Replikë me Kryeministrin/ Basha: Shqipëria evropiane kërkon punë, jo llogje

0
131

Gëzim Saliu

Basha deklarate“Ata nuk po e ndërtojnë modelin e një Shqipërie evropiane dhe nuk po hapin fronte të reja pune”

Në përgjigje të akuzave të Kryeministrit Rama ndaj modelit të zgjedhur nga kryebashkiaku i Tiranës për të qeverisur kryeqytetin, Basha deklaroi dje se Shqipëria evropiane kërkon punë dhe jo llogje. Gjatë inspektimit të rikonstruksionit të bllokut “Qemal Stafa” në kryeqytet, kryebashkiaku theksoi se modeli evropian i punës i zgjedhur në Tiranë duhet të shtrihet në të gjithë vendin. “Tirana moderne evropiane, Shqipëria moderne evropiane kërkon punë, jo llogje. Për fat të keq, ata që nuk po e ndërtojnë modelin e një Shqipërie evropiane, nuk po hapin fronte të reja pune, ata të cilët nuk po përmbushin as shpresat, as pritshmëritë e qytetarëve për një të ardhme më të mirë, ndjehen të kërcënuar nga modeli i punës dhe janë përveshur me një propagandë të egër dhe me bllokime modelit të punës për qytetarët, që përfaqëson sot Bashkia e Tiranës. Unë kam bindjen se qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë e dinë dhe e ndiejnë se modeli që funksion për ta që funksion për të ardhmen evropiane të këtij vendi, që funksion për mirëqenien e tyre është modeli i punës. Unë jam i vendosur që këtë model, që e kemi rikthyer fuqishëm në Bashkinë e Tiranës, të vazhdojmë ta konsolidojmë e ta shtrijmë kudo në Shqipëri, për të mirën e qytetarëve shqiptarë, për të mirën e fëmijëve të tyre, për të mirën e Shqipërisë evropiane”, – u shpreh Basha.

 

Investimi

Për kreun e Bashkisë së Tiranës, projekti i tij për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve kudo ku ata jetojnë, në qendër apo periferi po shndërrohet në realitet ditë pas dite. “Ky investim i Bashkisë së Tiranës është në vazhdën e përpjekjes sonë për një qytet ku jetohet më mirë, punohet më mirë dhe ku shijohet më mirë jeta. Për një Tiranë moderne evropiane, ku standardi i jetës nuk shtrihet vetëm në fasada apo në qendër, por edhe në periferi, kudo ku qytetarët kanë nevojë dhe në lagje të vjetra si kjo, të lëna prej kohësh në harresë dhe të humbura në llogje pa fryt të politikës së përbaltjes dhe të interesit vetjak dhe jo të interesit të qytetarëve”, – theksoi ai. Në bllokun e banimit të inspektuar dje nga kryebashkiaku Basha është ndërtuar 6084 m² sipërfaqe rrugë me asfalt. Janë realizuar punime për kanalizime të ujërave të zeza dhe të ujërave të bardha. Po ashtu është ndërtuar rrjeti i ujësjellësit me gjatësi 1685 ml, rrjeti i ndriçimit elektrik publik, ku janë vendosur 57 copë shtylla. Nga ana tjetër janë realizuar punime, linja rezervë për fibra optike dhe shërbimet inxhinierike nëntokësore si edhe janë krijuar ambiente çlodhëse me gjelbërim dhe stola për banorët, duke e kthyer këtë zonë, në një hapësirë qytetare bashkëkohore, funksionale dhe tërësisht estetike.

 

 Vizita e Papës/ Rama: Ja si po ndryshojnë sallat e reja të pritjes në aeroportin “Nënë Tereza”

Në kuadër të vizitës së Papës më 21 shtator në Shqipëri, Kryeministri i vendit, Edi Rama, bëri të ditur ndryshimet që po u bëhen sallave të pritjes në aeroportin “Nënë Tereza”. Përmes një fotoje të publikuar në rrjetet sociale “FB” dhe “Twitter”, Rama theksoi se punimet janë drejt përfundimit. “Punimet për sallat e reja të pritjes në aeroportin Nënë Tereza janë drejt përfundimit në prag të vizitës së madhe”, – shkruante kreu i qeverisë. Ndërkaq, në vizitën e tij në Kinë, Rama u ndal edhe në qytetin e Shangait, ku ka zhvilluar disa takime me sipërmarrësit vendas. Kryeministri sqaroi se gjatë qëndrimit në Shangai u ka prezantuar sipërmarrjeve të mëdha kineze atë që ai e quan “Shqipëria që po rilind”. Po ashtu, Kryeministri bëri të ditur se modeli ekonomik i qeverisë ka qenë gjithashtu në fokus të takimeve, ku nga ana tjetër Rama është njohur edhe me interesat, prioritetet dhe kërkesat e sipërmarrësve kinezë.

 

 Ndihma/ SHBA jep 28.5 milion dollarë Shqipërisë: Për forcimin e shtetit të së drejtës

Qeveria amerikane ka ofruar një ndihmë financiare për Shqipërinë me një vlerë totale prej rreth 28 milion e 544 mijë dollarësh, e cila do të shpërndahet në këste përgjatë viteve 2013-2016.
Për këtë qëllim, ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj amerikane është lidhur më 30 shtator 2013 marrëveshja e ndihmës, e cila ka objektiv forcimin e shtetit të së drejtës, qeverisjen e mirë dhe krijimin e kushteve për një rritje ekonomike me bazë të gjerë dhe të qëndrueshme. Më 30 qershor 2014, mes palës shqiptare dhe asaj amerikane, është nënshkruar ndryshimi nr.2 i kësaj marrëveshje, e cila së fundi ka mbërritur për ratifikim në parlament. Sipas këtij dokumenti, palët do të zbatojnë projekte me interes të përbashkët dhe për financimin e tyre i është akorduar qeverisë shqiptare për vitin fiskal 2013 një grant që nuk e tejkalon vlerën e 9 milion e 906 mijë USD. Pjesa tjetër e kontributit total prej 28 milion e 544 mijë USD-sh do të jepet me shtesa dhe në bazë të disponueshmërisë së fondeve nga USAID-i. Fondet që i vihen në dispozicion qeverisë shqiptare do të alokohen në fusha si shteti ligjor dhe të drejtat e njeriut, qeverisja e mirë, shoqëria civile, tregtia dhe investimet, sektori financiar, konkurrueshmëria, etj.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency