Reforma në drejtësi/ Zbardhen piketat e draftit të opozitës, propozimet për KLD-në dhe Gjykatën e Lartë

0
96

Gëzim Saliu

 Grupi i PD, BashaPD do të prezantojë dokumentin strategjik për reformën, ku do të synohet mbajtja larg të qeverisë dhe politikës nga sistemi i drejtësisë

Partia Demokratike ka hartuar një dokument strategjik si përgjigje ndaj reformës në drejtësi të iniciuar nga qeveria “Rama”, ku vihet theksi tek lufta kundër korrupsionit si edhe mbajtja larg e politikës nga ky sistem. Propozimi i opozitës, që do të bëhet së shpejti publik, është bazuar në Raportet e Progresit të Komisionit Evropian, si dhe në Raportin më të fundit të GRECO-s duke vendosur si qëndrim parimor pavarësinë e gjyqësorit, eficencën dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë. Kryetari i demokratëve, Lulzim Basha, i cili bëri të ditur dje disa detaje nga dokumenti i demokratëve për reformën, tha se ai do të bazohet në dy shtylla kryesore. “1-Reformimi i sistemit për të luftuar korrupsionin, i cili duhet të bëhet përmes një procesi gjithëpërfshirës, në dialog transparent dhe me konsultim të të gjitha palëve dhe me asistencën e institucioneve të specializuara evropiane dhe euroatlantike. 2-Konsolidimi i pavarësisë së gjyqësorit nga politika dhe pushteti ekzekutiv, nëpërmjet forcimit të organeve vetëqeverisëse të gjyqësorit, si dhe rritjes së rolit të tyre në përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien e gjyqësorit”.

 

Dokumenti

Në hartimin e dokumentit strategjik për reformën në drejtësi, Partia Demokratike ka mbajtur në konsideratë konstatimet e ndërkombëtarëve si edhe modelet e vendeve të Bashkimit Evropian, ku synimi kryesor sipas opozitës mbetet mbajtja larg e pushtetit ekzekutiv dhe politikës nga sistemi i drejtësisë. Përkatësisht për reformën në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, PD propozon katër pi8keta kryesore, duke vënë theksin tek heqja e monopolit të Ministrit të Drejtësisë për procedimin disiplinorë ndaj gjyqtarëve. “1- Bashkimi i inspektorateve në një të vetme. Duke shkrirë inspektoratin pranë Ministrisë së Drejtësisë, sipas përvojës në BE që kanë një inspektorat pranë KLD. Dy apo trefishim të burimeve njerëzorëve, numrit të inspektorëve përmirësim të trajtimit financiar. Pas dixhitalizimit të sistemit monitorimi është bërë shumë më lehtësisht i realizueshëm identifikimi i shpeshtë i rasteve të korrupsionit dhe procedimi me shpejtësi do të sillte një besim. 2-Heqja e monopolit e ministrit të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve. Kjo e drejtë ti njihet edhe vetë inspektoratit, prokurorit”, – theksoi kreu i demokratëve, Basha, në mbledhjen e djeshme të grupit kuvendor. Më tej ai bëri të ditur se një tjetër pikë e dokumentit është që parashikon pamundësinë e kuvendit për të refuzuar pa shkak dhe pa gjetur vese te kandidatët i cili do të mundësonte vlerësimin objektiv dhe punën e papenguar të këtij organi suprem. “Parashikimin e rregullave shtesë që garantojnë pavarësinë dhe llogaridhënies e saj. Këto çështje janë themel i alternativës sonë, me të cilat do diskutohen me institucionin e KLD-së, Presidenti, Gjykata e Lartë, Gjykata kushtetuese, Konferenca e Gjyqësorit. shoqëria civile etj.”, – nënvizohej në pikën e katërt të dokumentit strategjik për reformën në drejtësi. Ndërkaq, opozita ka parashikuar edhe ndërhyrje dhe reformim për procesin e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, ku në draft do të sanksionohet që parlamenti të mos ketë mundësi te rrëzojë kandidaturat pa fakte dhe argumente të bazuara. “1-Garantimi i pavarësisë së Gjykatës së Lartë, duke e shndërruar atë në gjykatë karriere 100%. Kjo do të linte jashtë ndikimin e politikës dhe presionin e pushtetit ekzekutiv ndaj Gjykatës së Lartë. 2-Parashikimin e pamundësisë së Kuvendit për të refuzuar pa shkak dhe pa gjetur vese tek kandidatët, i cili do të mundësonte vlerësimin objektiv dhe punën e papenguar të këtij organi suprem të drejtësisë në Shqipëri. 3-Parashikimi i rregullave të tjera shtesë që garantojnë pavarësinë dhe llogaridhënien e saj”.

 

BE, qeverisë: Lejojeni Komisionin e Venecias të udhëheqë reformën tuaj në drejtësi

Bashkimi Evropian i ka propozuar qeverisë shqiptare që reformën në sistemin e drejtësisë ta udhëheqë Komisioni i Venecias, mbështetur në ekspertizën e misionit “Euralius”, që do të nisë më 1 shtator. Nëpërmjet një letre me sugjerime të matura, kreu i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Clive Rumbold, i ka kthyer përgjigje kështu, më 15 korrik, kërkesës që i ka drejtuar kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj. Në këtë letër, Rumbold thekson: “Bashkimi Evropian i kushton një rëndësi të veçantë, çështjes së shtetit ligjor. Reforma në sistemin e drejtësisë është një prioritet kyç për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, Bashkimi Evropian mirëpret angazhimin e Shqipërisë me Komisionin e Venecias. Ne mendojmë se këto drafte duhet të trajtohen në strukturën e një reforme gjithëpërfshirëse të sistemit të drejtësisë, të planifikuar nga qeveria, të cilën ne mendojmë se do të bazohet në udhëheqjen e Komisionit të Venecias, në ekspertizën e misionit të asistencës EURALIUS, i cili do të nisë në 1 shtator. Ekspertiza e tij do të jetë gjithashtu e vlefshme për Komisionin Parlamentar të Ligjeve dhe përmes tij edhe për reformën e planifikuar në sistemin gjyqësor”, – theksohet në letrën e kreut të Delegacionit të BE-së.

 

 Territorialja miratohet sot në Komision/ Deputetët e PS-së, Cara: S’votoj dhurata për partitë e tjera. Ndreu: Qokë e dëmshme

Variantit të hartës së re të ndarjes së territorit të miratuar tashmë nga qeveria e që pritet të miratohet sot në Komisionin e Posaçëm parlamentar, krahas opozitës, i dalin kundër edhe disa deputetë të mazhorancës. Ligjvënësi socialist Parid Cara deklaroi dje se nëse Kryevidhi nuk do të jetë nën varësi të Kavajës, atëherë ai do të votojë kundër ndarjes së re. Deputeti i Kavajës theksoi në reagimin e tij në rrjetin social “Facebook” se gjatë 24 viteve të fundit këtë qytet e kanë copëtuar. “Miq, harta e re e propozuar për ndarjen e territorit të Kavajës nuk ka marrë formë përfundimtare. Po nëse vendoset për versionin ku zona e Kryevidhit nuk do të jetë në administrimin e Kavajës siç ka qenë dekada me radhë, atëherë në cilësinë e deputetit të zonës do të ndërmarr hapa konkrete për ndryshimin e kësaj situate”, – theksoi ai. Ndërkohë, në një prononcim televiziv, Cara pohoi se nuk ka ndërmend ta votojë dhuratën që u bëhet partive politike. “Tani mund të them vetëm diçka: Nuk kam ndërmend të votoj dhuratat që u behën partive duke shkelur mbi interesat e popullsisë kavajase. Kryevidhi është i lidhur me historinë e Kavajës. Kjo zonë është e lidhur me Kavajën si nga pikëpamja historike ashtu edhe nga traditat dhe kultura ndaj do përpiqem me gjithë forcën që me jep ligji që të vë në vend këtë padrejtësi që po i bëhet qytetit tonë. Nëse do propozohet ky variant final, vota ime do të jetë kundër reformës territoriale”. Po ashtu edhe deputeti Pjerin Ndreu mbështeti kolegun e tij Cara sa i takon pretendimit për ndarjen e re administrative-territoriale. Në një prononcim për “News 24”, Ndreu theksoi se ndarja e re është dhuratë e dëmshme për interesat e komunitetit. “Mbështes deputetin e Kavajës, Parid Cara, në të drejtën e tij për të ndalur ndarjen territoriale në dhurata e qoka të dëmshme për interesat e komunitetit. Asnjë nuk ka marrë mendim as për zonën time elektorale deri tani meqë ra fjala…!”

 

Gazeta greke/ “To Vima”: Reforma kërcënon demografinë e minoriteteve greke

Gazeta greke “To Vima” shprehu dje shqetësimin për ndarjen e re territoriale që miratoi qeveria shqiptare. Në artikullin e saj, gazeta shkruan: “Marrëdhëniet afatgjata mes Greqisë dhe Shqipërisë ndodhen në vështirësi për shkak të planeve të qeverisë mbi reformën e ardhshme administrative, e cila kërcënon demografinë e minoriteteve greke në Shqipëri”. Më tej, gazeta e njohur greke, thekson se problemi kryesor duket se rrjedh nga ndryshimet e planifikuara në Himarë, ku sipas saj, ndodhet një minoritet i rëndësishëm grek. “Me planet e qeverisë shqiptare, bashkimi i zonave minoritare me zona të tjera do të ndryshojë ekuilibrat fetare dhe kombëtare”. Nga ana tjetër, “To Vima” shton se kohët e fundit në mediat shqiptare vihet re një rishfaqje e nacionalizmit, që i komplikon bisedimet. “Qeveria greke argumenton se ky lloj bashkimi apo shkrirje komunash në Shqipëri, nuk ka asnjë qëllim praktik dhe kërkon një zgjidhje miqësore”, – përfundon shkrimi i gazetës greke.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency