Pas ndeshjes Serbi-Shqipëri/ Incidenti në Dervician, Athina, notë proteste për Tiranën. Qeveria: Rast i veçantë

0
123

Gëzim Saliu

 rokanasMPJ shqiptare: Policia reagoi shpejt për rastin, duke kapur personat përgjegjës

 Ministria e Jashtme greke reagoi ashpër dje pas lajmeve të publikuara në mediat helene sipas të cilave në përfundim të ndeshjes Serbi-Shqipëri një grup huliganësh hynë në fshatin Dervician të Gjirokastrës duke sharë, rrahur dhe kërcënuar banorët e zonës. Përmes një komunikimi për shtyp, MPJ greke kërkoi nga autoritetet shqiptare që ngjarje të tilla në jug të Shqipërisë të mos përsëriten, duke këshilluar palët që të ulin tensionet dhe të shohin drejt së ardhmes evropiane. Në këtë kontekst, Athina zyrtare i ka kërkuar Tiranës që të marrë masa për mbrojtjen e minoriteteve. Ndërkaq, me urdhër të zv.kryeministrit grek, njëkohësisht ministër i Jashtëm, Evangjelos Venizelos, ambasadori helen në Tiranë dorëzoi dje një notë proteste lidhur me situatën e krijuar pas Serbi-Shqipëri dhe aktet e dhunës të ndodhura pas saj në fshatin minoritar në Gjirokastër. Diplomati kërkoi gjetjen dhe arrestimin e autorëve, si dhe të merren masa për mbrojtjen e minoritarëve grekë gjatë festimeve për festën kombëtare të Greqisë më datën 28 tetor.

 

MPJ shqiptare

Në takimin me ambasadorin e Greqisë në vend, sekretari i Përgjithshëm i MPJ-së shqiptare, Qirjako Qirko, bëri të ditur se pala shqiptare e dënon këtë incident, duke e cilësuar si një rast krejt të veçantë që nuk mund të ndikojë në asnjë mënyrë në frymën e bashkëjetesës shekullore midis shqiptareve dhe minoritarëve. Në këtë kontekst, ai i bëri të ditur ambasadorit grek reagimin e shpejtë dhe efikas të Policisë së Shtetit, e cila vuri para përgjegjësisë ligjore personat përgjegjës. Gjithashtu, ai informoi se autoritetet e pushtetit vendor dhe të policisë së qarkut të Gjirokastrës kanë marrë kontakte me banorët dhe kryeplakun e fshatit, që pohuan se ngjarja në fjalë ishte një rast i veçantë dhe se gjendja në fshat është krejt e qetë. Ambasadorit grek iu kërkua që ky rast sporadik të mos ketë asnjë ndikim negativ në marrëdhëniet tona dypalëshe, mbasi përkatësia euroatlantike e dy vendeve tona përjashton çdo fenomen negativ që cenon vlerat e përbashkëta. Ndërkaq, mediat greke e cilësuan dy ditë më parë si një sulm provokues incidentin e ndodhur në Dervician për festimet që janë zhvilluar në këtë fshat, mbrëmjen e 14 tetorit pas ndeshjes mes ekipit kombëtar shqiptar dhe Serbisë në Beograd. “Këto nuk ishin festime, por një sulm provokues kundër anëtarëve të minoritetit kombëtar grek në Shqipëri, ku u demonstrua “civilizimi evropian” dhe nacionalizmi i shqiptarëve”, – shkruanin mediat greke. Akuzat vazhdonin edhe më tej, duke theksuar: “Shqiptarët nuk u mjaftuan vetëm me slogane, por kanë vazhduar edhe me sulmet dhe plagosjen e disa banorëve të Dervicianit, duke u endur për disa orë me makinat e tyre në rrugët e fshatit. Ata kanë frikësuar banorët, të cilët nuk kanë pasur mundësi për të reaguar”.

 

 Kërkesa e MPJ për Athinën/ “Të hiqet nga faqja e Presidencës greke etiketimi ‘Himara e Vorioepirit’”

Etiketimi i Himarës me emrin “Himara e Vorioepirit” duhet të hiqet menjëherë nga faqja zyrtare e Presidentit të Greqisë, Karolos Papulias. Këtë kërkesë i bëri dje aekretari i Përgjithshëm i MPJ-së shqiptare, Qirjako Qirko, ambasadorit grek në Tiranë, Leonidas C. Rokanas. Sekretari i Përgjithshëm i MPJ-së shqiptare, pasi diskutoi me ambasadorin grek në Tiranë për incidentin e ndodhur në fshatin Dervician, përfitoi nga ky rast për t’i parashtruar Rokanas shqetësimin e palës shqiptare,: “lidhur me pasqyrimin në faqen zyrtare të Presidencës së Republikës së Greqisë të një njoftimi lidhur me dekorimin e znj. Ermioni Bringu nga Presidenti Papulias, ku konstatohet me keqardhje se vendbanimi i saj është quajtur ‘Himara e Vorioepirit’”. Qirko kërkoi heqjen e menjëhershme të këtij përcaktimi nga faqja e internetit të Presidencës së Republikës së Greqisë, mbasi ky term nuk është koncept politik-administrativ në Republikën e Shqipërisë, ndërkohë që përdoret rëndom nga qarqe antishqiptare, të cilët, në kuadër të pretendimeve territoriale, identifikojnë me këtë term Shqipërinë e Jugut. Ambasadori grek u shpreh në takim se do të informojë menjëherë autoritetet e Presidencës greke për të bërë korrigjimin përkatës.

 

 Komisioni hetimor/ PD: Shkarkimi i dy anëtarëve, antikushtetues, mazhoranca do të kapë politikisht KLD-në

Partia Demokratike e cilëson si antikushtetuese nismën e mazhorancës për shkarkimin e dy anëtarëve të KLD-së përmes komisionit hetimor. Deputeti i PD-së, Eduard Halimi, akuzoi Kryeministrin Rama dhe Kryeparlamentarin Meta se përmes këtij akti ata synojnë të kapin politikisht institucionin e pavarur të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. “Partia Demokratike e cilëson komisionin hetimor për shkarkimin e 2 anëtarëve të KLD-së, si antikushtetues, antiligjor dhe një përpjekje e qartë për të kapur Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Komisioni hetimor parlamentar nuk kishte asnjë qëllim tjetër, veç justifikimit të vendimit të marrë kohë më parë nga vetë Edi Rama. Nuk kishte as një qëllim tjetër veç një gjyqi publik, pa asnjë fakt dhe provë, veç mllefit politik dhe propagandës histerike ndaj 2 anëtarëve të këtij Këshilli”, – tha Halimi. Më tej, ligjvënësi demokrat tha se kreu i qeverisë ka si qëllim të zëvendësojë njerëzit në KLD, gjë që sipas tij përbën një goditje të rëndë për gjithëpërfshirjen. “Nuk ka asnjë dyshim për të gjithë partnerët ndërkombëtarë se shqetësimi opozitar, nga njëra anë e shprehur në media por dhe në takimet zyrtare me ta, ashtu si injorimi tërësor në bllok që iu bë thirrjeve të tyre në korrik nga Rama dhe Meta, kishin një qëllim të vetëm: zëvendësimin e njerëzve në KLD. Kapjen politike të këtij institucioni në mënyrë antikushtetuese dhe antievropiane”, – u shpreh Halimi, duke i kërkuar faktorit ndërkombëtarëve që ndërhyjë në këtë rast, pasi po shkelen të drejtat kushtetuese.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency