmija i ka mbeturë shkretë se vuan urije; ay i gjorë m’anë tjatrë dergjet, krimburë në borxh… Ah, më në funt u-hap fati: miku yne u-shkrua zaptie me gjashtë mexhirka të bardha në muaj! Oh, sa i lumturë! Ja ku u mvesh me roba të zeza; një kordhë i varet m’ anë të mëngjërë!

Të gjorit zaptie rroga një herë në tre muaj i del dhe të hollat që merr nuk i arrijnë as për vete as për në shtëpi, pa le që ka dhe një barë hua. Ç’bën, pra, miku ynë, që të nxjerë pakë të holla? – Del kusar! Vështroni qysh: Me qenë që rroga nuk i del çdo muaj, miku ynë ka synë të dalë të mbledhë të dhjetat (të dalë tahsildar), kur del për këtë punë, vete nëpër fshatra, ngrënjen’ e tij si dhe të kalit e merr me pahir nga fshatarët; shtrëngon njerëzit e varfërë që të paguajnë; i shtrëngon e i rreh gjer sa t’i japin gjë! Kemi parë e kemi dëgjuarë, që shumë tahsildarë japin rryshfet te mylazimi a te jyzbashi, që t’i nxjerrin nëpër fshatrat, se ashtu gjejnë të hanë e të pinë pa të holla e të mbledhin para!Sa mylazime e jyzbashë, duke dalë disa muaj nër fshatrat, mbledhin një tok të holla për veten e tyre! Edhe vjet në jyzbash në Janinë, emri i të cilit nis me H… në dy muaj e siprë mblodhi 35 lira! Kuptohet mirë qysh vjedhin zaptietë a mylazimët…E kush nuk e di sa paudhësi punojnë ata që dalin për taksim? Kujt nuk’ i kanë rjedhurë ca pika lot nga sytë, kur ka dëgjuarë qysh taksildarët rrjepin shtëpin’ e bujkut, rrahin të mjerin fshatar, i marrin edhe kusinë dhe e lënë kërcu! Këto të këqija i bëjnë taksildarët shumë herë për të marrë disa grosh nga fshatari. Mos pandehet se këto ligësi i bën vetëm zaptie-ja; jo, të gjitha sa janë në punë të qeverisë, të gjithë sa janë në bukën e saj, që nga zaptieja e gjer te valiu, gjithë memurët e sulltanit, të tërë vjedhin e bëjnë një mijë turpe. Edhe prapë ndonjë prokopi nukë kanë, se të gjithë të këputin shpirtinë…Nukë do t’ish vallë më mirë të punojë arën shqipëtari, të shikonjë kopenë a të bëhetë tregëtar e të nxjerë bukënë me djersën’ e ballit, sesa të dalë hajdut nënë robët e një zaptieje, të një mylazimi a të një qatibi? Hahni ka të drejtë kur thotë “Sa të muntnjë shqipëtari të lerë shtëpinë e të përpiqetë të fitonjë bukën në vende të huaj, s’shprehet ndonjë përmirësim” d.m.th. s’munt të vejë përpara vendi kur le shqipëtari plenk shtëpinë dhe aratisetë andej e këtej për të nxjerë bukën. E thamë më lart dhe e themi prapë: ay që lidhet pas qeverisë, domethënë ay që merr një punë në qeveri, është ay që i bën më të mbëdhatë e të ligavet Shqipërisë. Se, një njeri që ka shkuarë mirë me fshatarët e tij, posa bëhetë zaptie, zë e bëhet armik i fshatarëvet me të cilët gjer dje kish shkuarë vëllazërisht, hiqet i rëndë, bën ç’të dojë se ka krahë hyqymetin (qeverinë), dhe duke munduarë vëllezërit e tij, shikon të fitojë qeverija a vetë ai, pa në djall Shqipëria! Ata që janë lidhurë pas qeverise na kllasin në grindje dhe ndarje midis tënë; se ay njeri dolli nga Shqipëtarija e u-bë njeri i sulltanit. Duke dashurë të fitojë se rrogë nuk i japin, mundon të dobëtit dhe kështu gjindja thotë “nuk na mundon turku, po na mundon shqipëtari!” Me qenë që të krishterëtët janë shumë herë të dobëtë, zaptijeja e mylazimi e gjejnë më lehtë të bëjnë të këqija te shqiptarët të krishterë dhe kështu hyn grindja dhe mërzitja midis myslimanëve e të krishterëve. Pra, shqipëtarëtë që hyjnë në punë të qeverisë, punojnë, heqin shumë mundime, rrinë në vende të liq për shëndenë, mezi gjejnë bukë të hanë, rrobat i kanë copë-copë, gjithnjë ndodhen në rrezik e siprë se mos vritenë, se bëhen armiq me gjithë botënë. Me qenë kështu, këndonjësit munt të pyesin: Shqipëtarëtë nukë dinë të punojnë? Një i diturë n’ ekonomi politike, Dety de Trasi, ka thënë: “Gjithë fatbardhësi e njerëzvet është në të përdorurit mirë të punës, e gjithë e keqja vjen nga të përdorurit më kot të punësë!” Kështu, pra, shqipëtarëtë, në vent që të lodhenë tërë kohënë, të shkojnë një jetë të ndyrë e të mos ngijin dot barkun në punëra të qeverisë, do t’ish shumë më mirë të vështronin të fitonin duke punuar bujqësine a tregëtinë në vent që të nxjerin bukën duke bërë të ligë botësë e duke i sjellë dëm  kombit dhe vehtes së tyre, do t’ish shume gjë e pëlqyerë ta nxirnin atë bukë me një mënyrë t’urtë, të nderçme e me djersën’ e ballit.Nga të paturit synë në punërat të mbretërisë, na gjen të dobëtë qeverija e na lot si të dojë: se, te themi, që ca fshatra duanë, për shembëll, të qahenë nga pagesat e’rrugës ose tjatrë gjë. Për këtë punë duhetë që të gjithë njerëzija të jenë të bashkuarë… Qeverija, gjithënjë, me ca të qelburë mermurijetë a me ca nishanë të teneqejtë, gjen anën të ndanjë e të bënjë me vehte ca nga të cilëtë bëhenë shushunja dhe pinë gjakn’ e gjindjesë…Një shkronjës Frances duhet të ketë diturë mirë punërat e Shqipërisë, kur thotë: “Shqipëtari sa ësht’ i butë e i mirë kur s’ka ndonjë punë në  qeverit, aqë bëhetë i keq e i lik kur merr ndonjë memurijet”.  Gjer më tani thamë që të qepurit pas qeverisë, të pasurit synë në  IDurijet është një fatkeqësi për shqiptarët, po këndonjësi munt të më thotë: “Këto janë të drejta, po qysh të bëjnë shqipëtarëtë për të fituarë të holla ? Me ç’anë të gjejnë pakë para të flamosura?  Pa të shohim vallë, nukë ka ndonj’ udhë për të fituarë të holla, veç memurijetit? Nukë munt, vallë, njeriu të nxjerë para pa bërë zaptie, mylazim, kajmekam a mytesarif? Nukë munt, vallë, njeriu të bëhet’ i pasurë, pa rrjepur botënë e pa pirë gjakn’ e vëllezërët? A nukë munt më mirë njeriu të fitojë të holla me bujqësi, me tregëri, me mjeshtëri (zanat)? Munt të themi që: Shqipëria do të shpëtojë kur nisinë Shqipëtarëtë të merrenë me tregti, me mjeshtëri e me bujqësi, dhe të heqin sa të mundinë dorë nga memurijetet. Pa më thoni sa merr një zaptie q’i pëlcet koka në djell, në shi, në dëborë e në baltë? Sa merr një kajmekam, sa merr një mytesarif? Rrogat që marrin nuk’ u japin as sa për duhan! Me aqë mundime, të merreshin me tregëri, me bujqësi e me mjeshtëri, do të fitonin më tepërë, do të rronin më të ndershëm, dhe në vent që t’i bënin dëm, do t’i bënin shumë të mira Shqipërisë. Pa na thoni, këndonjës të dashurë, a keni parë ndonjë njeri që të jetë në bukë të mbretit e të jet’ i pasurë? Jo, jo! Pa më thoni ai u-bë i pasurë Averofi nga Meçova, Hirsi, Roshildi, Vanderbildi, dhe kaqë të tjerë që kanë fituarë me miliona lira, me memurijete të qelburë që kanë fituarë të hollat, a po me tregëri e duke punuarë me nder? Bujqësija, domethënë të punuarët dhenë mirë dhe me ment, tregërija dhe mjeshtëria, na kanë për të shpëtuarë; ahere shqipëtarëtë do të bëhenë të pasurë, do të rojnë si njerës, do të duanë shoku-shokun, se tregërija gjithnjë sjell dashurinë. Duke hequr dorë nga qeverija e duke zënë tregërinë, do të ngrihen paudhësitë që punon sot parësija, se ahere në vent që ta ketë synë në vjedhje e në rrëmbim, do ta ketë në tregëri e mjeshtëri. Adam Smithi, i madhi themelonjës i ekonomisë politike, ka thënë:Tregëria dhe mjeshtëria kallën dalëngadalë n’Ingiltere rregullën në punërat dhe qeverin’ e mirë; bashkë me këto dhe sigurinë dhe lirin’e gjindjesë, e cila më parë rronte në luftë të paprerë në mes tyre dhe si skllevër nën të fortëtë.

Duke rënë bota pas tregërisë, do të gjejë shpirt vendi ynë se bujku i varfërë, që sot nuk punon me dëshirë, se s’ka ku të shesë drithën q’i tepëron a viçin, a dhentë. Kur të lulëzojë tregërija e të dalë jashtë Shqipërisë plaçka, ahere fshatari e di që do-mos-do shitet plaçka dhe zë e punon me zjarr e dëshirë. Ahere bujku lehtë do të gjejë në Shqipëri maqinën q’i duhetë për të punuarë më mirë dhenë. Ahere do të hyjnë e do të dalin mallrat në të katërt anët e Shqipërisë dhe të hollat do të lëvrijnë nëpër duar, se paraja sa herë të shkojë nga një dorë në tjatrë, aqë më shumë punë bën. Duke shkuarë, të themi, një lirë një mijë herë nga një njeri më një tjatërë, ajo lirë bën punën e zë vendin e një mijë lirave. Andaj, pra, bejlerët e Shqipërisë sa të dërgojnë djemt’ e tyre të mësojnë në shkolla për të dalë memurë, do t’ish shum’ më mirë për veten’ e tyre e për mëmëdhenë t’i mësonin për tregëri, bujqësi a mjeshtëri e të vininë të punonin për dritën e për fitimin’ e vendit tonë e të tyren.

I madhi Adam Smith, kur kërkon se me ç’anë vjen kamja, gjen se “burimi dhe shkaku i kamjesë është puna”…Duhet të themi që kamja nuk është me të patur copëra ergjent a flori. Dhe me qenë se floriri a ergjendi (do-me-thënë paratë) na duhenë për të prishurë e për të blerë me to gjëra të nevojshme për të rrojturë mirë, themi se çdo gjë që na bën të shkojmë një jetë të prehurë, është kamje, edhe në mos paçim fare të holla. Ejani të vemi bashkë te një fshatar, kasolleja është mos më keq, ment rëzohetë, dera ësht’ e thyerë; era hyn në çdo anë; brenda kasolleja është e pafshirë, e ndyrë; s’ka asnjë fron për të ndenjurë, asnjë mësallë ku të hanë bukë; shtrati për të flejturë është i fëlliqurë dhe napa copë-copë; robat e fëmijërisë janë të lyera dhe të shqepura. Themi që i zot i kësaj kasolleje është fort i varfërë dhe, që të bëhetë pak i pasurë e të rrojë si njeri, i duhenë të holla. Unë them se ky njeri bëhet i pasurë edhe pa të holla. Burri i shtëpisë sa të rrijë përtac, le të marrë spatën, të vejë në pyll të bëjë ca dhoga; me këto dhoga të ndërtojë kasollenë, të bëjë ca frone për të ndenjur dhe një mësallë (sofie) të bardhë; e shoqeja le të shpjerë në lumë të tëra plaçkat e shtëpisë e të fëmijërisë e t’i lajë mirë; çupat le të tjerrin me leshn’ e dhenve ca napa, të cilatë t’i shtrojnë a të bëjnë raba; pastaj rreth e rrotull shtëpisë të pastrojnë kopshtin, të qërojnë barërat e egëra, të mbjellin ca lule… Kështu, kur të kthehemi pas ca muajsh, do të gjejmë kasollenë të mirë, era s’ka për të fryrë nga vrimatë, një pastërti duketë më çdo anë, mësalla, fronet, napat dhe çdo gjë janë të pastra, kopshti është zbukuruarë, tufë-tufë lulesh japin erë të mirë q’i gëzojnë shpirtin e i ëmbëlsojnë jetënë njeriut, foshnjat janë të pastra si pëllumba. Si u-bë tani shtëpi e fshatarit, themi q’ësht’ i pasurë dhe i gëzuarë.Për të bërë kështu, fshatarit nuk i duhen as fare të holla: dhogat i bëri në pyll, napat i endi me leshn’ e dhenvet, i cili kish kaqë kohë që rrinte me një çip, robat u-lanë në përrua: për t’u bërë i pasurë, arriti të përveshin llërët njerëzit e shtëpisë e të punojnë. Pra Adam Smithi, ka të drejtë kur thotë: Kamja është të punuarët. Po dëgjoj një nga këndonjësit që thotë: “Janë të vërteta këto fjalë, po ç’t’i bësh qeverisë që s’na le të lirë, që s’na bën rrugë, që na rrjep e s’na lë një grosh, dhe veç që s’na bën asnjë të mirë, po na le në duart të hajdutëvet”. Po dhe faj i këtyrëve te ne është, se në vent që të lidhemi gjithë në një brez e t’ja mbledhim rripat qeverisë, ne bëhemi një me të dhe i ndihim të shtypnjë vendin dhe vëllezërit dhe vehtenë tonë duke shpresuar të marrim ndpnjë copë teneqe a ndonjë memurijet; në vënt që të kërkojmë fitimnë tonë n’udhë të drejtë, arratisemi dhe dëmtojmë vehtenë tonë e gjithë gjindjen…Shqipërisë, -shpëtimi dhe fatbardhësija i ka për t’i ardhurë duke zënë njerësit tregërinë, mjeshtërinë dhe të heqin dorë nga dashurija që janë te buka me helm e qeverisë. Mbani në ment fjalët e Adam Smitit: “Tregërija dhe mjeshtërija e ndritoi Ingliterënë”.

Botuar më 1921

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here