Pse paguajmë kaq shtrenjtë naftën ne, shqiptarët?

0
152

Ervin Kaduku

Nëntoka është shumë e pasur, por politikat e ndjekura për trajtimin e sektorit të hidrokarbureve, plus korrupsionin zyrtar, kanë rezultuar në një barrë për bizneset dhe qytetarët

 

karburant Shumëkush duhet të ketë shtruar të paktën një herë pyetjen: Pse paguajmë kaq shtrenjtë karburantet, ndërkohë që jemi vend prodhues nafte e kemi kapacitete përpunimi të saj? Përgjigjja mund të jetë një: Kanë qenë përfaqësuesit e shtetit ata që e kanë keqmenaxhuar në vite sektorin, i cili ka rezultuar fitimprurës për ministra e drejtorë, si dhe për pronarët e kompanive të caktuara, por kurrsesi në favor të atyre që kanë më shumë nevojë për naftë.

Open Data Albania bazuar në të dhënat e Bankës Botërore ka kryer një hulumtim lidhur me trendin rritës që ka ndjekur çmimi i naftës në Republikën e Shqipërisë dhe në botë në vitet 1998-2012. Në gjithë rruzullin tokësor çmimi i naftës është rritur mesatarisht me 0.13 dollarë amerikan për litër çdo dy vjet. Në vendin tonë nafta vlerësohej me 0.43 dollarë amerikan për litër në vitin 1998, pra rreth katër herë më pak se në vitin 2012 ku çmimi i naftës shënon plot 1.79 dollarë amerikanë për litër.

Çmimi i naftës ka ndjekur një trend rritës thuajse përgjatë gjithë harkut kohor 1998-2012. Interesant paraqitet trendi rritës e zbritës i çmimit të naftës në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore. Në këtë kontinent çmimi i naftës është më i ulëti krahasuar me gjithë kontinentet e tjera.

Në vitin 2012 çmimi i naftës në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore shënon 0.43 dollar amerikan për litër, ndërkohë që kontinenti me vlerën më të lartë Evropa dhe Azia Qendrore e tregton naftën me 1.78 dollarë amerikan për litër. Kjo për faktin që të parët janë prodhues, ndërsa të dytët konsumatorë të këtij hidrokarburi.

 

Vlera në dollarë amerikanë/litër  
Shteti 2012
Shqipëria 1.79
Austria 1.81
Bjellorusia 0.9
Belgjika 1.98
Bosnja dhe Hercegovina 1.62
Bulgari 1.68
Kroacia 1.7
Qiproja 1.78
Republika Çeke 1.87
Danimarka 1.89
Estoni 1.76
Finlanda 1.95
Franca 1.78
Gjeorgjia 1.37
Gjermania 1.88
Greqia 2.08
Hungaria 1.91
Italia 2.18
Kosova 1.6
Maqedonia 1.55
Mali i Zi 1.75
Holanda 1.95
Norvegjia 2.35
Polonia 1.73
Rumania 1.73
Serbia 1.8
Republika Sllovake 1.85
Sllovenia 1.77
Spanja 1.75
Suedia 2.16
Zvicra 2.06
Turqia 2.33
Ukraina 1.25
Anglia 2.27
Burimi: Banka Botërore  

 

Skandale me taksat

Ja se si vepron shteti shqiptar me një nga kompanitë koncesionare, që shfrytëzon pasuritë e mëdha nëntokësore të hidrokarbureve shqiptare. Në media kanë dalë dokumente që konfirmojnë se Administrata Tatimore, pas kontrolleve që ka kryer tek Bankers Petroleum, p.sh., ka gjetur shumë shkelje dhe ka vendosur sanksione që arrijnë shifrën prej rreth 25 miliardë lekësh, lidhur me shfrytëzimin e naftës pa akcizë që kompania ka të drejtë të fusë në shqipëri. Kompania Bankers Petroleum, nuk e pagoi detyrimin, duke ngritur edhe një padi penale ndaj autoritetit tatimor, jo për të kundërshtuar rezultatet e kontrollit të kryer, por për të argumentuar se me një ligj që hynte në fuqi, 4 ditë pasi u vendos masa e gjobës, nuk i takon këtij institucioni të kryejë kontrolle, por kompetencat i merr autoriteti doganor. Gjykata e Tiranës i dha të drejtë kompanisë për faktin se i takon Drejtorisë së Doganave të ushtrojë kontrolle, kompetencë që më parë e kishte Drejtoria e Tatimeve. Ajo që vihet re është se askush nuk e kundërshton kontrollin dhe rezultatet e tij, pra shkakun e masës së gjobës prej rreth 20 milion eurosh. Në argumentimin e çështjes në gjykatë, Drejtoria e tatimeve përshkruan edhe masat ndëshkimore që i vendosi kompanisë, të ndara sipas zërave. Dokumenti i siguruar nga “Albanian Screen”, përshkruan se gjoba që Bankers duhej të paguante është përshkallëzuar në këtë mënyrë:

– Detyrim akcizë 798 milion lekë (798 003 272 lekë).
– Gjobë akcizë 1.5 miliard lekë (1 596 006 544lekë).
– Kamat vonesa detyrim akcize 12 milion lekë (12 550 197 lekë).
– Detyrim TVSH 160 mijë lekë (159 358 lekë).
– Gjobe TVSH 160 mijë lekë (159 358 lekë).
– Detyrim tatim fitimi 80 milion lekë (79 679 lekë).
– Gjobë tatim fitimi 80 milion lekë (79 679 lekë).

Kompania kishte fituar të drejtën për të futur naftë pa akcizë me përmbajtje të lartë squfuri, me pretendimin e përdorimit të saj për qëllime shpimi pusesh nafte. Por drejtoria rajonale e tatimeve, njësia e Tatimpaguesve të mëdhenj, pas kontrolleve që kreu, deklaroi se vetëm një sasi e vogël e kësaj nafte përdorej për qëllime shpimi, ndërsa për pjesën tjetër, nuk kishte deklarim destinacioni, çka ngrinte dyshime se nafta shpërndahej në tregun me pakicë.

Konkurrenca hap hetimin, dyshohet marrëveshje “e pisët”

Autoriteti i Konkurrencës njofton se ka hapur procedurën e hetimit paraprak në tregun e importit, prodhimit dhe shitjes me shumicë të karburanteve për kufizime të mundshme të konkurrencës.

Vendimi i mor pasi në mbledhjen e fundit Komisioni shqyrtoi kërkesën e Sekretariatit për hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e importit, prodhimit dhe shitjes me shumice te karburanteve për kufizime të mundshme të konkurrencës si pasojë e sjelljes së një/disa ndërmarrjeve”.

Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës, ka realizuar një monitorim në tregun e karburanteve.

Qëllimi i monitorimit në tregun e karburanteve ka qenë evidentimi i ndryshimeve në strukturën e tregut të karburanteve, diezel 10 ppm dhe benzinë, ecuria e çmimeve në treg për të parë nëse ka shenja të kufizimit të konkurrencës si pasojë e mundësisë së koordinimit të sjelljes në treg dhe/ose abuzimit me pozitën dominuese(në rast të ekzistencës) të një ose disa (dominancë kolektive) ndërmarrjeve aktive në tregun përkatës.

Nga të dhënat e administruara si dhe nga analiza e realizuar u konstatua se tregu i importit te naftës 10 ppm dhe benzinës paraqitet me ndryshime te theksuara strukturore ku ndërmarrjet kane ndryshuar ndjeshëm pjesët e tregut gjatë viteve 2010- gusht 2013. Në treg kemi ndërmarrje që kanë dalë nga tregu i importit duke operuar vetëm në tregun e pakicës, sikurse kemi hyrje të reja në treg.

Nga vlerësimi i indeksit të përqendrimit në tregun e importit të diezelit, vihet re se gjatë 8 mujorit 2013 tregu paraqitet shume i përqendruar, por me një ulje të pjesës së tregut që zënë tre(CR3) dhe pesë(CR5) ndërmarrjet më të mëdha në treg.

Treguesit e përqendrimit në tregun e importit të benzinës paraqiten në nivelin më të lartë të një tregu mesatarisht te përqendruar (800-1800) me një rritje krahasuar me vitet e kaluara. Gjithashtu rritje paraqesin edhe treguesit e përqendrimit për tre dhe pesë konkurrentët kryesorë, e cila është si pasoje e rritjes së pjesës së tregut të tre ndërmarrjeve më të mëdha në treg.

Çmimi i importit të diezelit dhe benzinës ka pasur vlerën më të ulët gjatë muajit maj 2013 me trend rritës për muajt në vazhdim, por këto ulje nuk janë reflektuar në çmimet në tregun e pakicës.

Nga analiza e të dhënave mbi volumin dhe çmimin e shitjes me shumicë të karburanteve për vitin 2012, u vu re se nga analiza e çmimit të shitjes ne stacionet me logon e tyre, këto çmime kanë pasur ulje dhe ngritje, por trendi i ndryshimit të çmimeve për tre ndërmarrje kryesore është i njëjtë. Kjo vërehet veçanërisht pas muajit maj 2012, çka mund të ngrejë dyshimin për një marrëveshje në vendosjen e çmimit.

Ndërmarrjet e integruara të pakicës pasqyrojnë politikat e ndërmarrjeve importuese në përcaktimin e çmimit të shitjes së karburanteve nën logot e tyre.

Periudha e hetimit do të jetë nga janar 2010 deri në gusht 2013.

 

Forcohet leku, cilat janë arsyet

Monedha vendase ka fituar vazhdimisht pikë gjatë kësaj jave ndaj euros, duke zbritur të premten nën 140 lekë, sipas kursit zyrtar referencë të Bankës së Shqipërisë, niveli më i ulët ky që nga mesi i gushtit 2013, kohë kur efektet sezonale ndikuan në mbiçmimin e monedhës vendase. Një euro këmbehej të premten me 139.89 lekë, sipas kursit zyrtar të BSH-së, nga 140.03 lekë, që ishte kursi të hënën.

Dy janë arsyet kryesore të forcimit të lekut në tregun shqiptar.

-Së pari, euro në tregjet ndërkombëtare po shkon drejt rënies më të madhe dy javore në më shumë se një vit, pasi Standard & Poor’s uli renditjen e kredisë së Francës, duke shtuar presionin mbi monedhën e përbashkët, pas vendimit të djeshëm të Bankës Qendrore Evropiane për uljen e normave të interesit në nivele minimale rekord prej 0.25%. Në bursa, dollari këmbehej të premten me $1.3424 për euro, pasi u vlerësua në $1.3296 dje, niveli më i fortë që nga 16 shtatori. Edhe në tregun vendas, dollari fitoi pikë ndaj lekut,

-Së dyti, edhe në tregun vendas kërkesa për lekë ka qenë e lartë, me një banke vetme, për llogari të një klienti të madh. Banka ka shitur përditë euro pak ditë më parë, duke bërë që monedha evropiane të zhvlerësohej me shpejtësi.

Duket se periudha e artë e euros po merr fund. Në bursat ndërkombëtare, pas vendimit të papritur të Bankës Qendrore Evropiane për uljen e normave të interesit, analistët presin që euro të fshije fitimet e muajve të fundit.

Edhe ne tregun vendas, kërkesa për valutë pritet të jetë e dobët (gjithnjë në rast se nuk do të ketë ndonjë blerje të madhe të papritur nga bankat), si rrjedhojë e kërkesës së brendshme të dobët, që është reflektuar në tkurrjen e vazhdueshme të importeve përgjatë këtij viti.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency