Presidenti Nishani/ Kthehen tre ligje në kuvend, reagon kryeministri dhe kreu i opozitës

0
125

Florenc Drizari

Bujar Nishani Dekreti për KLD-në: Ky ndryshim përbën shkelje të parashikimeve kushtetuese në dy plane: Kufizon kompetencën e Presidentit të Republikës, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për të propozuar si zëvendëskryetar cilindo nga anëtarët e këtij Këshilli, dhe heq të drejtën që u ka dhënë Kushtetuta anëtarëve nga radhët e gjyqësorit për t’u propozuar në postin e zëvendëskryetarit të KLD-së

 Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dekretoi dje kthimin e tri ligjeve të miratuara nga mazhoranca në seancën e fundit plenare. Me dekrete të veçanta, kreu i shtetit vendosi për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, rishqyrtim për projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar” si dhe ligjin nr. 100/2014 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative””. Të tria këto nisma janë shqyrtuar mes debatesh nga Kuvendi i Shqipërisë disa ditë më parë, ndërkohë që në dekretet e tij, kreu i shtetit ka argumentuar se në tërësi nismat e qeverisë janë në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Dekretet e kreut të shtetit pritet të futen në axhendën e punimeve të Kuvendit në fillim të muajit shtator, ndërkohë që pritet të kalojnë mes debatesh, për faktin se këto tri nisma konsideroheshin nga mazhoranca me një rëndësi të veçantë për rendin dhe sigurinë në vend.

 

Dekreti “Për Policinë e Shtetit”

Presidenti i Republikës argumenton në dekretin e tij për kthimin e ligjit “Për Policinë e Shtetit” se në nenin 4 është parashikuar vartësia e Policisë nga Ministri për çështjet e rendit dhe sigurisë publike, në ndryshim nga ligji në fuqi, i cili parashikon Policinë si pjesë të strukturës së Ministrisë së Brendshme. Ky ndryshim, sipas kreut të shtetit, është konstatuar jo vetëm nga institucioni që ai drejton, por edhe nga organet e tjera kushtetuese dhe ligjzbatuese, me të cilat ndan të njëjtin shqetësim për shkak se kjo bie ndesh me parimin e paanësisë politike në të cilën bazohet e gjithë veprimtaria e Policisë së Shtetit. “Kjo lloj varësie mbetet tërësisht e paqartësuar për qëllimin që kërkohet të arrihet, sa kohë që funksioni i ministrit është një funksion politik dhe rrezikon politizimin e Policisë së Shtetit”, – thuhet në dekretin e Nishanit.

 

Dekreti për KLD-në

Në dekretin e dytë të Presidentit të Republikës i kërkohet Kuvendit rishikimi i ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, i ndryshuar”, për faktin se ndryshimet e bëra prekin kompetencat e tij të përcaktuara në Kushtetutë.

“Ndryshimi që sjell neni 7 i ligjit nr. 101/2014, duke parashikuar se “Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me propozim të Presidentit, zgjedh nga radhët e anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi një zëvendëskryetar”, bie ndesh me nenin 147 pika 3 të Kushtetutës. Ky ndryshim përbën shkelje të parashikimeve kushtetuese në dy plane: Kufizon kompetencën e Presidentit të Republikës, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për të propozuar si zëvendëskryetar cilindo nga anëtarët e këtij Këshilli dhe heq të drejtën që i ka dhënë kushtetuta anëtarëve nga radhët e gjyqësorit për t’u propozuar në postin e zëvendëskryetarit të KLD-së”, – argumenton Nishani.

 

Dekreti për gjykatat administrative

Një ndër tri dekretet e Nishanit ishte edhe ligjin nr. 100/2014 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative””. Dekreti kërkon rishqyrtimin e nismës nga deputetët e Kuvendit, ndërsa kritikohet përzgjedhja e ndihmësve ligjor nga kancelari i Gjykatës.

 

“Ndryshimet për Gardën e Republikës, të pakuptimta”

Në dekretin për kthimin e ligjit “Për Policinë e Shtetit”, Presidenti Bujar Nishani shprehet se kalimi i Gardës së Republikës nën administrimin e Policisë, është i pakuptimtë. “Ky ndryshim që ka të bëjë në thelb me objektin e këtij ligji dhe veprimtarinë e Policisë së Shtetit, mbetet deklarativ, pasi vetë neni 22 i tij referon këtë rregullim në një ligj tjetër. Kështu, në pikën 3 të këtij neni, thuhet shprehimisht: Statusi, organizimi dhe funksionimi i kësaj strukture përcaktohen me ligj të veçantë. Pra, natyrshëm lind pyetja: a është objekti i këtij ligji, i sjellë për shpallje pranë Presidentit të Republikës së Shqipërisë, ruajtja e personaliteteve të larta shtetërore dhe objekteve të rëndësisë së veçantë, dhe çfarë kërkohet të rregullohet apo normohet në veprimtarinë e Policisë së Shtetit? Së dyti, vërej dhe konstatoj gjithashtu se ligji i ri kërkon të kalojë në mënyrë të pakuptimtë, në përgjegjësinë e Policisë së Shtetit ruajtjen e personaliteteve të larta shtetërore dhe objekteve të rëndësisë së veçantë, sa kohë që këtë mision e ka Garda e Republikës, një institucion i konsoliduar në këtë fushë, me eksperiencë të gjatë dhe histori mbi 80 vjeçare”, – deklaron Nishani në dekretin e tij.

 

“Byroja e Hetimit, paralelizma me Prokurorinë dhe Policinë Gjyqësore”

Në dekretin e Presidentit për ligjin e miratuar pak ditë më parë “Për Policinë e Shtetit”, argumentohet se ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të krijonte paralelizma në kompetenca me organet e tjera hetimore në vend. “Për sa i përket krijimit të “Byrosë Kombëtare të Hetimit” (neni 27), e cila paraqitet në ligj dhe relacionin shpjegues si strukturë e veçantë e Policisë së Shtetit, që do të kryejë veprimtari gjurmuese dhe hetimore dhe se organizimi e funksionimi i saj do të bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike, gjykoj se kemi të bëjmë me një strukturë, e cila krijon paralelizma në kompetenca dhe kontradiksion me objektin e veprimtarisë së organit të Prokurorisë dhe Policisë Gjyqësore, për të cilat ka tashmë një kuadër ligjor që mirëpërcakton detyrat, funksionimin dhe mënyrën e organizimit të veprimtarinë së tyre dhe që nuk lejon kurrsesi ndryshe”, – thuhet në dekretin e kreut të shtetit, ku në fund u rekomandohet deputetëve të rishikojnë miratimin e ligjit.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency