Reforma në drejtësi/ Me ndryshime kushtetuese. Xhafaj: S’është kusht konsensusi. Shehi: Prokurorë e gjyqtarë të huaj

0
118

Erneta Shevroja

 Isaraj: KLD duhet të përfshijë drejtësinë, Prokurorinë brenda, të jetë e përbërë nga shumë aktorë dhe faktorë, Dhoma e Avokatisë, Fakultetin e Drejtësisë

fatmir xhafaTashmë është një fakt i pakundërshtueshëm që reforma në drejtësi duhet të shoqërohet me ndryshime kushtetuese. Kjo është deklaruar edhe më parë nga deputetët e mazhorancës, gjë që përkrahet pikë për pikë edhe nga opozitari Dashamir Shehi. Kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, nga ana tjetër ka deklaruar se gjatë javës së dytë të muajit nëntor, me ose pa praninë e opozitës, do të nis projekti për reformën në drejtësi. E rëndësishme sipas tij është prania e ekspertëve të fushës.

 

Diskutimet

Në muajin nëntor qeveria e ka të vendosur se do të nisë projektin e ndryshimeve kushtetuese në funksion të reformës në drejtësi. Në tryezën e forumit të ish-presidentëve deputeti socialist, Fatmir Xhafaj, ka deklaruar se kjo reformë do të jetë e thellë dhe do të shoqërohet me ndryshime kushtetuese, qëndrim që deputetët e mazhorancës e kanë deklaruar me kohë. “Do të jetë një reformë me ndryshime kushtetuese, për këtë jemi të bindur ne, janë të bindur aktorët e vetë sistemit. Do të jetë një reformë e shtrirë në kohë, sepse eksperienca na ka mësuar që çdo nxitim në këtë proces mund të jetë i pakorrigjueshëm dh e me pasoja”, – u shpreh Fatmir Xhafaj.

Deklarata e kreut të Komisionit të Ligjeve ka marrë miratim të plotë edhe nga deputeti i opozitës, Dashamir Shehi. “Reforma kushtetuese të paraprijë, të jetë kolona, shtrati bazë. Ky është lumi kryesor ku do të derdhen gjithë këta përrenjtë pastaj. Ne kemi bërë një Kushtetutë me vitin `98, me ndryshimet ku Presidenti bëhet me 71 vota, mbaroi që këtu, ka rënë e gjithë struktura”, – tha Shehi.

Po ashtu, Shehi hodhi idenë se në kuadër të kësaj reforme duhet të vijnë gjyqtarë dhe prokurorë të huaj. Kjo, tha Shehi, është aplikuar edhe në të shkuarën në Shqipëri.

“Ka ardhur dita që ca prokurorë apo gjykatës të huaj ta veshin këtë togën e Shqipërisë tonë. E them këtë sepse sa herë shteti shqiptar ka pas nevojë, që në kohën e Zogut… kolonel që ai holandez që bëri policinë shqiptare dhe se gjeti gjë. Përderisa nuk jemi të zot të krijojmë një model moral të nëpunësi, e mir është ti marrim ca nga jashtë”, – tha Dashamir Shehi.

 

Konsensusi, jo i domosdoshëm

Deputeti socialist në fjalën e tij në forumin e ish-presidentëve la të kuptohej se mazhoranca nuk do të presë opozitën për të nisur puna për reformën. Ai tha se jo domosdoshmërisht reformat që japin rezultate pozitive duhet të kryhen nga të gjitha palët. Ai mori shembullin e miratimit të Kushtetutës në 1998-ën dhe ndryshimet në 2008-ën, ku tha se nuk është kusht konsensusi politik për të pasur një reformë që t’i qëndrojë kohës.

“Për hir të së vërtetës, në 1998-ën u bojkotua nga një pjesë e opozitës së asaj kohe, e cila sot përbetohet për të njëjtat parime kushtetuese. Koha tregoi se një dokument solid mund t’i qëndrojë kohës dhe kur një pjesë e caktuar e politikës mund të mos e pranojnë apo ta bojkotojnë atë. Por kemi dhe eksperiencën e vitit 2008 ku u bashkuan jo pak, por dy forcat kryesore politike në vend që prodhuan pa dyshim deformimin më të madh që i është bërë Kushtetutës sot”, – tha Xhafaj.

“Duhet një reformë që e udhëheq dhe e mbështet politika duam apo nuk duam, sepse në fund të fundit çfarë është Kuvendi? Përfaqësuesi i vullneteve politike dhe nuk mundet ta përjashtojmë rolin e politikës në këtë proces. Por ne duam të ndërtojmë një proces reforme që e realizon ekspertiza”, – deklaroi Xhafaj.

Reforma në drejtësi duket se do të ndryshojë edhe strukturën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë i cili për zv.ministrin Arben Isaraj sot mund të konsiderohet vetëm si këshill i lartë gjyqësor.

“Pse është KLD dhe nuk është këshill gjyqësor. Drejtësia është një koncept shumë më i gjerë se sa vetë gjykata. Atëherë kjo KLD duhet të jetë një KLD që të përfshijë drejtësinë, prokurorinë brenda, të jetë e përbërë nga shumë aktorë dhe faktorë, dhoma e avokatisë, fakultetin e drejtësisë”, – tha zv.ministri i Drejtësisë, Arben Isaraj.

Ndërkohë, sot do të zhvillohet tryeza e thirrur nga ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, për reformën në drejtësi, tryezë e dytë pas asaj që u zhvillua nga Presidenti Bujar Nishani. Në këtë takim ministri Naço ka ftuar edhe opozitën, e cila nuk ka dhënë një përgjigje, do të jetë apo jo e pranishme në tryezë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency