Pesë shenja jo fort të mira për avancimin në integrimin evropian

0
126

Artan Fuga

 

Fuga_-_Photo1Nga media njoftohemi se në Bruksel përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe delegacioni shqiptar, i përbërë dhe nga anëtarë të shumicës parlamentare edhe nga opozita kanë bërë një takim.

Po media njofton se brenda delegacionit shqiptar ka pasur mosmarrëveshje lidhur me një sërë pikash çka thuhet se ka bërë shkakun apo pretekstin për të mos pasur një deklaratë të përbashkët.

Nga raportimet e medias shihen gjëra shumë të çuditshme, por domethënëse që kanë ndodhur.

Shqetësuese!

E para, nuk kuptohet se përse do të duhej të kishte një deklaratë të përbashkët ku të përfshihej edhe një qëndrim i përbashkët midis shumicës parlamentare dhe opozitës. Dihet se një gjë e tillë nuk mund të realizohej sepse të çarat midis partive politike kundërshtare njihen, diheshin dhe ishin paraqitur para komisionerit Fyle në Tiranë pak orë më parë sesa të bëhej takimi i Brukselit.

Atëherë çfarë pritej?

Sado ta respektojmë opozitën, me Brukselin Shqipëria duhet të paraqitet si shtet dhe jo si aleancë apo kacafytje partish shqiptare. E ka mirë apo e ka keq qeveria, është ajo që e përfaqëson Shqipërinë atje, me të duhet bërë deklarata e përbashkët, është ajo që e mban përgjegjësinë nëse përfaqësimi zyrtar dhe hapat zyrtare të bëra deri në qershor do të jenë pozitive apo të dështuara.

E dyta, nuk kuptohet se çfarë lidhje ka marrja e statusit të vendit kandidat për integrimin evropian të Shqipërisë me problemet e brendshme politike shqiptare. Këtu duhet të ndodhë sikurse edhe me vendet e tjera. Gjykohet për parametrat institucionale të demokracisë shqiptare, por nuk ka vend që kritere të bëhen edhe ngjarje koniunkturale politike apo sociale sepse të tilla do të gjenden plot, ato nuk mbarojnë kurrë, si ato ka në çdo vend. Ka korrupsion, ka kërcitje të demokracisë, ka kriza, nga tensione politike, ka ankimime në planin juridik, por këto nuk mund të konsiderohen si rrethana dhe kushte penguese.

E treta, kushtet penguese po i ngjanë një loje që përsëritet pa fund. Mjafton diçka që të ekzistojë dhe procesi pengohet. Qeveria dhe opozita, cilatdo qofshin, ndryshojnë argumente, por qëndrimi i tyre mbetet në varësi të pozicionit që kanë lidhur me qeverisjen.

Dikur ishin socialistët që thoshin se nuk mund të afrohemi me Brukselin për arsye të Fierit, të një kryetari qarkut atje në Myzeqenë e “Topiasve”, kurse demokratët e quanin këtë një pretekst pengues dhe një lojë politike. Tani po e ndodh e njëjta gjë pavarësisht me kahje të kundërt. Janë demokratët që ngrejnë çështjen e votimeve të para disa muajve në Korçë duke e konsideruar atë shëmti si korrupsion politik, dhe socialistët këtë radhë në pushtet, e quajnë si pretekst pengues atë që ka ndodhur në qytetin e lashtë të atij rajoni që disa nëpër Internet e quajnë paturpësisht “Rajoni i Kaonëve”!!!

E katërta, marrëdhëniet midis partive politike dhe qëndrimi i tyre, sidomos i partive në pushtet ndaj institucioneve përbën një problem shqetësues edhe lidhur me kriteret që na lejojnë marrjen e statusit të vendit kandidat për integrimin evropian. Por ky është një problem që lidhet me strukturën konstitucionale të shtetit shqiptar, me marrëdhëniet midis shumicës parlamentare dhe institucioneve kushtetuese, midis administratës shtetërore dhe partive politike, pra ka të bëjë krejtësisht me modelin juridik të shtetit shqiptar. Është e qartë që shumë anë të këtij shteti ligjor mungojnë. Më shumë forma juridike e shtetit shqiptar është një aleancë, konkurrencë, tension midis partive politike, por vështirë të konsiderohet si një shtet ligjor.

Pra, sa kohë që problemi nuk do të shihet te modeli juridik dhe kushtetues i formës shtetërore, por te sjellja e operatorëve politikë, çka, kjo e fundit vjen nga faktori i parë, aq herë ne do të ndodhemi bashkë me Brukselin jo përpara ujkut por para gjurmëve të tij. Pyetja është se përse nuk shkohet te thelbi i çështjes, por te pasojat dytësore të saj?

E pesta, dihet që kundër bërjes të hapit për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian ishin vende konkrete evropiane, që tërësisht në të drejtën e tyre sovrane u shprehën negativisht për kërkesën shqiptare. Këto janë rregullat e lojës dhe atyre u duhet nënshtruar me modesti dhe me kokën ulur. Duhen realizuar objektivat e kërkuara dhe kriteret e vendosura. Por, në vend që diplomacia dhe politika shqiptare të shkojë e të negociojë me përfaqësuesit e këtyre vendeve, të shohë se cilat janë mundësitë e bindjes së tyre për të pasur një qëndrim më pozitiv ndaj Shqipërisë, mbërthehet në takime me fokus të zhvendosur, as mish as peshk, me deklarata formale që nuk thonë asgjë, si edhe në takime me diplomatë apo zyrtarë shtetesh fqinje që tashmë e kanë dhënë fjalën e tyre. Puna është të dihet nëse ndonjë vend që ka thënë “jo”, e ka thënë vetëm në emër të vetes së tij, apo duke shprehur edhe një vullnet më të përgjithshëm të padeklaruar hapur?

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency