Pse shkolla e mesme nxit debilizmin mendor?

0
149

Artan Fuga

Artan_FugaIku edhe këtë vit të dytë shkollor në gjimnaze shansi për ta rivendosur filozofinë si një lëndë nga më baziket.

Çfarë po i bëjnë rinisë shqiptare!

Po ia hanë mishin dhe kockat e shpirtit!

Filozofia që i ofron logjikën themeltare, e mëson si të arsyetojë, i jep trajtesën e duhur të problemeve metafizike për qenien, shpirtin, universin, instrument i interpretimit të shkencave, dija që vjen nga shekujt dhe na mëson thelbin, shpirtin e kulturave shekullore, burimi i moralit të arsyetuar si vlerë laike, mjeti që e vendos njeriun në gjendje të kuptojë veten dhe paradokset e veta, ura e lidhjes mes fesë dhe shkencave, është hedhur në plehra.

Kur shoh të rinjtë që vijnë në vit të parë universitet, të më falin se nuk është fare faji dhe përgjegjësia e tyre, ata janë viktima, që në vështrim, që në ecje, që në fjalinë e parë të shprehur, që sa hapin gojën, si vishen, kuptohet se i kanë privuar nga filozofia.

I kanë lënë me gjysmë mendjeje…

Të duash gjoja t’u mësosh të rinjve shkencat dhe teknologjinë pa u mësuar filozofinë jo vetëm është e dëmshme, por është edhe e rrezikshme, është njësoj si t’i mësosh dikujt të drejtojë veturën ose motoçikletën pa i mësuar rregullat e qarkullimit rrugor, dikujt t’i mësosh të gjuajë me shigjeta, pa i mësuar se njeriun mund ta vrasësh po t’i lëshosh shigjetën në kraharor…

E rrezikshme.

Dhe filozofinë që ua kemi privuar, të rinjtë e kërkojnë pa e ditur me sytë e tyre dhe pamjen e deprimuar.

Hajde se hajrin kemi për t’i parë…

Mos u mërzisni!

Pse kemi dëshirë të krijojmë një brez injorant dhe pa asnjë kulturë filozofike, pra, pa shpirt, pa mend, pa qetësi shpirtërore, pa kulturë, të çorientuar, pa qytetari, pa besim, pa ndrojtje përpara vlerave, me mendje të shpuar, relativistë, skeptikë, të pavendosur, të hutuar, pa bosht moral dhe mendor, të stresuar, pa bindje, pa aftësi vendimmarrëse, pa gjykim vetëm me paragjykime?

Kush nuk do të kuptojë se heqja e filozofisë si lëndë e detyrueshme nga kurrikula e shkollës së mesme është njësoj si shkollën ta trajtosh si një orë muri që pasi t’i heqësh zemberekun, t’i ruash vetëm drurin dhe xhamin apo llamarinën.

Të rinjtë nuk e dinë se pa filozofi ata kanë humbur forcën e shpirtit dhe të mendjes, i kanë lënë në gjendje handikapi mendor, sikurse thotë Niçja, i kanë lënë në gjendje psikopatologjike debilizmi të thellë mendor, i kanë shndërruar në robotë, në instrumente që i përdorin si të duan.

Pse na gënjejnë, na sorollatin, na bëjnë të jetojmë në një mjedis ku thelbi i qenies njerëzore, mendja dhe reflektimi, logjika është paralizuar? Pse hidhet në erë çdo formim universitar pa formimin humanist-filozofik në shkollë të mesme???

Pse heshtin mësuesit, dijetarët, filozofët në profesion, studentët, gjimnazistët, prindërit – kriminelë, autorët e librave dhe teksteve, shtëpitë botuese, pse heshtin reformatorët që reformojnë tregun e arsimit, por jo vetë arsimin, pse kemi dëshirë të shohim njeriun me modelin e qenies pa tru, pa shpirt, pa mend, pa autonomi logjike, pre e paragjykimeve popullore që i riprodhon nga injoranca në fakt klasa sunduese?

Si nuk flasin akademikët e heshtur, profesorët pa studentë, doktorët që nuk dinë të shërojnë, ndihmësmjekët, infermierët, sanitarët, varrmihësit e dijes?

Çfarë është kjo kolerë që na ka kapur dhe askush nuk e sheh? Çfarë është sida, murtaja, gripi i shpendëve, luftërat, gjenocidi para kësaj Mortje të krijimit të njeriut me diplomë, por pa mend, e kësaj rruge që nis qëkurse e privon të renë dhe të riun nga mësimi i filozofisë.

Cili injorant që nuk e do dijen?

Cili shpirt i keq që e do qytetarin rob të paragjykimeve?

Cila mendje e errët që e do të riun kallashnikov pa tru?

E ka bërë, e lejon dhe e vazhdon këtë krim dijeje?

Kush e ka bërë rininë shqiptare të mos lexojë dot një libër dijeje nga fillimi në fund, sepse e zë koka? Kush e ka privuar nga leximi i kulturës themelore që qarkullon sot në botën e përparuar? Kush po e ngop me ushqime skarco, me librushka iluzore, copa tekstesh pa lidhje, të vjedhura, kush po ia bllokon mendjen vetëm me telenovela, video dhjetësekondëshe, lojëra fati a virtuale me yje e yllësi? Çfarë është kjo gjendje debilizmi mendor gjithëpërfshirëse!!!

Dhe kemi surrat ne të festojmë 1 shtatorin, 7 marsin, të citojmë Naim Frashërin, të shohim filma me shkronja plumbi, të mbajmë tituj dhe grada, ne vrastarët e dijes?

Helm kafja e mëngjesit, helm takimet me gjimnazistë, helm konkurset, helm që gjuha shqipe derdhet sot më shumë në faqe gazetash ku rrëfehen vjedhje, vrasje, barbarizma, helm rroga, helm gjithçka…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency