Rrëzohen dekretet/ Ngresi përçan mazhorancën, PS e kthen mbrapsht, LSI e pranon

0
170

Gëzim Saliu

Braho: Rama të rishikojë pozicionin e tij në këtë ngërç, nëse ka piketuar ndonjë të vijë të na e thotë e t’ia themi Nishanit

komisioni i ligjeve pa opoziten lsa sakte 2014Komisioni Parlamentar i Ligjeve rrëzon dy kandidaturat e Presidentit Nishani për Gjykatën e Lartë. Sokol Ngresi dhe Elona Stavri nuk morën dje miratimin e anëtarëve të Komisionit me arsyetimin se procedura e ndjekur nga Presidentit që nga procesi i përzgjedhjes deri tek dekretimi i tyre ka qenë e pakonsultuar me mazhorancën qeverisëse. Por ndërkaq, anëtarët e LSI-së në këtë Komision paraqitën një qëndrim të ndryshëm nga kolegët socialistë, lidhur me kandidaturën e Ngresit. Përkatësisht Spartak Braho votoi pro kandidatit të dekretuar nga Nishani e ndërsa Petrit Vasili dhe Silvana Caka nuk u shprehën fare me votë, duke iu kundërvënë indirekt argumenteve të socialistëve për të tillë rast.

 

Debati

Në nisje të sesionit të pyetje-përgjigjeve për dy dekretet e Presidentit për Gjykatën e Lartë, pas seancës dëgjimore me ta, deputeti socialist Dashamir Peza tha se refuzimi i mazhorancës nuk ka të bëjë me integritetin profesional dhe moral të kandidatëve, por me procedurën e përzgjedhur nga kreu i shtetit. Duke vazhduar edhe më tej këtë diskutim, ligjvënësi socialist Blendi Klosi duke iu drejtuar kandidatit Sokol Ngresi, tha se ai është zgjedhur në një proces të korruptuar nga Presidenti. Në përgjigje të tij Ngresi bëri të ditur se është përzgjedhur përmes një procesi tërësisht transparent dhe se distancohej nga perifrazimi i deputetit socialist. Ndërkaq në pjesën e diskutimeve, në përfundim të seancës dëgjimore, pasi ishin larguar dy kandidaturat, deputeti Spartak Braho tha se për të tretën herë radhazi po rrëzohen dekretet e Presidentit lidhur me emërimet në Gjykatën e Lartë. “Problemi është që ne kemi rënë në kurthin e tij, ai dërgo ne rrëzo, ai dërgo ne rrëzo dhe ca po rrëzojmë në të tre rastet njerëz me integritet të lartë profesional dhe moral”, – u shpreh Braho. Në këtë kontekst, ai theksoi se nuk ekzistonte asnjë arsye që kandidatura e Ngreit të refuzohej nga ai personalisht. “Tani ça t’i them unë këtij Ngresit, në do ta rrëzojmë atë, po unë s’kisha pa ndonjëherë diplomë me të tëra dhjeta, medalje ari, me cv të pasur profesionale akademike. Skam arsye dhe moral profesional e ligjor që të votoj kundër kandidaturës së Sokol Ngresit”. Më tej, ai pohoi se çështje kryesore është zgjidhja e ngërçit dhe për këtë sipas tij duhet të shprehet kryetari i mazhorancës Edi Rama. “I bëj thirrje kryetarit të mazhorancës të rishikojë pozicionin e tij në këto çështje. Nëse ka piketuar ndonjë njeri tjetër të vij të na e thotë, që të vemi t’ia themi Nishanit, ore sill atë që doni ju”, – deklaroi Braho. Ndërkaq, kryetari i Komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafaj u shpreh se përtej parapëlqimeve personale, nuk mund të shkelej germa dhe fryma e Kushtetutës. “Unë nuk e ndaj furrën nga produkti i saj sepse kam një pikëpamje tjetër . Nuk kam pikëpamjen që bukëpjekësi është burrë i keq dhe buka që del është e mirë. Për mua gjërat nuk janë bardh e zi. Dua ti shikoj gjërat në frymën e Kushtetutës dhe ligjit”, – pohoi Xhafaj, duke akuzuar Presidentin për mos konsulencë me krerët e grupeve parlamentare të mazhorancës.

 

Debati te Ligjet

 Klosi: Proces i korruptuar politik. Braho: Kemi rënë në kurthin e Nishanit. Xhafaj: Zgjidhje kushtetuese

Blendi Klosi: Kam një pyetje për dy kandidaturat. Si keni pranuar ju të jeni pranë këtij Komisioni në një proces të korruptuar politikisht nga Presidenti i Republikës, pasi kandidaturat e rrëzuara deri tani janë goditur pasi Presidenti nuk ka pranuar të ketë një konsultë me mazhorancën.

Sokol Ngresi: Paraprakisht ju bëj me dije që me forcë të madhe distancohem tërësisht nga perifrazimi që i bëtë ju procesit të dekretimit të paktën të kandidaturës time nga ana e Presidentit. Të jeni i sigurt që kandidimi është rrjedhë e nje procesi shumë transparent.

Elona Stavri: Pengesa e vetme ka qenë ndryshimi i ligjit 151 të vitit 2013 që parashikonte që për organizimin e Gjykatës së Lartë që gjyqtari duhej të ishte jo më pak se 13 vjet dhe të paktën 5 vjet në gjykatën e apelit. Me shfuqizimin e tij jam përfshirë dhe jam vlerësuar nga ana e Presidentit, jo në mënyrën e thënë këtu si korrupsion politik, por si potencial me integritet dhe personalitet.

Braho: Në replikë me z. Klosi…

Xhafaj: Jo ju lutem replikë jo këtu, kur të kemi diskutime po, tani duhet të bësh pyetje.

Braho: OK, jo replikë, i vënë para një pozicioni të vështirë dy kandidaturat e Presidentit duke thënë se qenkeni para rastit të korrupsionit politik. S’ka të bëj fare kjo çështje. Nëse gjykojmë dekretet e Presidentit, po të ketë vullnet i voton, po mos këtë i rrëzon. Unë i vlerësoj të dyja kandidaturat pozitivisht për background-in e tyre personal, më bën përshtypje fakti që tërë diplomat janë maksimale me 10 dhe medalje ari. Kam një pyetje intime që ka të bëjë me z. Sokol Ngresi, komisar Ilir Ngresin çfarë e ke ti?

Sokol Ngresi: Unë jam i vëllai i të ndjerit, ka qenë pikërisht ngjarja tragjike e tij që lashë detyrën e Gjykatës së Lartë për t’u rikthyet në Gjykatën e Apelit Vlorë për të përmbushur detyrimet e mia familjare.

Fatmir Xhafaj: Si shpjegohet që ju zonja Stavri keni kandiduar pa pasur një shpallje publike të re nga ana e Presidentit dhe menjëherë jeni kandiduar?

Elona Stavri: E theksoj se nuk kam kandiduar pas datës 7 korrik, kam kandiduar më parë. Madje nuk ka qenë kandidimi i parë nga ana ime për gjykatën e lartë, pasi me ligjin e mëparshëm ka qenë me vjetërsinë e punës 10-vjeçare dhe me mbushjen e kësaj unë nuk kam reshtur asnjëherë kandidimin qoftë për Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën e Lartë.

Ulsi Manja (relatori): Konstatohet lehtësisht që kuadri kushtetues nuk është mbajtur në konsideratë që në momentin e shpalljes së kandidaturave, konsultimit dhe më pas përcjelljes komisionit. Në përzgjedhjen e kandidaturave, Presidenti i është referuar vetëm kushteve ligjore të natyrës formale juridike duke lënë mënjana konsultimet në përputhje me kërkesën kushtetuese për kualifikim të lartë. Unë si relator i dy dekreteve do t’u kërkoj kolegëve që t’i rrëzojmë ato për emërimin e dy anëtarëve të Gjykatës së Lartë.

Braho: U bë e treta herë që ne rrëzojmë dekretet e Presidentit lidhur me emërimet në Gjykatën e Lartë. Unë e kam enigmën të zgjidhur, me këtë President mos prisnin që të zbatohet Kushtetuta dhe ligji. Problemi është që ne kemi rënë në kurthin e tij, ai dërgo ne rrëzo, ai dërgo ne rrëzo dhe rrëzojmë në të tre rastet njerëz me integritet të lartë profesional dhe moral. Tani ce t’i them unë këtij Ngresit, ne do ta rrëzojmë atë, po unë s’kisha pa ndonjëherë diplomë me të tëra dhjeta, medalje ari, me cv të pasur profesionale akademike. S’kam arsye dhe moral politik, po lërë këtë të fundit, por moral profesional dhe ligjor që të votoj kundër kandidaturës. Unë jam kundër mendimit të relatorit i cili u mundua të arsyetonte megjithëse i çik me vështirësi. Çështja është si do ecim në këtë hulli ku jemi futur. I bëj thirrje kryetarit të mazhorancës të rishikojë pozicionin e tij në këto çështje. Nëse ka piketuar ndonjë njeri tjetër të vij të na e thotë, që të vemi tja themi Nishanit, ore sill atë që doni ju.

Fino pa mikrofon: Po s’na pret ai pra.

Braho: Kjo komedi duhet mbyllur, më vjen keq që ne po rrëzojmë kandidatura me integritet profesional. Unë do ta votoj pro kandidaturën e z. Ngresi.

Xhafaj: Unë nuk e ndaj furrën nga produkti i saj, sepse kam një pikëpamje tjetër. Nuk kam pikëpamjen që bukëpjekësi është burrë i keq dhe buka që del është e mirë. Për mua gjërat nuk janë bardh e zi. Dua t’i shikoj gjërat në frymën e Kushtetutës dhe ligjit. Kush na ka garantuar ne që kjo është zgjedhja më e mirë, më konkurruese dhe më cilësore, sa kohë nuk ka një vlerësim të kritereve objektive dhe shtesë që ka përcaktuar ligji. Cilësia në Gjykatën e Lartë është më shumë e rëndësishme përballë parapëlqimeve tona personale. Ky është një ngërç që ka ekzistuar në 8 vitet e mëparshme. Ka ardhur momenti për ti dhënë një zgjidhje, kushtetues pse jo, por ligjore domosdo, për t’i dhënë zgjidhje këtij ngërçi. Dhe për ti dhënë zgjidhje nuk është e domosdoshme të bësh tryeza për show po është e nevojshme diskutimet e punës mes ligjvënësve dhe institucioneve të Presidentit, përfaqësuesve të Euralius si edhe ekspertëve të drejtësisë. Më nuk mund të zgjatët kjo histori që propozohet sipas bindjes sime dhe Kuvendi është i detyruar të certifikojë si noter, Kuvendi nuk është noter, është palë bashkëpunuese në këtë proces.

 

Votimi te Ligjet

Kandidatura e Sokol Ngresit – Kundër deputetët e PS-së, Braho pro, Vasili e Caka nuk votojnë

Kandidatura e Elona Stavrit – Kundër të gjithë anëtarët, pro asnjë, abstenim asnjë

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency