Përfundon muaji i Ramazanit/ Sot Fiter Bajrami, Bruçaj: Festa e simbolit të paqes dhe gëzimit

0
125

Bajrami_tirane_383947458Nishani: Festë e madhe që ka aftësinë e rrallë për t’i bërë të rinjtë më të pjekur dhe të moshuarit më të rinj. Besimtarët falen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit

 Bajrami është simbol i paqes, i gëzimit, i qetësisë shpirtërore, moment i lartësimit të Allahut dhe koha e shpresës së arritjes së kënaqësisë së Krijuesit, që është edhe qëllimi final për çdo besimtar. Me këtë mesazh u është drejtuar besimtarëve myslimanë kreu i këtij komuniteti Skënder Bruçaj. “Ne sot po përcjellim me përmallim Muajin e Bekuar të Ramazanit, për të pritur festën e bajramit. Festa e Bajramit është lehtësim i shpirtit, është kënaqësia e brendshme që buron prej shpresës së përmbushjes së adhurimit dhe përfitimit të faljes prej Allahut, Mëshiruesit Fuqiplotë. Bajrami është dita e lehtësimit të brengave, është dita e shpresave të reja, është dita e të kujtuarit për njëri-tjetrin, është dita e një jete të re, e pendesës për gabimet dhe e projekteve të veprave të mira, dita kur mëritë, hatërmbetjet, xhelozia dhe smira marrin fund, është dita kur falen gabimet e të tjerëve, është dita e ripërtëritjes së vëllazërisë, miqësisë dhe dashurisë për njeriun dhe njerëzoren. Bajrami është solidarizim me mbarë shoqërinë. Zoti e ka veçuar Bajramin si moment gëzimi, prandaj neve na takon ta vlerësojmë në këtë mënyrë. Sikurse përmend Ai në Kur’an. “E kush madhëron dispozitat (simbolet) e Allahut, ajo është shenjë e devotshmërisë së zemrave.” (Kur’an, Haxh: 32). Duke përfituar nga përkujdesja e veçantë hyjnore, që Zoti i madh ka ndaj nesh në ditët e Bajramit, unë i lutem Atij dhe ju ftoj edhe ju t’i lutemi së bashku për më shumë paqe, gëzim e harmoni, për shuarjen e luftërave dhe konflikteve anë e mbanë globit, i lutem Zotit Fuqiplotë që të sjellë paqen në Gaza, Irak, Siri e kudo neper bote ku shkelen parimet hyjnore dhe te drejtat themelore te njeriut”, – u shpreh Skënder Bruçaj, kreu i Komunitetit Mysliman

 

Falja

Vendet ku do të kryhet falja janë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke filluar nga ura e Lanës pranë ish-hotel Dajtit deri në lulishten e sheshit “Skënderbej”. Gjithashtu vend faljeje do të jetë edhe segmenti rrugor i rrugës “Myslym Shyri” që bashkohet me bulevardin Dëshmorët e Kombit që do të shërbejë për faljen e grave. Namazi i Bajramit falet në orën 06:23 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, segmenti para ish-hotel “Dajtit”. Për të mos cënuar hapësirën publike dhe për të krijuar lehtësi në lëvizjen e qytetarë, Komunitetit Mysliman i Shqipërisë ka përgatitur një plan masash organizative. Besimtarëve nuk do u duhet të marrin sexhde apo mjete të tjera për të falur namazin pasi e gjithë sipërfaqja do të jetë e shtruar me material të posacëm. Nga ana tjetër KMSH në bashkëpunim me Policinë Rrugore ka përgatitur planin e masave për menaxhimin e lëvizjes së mjeteve dhe këmbësorëve në kuadër të kësaj feste. Duke filluar nga ora 24:00 deri në orën 08:00 të mëngjesit të së henës, do të ketë kufizim të lëvizjes së mjeteve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” si dhe në pjesën jugore të sheshit “Skënderbej”. Trotuarët do të jenë të lirë për lëvizjen e qytetarëve përgjatë gjithë gjatësisë së tyre duke u kufizuar me vendine faljes së beimtarëve me ndarëse metalike dhe shirit sinjalizues.

 

Nishani uron besimtarët

Presidenti Bujar Nishani nëpërmjet një mesazhi ka uruar besimtarët myslimanë për Festën e Bajramit. Në urimin e tij presidenti Nishani shkruan se kjo festë duhet të shërbejë  për ta larguar urrejtjen dhe afruar dashurinë, paksuar veset dhe shtuar virtytet, harruar mëritë dhe sjellë pajtimet.  “Nuk ka gjë më të aftë se kjo festë për ta larguar urrejtjen dhe afruar dashurinë, pakësuar veset dhe shtuar virtytet, harruar mëritë dhe sjellë pajtimet. Është kjo Festë e madhe që ka aftësinë e rrallë për t’i bërë të rinjtë më të pjekur, të moshuarit më të rinj, të sëmurët më të shëndetshëm, të shëndetshmit më të mëshirshëm, fatkeqët më pak të dëshpëruar, fatlumturit më të përmbajtur, fukarenjtë me më tepër shpresë, zengjinët më zemërgjerë. Ditët e Ramazanit, ato ditë të udhëtimit shpirtëror brenda vetes përmes vetsakrifikimit, janë rasti më i mirë për realizimin e një marrëdhënie më të afërt dhe më të drejtpërdrejtë me Zotin, për të ardhur me shpirt e trup të pastër dhe zemër të hapur në këtë ditë të madhe, në këtë festë të gëzueshme, që është Dita e Bajramit”, – thuhet në mesazhin Presidentit Bujar Nishani. Presidenti gjithashtu u ka kërkuar besimtarëve që ta festojnë Bajramin siç ju ka hije. “Kjo Festë pas asaj sakrifice, është rasti fatlum për ndriçimin e shpirtit, kthjellimin e mendjes, ngrohjen e zemrës, forcimin e trupit, ripërtëritjen e shqisave, ngjalljen e shpresave, shtimin e dashurisë për tjetrin, mëshirës për të vobektin, kujdesit për të sëmurin, respektit për të moshuarin, prindin, familjen, të afërmit, dhe të gjithë të tjerët. Ta festojmë Bajramin si duhet, si na ka hije; si besimtarë të devotshëm dhe njerëz të qytetëruar, që njohim dhe respektojmë normat e Besimit; me gëzim të përmbajtur, vëllazërim me njëri-tjetrin, dhe kryesorja; mirënjohje për Zotin. Uroj edhe jomyslimanët, të cilët në respekt të tjetrit dhe për të mirën e vetes, mbajnë Ramazanin dhe respektojnë Bajramin”, – përfundon mesazhi i Presidentit Bujar Nishani.

 Muajt e verës/ Infeksionet në lëkurë, niveli i ndotjes alarmant, mjekët apel për kujdes dhe nga virozat

Djegie në lëkurë, por edhe infeksione të shumta të saj, në veçanti për fëmijët e vegjël.  Edhe këtë verë nuk kanë munguar rastet e pacientëve me djegie në lëkurë pas një ekspozimi të gjatë në diell. Por  problematike në këtë sezon janë edhe infeksionet e lëkurës si pasojë e ndotjes së lartë thonë mjekët, të ajrit dhe ujit, apo frekuentimi i ambienteve pa kushtet e duhura higjeno?sanitare. Selman Lirza, mjek dermatolog iu rekomandon pacientëve që të  marrin rrezet e diellit duke shmangur seancat e solarëve. Trendi në rritje i frekuentimit të qendrave estetike për të marrë ngjyrë artificialisht është i dëmshëm, pasi  personat që bëjnë solar janë më të riskuar për tumore të lëkurës. Ndërkohë vazhdon të jetë drejt rritjes numri i fëmijëve që  preken nga virozat e stinës. Mjekët  e qendrës shëndetësore numër tre në Tiranë  thonë se janë shtuar rastet me siptoma të fëmijëve që  paraqiten me diarre, të vjella e temperaturë të lartë. Ndërkohë që po e njëjta situatë paraqitet edhe tek të rriturit. Mjekët iu bëjnë apel pacientëve që pas çdo viroze të bëjnë dhe analizat përkatëse, për të gjetur burimin e infeksionit. Sipas Xhemal Peposhit,  pediatër infeksionist problematike në këtë sezon janë helmimet nga bakteri i salmonelës që merret nëpërmjet ushqimeve. Ai shprehet se ndonëse nuk janë konstatuar ende raste, këta pacientë  duhet të izolohen dhe trajtohen, pasi bëhen burim infeksioni për të tjerët. Ndërkohë që propozon edhe kryerjen e një depistimi për këto lloj infeksionesh në kopshte dhe çerdhe. Mjekët  shprehen se për të përballuar fluksin punojnë me turne deri në mbrëmje, ndërkohë që dhe laboratorët janë në  funskion të plotë.  Mjekët specialistë në këto ditë korriku nuk harrojnë t’iu tërheqin vëmendjen edhe pacientëve që në trupin e tyre kanë shumë nishane. Ata thonë se ato nuk duhet të ekspozohen në diell, pasi bëhen vatra të sëmundjeve malinje.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency