Në Parlament / Berisha: CEZ-it iu falën 800 mln euro, aferë Rama-Fule. Kujt s’ia mban për hetim, ka përgjegjësi

0
123

 

berisha kuvend“Qeveria çeke s’mund të vinte veton, nuk mund të bllokonte statusin. Kjo ishte një kërkesë e Ramës, sepse duheshin ndarë paratë”

Gëzim Saliu

 

Ish-kryeministri Berisha deklaroi dje nga salla e Parlamentit se me marrëveshjen e qeverisë kompanisë çeke CEZ iu falën 800 milionë euro. Përmes një fjalimi të gjatë ku shprehu edhe një herë gatishmërinë për një hetim ndërkombëtar të çështjes “CEZ” që nga gjeneza e saj e deri në ditët e sotme, Berisha tha se kjo aferë i ka kushtuar shqiptarë 1200 euro për secilin. “Sot kishit të drejtën më legjitime që kjo seancë sot të votonte ligjin e hetimit të aferës më korruptive, që i ka kushtuar secilit prej 1200 euro pa llogaritur ndërprerjet e energjisë, pa llogaritur gjobat e tmerrshme të pamerituara që viheshin ndaj jush për të mbushur gropën, pa llogaritur bizneset e falimentuara për shkak të kësaj afere. CEZ-it iu falën në zarf me dokumente të pakundërshtueshme ju falën të paktën 500 milionë euro, jo 600. Pra, borxhi neto pa klemet e dëmtimeve, borxhi monetar ishte 800 milionë euro, sepse këtë thotë auditi ndërkombëtar”, – deklaroi ai.

 

Rama-Fule

Për ish-kryeministrin e vendit momenti kur CEZ falimentoi bëri të domosdoshme heqjen e licencës, por, sipas Berishës, në një vendim të marrë me të gjithë bazën ligjore Rama sulmoi haptazi qeverinë e kaluar se iu hoq licenca CEZ. “CEZ kërkoi 85 mln euro për t’u ndarë me pajtim dhe u zotua se çështjen e DIA-s do ta zgjidhte vetë se nuk është çështja jonë. Të dhënat që erdhën nga kompanitë ndërkombëtare ishte mbështetëse për palën shqiptare. Interesi i vendit tim më shtyn të mbroj interesin e qytetarëve. Kam parë aferën e tmerrshme që po rëndon mbi ta. Qeveria ime është bazuar në dy parime, parimi i parë të ndihmojë diçka për suksesin e CEZ-it dhe i dyti të mbrojë interesin publik. Kjo ka qenë”, – deklaroi ai. Më tej, ai deklaroi se kishte folur më parë për një bashkëpunim mes Ramës dhe ish-komisionerit Fule që ishin përfshirë së bashku në aferën “CEZ”, duke theksuar se kjo u vërtetuar më pas me deklaratën e sekretarit të energjisë sipas së cilës statusi u mor vetëm pasi u firmos marrëveshje me kompaninë ceke. “Kam denoncuar në hipotezë një veprimtari të qëllimshme të Ramës të lidhur direkt me komisionerin Fyle. Nuk e kam bërë me kënaqësi, por e kam bërë se kam parë aferën e tmerrshme që po rëndon mbi qytetarët. Unë kam shprehur qëndrimet e mia për veprimet e komisionerit Fyle. Uroj që të jetë një rast i izoluar. Po ashtu për z. Kopac që tha se marrëveshja u firmos në zyrën time. Pse duhet të ishe ti, kumbar i marrëveshjes dhe të vijë në Tiranë për të mbrojtur Edi Ramën? Nuk mundet një zyrtar nga Brukseli të vijë në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese të Kuvendit e të thotë se Çekia e hoqi veton gjysmë orë pas firmosjes së marrëveshjes. Atëherë po del ajo që thashë se është marrëveshje e kulisave. Megaafera është e kulisave”, – theksoi ish-kreu i qeverisë shqiptare. Ndërkohë duke iu referuar deklaratave mohuese të Kryeparlamentarit për një lobim të tij për kompaninë DIA të Ismailajt, Berisha pohoi: “Nuk jam unë, po Hajsek dhe media që thotë se “më erdhi në Pragë për të negociuar për kompaninë DIA. Hajsek e thotë atë. E ka takuar apo jo, kjo është punë për të. E zgjidhshme. Ke qenë me Kastriot Ismailaj, s’ke qenë… Heto”. Në fund të fjalës së tij duke i bërë thirrje kreut të grupit të PS-së për të votuar hetimin ndërkombëtar, ish-kryeministri tha se ai që nuk e do këtë hetim do të mbajë përgjegjësi. “Ndaj unë i bëj thirrje, z. Ruçi, që ta votoni hetimin ndërkombëtar. Nuk ka gjë më urgjente se kjo. Hetimi të përfshijë që nga dita e parë e ndërmjetësimit të procesit të privatizimit pa asnjë kufizim. Kujt nuk ia mban, ka përgjegjësi”, – u shpreh Berisha.

 

box

Trokitja e gotave

Berisha për marrëdhëniet me Metën: Janë po të njëjtat, s’kanë ndryshim

 

Megjithëse kohët e fundit ish-kryeministri dhe Kryeparlamentari kanë qenë mjaft të afërt në qëndrimet e tyre, ku së bashku kanë kërkuar hetim ndërkombëtar për CEZ-in e ndërsa dy ditë më parë trokitën gotat në festën e Kinës, Berisha tha se marrëdhëniet me Metën janë po të njëjta. “Skupet mediatike janë skupe mediatike. Unë nuk merrem me skupe. Marrëdhëniet e mia me të janë ato që kanë qenë nuk kanë asnjë ndryshim, nëse mendohet se nuk mund të flitet ndonjëherë kjo nuk shkon”, – tha ai. I pyetur nëse i qëndron mendimit për dorëheqjen e Metës, ish-kryeministri u përgjigj duke pohuar: “I qëndroj mendimit siç i kam shprehur më parë”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here