Raporti me 45 faqe në Kuvend/ Komisioni hetimor: 10 shkeljet e Çefës dhe Lelçajt në KLD. Grupi i PS-së: Shkarkim të enjten

0
128

Gëzim Saliu

komisioni hetimor per KLDDiskutimet me dyer të mbyllura në grupin e PS-së: Shtyhet ligji për akcizat javën e ardhshme. Diskutohet miratimi i kandidaturës së Arjan Salatit si anëtar i Bordit Drejtues të AMF-së

 Komisioni hetimor për shkarkimin e dy anëtarëve të KLD-së Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj ka depozituar dje në Kuvend raportin përfundimtar. I përbërë prej 45 faqesh, në raport janë paraqitur gjetjet e konstatuara nga shqyrtimi i dokumentacionit të ardhur nga KLD, Ministria e Drejtësisë, Shkolla e Magjistraturës, ILDKPKI për veprimtarinë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe specifikisht dy anëtarëve të hetuar. Në raport janë listuar 10 shkelje të Çefës dhe Lelçaj, ku këta të dy të fundit në seancën dëgjimore të pak ditëve më parë i hodhën poshtë ato duke e cilësuar komisionin si antiligjor. Sipas raportit të komisionit hetimor, zgjedhja e drejtorit të Shkollës së Magjistraturës si edhe zgjedhja e anëtarit të KLD-së, z. Ilir Mustafaj, si gjyqtar i Gjykatës së Apelit Tiranë kanë qenë në shkelje të ligjit. Po ashtu raporti liston shkeljet si më poshtë: Nuk është bërë verifikimi i pajtueshmërisë së mandatit të anëtarit të KLD-së, në momentin e fillimit të ushtrimit të detyrës; Marrja nga KLD e kompetencave të Shkollës së Magjistraturës në testimin seleksionues të kandidatëve për gjyqtarë në gjykatat administrative; Marrja nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë e kompetencave të Ministrit të Drejtësisë për shpalljen e vendeve vakant në gjykata; Mosemërimi i kryetarëve të 28 gjykatave në kundërshtim të hapur me ligjin, duke lejuar për shumë vite drejtimin e tyre nga kryetarë me mandate të paligjshëm dhe emërimi i kryetarëve të Gjykatave të rretheve Gjyqësore dhe të Apelit në kundërshtim me ligjin; Promovimi i gjyqtarëve në kundërshtim me ligjin; Keqorganizimi i sistemit gjyqësor me pasojë cenimin e statusit të disa gjyqtarëve duke i privuar nga paga; Shkelje e ligjit për mosmarrjen në shqyrtim të kërkesave të ish-Kryetares së Gjykatës së Lartë dhe ish-Prokurores së Përgjithshme; Emërimi i inspektorit të Inspektoratit të KLD-së z. Arian Balliu si gjyqtar në Gjykatën e Apelit Durrës në kundërshtim të hapur me ligjin”. Ndërkaq çështja e shkarkimit të dy anëtarëve të KLD-ës është diskutuar edhe në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar socialist, të drejtuar nga kreu i tij Gramoz Ruçi. Në diskutimin me dyer të mbyllura, grupi socialist vendosi që në seancën e ardhshme të Kuvendit (23 tetor) të miratojë raportin e komisionit hetimor, që propozon shkarkimin e dy anëtarëve të KLD-së.

 

Grupi

Ndërkaq, në mbledhjen e grupit parlamentar temë e diskutimit ka qenë edhe ndryshimet në ligjin “Për akcizat”, të cilat u debatuan dje fort më parë edhe në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë. Pas diskutimeve në grup është vendosur që të shtyhet për javën e ardhshme miratimin e ndryshimeve në këtë ligj, duke marrë parasysh vërejtjet e deputetëve, kryesisht kreut të Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe. Po ashtu në mbledhjen e ligjvënësve socialistë mësohet nga burime pranë selisë së PS-së se është diskutuar edhe miratimi i kandidaturës së Arjan Salatit si anëtarë të Bordit Drejtues të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Votimi për Salatin pritej 2 javë më parë, por burime nga PS bën të ditur se mospërfshirja në rendin e ditës në atë seancë u bë nga vetë Kuvendi, me qëllim që ajo kandidaturë të miratohet së bashku me gjithë anëtarët e bordit dhe drejtuesit e rinj të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency