Qeveria jep hua nga buxheti për KESH-in

0
162

mbledhje-qeverie EDI RAMA SAKTEQeveria shqiptare ka miratuar garancinë qeveritare, të lëshuar në favor të bankës tregtare Raiffeisen Bank Albania, në kuadër të kushteve të kontratës të kredisë që do të nënshkruhet ndërmjet kësaj banke dhe KESH, sh.a.-së, për shumën ekuivalente në lekë të shumës 35 000 000 euro. Vendimi është publikuar në “Fletoren zyrtare”. Miratimi i kësaj garancie është bërë në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 57, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 3, të ligjit nr. 9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave. Sipas kushteve të garancisë: “Këshilli i Ministrave, merr përsipër në mënyrë të parevokueshme dhe të pakushtëzuar, të paguajë në favor të Kredidhënësit, Raiffeisen Bank sh.a., çdo shumë deri në 35.000.000 (tridhjetë e pesë milionë) euro, dhe të gjitha detyrimet e pashlyera të Huamarrësit, plus interesat e akumuluara, penalitetet dhe gjitha shpenzimet e tjera që rrjedhin nga kjo Kontratë.” Pak ditë më parë, ministri i energjisë Damian Gjiknuri deklaroi se gjatë muajve korrik dhe gusht, qeveria ka negociuar një paketë të rëndësishme mbështetjeje financiare nga Banka Botërore për rimëkëmbjen e sektorit energjetik. Pjesë përbërëse e kësaj pakete janë 150 milionë dollarë, të cilat do të pasohen edhe nga financime të tjera, nga institucione të tjera financiare ndërkombëtare, që kanë treguar gatishmëri për të kontribuar në rimëkëmbjen e sektorit energjetik. Gjiknuri ka pohuar se çmimi i energjisë po diskutohet të rritet, por në çdo rast do të mbrohen shtresat në nevojë. FMN është shprehur vazhdimisht kundër mbështetjes nga ana e Ekzekutivit financiarisht të sektorit energjetik, por kjo do të thotë automatikisht rritje e tarifave, në pamundësi që të vihen nën kontroll vjedhjet dhe pagesa e faturave të energjisë elektrike nga klientët e parregullt, që llogariten në qindra mijëra vetë… Në fakt, qeveria pretendon se treguesit e humbjeve në rrjet kanë rënë poshtë nivelit 40%, në 38.4%. Por kjo mbetet e pamjaftueshme për shëndoshjen financiare të ekonomisë së shpërndarjes dhe zgjidhjen e krizës financiare të të gjithë sistemit të zhytur keqas në borxhe. Ndaj duket se zgjodhi instrumentin më të lehtë, rritjen e çmimit, në vend të reformës që rrit të ardhurat dhe përmirëson në letër treguesit, por ruan status quo-në e krizës. Atë krizë që ndëshkon paguesit dhe vazhdon të “përkëdhelë” ata që nuk paguajnë. Ky është një mekanizëm i përdorur se herë qeveritë kanë dështuar në energji. Çmimi do të ishte gjëja e fundit, e ku më parë, ashtu siç kanë sugjeruar prej dekadash ekspertizat, sistemi ka nevojë të ulë humbjet, të rrisë eficiencën, menaxhimin, të rrisë investimet, të liberalizojë burimet, të krijojë burime të reja etj. Nga ana tjetër, rritja e çmimit ka efekt më të gjerë në ekonomi. Një rritje e çmimit të energjisë do të shtojë koston e prodhimit duke e bërë sipërmarrjen shqiptare më pak konkurruese, kur sot ajo renditej e fundit për këtë tregues të paktën në Ballkan. Rritja e kostove të prodhimit, pa dyshim transferohet në çmimet finale te konsumatori, që në këtë rast ose do të paguajë pa prekur konsumin ose do ta ulë atë. Rritja e çmimit të energjisë elektrike ka treguar se provokonte shtrenjtim të çmimit të lëndëve të tjera. Në total, kombinimi i këtyre pasojave do të sillte potencialisht rritje të çmimeve dhe rënie të konsumit. Shakaja e qeverisë thotë se shtresat në nevojë do të mbrohen. Por edhe ata konsumojnë të mira dhe shërbime dhe do të paguajnë energjinë më shtrenjtë, mbase jo drejtpërdrejt përmes faturës, por konsumit të të tjera të mirave dhe shërbimeve.

A ka një mënyrë që familjet të shpëtojnë? Jo, sepse qeveria, përmes rritjes së çmimit është fokusuar te shtresat në nevojë ndërkohë që duhet të shikonte se sa ky veprim ndikon ekonominë, e cila prodhon të ardhura dhe të tjera të mira për të gjithë. Por e hidhura e gjithë kësaj historie është se të gjithë argumentet e përmendura janë stërthënë dhe i dinë tani edhe një masë e gjerë e popullatës. Por fakti që ato përsëriten dëshmon se asgjë nuk po ndryshon, se edhe e ardhmja mbetet po e njëjtë. Një krizë që mbetet e pazgjidhur e që rrezikon që të varfrit t’i bëjë akoma më të varfër.

 

 Tregtia, sektori kryesor që merr kredi në Shqipëri

Janë dy sektorët që kanë marrë hua nga bankat gjatë muajit korrik, tregtia, e ndjekur nga industria nxjerrëse. Sipas statistikave të detajuara të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit korrik, stoku i huasë për sektorin e tregtisë arriti në 136.9 miliardë lekë, duke u rritur me 1.3% me bazë mujore. Tregtia rezulton sektori që ka udhëhequr rritjen e kreditimit përgjatë gjithë vitit 2014, teksa stoku i huasë për këtë sektor është zgjeruar me 2.4% në raport me dhjetorin 2013 (në vlerë absolute rritja është 3.2 miliardë lekë, nga 1 miliardë lekë që është shtuar huaja për të gjithë sektorët, për shkak se shumë segmente të tjera kanë parë një tkurrje të huadhënies). Tregtia zë peshën kryesore në stokun e huasë së bankave, me 35% të totalit në fund të korrikut 2014, e ndjekur nga industria përpunuese, me 14% të totalit; ndërtimi me 13%. Kredia për industrinë nxjerrëse u rrit sërish në korrik, me 21.6% me bazë mujore, pasi ishte tkurrur në muajt e mëparshëm. Ky sektor zë vetëm 1.8% të totalit të huasë së sektorit bankar. Sektorët e tjerë kanë parë një rënie, ose rritje të lehtë të huasë në pjesën e parë të këtij viti. Më e thellë ka qenë tkurrja e kredisë për shëndetin dhe veprimtaritë sociale.

 

 Bankers Petroleum gjobitet për dëmtim të tokës së fermerëve

Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes se Tokës në Qarkun e Fierit ndëshkon me gjobën 3.2 mln lekë të reja kompaninë e hidrokarbureve Bankers Petroleum për shitjen dhe dhënien me qira të tokës me disa fermerë të komunave Zharrëz dhe Kuman. Nga ana e Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokave ky veprim është konsideruar i jashtëligjshëm pasi fermerët nuk kanë vënë në dijeni institucionet vendore për lidhjen e këtyre marrëveshjeve. Për këto shkelje ligjore drejtorja Valentina Duka thotë se janë marrë masa nga INUK Fier për fermerët që kanë ndërtuar pa leje në këto sipërfaqe bujqësore. Drejtoria e Mbrojtjes së Tokave ka konstatuar 16 raste ku për 14 prej tyre janë vendosur gjoba.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency