Çelo Hoxha
Fushata elektorale, e cila zyrtarisht fillon pas katër muajsh, ka nisur, prej tre-katër muajsh: e egër, pa etikë dhe e orientuar gabim. Emisionet e lajmeve janë kthyer në dritare ku kryqëzohet zjarr gjakmarrjeje. Më shumë se shpirt gare, fushata po shfaq mendësi të luftës civile.
Po t’u referohemi teksteve të historisë, botime të Akademisë Shkencave, nuk rezulton që në historinë e Shqipërisë të ketë pasur ndonjëherë luftë civile. Kryengritja e armatosur e vitit 1924 konsiderohet revolucion demokratik, kurse lufta për pushtet gjatë Luftës së Dytë Botërore quhet luftë antifashiste.
Si është e mundur, atëherë, që klasa politike e një vendi, i cili nuk ka njohur kurrë një luftë civile, të shfaqë mendësi të një lufte të tillë?
Disa historianë kanë bërë përpjekje të shumta, gjatë dy dekadave të fundit, për të shpjeguar luftërat civile në historinë e Shqipërisë, por institucionet studimore, ndjeshëm nën ndikim politik, kanë refuzuar ta pranojnë të vërtetën. Dhe ja ku jemi e po shikojmë me sytë tanë, që historia po hakmerret.
Kur Fan Noli u vendos në krye të një mase njerëzisht të armatosur dhe u nis drejt Tiranës, në 1924, ai nuk artikulonte asgjë më shumë se opozita e sotme. Edhe ai ishte i bindur se të gjithë politikanët shqiptarë, përveç shokëve të tij, ishin një tufë hajdutësh që duheshin përzënë nga kryeqyteti.
Çfarë bëri, dihet. Noli erdhi në pushtet si bandit dhe u largua prej tij i si tillë. Ajo çfarë mbeti nga qeverisja e tij ishte një vepër e motivuar nga urrejtja dhe një narrativë e gënjeshtërt, e cila e ka kontaminuar keq pjesën shqiptare të atmosferës.
Është pikërisht kjo narrativë që na e prezanton mbretin e shqiptarëve Zogu I si një vrasës dhe Nolin si një demokrat i madh. Në fakt, po të vërejmë me kujdes, nga vrasjet që i atribuohen Zogut I, më shumë prej tyre: nuk do t’i kishte shkruar kurrë elegjitë që e bënë poet.
Të gjitha vrasjet politike që i atribuohen mbretit Zog I, megjithëse nuk ka fakte që mund ta implikojnë drejtpërsëdrejti, kanë ndodhur pas një momenti shumë të rëndësishëm në histori, i cili është lënë për një kohë të gjatë në hije: atentatit ndaj kryeministrit shqiptar, në shkurt 1924.
Ky është rasti i parë në historinë e Shqipërisë që është qëlluar ndaj një kryeministri. Kryeministër ishte Ahmet Zogu, i cili, pas atentatit, kishte gjithë të drejtën e Zotit të vepronte t’i qëronte nga faqja e dheut atentatorët e tij, të gjithë me radhë, një e nga një. Koha tregoi se ata nuk hoqën dorë nga përpjekjet për ta vrarë (me atentate të reja) atë.
Lufta e Dytë Botërore krijonin terrenin e përshtatshëm që banditët t’i çonin deri në fund planet e tyre të lëna në mes herën e parë. Politikanë shqiptarë në anën e së drejtës, kësaj radhe, kishin gjithë botën kundër.
Dhuna e Nolit dhe e komunistëve për të marrë pushtetin është përvoja historike që ka çuar mentalitetin agresiv në politikën shqiptare deri në kufijtë e armiqësisë. Aty i ka rrënjët mungesa e respektit për institucionet dhe rrugën paqësore të ndërrimit të banorëve të përkohshëm në to.
Kryeministri i Shqipërisë, kushdo qoftë ai, nuk duhet denigrohet publikisht si të ishte një pastrues rrugësh. Kështu bëri Noli, kështu bënë komunistët, të njëjtën gjë po bëjnë pasardhësit e tyre sot. Opozita ka nisur një sulm denigrimi të familjes së Kryeministrit sikur ata ishin hajdutë të rëndomtë dhe jo njerëzit më të afërt të personit që Kuvendi i Shqipërisë e ka votuar dy herë si President dhe populli shqiptar e ka votuar dy herë si Kryeministër. Supozojmë se fëmijët e Kryeministrit kanë abuzuar financiarisht, duke shfrytëzuar influencën politike të babait të tyre, a mendon opozita se duke sekuestruar gjithë pasurinë e tyre do të mbarojnë hallet e Shqipërisë?
Ajo që s’ka funksionuar më herët s’ka përse të funksionojë tani. Fan Noli e sekuestroi pasurinë e Ahmet Zogut, Musa Jukës e të tjerëve. Fashistët ua sekuestruan përsëri pasurinë pikërisht të njëjtëve persona. Enver Hoxha, me ndihmën e baballarëve të shumë drejtuesve të PS-së, e çuan dhe më tej këtë lloj marrëzie: ata sekuestruan pasurinë e gjithë shqiptarëve, të vendosur me djersë e me abuzim, por në fund e katandisën Shqipërinë në një vend banorët e së cilës në 1991 u sulën drejt porteve për të hipur në anije e për t’i larguar nga sytë këmbët.
Politikanët duhet t’i thërrasin mendjes. Ata duhet të përpiqen që Shqipëria të jetë një vend për t’u jetuar dhe në ditë të vështira. Ata duhet të kujdesen që shqiptarët të dëshirojnë të jetojnë në vendin e tyre edhe kur paratë janë me pakicë. Ata duhet të punojnë që t’i bëjnë qytetarët të qëndrojnë për shkak të harmonisë politike. Njerëzit nuk i braktisin familjet se nuk kanë për të ngrënë. Ata arratisen kur atje mungon dashuria, kur familjet kthehen në vatra sherri nga prindërit. Pas a shumë, diçka e ngjashme me Shqipërinë në prag të fushatës elektorale.




