Propozimi i PD-së/ Bylykbashi: Modeli si Nano-Berisha i 2002-shit. Braçe: S’ka marrëveshje. PS përgjigjet sot

0
124

Gëzim Saliu

bylykbashi 2 PS: S’kemi dokument zyrtar nga PD-ja. Ruçi nuk komenton propozimin, Braho: Lëvizje pozitive, si pranimi që bënë serbët për vizitën e Ramës. Shalsi: S’kanë arsye për bojkot, kanë hapësira

 Partia Demokratike propozon që marrëveshja politike me mazhorancën qeverisëse që do të mundësojë rikthimin e opozitës në Kuvend, të jetë sipas modelit të vitit 2002 të lidhur mes ish-kryeministrit të asaj kohe Fatos Nano dhe ish-kreut të PD-së Sali Berisha. Pas propozimit të bërë publik dy ditë më parë nga kreu i grupit parlamentar Edi Paloka, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi bëri të ditur dje se cili do të ishte edhe formati e modeli i marrëveshjes me mazhorancën, të cilat, sipas tij, Kryeministri nuk ka nevojë t’i kërkojë, pasi gjenden në partinë që ai drejton. “Një marrëveshje politike si ajo Nano-Berisha ku nuk kanë rëndësi numrat në Kuvend mbi fjalën e dhënë politikisht, është ajo që duhet. Për herë të parë pas kaq vitesh, kodi zgjedhor po ndryshohet në mënyrë të njëanshme dhe jo në Parlament, por nga qeveria. Nuk ndryshojnë vetëm hartuesit e amendamenteve të kodit, ishin socialistët në opozitë, janë dhe tani në qeverisje. Pasi i kanë vënë minat reformës në drejtësi për të shkarkuar në mënyrë antikushtetuese anëtarët e KLD, ky është moment tjetër që i largon dhe më shumë palët”, – tha Bylykbashi, i cili ritheksoi se nuk mund të ketë zgjedhje me një hartë territori antikushtetuese dhe me kod të njëanshëm zgjedhor. Më tej, sipas ligjvënësit demokrat, mazhoranca qeverisëse në një vit ka dhënë prova pa fund për të mos u besuar fjalëve e në këtë kuptim theksoi Bylykbashi, është domosdoshmëri garancia e ndërkombëtarëve për këtë marrëveshje.

 

Reagimet

Ndërkohë, ndaj propozimit të demokratëve nuk ka ende një përgjigje zyrtare nga ana e mazhorancës, ku, sipas burimeve, ditën e sotme gjatë seancës parlamentare, pritet të flasin përfaqësuesit e saj më të lartë lidhur me këtë çështje. Ndërkaq, nuk kanë munguar reagimet e deputetëve të së majtës, ku në formë të drejtpërdrejtë Erjon Braçe ka deklaruar se nuk do të ketë marrëveshje me demokratët. Duke marrë për bazë deklarata e deputetit Bylykbashi, i cili tha se Rama duhet të ndjekë të njëjtën rrugë si paraardhësi i tij socialist Fatos Nano për sa i takon marrëveshjes me opozitën, Braçe theksoi se nuk mund të ketë dakordësi për të ndryshuar verdiktin popullor të 23 qershorit dhe amnistuar krimet. “Njëri nga të tijtë paska thënë se Rama duhet të bëhet si Nano i vitit 2002 e të arrijë me PD një marrëveshje si ajo! Atë kohë, Presidenti i Republikës ishte i propozuar nga PS dhe me atë apo pa atë “marrëveshje” iu la Sali Berishës dhe koalicionit të tij të propozonte. Tani, kur ky tipi kërkon “marrëveshje”, Presidenti është anëtar i Kryesisë së PD. Si ta bëjmë marrëveshjen apo që ky të jetë përjetësisht President?! Drejtori i SHIK ishte i propozuar nga qeveria e PS dhe me atë apo pa atë “marrëveshje” iu dha e drejta Sali Berishës të niste një sulm përmes një hetimi parlamentar në fund të të cilit drejtori i SHIK-ut u shkarkua! Tani, kur ky tipi kërkon “marrëveshje”, drejtori i SHISH jo vetëm që është mu brenda në PD, por ka përgjuar gjithë lidershipin e sotëm qeverisës! S’ka marrëveshje me këta! Ishte populli ai që vendosi dhe këta i çoi vendosmërisht në opozitë. Madje populli votoi që të mos amnistohet asnjë krim! Po për këtë duhet reflektim”, – shkruante dje Braçe në rrjetin social “FB”. Nga ana e tij, deputeti Eduard Shalsi tha se Partia Demokratike nuk ka asnjë dokument serioz për kërkesat për të hyrë në Kuvend. “Mazhoranca i ka lënë hapësira PD-së në Komisione. Nuk shoh asnjë arsye të vërtetë për bojkotin e opozitës”, – u shpreh Shalsi. Ndërsa deputeti Spartak Braho e cilësoi propozimin e Partisë Demokratike si një lëvizje pozitive, duke pohuar se e konsideron këtë vendim si një mënyrë që forca më e madhe në opozitë kërkon të dalë nga situata ku u fut vetë. “Propozimi i PD-së është si puna e pranimit të serbëve për vizitën e Ramës”, – deklaroi me batutë ai. Ndërkohë, burime pranë Partia Socialiste bënë të ditur se ende nuk kanë ndonjë dokument konkret të propozuar nga Partia Demokratike në lidhje me atë çka është artikuluar nga Paloka, por forca më e madhe në pozitë theksoi se përgjigjja do të jetë në momentin e duhur. Pavarësisht nga ky fakt, mësohet se PS dhe mazhoranca në tërësi do të shprehet parimisht në seancën e sotme parlamentare lidhur me propozimin e PD-së, ku ndërkaq kreu i grupit parlamentar Gramoz Ruçi nuk pranoi të komentonte dje çështjen.

 

Propozimi për marrëveshje PD-PS/ Qëndrimet e palëve

 Oerd Bylykbashi: Duhet një marrëveshje politike si ajo Nano-Berisha, ku nuk kanë rëndësi numrat në Kuvend mbi fjalën e dhënë politikisht, është ajo që duhet.

Erjon Braçe: S’ka marrëveshje me këta. Ishte populli ai që vendosi dhe këta i çoi vendosmërisht në opozitë. Madje, populli votoi që të mos amnistohet asnjë krim! Po për këtë duhet reflektim.

Eduard Shalsi: Mazhoranca i ka lënë hapësira PD në Komisione. Nuk shoh asnjë arsye të vërtet për bojkotin e opozitës.

Spartak Braho: Propozimi i PD-së është një lëvizje pozitive, është si puna e pranimit të serbëve për vizitën e Ramës.

 

 Reagimi i Bylykbashit/ Foli mikro B e PS-së, as nuk ia ka haberin negociatës Nano-Berisha

“Sot paska fol edhe mikro B e PS-së! Që ka fol nuk përbën çudi se futet gjithandej me shumë se majdanozi. Por ajo që të bën të qeshësh nga habia është se ky tipi përpiqet të sqarojë se ç’ka qenë marrëveshja Nano – Berisha e 2002. Kam shpenzuar orë pa fund në atë negociatë dhe di edhe detajin më të vogël. Por meqë ky tipi që nuk ia ka haberin se as ka qenë aty dhe as që e pyeste Nano (madje më vonë as Rama), po e sqaroj se atëherë nuk kishte filluar ende procesi për zgjedhjen e presidentit dhe BE, OSBE dhe KiE e detyruan PS që ta bënte me konsensus zgjedhjen e tij si dhe reformat e mëdha, përfshirë atë zgjedhore”.

 

 Ndryshon skema/ Hartimi i ligjeve, jo më nga ministrisë, grup pune të posaçme

Projektligjet nuk do të hartohen më nga ministritë përkatëse, porse nga një grup pune i posaçëm. Draftet e ligjeve do të punohen nga juristë e specialistë të fushës dhe do t’i kalojnë më pas ministrisë së linjës. Kjo e fundit do t’i kalojë draftet qeverisë, e cila do t’ia përcjellë më pas Kuvendit për shqyrtim. Ky ndryshim u bë i ditur dje nga ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Ermonela Felaj, e cila ishte pjesëmarrëse në nënkomisionin “Për të drejtat e njeriut”, ku u diskutua dokumenti politik i bashkëpunimit mes shtetit dhe shoqërisë civile “Me urdhër të posaçëm të kryeministrit, është ngritur një grup pune që po përpiqet të ndërtojë procesin e draftimit të ligjeve, që ta bëjë më cilësor, dhe pikë kryesore është pjesa e konsultimit dhe bashkëveprimit me shoqërinë civile”, – u shpreh Rama. Nga ana tjetër, zv.ministri i Integrimit Gentian Elezaj tha se tashmë është domosdoshmëri përfshirja e shoqërisë civile, duke pohuar se po punohet për ngritjen e një Këshilli Kombëtar të Shoqërisë Civile. Sipas qeverisë, dokumenti politik i bashkëpunimit midis shtetit dhe shoqërisë civile do të forcojë demokracinë nëpërmjet pjesëmarrjes më të madhe të shtetasve.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency