Nis shqyrtimi i projektligjit/ Hapja e dosjeve: E drejta e informimit për 5 vjet. Qeveria: Jo lustracionit, antikushtetues

0
102

Gëzim Saliu

Hapja e dosjeve Aksesi në dosjet e ish-Sigurimit, jo vetëm të të përndjekurve, por edhe bashkëpunëtorëve dhe ish-punonjësit e Sigurimit

Komisioni i Ligjeve nisi dje shqyrtimin e dy drafteve të projektligjit “Për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit”, i pari i propozuar nga qeveria dhe tjetri nga shoqëria civile, me mbështetjen e dy deputetëve të opozitës, Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi. Këta të fundit nuk pranuan të bëheshin pjesë e diskutimit, për shkak të një ngërçi në procedurë me kryetarin e Komisionit, Xhafaj, e ndërsa opozita braktisi punimet pas debatit lidhur me çështjen e Doshit. Ndërkaq, në diskutimin e projektligjit të qeverisë për hapjen e dosjeve, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, theksoi se ai është mbështetur mbi transparencën dhe jo mbi dënimet kolektive. “Ky është një ligj ekskluziv transparence. Kushtetuta e Shqipërisë nuk i ndalon askujt të drejtën të zgjidhet, të zgjedhë, të punojë, të ndërrojë vendin e punës dhe gjëra të kësaj natyre. Bëhet fjalë për një ligj të transparencës dhe jo një ligj të dënimeve kolektive, çka do të siguronin rrëzimin e menjëhershëm të këtij ligji”, – tha ai. Nga ana tjetër, i pyetur nga deputeti Fino nëse mund të ketë një ndërthurje të projektligjit të qeverisë me atë të shoqërisë civile, ministri u përgjigj negativisht duke pohuar: “Nuk bëhet fjalë për të shartuar mollë me portokalle, këtu bëhet fjalë për të shartuar një proces ligjor që respekton Kushtetutën me një proces amator, antikushtetues. Në vende lindore, qoftë edhe të Ballkanit, që sot janë vende të Bashkimit Evropian, ligje ose shartime ligjesh me elementë të tillë kanë shërbyer vetëm për hakmarrje politike, për eliminim politik kundërshtarësh, për përjashtim nga drejtësia të funksionarëve, që janë përfshirë në procese të rëndësishme, dhe për larje hesapesh të politikës së momentit. Nuk kemi asnjë lidhje me një përvojë të tillë”, – tha Veliaj.

 

Ligji i ri

Në fjalën e tij para deputetëve, ministri Veliaj pohoi se limiti i të drejtës së institucioneve për të informuar të interesuarit do të jetë 5 vjet. “Limitet janë 5 vjet për të drejtën e institucioneve për t’u informuar. Institucionet që emërojnë pyesin direkt, kurse kandidatët që kandidojnë e kanë ata të drejtën të marrin informacionin ose grupi i tyre politikë për kandidatët që duan të promovojnë. Arsyeja pse ka një limit 5 vjeçar është se ka pasur një rekomandim eksplicit të Komisionit të Venecias, pra nuk mund të ketë efekte pambarimisht edhe për çështje të kohës biologjike të njerëzve. Jemi 25 vite pas rënies së komunizmit, pra pas 5 vitesh do flasim për njerëz që se kanë përjetuar kurë komunizmin”, – u shpreh ai. Nga ana tjetër, ministri bëri të ditur disa nga detajet e projektligjit, duke theksuar se të drejtën e marrjes së informacionit krahas të përndjekurve do ta kenë edhe bashkëpunëtorët e Sigurimit. Projektligji synon dhënien e aksesit në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit sipas një procesi të mirërregulluar për të gjithë personat e prekur drejtpërdrejt nga veprimtaria e ish-Sigurimit te Shtetit. Këtu përfshihen jo vetëm personat e përndjekur nga ish-Sigurimi, por edhe vetë bashkëpunëtorët dhe ish-punonjësit e Sigurimit, të cilët në përputhje me dispozitat e këtij projektligji do të kenë të drejtën e aksesit të plotë në të gjithë informacionin e grumbulluar kundër tyre apo prej tyre gjatë viteve të veprimtarisë së Sigurimit”. Sa i përket informimit të institucioneve publike mbi marrëdhëniet që një person, i cili do të promovohet apo emërohet në një pozicion të lartë shtetëror, kushtetues apo publik, ka pasur me ish-Sigurimin e Shtetit, ligji parashikon pikat e pastërtisë së figurave, të cilat përcaktojnë këto burime.

 

 Nismë për referendum/ Doda s’prezanton lustracionin pa propozuesit: Ish-sekretari i partisë Xhafaj shkeli procedurën

Në nisje të mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, kryetari i Komisionit ka kërkuar që paraqitja e draftit për lustracionin të bëhej nga deputetët propozues Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi. Në kundërpërgjigje, deputetja Doda deklaroi në oborrin e Kryesisë së Kuvendit se krahas nxitimit për ta përfshirë draftin në axhendë, Xhafaj nuk pranoi praninë e grupit propozues të projektligjit gjatë shqyrtimit të draftit në Komision. “Kryetari i Komisionit te Ligjeve, Fatmir Xhafaj, personi që preket drejtpërdrejt nga ligji i dosjeve si ish-sekretar i Rinisë Komuniste Shqiptare, sot zhbëri një tjetër procedurë parlamentare. Pa as 24 orë paralajmërim, kërkoi që të shqyrtonte me urgjencë ligjin e lustracionit që ndërkohë e kishte lënë të flinte për më shumë se tre muaj në sirtarët e komisioneve dhe nuk pranoi në asnjë mënyrë që të ishin të pranishëm në seancën e shqyrtimit në Komisionin e Ligjeve hartuesit e ligjit, përkatësisht Grupi Shqiptar për të Drejtat e Njeriut, dhe as shoqatat e tjera që e mbështesin Studentët e Dhjetorit dhe të persekutuarit politikë”, – tha ajo. Nga ana tjetër, Doda së bashku me shoqërinë civile do të ndërmarrin nismën për hapjen e një referendumi. “Hartuesit e ligjit nuk mund të jenë thjesht kukullat e ish-sekretarëve të Rinisë, ish-byroistëve të dikurshëm, ish-prokurorëve. Do të duhet që të jenë ata personat, të cilët do të duhet të përballen me variantin që kanë sjellë në Parlament dhe kurrsesi deputetët, ish-studentë të dhjetorit nuk do të bëhen pjesë e kësaj farse për të hequr hartuesit e vërtetë dhe për të vënë përpara një proces farsë”, – pohoi Doda. Në të njëjtën linjë, kryesuesja e Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut, Elsa Ballauri, tha: “Flitet për një ligj në njërën anë, që merret vetëm me bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit dhe ne ndërkohë kemi këtë ligj, por duke i shtuar pjesën e lustracionit. Lustracioni janë ata njerëz, të cilët kanë bërë politikëbërjen shqiptare në periudhën e diktaturës”.
OSBE rrëzon draftin e Dodës dhe Idrizit, mbështet qeverinë

Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Evropian (OSBE), e cila ka ndjekur nga afër të dyja nismat ligjore për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, u shpreh dje se projektligji i sjellë nga shoqëria civile dhe i mbështetur nga deputetët Mesila Doda e Shpëtim Idrizi nuk përmbush standardet ndërkombëtare dhe kombëtare për çështjen e lustracionit. Ky ligj është shpallur antikushtetues dhe është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese. Në faqen 2, për projektligjin e Mesilës: “Pas një shikimi të kujdesshëm të projektligjit, duket se paragrafët kyç lidhur me procedurën e lustracionit, projektligji ofron të njëjtat mjete dhe procedura si ligji nr. 10034, i datës 15/01/2009 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”. Ky ligj, sidoqoftë, u shpall si antikushtetues dhe u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese me vendimin e shtatorit 2010”. Në faqen 5, për pr.ligjin e Mesilës: “Dispozitat e projektligjit nuk përcaktojnë një afat kohor lidhur me kohëzgjatjen e masës së lustracionit. Kjo nuk është në përputhje me Udhëzimet e KiE-së…” Në faqen 6, për pr.ligjin e Mesilës: “Projektligji nuk e përmbush këtë kriter. Ai nuk parashikon një mekanizëm të përshtatshëm, që vërteton fajin në baza individuale, ashtu siç rekomandohet nga Rezoluta e KiE-së…”. Në faqen 10, për pr.ligjin e Mesilës: “Dispozitat e projektligjit lidhur me pozicionet e zgjedhura nuk janë në përputhje me Udhëzimet e KiE-së”. Nga ana tjetër, OSBE deklaroi se projektligji i qeverisë është një nga mënyrat për të trajtuar trashëgiminë e regjimit të mëparshëm totalitar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency