Përplasja për përjashtimin/ Nis sulmi ndaj Blushit, deputetët e PS-së: Rama dhe Doshi s’ishin shokë. Bëmë mirë që e hoqëm

0
119

Gëzim Saliu

 subashiPeza: Rama dhe Toma, bashkëpunëtorë, e lamë se nuk do të kishte reagime pas mbledhjes

 Subashi: Deklaratat e Doshit nuk na surprizuan, vendimi unanim. Suli: Ai s’ka lidhje me partinë

Pas deklaratave të deputetit Tom Doshi dhe reagimeve të Ben Blushit pas mbledhjes së grupit, dje reaguan disa deputetë të Partisë Socialiste, të cilët shprehën mbështetjen ndaj vendimmarrjes së kryeministrit si edhe kundërshtuan ligjvënësin e qarkut të Elbasanit për komentet e tij. Deputetët Armando Subashi, Rakip Suli dhe Dashamir Peza i konsideruan të pritshme akuzat e kolegut të tyre Tom Doshi, duke nënvizuar nga ana tjetër se deklarimet e Blushit për miqësi të ngushtë mes Kryeministrit dhe deputetit të Shkodrës nuk qëndrojnë. Sipas deputetit Dashamir Peza, gjërat me Doshin shkuan aq larg, saqë ajo që ndodhi në mbledhjen e grupit ishte një rrjedhim i logjikshëm i ngjarjeve. “Nuk jam as me zotin Blushi, as kundër zotit Blushi, individët shprehin pikëpamjet e tyre, unë mendoj që ajo që ndodhi mbas ishte një diskutim që në gjykimin tim ishte i panevojshëm, sepse ishte rënë dakord që për të diskutuar dhe për të thelluar në mënyrë institucionale çdo shqetësim apo preokupim do lihej njëherë tjetër, pastaj pati një reagim që unë mendoj se ishte i panevojshëm. Unë kam 20 vjet që e kam shok Edi Ramën, po nuk kam pas ndonjë shoqëri të veçantë me Tom Doshin dhe nuk kam qenë kaq shpesh, domethënë jeta e ka ndarë që me Ramën kemi ndenjur shumë po me Tomën mund të them që mund të kem ndenjur pesë herë gjashtë herë, nuk më duket që kanë qenë kaq shumë shokë, kanë qenë bashkëpunëtorë po, Toma ka pasur një rol shumë të rëndësishëm elektoral në zonën e Shkodrës dhe ka qenë një bashkëpunëtor pa diskutim i Kryeministrit dhe një nga anëtarët e grupit parlamentar”, – tha Peza.

 

Reagimet

Sipas deputetit socialist Armando Subashi, deklarimet e dhëna nga kolegu i tij Doshi janë në vijim të komenteve të bërë nga deputeti i Qarkut të Shkodrës një javë më parë. “Nisur nga ajo që ndodhi javës që shkoi, besoj që edhe qëndrimi i djeshëm ishte në atë vazhdë, kështu që nuk kishte ndonjë surprize për neve. Edhe ato që kam dëgjuar sot nëpër gazeta ky votoi kundër ai votoi kundër nuk qëndrojnë sepse vendimi ka qenë unanim”, – theksoi Subashi. Nga ana tjetër, deputeti Rakip Suli pohoi se Doshi u vetëpërjashtua nga grupi parlamentar i PS-së, duke vendosur të jetë i lirë dhe të bëjë atë që mendon. “Mendojmë që gjëja më e mirë që bëri PS ishte që e lanë të lirë që ai të nxjerrë në pah ato problematika që ka vetë, unë do thosha që nuk ka lidhje fare me partinë. Ishte diçka personale e tij që nuk ka lidhje me Partinë Socialiste”, – pohoi ai. Ndërkaq, deputeti Peza, duke iu referuar edhe debatit në mbledhje si edhe pikës së diskutueshme të përjashtimit të Doshit pa votim, tha se në gjendjen ku kishte arritur situata nuk duhen parë me detaje nenet e statutit të PS-së. “Në grupin e PS-së ka pasur një debat që ishte një nga debatet më të shëndetshme dhe me transparente, ka qenë në televizion pothuajse gjithë debati qoftë nga njëra palë po ashtu dhe nga pala tjetër, unë personalisht nga pikëpamja etike mendoj që gjërat kanë shkuar aq larg saqë ajo që ndodhi dje ishte një rrjedhim i logjikshëm i ngjarjeve dhe nuk mendoj se ka këtu vend për të hyrë, në këto detajet u zbatua kjo pika e statutit apo jo”, – theksoi ai.

 

Reagimet e deputetëve të PS-së

Dashamir Peza – Unë kam 20 vjet që e kam shok Ramën po nuk kam pas ndonjë shoqëri të veçantë me Doshin. Nuk më duket që kanë qenë kaq shumë shokë, kanë qenë bashkëpunëtorë po

Armando Subashi – Nisur nga ajo që ndodhi javës që shkoi besoj që dhe qëndrimi i djeshëm ishte në atë vazhdë kështu që nuk kishte ndonjë surprize për neve

Rakip Suli – Mendojmë që gjëja më e mirë që bëri PS ishte që e lanë të lirë që ai të nxjerri në pah ato problematika që ka vetë, unë do thoja që nuk ka lidhje fare me partinë

 

Çfarë tha Ben Blushi

“Është historia e dy shokëve të ngushtë që u zunë për arsye që nuk dua të na i thonë, por fatkeqësisht një histori miqësie disavjeçare, për fat të keq nuk janë politike po i vënë një damkë të madhe Partisë Socialiste. Rama duhet ta administronte këtë gjë prej kohësh, të qeveriste më mirë, ka përgjegjësinë e vet. Sado që jam dakord me faktin se bashkëjetesa në këto kushte ishte e pamundur. Humbet Partia Socialiste”

 

 Akuzat e Doshit/ Rama: Telenovela e shëmtuar do ketë fund të palumtur për tufën e politikejve dhe kriminelëve

Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se sa u përket akuzave të deputetit Tom Doshi duhet pritu hetimi i plotë i tyre, ndërsa akuzoi opozitën se po kërkon të mbijetojë me shpifje.  “Mediat duan sa me shume akuza për te jetuar. PD sa me shume shpifje për te mbijetuar. Ndërsa njerëzit e ndershëm te këtij vendi te mbajtur kaq vjet peng ne gjithë llumin e akuzave dhe shpifjeve te kthyera rëndom ne telenovela, duan vetëm te vërtetën. Dhe te vërtetën qe ata duan sot, mund ta thotë vetëm një hetim i plote i organeve te drejtësisë”, – tha Rama. Më tej, kryeministri shkruante në rrjetin social se kjo ngjarje të cilën ai e cilësoi si një telenovelë të shëmtuar që do të ketë fund të palumtur për ata që sulmojnë qeverinë. “Jam i bindur se telenovela e shëmtuar qe ka nisur dje, duke bere bashke për te sulmuar qeverinë dhe shumicën parlamentare, një tufe politikejsh e kriminelesh qe duan te përfitojnë prej dritëshkurtësisë së njëri – tjetrit, do të ketë padyshim një fund te palumtur për ta. Le te presim me durim hetimin e plote te akuzës bombastike. E cila është padyshim e shpifur sa s’ka, por edhe shume e mirëseardhur! Sepse ka çelur një faze te re te betejës për çlirimin e opinionit publik nga makthi i vjetër se politikanet janë te gjithë njësoj. Njësoj ne fakt janë vetëm ata qe nuk dine ku është kufiri mes politikes dhe krimit. Vajmedet PD ku je katandisur se te tjerët aq dine aq bëjnë! Çfarë tufe…!”, – theksoi Kryeministri.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency