Pas atentateve BE-ja duhet t’i rishqyrtojë rregullat

0
134

 

 

Nga Bernd Riegert Bernd Riegert

 

Një bashkëpunim më i mirë i shërbimeve sekrete në Evropë, kundërvënie propagandës islamiste në internet, ndalim i udhëtimit të të rinjve radikalë në kampet e stërvitjes të Shtetit Islamik, kontrolle më të mira në kufijtë e jashtëm të BE-së dhe një mbikëqyrje më e mirë e të ashtuquajturve rrezikues brenda BE-së. A nuk ju duket e njohur kjo listë? Këto janë kërkesat, që tani, pas atentateve të fundit në Paris dhe takimit të ministrave të brendshëm të BE-së, parashtrohen dhe diskutohen sërish. Por lista kurrsesi nuk është e re. Pikërisht të njëjtat masa u diskutuan nga ministrat e brendshëm edhe pas sulmeve në Paris në janar dhe sulmeve të parandaluara në çastet e fundit në Belgjikë. Madje edhe më keq: masat për mbrojtjen nga rreziku i sulmeve diskutoheshin herë pas here qysh përpara “Charlie Hebdo”-së në vitet 2013 dhe 2014. Preferohet madje edhe të filozofohet për një shërbim sekret evropian apo për mbikëqyrje më të fortë të të dhënave të komunikacionit dhe udhëtimit. Tani e gjitha nis përsëri nga e para. Nga të gjitha këto vendime të bukura deri tani me sa duket shumë pak është vënë në jetë, ose aq pak, sa nuk mundën të parandalohen atentatet e fundit brutale. Më shumë personel për policinë dhe organet hetimore dhe programe kundër radikalizimit islamik të kriminelëve të vegjël në Francë premton tani kryeministri francez Manuel Valls, dhe – e merrni me mend – pikërisht të njëjtën gjë bëri ai edhe në janar pas sulmeve në Paris. Çfarë është bërë deri tani? Me sa duket shumë pak. E reja është tani, se po flitet për luftë, që duhet bërë tani, luftë kundër princave të luftës të “Shtetit Islamik” diku në Siri apo në Irak. Por a do t’i japë fund kjo luftë e nevojshme terrorit këtu në Evropë në mesin tonë apo ndoshta ajo do ta nxisë atë edhe më shumë? Tek e fundit dorasit janë mes nesh. Këta janë fëmijët tanë. Janë njerëzit me pasaporta belge, franceze, evropiane. Përllogaritet se 3000 deri në 5000 vetë nga Euroja luftojnë në Siri dhe i janë bashkuar përkohësisht IS-it. Afërsisht mendohet se dhjetë për qind e tyre kthehen si “rrezikues” të gatshëm për terror në Evropë. Vetëm në Gjermani afro 420 syresh llogarisin aktualisht autoritetet gjermane të sigurisë. Ata nuk mund të mbikëqyren plotësisht, siç treguan shembujt e fundit tragjikë nga Belgjika. Të paktën njëri nga atentatorët nga lagja e Brukselit Molenbeek ndodhej në listën evropiane të hetimeve (Sistemi i Informacionit Shengen). Ai mund të udhëtonte. Ai u kontrollua rastësisht dhe u diktua. Një tjetër i dyshuar si i implikuar, ndërkohë udhëtonte mes Sirisë dhe Belgjikës e i përqeshte në internet autoritetet kufitare. Këtu duhet të bazohen urgjentisht ministrat e Brendshëm të BE. Kontrolli i personave në BE është krejtësisht i pamjaftueshëm si në kufijtë e jashtëm edhe në ato brenda hapësirës Shengen, hapësirë kjo e krijuar prej dekadash pa kontrolle në dobi të masës së madhe të qytetarëve të zellshëm të BE-së. Por kjo liri po keqpërdoret prej rrezikuesve. Ndaj rregullat Shengen duhet të rishqyrtohen. Mantra e Brukselit, se Shengeni është një ndër arritjet më të mëdha të BE-së, tingëllon mirë, por në praktikë për fat të keq ajo tregon, se shtetet e BE-së janë të mbingarkuara me administrimin e kësaj arritjeje. Nëse ne atentatorët, që jetojnë mes nesh, duam t’i gjejmë, na nevojiten rregulla më të forta. Edhe qytetarët e BE-së, jo vetëm njerëzit jashtë Evropës, duhet t’i nënshtrohen kontrolleve sistematike. Terroristët ka kohë që po operojnë pa kufi në Evropë. Vetëm autoriteteve të policisë dhe atyre të hetuesisë u duhet të përballen me rregullat e brendshme të secilit shtet. Kështu nuk mund të vazhdohet më.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here