Nuk ka vlejtur leksioni i Lehman Brothers. Ja përse…

0
176

“Corriere Economia”

lehman Tri flluska të fshehura. Të gjitha për t’u pasur frikë. Tregu i pasurive të paluajtshme, Wall Street-i dhe rrjetet sociale janë rritur shumë…

Për të zgjidhur një problem, kanë krijuar të tjerë. Këtë kanë bërë bankat e mëdha qendrore të botës gjatë shtatë viteve të fundit. Objektivi parësor, pas kolapsit të Lehman Brothers, ishte ai i rilançimit të ekonomisë globale dhe mbrojtjes së saj nga tronditjet e të ardhmes. Por në të vërtetë, është kontribuar për lindjen e flluskave të reja financiare.

Muajin që kaloi, fondi më i madh në botë i obligacioneve, Pimco, ka publikuar raportin e vet “Secular Outlook”, në të cilin ka paraqitur gjendjen e veçantë ku ndodhen tregjet e përparuar dhe ata në zhvillim. “Madhësia e likuiditeteve që janë futur në sistemin financiar nga viti 2007 e deri sot, në vend që të luftonte një flluskë, ka krijuar të tjera, të cilat mund të jenë më të rrezikshme”, – ka shkruar Pimco.

Më e njohura aktualisht, në fazë zhvillimi, lidhet me tregun e pasurive të paluajtshme. Në një pjesë të mirë të ekonomive të përparuara, çmimet e shtëpive janë në rritje konstante. Paralajmërimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, që u bë javët e fundit, ka qenë i qartë. Vendet ku situata paraqet më shumë risqe janë pesë: Kina, Brazili, SHBA, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar. Në tremujorin e parë të vitit, sipas bazës së të dhënave të FMN, në Kinë çmimet e pasurive të paluajtshme janë rritur me 17.5% në vit. Në po të njëjtin hark kohor, një rritje dyshifrore ka pasur edhe Brazili, me 12.1% dhe për Amerikën, rritja ka qenë mbi 10.3%. Nuk janë mirë gjërat në Mbretërinë e Bashkuar, ku çmimet e shtëpive janë rritur me 9.1% dhe në Gjermani me më shumë se 5.8%. Dhe pikërisht dy vendet evropianë rrezikohen më shumë, sipas FMN-së. “Banka e Anglisë dhe Banka Qendrore Evropiane duhet të rrisin vigjilencën për të shmangur krijimin e pritshmërive joracionale për çmimet e tregut të pasurive të paluajtshme”, – ka thënë institucioni i drejtuar nga Christine Lagarde. Me fjalë të tjera, dy bankat qendrore duhet të bëjnë kujdes dhe të mos nxisin krijimin e flluskave.

 

Aksionet në SHBA

Një tjetër sektor ku ka mungesë ekuilibrash për çmimet është ai i aksioneve në SHBA, domethënë bursa e Wall Street-it. Indeksi i “S&P 500” për javën që kaloi ka regjistruar një maksimum të ri historik, duke arritur kuotën 1959 pikë. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për qetësim nga ana e bankës qendrore amerikane (FED), euforia e investitorëve nuk duket të ketë rënie. Sipas bankës amerikane Wells Fargo, “S&P 500” mund të arrijë kuotën 2250 pikë deri në fund të vitit dhe nuk janë ende të qartë parashikimet për vitin 2015. “Nuk ka ndonjë arsye të veçantë përse Wall Street-i ka këtë tendencë, duke pasur parasysh që të dhënat e kompanive të ndryshme nuk janë kaq brilante”, – ka vërejtur Wells Fargo. I referohet në mënyrë të veçantë dy segmenteve, atij bankar dhe industrial, të cilët kanë ende vështirësi për të rimarrë veten nga recesioni që pasoi kolapsin e Lehman Brothers. Megjithatë, ky koncept mund të shtrihet edhe në sektorin e teknologjisë, me Amazon, Apple dhe Google që po shtyjnë për lart të gjithë sektorin.

 

Mediat sociale

Flluska e tretë dhe e fundit është ajo e mediave sociale. Indeksi i mediave sociale Global X është pikë referimi në këtë sektor. I lindur në mesin e nëntorit 2011, ai regjistron ecurinë e titujve kryesorë të aksioneve të lidhur me universin e rrjeteve socialë, të cilësdo natyrë qofshin këta. Që nga fillimi i tij e deri më sot rritja ka qenë më e lartë se 30%, por në fillim të vitit pati një dyfishim në krahasim me nivelin fillestar. Motivin e ka shpjeguar kompania amerikane Jefferies: “Prapa rrjeteve socialë mund të gjesh të njëjtën eufori të flluskës së titujve teknologjikë në fillimin e viteve dy mijë”. Shembull janë kuotimet në bursë të Facebook, Twitter, LinkedIn, Pandora, Groupon dhe Zynga. Media sociale e drejtuar nga Jack Dorsey, pra pikërisht Twitter, ka patur një çmim prej 26 dollarë në nëntor të vitit që kaloi. Por në fund të dhjetorit çmimi ishte mbi 70 dollarë, me një kthim prej 285% në krahasim me vlerën fillestare. Më pas ndodhi kontraktimi, deri sa humbi 50% që nga fillimi i vitit e deri sot. Të tre këto fluska të çmimeve kanë një gjë të përbashkët: bëhet fjalë për korrelacionin me programet e Lehtësimit Sasior (Quantitative Easing – QE) që nisi FED.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency