Paguajeni, se përndryshe do t’jua presim…!

0
129

ARTAN FUGA

Artan_FugaLidhur me energjinë elektrike nuk duhet ta humbasim arsyetimin tonë në ferrat e telave elektrikë dhe të lidhjeve internet që kalojnë si lesh arapi nga shtylla në shtyllë nëpër lagjet tona të urbanizuara për faqe të zezë dhe që na fyejnë çdo sekondë kur kalojmë poshtë tyre.

Ngrini sytë dhe shihini ata tela! Ashtu është, e ngatërruar, edhe çështja e energjisë elektrike te ne.

Sikurse çdo gjë ajo po politizohet. Por zgjidhjet ekonomike nuk vijnë dot nga politizimi elektoralist dhe nga propaganda manipuluese.

Me manipulim nuk mund të krijosh përmbajtje komunikimi. Ky është ligji i parë i komunikimit publik.

Disa zyrtarë na thonë se nuk do të ketë ngritje çmimesh, sepse vetëm do të hiqet fasha mbrojtëse për kilovat-orët e parë që supozohen se do të shkojnë për nevoja bazike e për popullsinë. Nuk ka ndodh asgjë, veçse është pak me barrë…

Pala kundërshtuese tregon se këtu në fakt kemi një rritje çmimesh pavarësisht nga mekanizmi që përdoret. Ne do të paguajmë më shumë për energjinë elektrike, pra do të kemi më pak drita, do të kemi më shumë ftohtë, do të kemi më pak shërbime bazuar te energjia elektrike etj. Po ashtu, sigurisht do të rriten të gjitha çmimet që ndikohen nga energjia, patjetër.

Por, puna është se askush nuk tregon zgjidhjen. Protestat e shoqërisë civile në të gjitha format e demokracisë që të vijnë janë të mirëpritura, sepse një qytetar i ndriçuar jo nga drita elektrike, por nga dritat e qytetarisë është shërim për hallet e Shqipërisë. Puna është se pas protestës, problemi mbetet: Ja nuk e ngritëm çmimin e energjisë elektrike! Po pastaj? Sistemi energjetik do të shkojë në prag të falimentimit dhe brenda pak vitesh ose do të zhytemi gjithnjë e më shumë në borxhe që do të na lënë dhe pa bukë, ose do të bëjmë që muret e digave të rrënohen, që shtyllat e tensionit të lartë të përkulen si degë hardhish.

Pra, është e kotë të fshehësh rritjen e energjisë elektrike, kur e ashtuquajtura familje e mesme shqiptare (që po zhduket, sikurse thotë A. Çollaku) mezi rrumbullakos lekët për të mbijetuar në fund të muajit, është e pamjaftueshme të thuash se qeveria po u shtrëngon rripin shqiptarëve, është ende jo zgjidhje e problemit kthimi i problemit si objekt protestimi qytetar.

Asgjë nuk është jashtë vendit të vet, secila palë bën rolin e vet, problemi është si do të zgjidhet problemi?

Ne duhet të kuptojmë se zgjidhja e problemit të energjisë nuk mund të jetë afatshkurtër, por afatgjatë. Me rritje çmimesh nga hera në herë, duke i mbartur problemet e një menaxhimi të keq mbi shpinën e qytetarit, kjo nuk është zgjidhje. Dhe mos t’ua hedhim fajin faturistëve që sigurisht nuk janë engjëj, por shpesh bëjnë lojën e tyre të një grabitësi të vogël banal për të na rrjepur edhe më tepër. Por, të mos shohim vrimën e fundit të kavallit të një menaxhimi të keq të energjive, për t’u kapur pas saj. Nuk e ka sjellë krizën faturisti. Ai bën çfarë mundet për të përfituar që këndej.

Puna është se energjia elektrike e ardhur nga sistemi hidroenergjetik, më duket mua, është një energji në dukje e lirë, ja bie uji e jep energji elektrike, por në fakt kërkon investime fillestare gjigante, kurse shpërndarja dhe mirëmbajtja e rrjetit pastaj kërkon transaksione kolosale në formë shpenzimesh. Dhe sa më shumë amortizohet rrjeti i shpërndarjes, aq më shumë ngrihet kostoja e tij për ta mirëmbajtur.

Nuk po rri të merrem me shifra, por dihet mirë se shoqëri shumë më të pasura sesa ne përdorin energji shumë më të lira sikurse është gazi për energji ose prodhimin e energjisë elektrike me anë centralesh bërthamore. Ne, populli më i varfër në Evropë, kemi vendosur të përdorim energjinë më të shtrenjtë, atë elektrike, nxjerrë nga sistemi hidroenergjetik.

Por, te ne këtë e bëri të pashmangshme dhe sistemi i modelit urban që vendosëm. Ne edhe po të duam të fusim gazin tani, nuk na lënë pallatet që janë ndërtuar vetëm për të transmetuar kanalizime elektrike dhe jo ato të gazit. Lëre pyjet si i shkatërruam dhe mblodhën gjithë popullsinë rurale në disa zona urbane, e cila në vend të shtojë pyjet dhe t’i përdorë edhe për ngrohje, tani edhe pyjet i la të braktisura edhe është kthyer në një konsumatore pasive e energjisë elektrike në pallatet e turpshëm urbanë. Ja shkaku i krizës. Keqmenaxhimi makroekonomik i vendit që sjell herët a vonë pasoja.

E kemi thënë edhe herë të tjera, që, kur është politika e cila administron ekonominë, zgjidhjet afatgjata mungojnë, kurse problemi i energjisë kërkon pikërisht një strategji afatgjatë.

Pra, nuk është problemi se përse rritet çmimi i energjisë elektrike, sigurisht kjo ka shumë rëndësi. Puna është se as kjo rritje nuk do ta zgjidhë problemin, por vetëm se do ta shtyjë për pak kohë duke ua lënë faturën edhe më të rëndë brezave që vijnë. Politika ka hallin elektoral, një herë në katër vjet të rinovohet, kurse shoqëria ka hallin afatgjatë, çfarë do t’u lërë fëmijëve si zhvillim të qëndrueshëm social.

Po edhe modeli i ekonomisë është një faktor krize. Dyqane ngjitur me njëri-tjetrin, kafene ngjitur me njëra-tjetrën, universitete ngjitur me njëri-tjetrin. Të gjithë harxhojnë energji, mijëra lavazhe, berberhane, pompa benzine etj., pa dobi konsumatore, që i “hanë” klientelën njëri-tjetrit dhe mbi të gjitha që harxhojnë pa fund dhe kot energji elektrike… Ky model ekonomik që vazhdon ta mbajë ekonominë shqiptare në një krizë të thellë, po sjell edhe krizën energjetike.

Unë nuk e di nëse një dyqanxhi lagjeje paguan për energjinë elektrike të njëjtat tarifa sa edhe familja që ka komshie… Konsumatori i thjeshtë familjar dhe biznesi i vogël ose i mesëm njësoj i kanë tarifat për harxhimin e energjisë elektrike??? Po të ishte kështu, do të kishim një problem shumë të madh.

Mua më duket se edhe disa biznese nuk paguajnë fare për energjinë, e shoh këtë sepse në disa kantiere ndërtimi apo riparimesh nuk dimë se çfarë bëhet me pagesën e energjisë elektrike. A nuk ka mundësi INSTAT të na tregojë pak neve qytetarëve se si janë statistikat? Sa paguajnë bizneset si tarifa, sa paguajnë kantieret e ndërtimit, sa paguajnë bizneset e mëdha? Se mund të ketë vend që të shihet pak më thellë se mos energjia që prodhon parà, pra përdoret si mjet prodhimi duhet taksuar e tarifuar edhe më shumë se deri tani në krahasim me energjinë elektrike që harxhohet thjesht si konsum jetese. Fitimet e disa kompanive janë marramendëse, sikurse i quan Stiglitz, si forma rentash feudale të marra me përdhunë e politika monopol. Çfarë bën me to administrata? Cilat janë politikat publike të çmimit të energjisë elektrike që përdoret si mjet prodhimi?

Depolitizimi i shpërndarjes të energjisë elektrike do ta shpëtonte atë nga elektoralizimi. Kush nuk paguan energjinë elektrike mund të ketë vetëm një shërbim minimal elektrik, nëse nuk ka me se paguan, por në çdo rast kush nuk paguan nuk duhet të ketë energji. Nuk është problemi teknik, por elektoral sepse po të dojë shteti nuk ka nevojë të fusë në burg as të bëjë sherr në katunde e lagje, pret energjinë dhe kaq. Por, humb vota sepse asociohen sipërmarrjet e shpërndarjes me shtetin, shteti me politikën dhe politika me votën. Kjo e pengon zgjidhjen e problemit. Por, në fakt, zgjidhja e problemit nuk është te thirrja: Paguani se përndryshe jua preva! Kjo është formë simbolike kastrimi, por që nuk e zgjidh problemin sepse nuk bën tjetër veçse rrit kostot transaksionale të shpërndarjes, prodhon disfunksionim social dhe redukton klientelën, që është një politikë antiekonomike.

Sistemi i prodhimit dhe i shpërndarjes mbetet ende i centralizuar ndërkohë duhen krijuar tregjet e vogla rajonale të prodhimit dhe shpërndarjes të energjisë elektrike. Konkurrenca në tregun energjetik është forcë e madhe për të ushtruar presion mbi çmimet dhe për zhvillimin e sistemit. Kurse me sipërmarrje monopol, që bën transaksione me qeverinë qendrore, i mban politikanët tanë nën presion, dhe që ushton çmime monopol, shumë shpejt do të kemi rritje të tjera çmimesh. Vendosja e tregut shqiptar të energjisë nën një kupolë të vetme firme multinacionale është baza e krizës të energjisë sepse zhduk konkurrencën dhe zhduk aktorët ekonomikë vendas nga tregu. Është si në ndërtim, në zonat rurale me brigada të vogla ndërtohen vila ku metri katror është më i ulët si çmim sesa metri katror në pallatet e ndërtuara nga firmat e mëdha ndërtuese që monopolizojnë tregun e qytetit.

Monopoli i tregut të prodhimit dhe shpërndarjes është shkaku themeltar i politikave që duke krijuar rrallësi oferte dhe uri për energji elektrike mban çmime monopol dhe na vendos përpara alternativës fatale: O paguani, ose jua preva! Nuk është kjo zgjidhje, nuk shtrohet kështu problemi. Decentralizimi i tregut energjetik, përdorimi i burimeve të mesme dhe të vogla energjetike ujore në një vend malor e kodrinor, do të sjellë bollëk energjie dhe pra edhe ekuilibrime në çmimin e konsumit të energjisë elektrike.

Qendrat urbane të mëdha, kanceroide, e kanë të vështirë të furnizohen nga hidrocentrale të vegjël, në forma autonome, porse zona rurale dhe qytete të vegjël, mund ta bëjnë këtë shumë mirë. Atje ku kostoja e prodhimit dhe shpërndarjes të energjisë elektrike është më e vogël edhe çmimi i tyre duhet të jetë më i vogël. Pra çmimet regjionale të diferencuara janë një zgjidhje shumë e mirë për t’u studiuar. Nuk ka përse banori rural pranë burimit hidroenergjetik paguan të njëjtin çmim si banori i një qendre urbane të madhe që furnizohet nga energji elektrike që i vjen nga një sistem i centralizuar. Drejtësi sociale, pra, e korrigjuar sipas hakut, kjo është zgjidhje.

Por, kemi edhe faj vetë, evropianët ndriçohen me drita të zbehta, është më e ngrohtë, më njerëzore, kurse ne duam llambën neoni sipër në tavan, aq sa të duket se je në ndonjë zyrë hetuesie kafkiane.

Na duhet strategji afatgjatë, as manipulime propagandistike, as fshehje, as politizime, as hedhje e topit sa andej këndej, po mendim strategjik, administrim afatgjatë, transparencë publike, drejtësi sociale e hedhur në tabaka, dhe pastaj zgjidhjet vijnë vetë… Jam shumë i sigurt… Politika mund të jetë arti i të bërit demokraci, por është edhe arti i keqmenaxhimit ekonomik dhe financiar, kur ajo bazohet te lufta për pushtet, te propaganda politike pa përmbajtje dhe te objektivat elektoraliste.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency