Reforma për drejtësi/ Komisioni i Venecias: Të zbutet konfliktualiteti, të ketë gjithëpërfshirje

0
153

Alma Çuka

 tryeza e drejtesise naco nasipMbahet konferenca me temë “Komisioni i Venecias dhe Shqipëria, dinamizimi i legjislacionit shqiptar drejt standardeve evropiane”. Palët në tryezë mbajtën qëndrime të ndryshme

Domosdoshmëria e reformës në sistemin më të përfolur, atë të drejtësisë, ishte në thelb të diskutimit të organizuar mes aktorëve të politikës dhe jashtë saj, nën drejtimin e Komisionit të Venecias. Për herë të parë reforma në sistemin e drejtësisë, e cila për 24 vite me radhë nga çdo qeveri e ardhur në pushtet është kryer në mënyrë të copëzuar, duket se ka marrë vëmendjen e posaçme edhe të ndërkombëtarëve. Aktorët kryesorë të tryezës së djeshme mbajtën qëndrime të ndryshme për reformën. Nga njëra anë qeveria e përfaqësuar nga ministri i Drejtësisë Nasip Naço, mbrojti idenë e ndërhyrjes së thellë në të gjithë sistemin e drejtësisë dhe nga ana tjetër Presidenti i Republikës dhe përfaqësuesit e opozitës të përfaqësuar nga ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi kërkuan gjithëpërfshirje dhe jo politizim të kësaj çështjeje. Në fjalën e tij, Presidenti i Komisionit të Venecias, Giani Buquicchio, ftoi palët të jenë më bashkëpunues në këtë proces, i cili shihet si një nga rrugët që do të ndajë njëherë e mirë të korruptuarit nga ata të pakorruptuarit.

 

Presidenti i Komisionit të Venecias

Presidenti i Komisionit të Venecias, i ftuar në vendin tonë nga palët për të dhënë pëlqimin e tij lidhur me asistencën e këtij institucioni ndërkombëtar në reformën për drejtësi, gjatë fjalës së mbajtur deklaroi: “Miratimi i legjislacionit që nuk është diskutuar në mënyrë të mjaftueshme dhe që nuk ka marrë mbështetje të mjaftueshme jo partizane nuk është garanci për një reformë të qëndrueshme. Më lejoni të theksoj se Komisioni i Venecias mund të luajë një rol të rëndësishme këtu. Ai sjellë ndihmë jo vetëm substanciale në përmbajtje, por ai mund të ndihmojë edhe në uljen e tensioneve, për të ndihmuar që të përqendrohet debati në çështjet ligjore”. Presidenti i Komisionit të Venecias nuk mohoi domosdoshmërinë e reformave ligjore dhe kushtetuese. Sipas tij që të ndërhyhet në të gjithë sistemin e drejtësisë duhet patjetër të kryhen ndryshime kushtetuese. Më tej ai shtoi se një gjë e tillë mund të arrihet vetëm me pëlqimin e pakëve dhe fokusimin e diskutimeve tek ana ligjore dhe kushtetuese, duke lënë mënjanë përfshirjen politike. Giani Buquicchio deklaroi gjatë takimit të djeshëm se vendi ynë ka shumë nevojë për një kulturë politikë demokratike të tolerancës dhe besimit, e sipas tij për të mbërritur në këtë pikë, duhet të shmanget dyshimi. Më këtë të fundit presidenti i Komisionit të Venecias iu referua dekriminalizimit.

 

Presidenti

Ashtu si në të gjitha tryezat e mëparshme, mbajtur pikërisht për reformimin e sistemit të drejtësisë, Presidenti i Republikës ripërsëriti faktin se synimi i reformës nuk duhet të jetë përqendrimi në një dorë i të gjitha pushteteve, duke quajtur thelbësore largimin e të korruptuarve nga gjyqësori. Nuk është deklarata e tij e parë ajo e thënë në tryezën e djeshme nga Presidenti i Republikës se ndryshimet ligjore që në tërësi prekin ngrehinën e sistemit të drejtësisë duhet të jenë larg militantizmit politik. “Ne kemi qenë dhe vazhdojmë të mbetemi të bindur se sistemi i drejtësisë duhet të pastrohet nga të korruptuarit. Me cilësinë e kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, dua të apeloj për një reformë që të garantoj demokracinë dhe pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, dhe jo varësinë e tyre nga një pushtet tjetër. Reforma në sistemin e drejtësisë nuk mund të bëhet në funksion të militantizmit partiak. Përkundrazi, reforma në sistemin e drejtësisë do të bëhet për ta shkëputur militantizmin partiak nga drejtësia. Reforma në sistemin e drejtësisë nuk mund të bëhet për të marrë në mbrojtje sipas çasteve dhe momenteve të caktuara individë të korruptuar, përkundrazi brenda sistemit të drejtësisë. Reforma në sistemin e drejtësisë duhet bërë për të ndarë njëherë e përgjithmonë individët e korruptuar nga sistemi i drejtësisë”. Sipas kreut të shtetit, reforma nuk duhet të kufizohet vetëm te gjyqësori, por edhe tek Prokuroria dhe i aktorëve të tjerë, noteria avokatia dhe sistemi i burgjeve. Konferenca u organizua, ndërkohë që në Kuvend është ngritur komisioni i posaçëm parlamentar për reformën në sistemin e drejtësisë. Në tryezë, deputetët e PD e PS, nuk lëvizën nga qëndrimet e tyre. Mazhoranca tha se mirëpret opozitën në Komisionin e Posaçëm për reformën në drejtësi, ndërsa opozita tha se shumica po tenton të kapë sistemin e drejtësisë, duke këmbëngulur se reforma nuk mund të bëhet vetëm nga njëra palë.

 

Qeveria: Gjykata e Lartë nën kontrollin e KLD-së

 Për herë të parë që nga publikimi i deklaratës për të reformuar në tërësi sistemin e drejtësisë e në veçanti atë gjyqësor, ministri i Drejtësisë Nasip Naço ka lëshuar një nismë të re. Teksa kërkon ndryshimet ligjore, ministri i është drejtuar Komisionit të Venecias me kërkesën për të dhënë asistencën e tij lidhur me ndryshimet kushtetuese. E këto ndryshime përveç të tjerave, do të përmbysin faqen e Gjykatës së Lartë, anëtarët e së cilës deri në këto momente nuk kanë qenë të kontrolluar nga KLD, por ata mund të shkarkohen në bazë të kushtetutës nëse konstatohen me shkelje. Ministri Naço kërkon që kjo gjë të marrë fund dhe anëtarët e Gjykatës së lartë të bëhen pjesë e vlerësimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Përfaqësuesi i mazhorancës në tryezë, ministri i Drejtësisë Nasip Naço, e quajti të vetmen shpresë Komisionin e Venecias për ta orientuar drejt këtë proces kaq sfidues, përmes konsulencës ligjore, në drejtim të ndryshimeve kushtetuese, që janë përcaktuese, për sa i takon perspektivës së proceseve reformuese në sistemin e drejtësisë. Pritet që Komisioni i Venecias të mbështes reformën me ekspertizë ligjore, e cila do të bëj të mundur edhe ndryshimet Kushtetuese dhe ligjore. Nga ana tjetër ministri Naço deklaroi se mazhoranca që ai përfaqëson është e gatshme për bashkëpunim me opozitën me qëllim përfundimin e reformës. Që në muajt e parë të ardhjes në krye të detyrës, ministri Nasip Naço, deklaroi se i ka kërkuar zyrtarisht Komisionit të Venecias dhënien e asistencës dhe ekspertizës më të mirë mbi reformat në sistemin e drejtësisë. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme ai deklaroi se i qëndron besnik mendimit të tij se, suksesi i reformave do të ndërvaret nga bashkëpunimi dhe kontributi i Komisionit të Venecias dhe faktorëve dhe aktorëve vendas dhe ndërkombëtar, ku padyshim dhe roli i opozitës, do të jetë një garanci më shumë për gjithëpërfshirjen dhe qëndrueshmërinë e këtyre reformave. Për kryerjen e reformave u përmendën edhe zhvillimi i disa tryezave të organizuara më herët. Gjithsesi këto tryeza nuk kanë qenë të suksesshme. Nga ana tjetër komisioni parlamentar për reformën në drejtësi pritet të bashkëpunojë ngushtësisht me Ministrinë e Drejtësisë, Komisionin e Venecias, misionin Euralius, OPDAT, OSBE dhe partnerë të tjerë për realizimin e një reforme të gjithanshme e të matshme.

 

Institucionet që reformohen

Në listën e institucioneve të drejtësisë që do t’i nënshtrohen reformës së thellë ligjore dhe kushtetuese janë Gjykata e lartë dhe Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë i Drejtësiaë, Prokuroria e Përgjithshëm, kryesisht Këshilli i Prokurorisë, Shkolla e Magjistraturës dhe Edukimi Juridik Universitar, reformimi i organizimit gjyqësor, Konferenca Gjyqësore Kombëtare. Sistemi gjyqësor në tërësi ka nevojë urgjente për ndërhyrje. Janë identifikuar dhe fushat kryesore që kërkojnë asistencë. Ato janë, ekuilibri ndërmjet pushtetit ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor dhe brenda pushtetit gjyqësor, ripërcaktimin e pozitës kushtetuese të Gjykatës së Lartë, reforma për funksionimin dhe organizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, rritja e profesionalizmit në administratën gjyqësore, përcaktimi i qartë i pozicionit kushtetues të institucioneve të tjera gjyqësore, ndryshimet në fushën Kushtetuese dhe Ligjore, përfshirja e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë ndaj procedurave të vlerësimit dhe masave disiplinore, për shkak të perceptimit të korrupsionit të përhapur në të gjitha nivelet e gjyqësorit, duke përfshirë edhe Gjykatën e Lartë. Kjo pasi, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, nuk i nënshtrohen procedurave të vlerësimit ose procedimeve disiplinore, si gjyqtarët e rretheve apo të apelit. Ata mund të shkarkohen nga Parlamenti, por kjo nuk mund të zëvendësojë një procedurë disiplinore. Në propozimet tona kemi parashtruar mundësinë që Gjykata e Lartë të jetë nën kontrollin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

 

Venecia: Dekriminalizimi i Parlamentit, i domosdoshëm

 Në konferencën me temë “Komisioni i Venecias dhe Shqipëria, dinamizmi i legjislacionit shqiptar, drejt standardeve evropiane”, presidenti i Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio, vuri theksin tek respektimi i të drejtave të opozitës dhe masat për dekriminalizimin e Parlamentit. “Demokracia nuk lejon sundimin e shumicës. Shumica nuk duhet të shfrytëzojë pozitat e saj. Duhet të ketë ekuilibrim të të drejtave mes shumicës dhe pakicës. Ndërkohë që opozita duhet të ushtrojë detyrat e saj në mënyrë konstruktive, pasi bllokimi i Parlamentit, do të thotë mosfunksionim të opozitës. Partitë të zgjedhin kandidatët pa problem dhe për pasojë dekriminalizimi do të ketë efekt nëse kjo gjë do të funksionojë. Nëse të gjitha partitë bashkohen mbi parimet e ndershmërisë, efektet e dekriminalizimit do të ndihen menjëherë”, – tha ai. “Opozita dhe shumica nën patronazhin e PE-së ka arritur një marrëveshje. Kjo synon bashkëpunimin për gjetjen e një zgjidhjeje për problemin e individëve me precedentë kriminale që janë zgjedhur ose synojnë të marrin poste publike. Bëhet fjalë për një situatë komplekse ligjore. Sigurisht një reformë legjislative mbi shkaqet e pazgjidhshmërisë do të zbatohet vetëm për organet e ardhshme të zgjedhura. Megjithatë nëse të gjitha partitë politike angazhohen për parimin e ndershmërisë së deputetëve siç e parashikon neni 71 dhe 72 efektet e dekriminalizimit do të ndihen menjëherë”, – tha Buquicchio.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency