Reagon Presidenti i Republikës/ Kthimi i ligjeve, Nishani-Ramës: Nuk janë  sulme politike, cenonin Kushtetutën e vendit

0
113

Florenc Drizari

Bujar Nishani“Çfarë kërkohet? Kërkohet që Presidenti të mos flasë, që zyra e tij të bëhet e paqenë”

Pak ditë pas qendrimit publik që mbajti Kryeministri Edi Rama për kthimin e disa ligjeve nga kreu i shtetit, ka ardhur edhe reagimi i Presidentit të Republië, Bujar Nishani, i cili thekson se vendimet nuk janë sulme politike mes institucionit që ai përfaqëson dhe ekzekutivit. Nishani deklaron se ligjet e kthyera ishin në cenim të Kushtetutës dhe për këtë dekretoi rishikimin e tyre edhe njëherë në Kuvend. Ndërkohë, pak ditë më parë Kryeministri Edi Rama shprehu hapur “keqardhjen” e tij për kthimin e ligjeve, duke thënë se ato do të miratohen në sesionin e ardhshëm parlamentar të shtatorit pa u ndryshuar.

“Çfarë kërkohet? Kërkohet që Presidenti të mos flasë. Kërkohet që zyra e Presidentit të Republikës të bëhet e paqenë. Kompetencat po hiqen nga dita në ditë. Kompetenca të tjera po ngrihen dhe nuk po lenë vend të zbatohen. Atëherë, ta ndalojmë Presidentin të flasë përmes dekretit dhe ta ç’bëjmë fare Zyrën e Institucionit të Presidentit të Republikës”,.-deklaron Presidenti Nishani në një intervistë për Tv AbcNews. Kreu i shtetit shprehet i vendosur pëer të qendruar në korrektesë të plotë të hapësirës që i takon Presidentit të Republikës, pavarësisht nga pëlqyeshmëria apo papëlqyeshmëria politike e institucioneve apo e aktorëve të tjerë e akteve të Presidentit të Republikës. “Pra, nuk ka asgjë politike, nuk ka asnjë lloj sulmi. As ka pasur dhe as nuk do të ketë ndonjë inicim të ndonjë sulmi politik, sepse nuk ka arsye, nuk ka objektiva të tillë Presidenti i Republikës, por do të ketë në vijimësi qëndrim të hapur, transparent, publik, të argumentuar, të logjikshëm dhe të mbështetur pikërisht në legjislacionin dhe Kushtetutën e vendit, përsa kohë Presidenti konstaton se, për shkak të detyrës së tij duhet të angazhohet në paralajmërimet dhe ndalimet, me aq sa është e mundur nga Presidenti i Republikës, të mosrespektimit të Kushtetutës së vendit”,-deklaroi Nishani.

 

Për KLD-në
Duke folur për ndryshimet në ligjin për KLD-në, Presidenti Nishani tha se u cenuan hapur kompetencat e kreut të shtetit. “Çfarë bëhet me rastin e ligjit të KLD-së? Presidentit të Republikës në Kushtetutë i njihet e drejta e emërimi të Nënkryetarit të KLD-së nga një prej anëtarëve të KLD-së. Jo, – thotë mazhoranca. – Ti duhet ta zgjedhësh tani vetën nga tre anëtarët e KLD-së që emërohen nga Parlamenti, pra nga mazhoranca. Faktikisht e ke përcaktuar ti si mazhorancë parlamentare se kë duhet të emërojë Presidenti i Republikës dhe i heq të drejtën Presidentit të Republikës, që ia ka dhënë Kushtetuta, të përzgjedhë si Nënkryetar të KLD-së një nga anëtarët e këtij këshilli që janë 15, përjashto Ministrin dhe Kryetarin e Gjykatës së Lartë, mbeten të tjerët”,-shprehet ai.

Duke folur për kthimin e ligjit për Policinë e Shtetit, Nishani tha se për këtë ligj janë shpenzuar disa qindra mijëra euro nga taksapaguesit evropianë dhe amerikanë përmes asistencës që dhanë specialistët e ardhur nga Bashkimi Evropian, ndërsa me ndryshimet e bëra tha ai, të gjitha këto kontribute janë shumëzuar me zero dhe këto mund të përbëjnë shqetësime. “Rikthimi i varësisë së Policisë së Shtetit tek Ministri i Brendshëm krijon shqetësime të mëdha. Krijon shqetësime të mëdha për riskun e politizimit të veprimtarisë së Policisë së Shtetit”,-tha ai. Një nga argumentet kryesore që ligji për Policinë e Shtetit është kthyer për rishqyrtim në Parlament sipas kreut të shtetit, është veprimi i paprecedent për të krijuar një strukturë paralele të Prokurorisë brenda Policisë së Shtetit. Ndërkohë që, Kushtetuta e përcakton qartë që tagrin e hetimit dhe të përfaqësimit të akuzës e ka tërësisht Prokuroria e Shtetit.

 

Vakanca tek Gjykata e Lartë, Presidenti dekreton Sokol Ngresin e Elona Stavrin

Presidenti i Republikës ka dekretuar dy emra për anëtarë të Gjykatës së Lartë, duke plotësuar kështu vakancat në këtë institucion. Ata janë Sokol Ngresi dhe Elona Stavri (Toro). Nishani ka arsyetuar vendimin e tij për të zgjedhur Sokol Ngresin në këtë post, duke u shprehur se ka vlerësuar eksperiencën dhe vjetërsinë e tij në punë. “Me dekretin nr. 8682, datë 18 gusht 2014, vendosa të dekretoj emërimin e zotit Sokol Ngresi, si anëtar të Gjykatës së Lartë, pas realizimit të një procesi të rregullt ligjor të përzgjedhjes së kandidaturave për anëtar. Ndërsa në lidhje me emrin tjetër që propozon si anëtare e Gjykatës së Lartë, Elona Stavri (Toro) Nishani shprehet se ka vlerësuar eksperiencën mbi 20 vjecare që ajo ka. “Me dekretin nr. 8683, datë 18 gusht 2014, vendosa të dekretoj emërimin e zonjës Elona Stavri (Toro), si anëtare të Gjykatës së Lartë, pas realizimit të një procesi të rregullt ligjor e të konsoliduar të përzgjedhjes së kandidaturave për anëtar”,-arsyeton Nishani.

 

Kthimi i 3 ligjeve në Kuvend, Rama: Keqardhje për pseudoargumentet

Pak ditë më parë Kryeministri Edi Rama i quajti pseudoargumente qëndrimet e kreut të shtetit për kthimin e tri ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë. Presidenti Bujar Nishani ktheu për rishqyrtim 3 ligje, atë për organizimin e Gjykatave Administrative, për Policinë e Shtetit dhe KLD-së. Ndërsa Kryeministri Rama u shpreh se: “Presidenti kthen mbrapsht Ligjin për Policinë dhe rreshton pseudoargumentat e PD për një ligj të punuar me partnerët ndërkombëtarë. Keqardhje”,- ka shkruar Rama në një status të shpërndarë në rrjetin social “Facebook”. Në një tjetër koment Kryeministri ka thënë se: “Por është e kotë #Refoma s’ndalet. Kuvendi do ta kalojë përsëri Ligjin e Policisë pa asnjë ndryshim, pseudoargumentat e PD s’vlejn. Vaj medet PD”, ka shkruar Rama.

 

 Reforma territoriale, takimet me përfaqësuesit vendor para dekretit

Në limitet e kohës për dekretimin apo jo të ligjit të miratuar në seancën e fundit plenare të 31 korrikut 2014-ës, ligjin për reformën administrativo-territoriale, kreu i shtetit ka vendosur të zhvillojë takime me përfaqësues të të zgjedhurve vendor. Sipas tij, për këtë çështje ka marrë shqetësimet nga të zgjedhur vendor të cilët janë prekur nga reforma e qeverisë dhe për këtë, ai pritet të zhvillojë konsulta me ta. “Jam duke i shikuar me shumë përgjegjësi. Kam ftuar të kem një diskutim, për rastin e ligjit që ka të bëjë me reformën territoriale, përfaqësues të pushtetit lokal. Gjatë gjithë këtyre javëve kam marrë peticione të shumta nga strukturat e zgjedhura të pushtetit lokal, komuna, këshilla komunash, nga komunitete qytetarësh të cilët më kërkojnë të qëndroj me kujdes. Vënë në dijeni Presidentin e Republikës për shqetësimet që ata kanë në lidhje me këtë reformë pikërisht nisur edhe nga këto letra të shumta, ankesa të shumta që i janë drejtuar Presidentit të Republikës nga qytetarët dhe komunitet lokale. Jam duke përgatitur një takim të shpejtë me përfaqësues të zgjedhur të pushtetit lokal dhe natyrisht që do të kem dhe qëndrimin tim institucional edhe mbi këtë çështje, por dhe mbi strategjinë e Sigurisë Kombëtare”,-deklaroi dje Presidenti Bujar Nishani.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency