Rimbursimet, hyn në fuqi vendimi, si mund të pëerfitojnë fermerët

0
133

 Ervin Kaduku

 

fermeretFermerët mund të aplikojnë për të tërhequr rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar prej 20 për qind për inputet e produkteve bujqësore. Thirrja është bërë nga kreu i Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, Gjok Vuksani, sipas të cilit është miratuar udhëzimi për kompensimin e prodhuesve.

Fermerët duhet të aplikojnë në zyrat e rrethit ky jetojnë dhe duhet të jenë të pajisur me faturën e blerjes së materialeve, hartën e tokës që disponojnë, si dhe numrin e tij të llogarisë ku do të behet edhe derdhja e parave nga ana e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural. Sipas Vuksanit kjo reformë e qeverisë synon të ulë koston e prodhimit për fermerët. Në këtë udhëzim nuk parashikohet kompensim për tregtarët.

 

Qiraja

Ndërkohë, si pjesë tjetë e reformës së sektorit bujqësor, qeveria ka ndryshuar procedurat e dhënies së tokave bujqësore me qira, duke përcaktuar tarifa dhe afate të reja. Tashmë ky proces do të manaxhohet nga një bord i posaçëm, i përbërë nga përfaqësues të pushtetit qendror dhe vendor, që do të miratojë kërkesat për rastet kur ka 1 kërkues. Ndërsa, për rastet kur numri i kërkuesve është i lartë, atëhere do të zhvillohen procedurat e ankandit. Qëllimi kryesor i ligjit është nxitja e investimeve në këtë sektor, ndaj edhe pjesë e procedurave është edhe planbiznesi i kërkuesit. Në vendimin e Këshillit të Ministrave përcaktohet edhe vlera minimale për hektar në vit për tokat, ku si kriter vlerësimi shërben niveli i bonitetit të tokës, e cila ndahet në shtatë kategori.

Referuar vendimit, kategoria e parë e tokës bujqësore do të ketë një qira vjetore nga 17 mijë në 27 mijë lekë për hektarë, për të vijuar më pas gradualisht me kategoritë e tjera, ku kategoria 7 e tokës do të jepet me qira nga 5 mijë deri në 10 mijë lekë për hektarë. I njëjti vendim përcakton edhe afatet e dhënies me qira të tokës bujqësore shtetërore. Kështu, afati më i shkurtër i qiradhënies është 10 vjet për ata që e marrin këtë tokë me orientim kultivimi të bimëve të arave, eterovajore dhe bimëve dekorative. Jepet me afat 30-vjeçar për ata që e orientojnë këtë tonë në kultivimin e vreshtave pemëtore apo për ndërtim serash. Afati më i gjatë i marrjes me qira të një toke është për një periudhë 99 vjet për rastet kur kultivimi ka si orientim ullishtat.

Ky vendim vjen në një kohë kur sektori i bujqësisë vlerësohet si një nga sektorët që mund të shërbejë si motor i rritjes ekonomike të vendit. Qeveria ka premtuar rritjen e mëtejshme të granteve për fermerët ndërsa nga ana tjetër, një shans i ri që paraqitet është edhe shtimi i mbështetjes financiare në sajë të statusit “kandidat” për Bashkimin Europian që mund të marrë vendi ynë. Fondet që mund të vijnë nga Bashkimi Europian si asistencë, i adresohen kryesisht sektorit bujqësor, ku fermerëve shqiptarë që zotërojnë tokën  bujqësore, u lind e drejta e aplikimit direkt për grante nga Bashkimi Europian.

 

 

Dyfishohet prodhimi nga hidrocentralet vendore

 

Prodhimi i përgjithshëm i energjisë nga hidrocentralet private vitin e kaluar u dyfishua në krahasim me një vit më parë, duke zënë 7% të prodhimit total. Raporti vjetor i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) përcakton se prodhimi vjetor 2012 nga HEC-et private deri në 15 MW arriti në 299.9 GWh, nga 136.8 GWh në vitin 2011, me një rritje prej gati 120%. Sipas ERE, në prodhim janë 68 hidrocentrale nga 40 shoqëri private dhe koncensionare, me një total fuqi të instaluar 195.8 MW. Prej tyre rreth 120 MW e zënë 16 HEC-et që nisën vjet prodhimin e energjisë.

Kompania kryesore që prodhoi më shumë energji është “Balkan Green Energy” me 25 HEC-et e veta. Prodhimi i tyre vjet arriti në 48 GWH energji në 25 hidrocentrale lokale. Prodhuesi i dytë më e madh është HEC-i Tervolit në Elbasan, me prodhim prej 35 GWh. Me rritje të ndjeshme të prodhimit të energjisë është dhe kompania “Energo Sas” sh.p.k, me HEC-in e Sasajt në Sarandë, që vjet prodhoi 28 GWh energji elektrike. Vjet u fut në prodhim edhe HEC-i lokal i Ashtës, që ka fuqi të instaluar 45 mijë MW. Pas tij është kompania  “Erdat Lura” sh.p.k me HEC-et Lura 1, 2, 3 në Dibër, të cilat kanë një fuqi të instaluar 16.220 MW.

Prodhimi nga këto HEC-e pritet të rritet ndjeshëm në 2013-n.

 

 

Sektori i naftës, maja të paarritura më parë

Shqipëria zotëron potencial të madh përveç pasurive minerare edhe në naftë, ku  rezerva e zbuluar llogaritet nga grupi kanadez “Petromanas” në 430 milionë tonë naftë, çka e bën vendin me fushën më të madhe naftëmbajtëse në tokë në Evropë. Burime të kësaj kompanie shpresojnë për potencial të konsiderueshëm ende të pazbuluar. Kjo kompani që punon për kërkim nafte në zonat e Shpiragut, së fundi ka nisur kërkime në zonën e Tomorrit në Qarkun e Beratit me investim në rreth 80 milionë usd. “Petromanas” ka marrëveshje Hidrokarbure me qeverinë për kërkime për naftë në zonat e Beratit, Lezhës dhe Elbasanit.

Zonat

Edhe burime zyrtare nga AKBN (Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore) pohojnë interesimin e kompanive të huaja në fushën hidrokarbure. Deri sot në këtë fushë punojnë kompani të licencuara me 7 Marrëveshje Hidrokarbure në zona të ndryshme për kërkim e zbulim për naftë dhe gaz në tokë dhe det në zonat naftëmbajtëse ekzistuese dhe të reja. Në zonat Ballsh-Hekal, Cakran-Mollas, Delvinë dhe Gorisht-Kocul operon kompania “Stream Oil & Gas”. Në zonën  Patos-Marinëz punon prej vitesh kompania kanadeze “Bankers Petroleum” në zonën e Kucovës punon  “Sherwood International”; dhe në Visokë, “Transoilgroup AG”. Për kërkimet e reja në bllokun detar të Durrësit po zhvillon kërkime kompania “San Leone”, ndërsa në bllokun “F” zhvillon kërkimet “Bankers Petroleum”. Në bllokun Joni-5 po zhvillon kërkime kompania “Capricorn”. Kompania “Emanuelle Adriatic Energy Limited” zhvillon kërkimet në blloqet detare 2,3,4. Edhe kompania publike e naftës “Albpetrol” ka licencë kërkimi në blloqe të tjera detare e tokësore, thonë burimet e AKBN-së.
Në tregun botëror, sektori i naftës shqiptare konsiderohet në pikën kulmore dhe po regjistrohet rritje e interesit nga kompani të huaja dhe sipas analistëve të tregut vlerësohet me trend rritës.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency