Prangosen gjobëvënësit/ Gardiania joshte meshkujt “boss”-a, gardisti i kërcënonte me pamje filmike

0
137

Artur Bego

Ermal Mrruku, arrestimiNjë ngjarje, ku plekseshin dëfrimet dhe kërcënimet, ka përfunduar me arrestimin e dy personave. Ngjarja jo e zakonshme ka ndodhur në kryeqytet, ku pas një hetimi të kryer nga Prokuroria e Krimeve të Rënda është bërë i mundur edhe arrestimi i Klodiana Drizës, punonjëse e burgut të Vaqarrit dhe i Ermal Mrrukut, ish-efektiv i Gardës, të akuzuar për shantazh e gjobëvënie.
Nga hetimet paraprake, mësohet se Klodiana Driza, pasi pikaste meshkujt, i joshte ata e më pas Ermal Mrruku i kërcënonte. Sipas burimeve, bëhet me dije se kërcënimet Mrruku i bënte përmes pamjeve filmike që siguronte, duke u kërkuar kështu shuma të caktuara të hollash. Me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda u arrestuan shtetasit Ermal Mrruku dhe Klodiana Driza. Këta dy shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë arritur që për kohë të gjatë të vendosin gjoba dhe të marrin peng individë të ndryshëm, që binin pre e kurthit të ngritur në lokale luksoze të Tiranës.

 

Skema e kërcënimit

Burime hetimore kanë sqaruar gjithë skemën me të cilën fuste në kurth çifti i arrestuar, persona kryesisht të martuar dhe me pasuri. Në këmbim të një nate me gardianen bukuroshe, viktimat ndëshkoheshin me gjoba që shkonin nga 1 deri në 5 milionë lekë. Vajza që pas shërbimit në burgun e Vaqarrit, hiqte uniformen e policit, i filmonte ose fotografonte gjatë marrëdhënies viktimat dhe më pas i përdorte, së bashku më të dashurin Ermal Mrruku, i shantazhonin ata që kishin rënë në rrjetën e saj. Klodiana Driza, duke shfrytëzuar edhe paraqitjen e jashtme të saj, joshte dhe ftonte në kafe individë të ndryshëm që nga biznesmenë, punonjës të administratës, nga ana tjetër Ermal Mrruku i filmonte takimet dhe më pas i shantazhonte personat, duke u kërkuar edhe lekë. Në një rast Mrruku sipas Prokurorisë ka kryer edhe pengmarrje.

Nëpërmjet skemës së joshjes, e cila më pas kthehej në gjobëvënie për personat e martuar, dy të rinjtë Ermal Mrruku dhe Klodiana Driza kanë mundur të kërcënojnë mbi 20 persona në kryeqytet deri këtë të premte, teksa janë arrestuar nga policia e Tiranës. Në shumicën e rasteve, gjoba merrej vetëm me filmimet e siguruara, kurse në raste të tjera, kur nuk arrihej qëllimi, përdorej edhe dhuna, edhe armët e zjarrit. Pas arrestimit dy të ndaluarit janë dërguar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit, teksa pritet që të dalin para Gjykatës me akuzën e gjobëvënies, armëmbajtjes pa leje dhe kërcënimeve të bëra ndaj të paktën 10 personave që kanë denoncuar deri më tani në polici. Dy të rinjtë bënë të ditur policia aktivitetin e tyre e ushtronin kryesisht në kryeqytet, teksa lëviznin me automjete të ndryshme dhe të armatosur.
Ermal Mrruku ka punuar deri në qershor të vitit 2013 në Gardën e Republikës, por është larguar nga kjo detyrë, sepse akuzohej për një tjetër rast dhunimi dhe pengmarrjeje, që mendohet se është e lidhur me skemën që ka zbuluar Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Skenari i gjobëvënies ka funksionuar për muaj të tërë dhe u arrit të zbulohej nga hetimi special i Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Arrestimi i Ermal Mrrukut u bë pranë Prokurorisë së Tiranës, ndërsa autorja kryesore e shantazhit, Klodiana Driza, është prangosur në banesën e saj. Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Prangosja e gjobëvënësve

Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur dje se nga sektori i Operacioneve Speciale dhe sektori kundër Krimeve të Rënda, pas një hetimi intensiv prej një periudhë disa mujore në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda, kanë bërë të mundur finalizimin me sukses të operacionit policor të koduar “Gjobëvënësi”, duke realizuar ekzekutimin e urdhrave të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për shtetasit Ermal Mrruku, 28 vjeç, banues në Tiranë, person i shpallur në kërkim për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 109/b dhe 25 të Kodit Penal, ndaj të cilit Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Renda, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” dhe Klodiana Driza, 28 vjeçe, banuese në Tiranë, e shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 109/b dhe 25 të Kodit Penal me masë sigurie “Arrest me burg” të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Pas një hetimi të specializuar me metoda proaktive, ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë autorë të dy gjobëvënieve dhe më konkretisht, më datë 8 korrik 2013, dyshohet se kanë shtrënguar me anë të kanosjes dhe dhunës shtetasin A. Xh., duke i kërkuar një shumë parash prej 5000 eurosh. Më datë 5 tetor 2013, dyshohet se kanë shtrënguar me anë të kanosjes dhe dhunës shtetasin E. H., duke arritur që të përfitojnë dy apartamente, automjet si dhe shumën e parave prej 60.000 eurosh.

Polica bënë të ditur ndërkohë se në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestrua një automjet “Volkswagen”, me targë AA 327 JD, 7 aparate celulare, 4 karta SIM, një laptop, një DVD.

Materialet procedurale në ngarkim të këtyre shtetasve do t’i kalojnë Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë për veprën penale të “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 109/b dhe 25 të Kodit Penal. Aktualisht, vazhdojnë hetimet lidhur me dokumentimin e plotë ligjor të aktivitetit kriminal të personave të lartpërmendur, pasi dyshohen të jenë dhe autor të ngjarjeve të tjera kriminale me këtë tendencë, të ndodhura në Tiranë.

 

 Shkatërrohet banda e trafikimit të drogës dhe armëve Shqipëri-Itali

Në pranga 28 persona, 30 të tjerë nën hetim
Policia italiane ka shkatërruar një rrjet të trafikimit të armëve, drogës dhe kartëmonedhave euro të falsifikuara, të dyshuara me prejardhje nga Shqipëria. Banda kriminale dyshohet gjithashtu se trafikonte armë dhe drogë në linjën Shqipëri – Sardenjë dhe Itali e Veriut.
Vala e arrestimeve u përmbyll dje me 28 të arrestuar, mes të cilëve shqiptarë, italianë dhe rumunë mes të arrestuarve,mësohet se janë edhe dy gra. Mësohet se rreth 30 persona të tjerë janë vënë në hetim. Arrestimet u kryen në Nuoro, Sasarie, Breshia. Në kuadër të këtij operacioni, arrestime u kryen edhe në Rumani, në bashkëpunim me policinë vendase.
Pas këtyre arrestimeve arrest me burg u dha nga gjykatat italiane për 6 italianë dhe një shqiptar, ndërsa për 7 të tjerë u vendos masa arrest shtëpie. Ndërkohë që masa arrest shtëpie është vendosur edhe për dy gratë. Për të prangosurit e tjerë u dha masa për detyrim paraqitjeje.
Mediat italiane bëjnë me dije se ndaj shqiptarit që do të qëndrojë në burg, rëndojnë akuzat për trafikim dhe tregtim të lëndëve narkotike dhe armëve luftarake. Ndërsa tre të arrestuar të tjerë do të japin shpjegime vetëm për falsifikimin e kartëmonedhave euro

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency