Në Lezhë e Shënkoll/ Basha: Bashkëpunim me qeverinë, nëse pranohet oferta për ulje taksash dhe vende të reja pune

0
116

Gëzim Saliu

Lezhe BashaKreu i PD-së: 21 qershori është dita e zgjidhjes së halleve të qytetarëve, japim mesazhin më të fortë të Shqipërisë demokratike

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shprehu dje gatishmërinë për të bashkëpunuar me qeverinë, nëse ajo do të pranojë ofertën e PD-së për ulje taksash dhe të çmimit të energjisë si edhe për investime që hapin vende pune. Nga Lezha ku vazhdoi turin e bashkëbisedimit me qytetarët për zgjedhjet vendore të 21 qershorit, kryedemokrati tha se oferta e PD-së u përmbahet interesave jetike të qytetarëve. “Po të pranojnë platformën tonë për uljen e çmimit të energjisë me 25% dhe faljen e kamatë-vonesave për energjinë e ujin anembanë Shqipërisë, për uljen e taksës në nivelin më të ulët në Ballkan, 9%, për rritjen e rrogave e pensioneve përtej indeksimit të inflacionit, për financimin me prioritet të sektorëve të diskriminuar, siç është sektori i bujqësisë, turizmi, për nxitjen e punësimit rinor, përmes një regjimi veçanërisht lehtësues për bizneset që hapin vende pune për të rinjtë, ne jemi gati të bashkëpunojmë sepse për ne pushteti nuk është qëllim më vete por është shërbimi ndaj jush, është qëllim i padiskutueshëm. 21 qershori është dita kur ne do i japim mesazhin tonë më të bashkuar e më të fortë që ka dhënë ndonjëherë Shqipëria demokratike”, – deklaroi ai.

 

Takimet

Në takimet në Lezhë Basha ndau me banorët shqetësimin për situatën e rëndë ekonomike që po kalon vendi, ku tha se dyshja Rama-Meta jo vetëm nuk kanë mbajtur asnjë premtim por e kanë zhytur vendin në varfëri, papunësi dhe mjerim. “U çuam amendamentet për hallet e problemet e mëdha të Shqipërisë, për premtimet e tyre të harruara. Rrëzuan amendamentin tonë për uljen e TVSH-së për energjinë elektrike, nga 20 në 6%, në mënyrë që familjet shqiptare ta paguanin më lirë energjinë elektrike, rrëzuan amendamentin tonë për rritjen e rrogave e pensioneve. Të tilla amendamente rrëzuan një nga një, duke përfshirë amendamentin për punësimin e rinisë ku i propozuam të hiqnin taksat për ato biznese që punësojnë të rinj, për të paktën një vit. Refuzuan kështu, jo propozimet e opozitës por refuzuan hallet e problemet e qytetarëve”, – u shpreh kreu i PD-së. Ndërkaq në takimin me banorët e Shënkollit, Basha u njoh me shqetësimin e banorëve për faturat e larta dhe abuzive të energjisë elektrike, mungesën e subvencioneve, rritjen e çmimit të naftës, çka e ka bërë më të vështirë punimin e tokës “Nuk i shohin hallet tuaja, nuk duan t’i dëgjojnë hallet tuaja, papunësinë, varfërinë, taksat e larta, çmimet e papërballueshme të karburantit e energjisë ndaj dhe në 21 qershor thonë nuk është koha të merremi me hallet e shqiptarëve. Unë ju them sot nga Shënkolli, 21 qershori është dita e zgjidhjes së halleve tona”, – theksoi kreu i PD-së .

 

Me kryesuesin e vëzhguesve të ODIHR-it/ Basha, Gloverit: Skema e manipulimit të votave ka nisur të konkretizohet nga Rama-Meta

Partia Demokratike denoncoi dje tek misioni i vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it atë që ajo e cilëson tentativë të mazhorancës për të manipuluar votat e 21 qershorit. Kryedemokrati Basha priti dje në takim shefen e misionit të vëzhguesve Audrey Glover, të cilës i raportoi çdo rast konkret që Partia Demokratike dhe opozita në tërësi i konsideron rrezik për standardet e zgjedhjeve. Sipas Bashës, skema e manipulimit të votave, ka nisur të konkretizohet nga dyshja Rama Meta. Një tjetër shqetësim i ngritur nga Partia Demokratike ishte edhe dhuna e ushtruar në takime elektorale ndaj simpatizantëve demokratë. Kreu i PD-së denoncoi tek misioni vëzhgues edhe rastin e Kurbinit, që sipas tij është manipulim i mazhorancës nëpërmjet KQZ. Procesi i dekriminalizimit ishte një tjetër shqetësim i ngritur nga lideri i opozitës, i cili akuzoi drejtpërdrejt mazhorancën për mungesë vullneti në këtë proces. Nga ana e saj Glover u kujdes te mbante shënim çdo shqetësim te denoncuar nga Basha dhe ne fund u angazhua për monitorim të thellë dhe serioz të situatës.

 

Denoncimi/ PD: Faktet e para për skemën e manipulimit të votave nga mazhoranca

Partia Demokratike përmes kreut të grupit parlamentar Edi Paloka duke iu referuar emisionit investigativ, “Ça thu” në “Agon Channel”, tha se aty u paraqitën fakte tronditëse që nxjerrin në pah mekanizmin kriminal të vënë në lëvizje për të manipuluar zgjedhjet e 21 qershorit. “Në këto pamje që shihni në ekran, të sapotransmetuara nga “Agon Channel”, duket qartë se kemi të bëjmë me një bandë të mirorganizuar që falsifikon kartat e identitetit të cilat janë planifikuar të shpërndahen e të kthehen në vota. A ka dijeni Edi Rama dhe Ilir Meta për prodhimin në seri të këtyre kartave dhe a po dalin ato në treg sipas nevojave të tyre elektorale? Kush ka sot nevojë për vota në Shkodër? Kush kërcënon nga foltorja e parlamentit se me 21 qershor do ta shohim rezultatin në Shkodër? A kanë përgjegjësi Edi Rama kryeministër dhe Ilir Meta kryetar parlamenti për këtë aktivitet kriminal që ndodh në prag të zgjedhjeve?”, – pyeti Paloka.

 

Premtimi/ Kosova: Hapim 24 mijë vende të reja pune

Brenda 4 viteve qytetarëve të Tiranës do t’u hapet mundësia për 24 mijë vende të reja pune, të nxitura nga politikat direkte të Bashkisë së re të kryeqytetit që do të dalë nga zgjedhjet e 21 Qershorit. Këtë premtim dha dje kandidati i koalicionit të djathtë për Tiranën Halim Kosova gjatë një takimi me përfaqësues të biznese që mbajti pranë lulishtes “Tre Vëllezërit Frashëri”. “Ju e dini tashmë se moto jonë është puna dhe dinjiteti dhe në programin tonë punësimi mbart një peshë të madhe. Prandaj kemi vendosur të investojmë një shifër gati 15 milion euro për të nxitur punësimin dhe sipas planit tonë do të jenë rreth 24 000 të punësuar në katër vite qeverisje lokale”, tha ai. Ndërkaq Kosova tha se 10 mijë mundësi të tjera punësimi kryesisht për të rinjtë do të krijohen nëpërmjet trajnimeve me ndërmjetësi të Bashkisë. Po ashtu ai premtoi se do të ulë 30% taksën e pronës që paguajnë sipërmarrjes. “Ju jap një shembull. 1 kompani e madhe për taksën e pronës paguan çdo vit 70 mijë euro. Pyes sipërmarrësin: Nëse unë si kryetar bashkie të ofroj ulje 30%, çfarë do bësh. “Këto lekë unë të siguroj që do ta shndërrojmë në mundësi punësimi”, – citoi Kosova përgjigjen e tij. Gjetje ideale se si të ndihmojmë biznesin”, – u shpreh kandidati i Aleancës për Punë dhe Dinjitet për Bashkinë e Tiranës. Më tej Kosova premtoi lehtësim të procedurave për ato sipërmarrje që hapin vende të reja pune. “Marr përsipër të ofroj çdo individi apo sipërmarrësi që hap vende të reja pune thjeshtimin e procedurave nga 4 në 1 dhe realizimin dhe përgjigjen do ta marrë në kohë rekord duke ofruar si mundësi të re “One stop shop, teksa punësime te tjera do të bëhen edhe përmes ndërmjetësimit nga Bashkia, ku të rinjtë do të kenë një rol primar”, – tha ai. Ndërkaq gjatë një takimi me të rinjtë e Partisë Republikane ku ishin të pranishëm edhe dy kongresmenë amerikanë, kandidati demokrat për bashkinë e Tiranës Halim Kosova pohoi se ka marrë një letër urimi nga ish-presidenti amerikan Xhorxh Bush.

 

Topalli e Imami mbështesin Ademin, kandidatja: T’i rikthejmë dinjitetin njerëzor përmes punës

Partia Demokratike hapi në qytetin e Shkodrës fushatën për kandidaten e koalicionit opozitar për këtë Bashki Voltana Ademi. Në këtë takim mori pjesë si i deleguari i partisë për këtë njësi Arben Imami ashtu edhe kryesuesja e listës së deputetëve të Shkodrës Jozefina Topalli. Nga ana e saj kandidatja Ademi deklaroi se do të punojë me përkushtim për të bashkuar të gjithë energjitë për Shkodrën.“Të gjithë bashkë jemi të ndërgjegjshëm që situata ekonomike në vend, por sidomos ajo në Shkodër ka pësuar një rënie dramatike përgjatë dy viteve të fundit të qeverisjes Rama-Meta. Koalicioni i majtë PS-LSI ka mbjellë varfëri, varfëri ekstreme, papunësi, pasiguri për jetën. Pa pasur një rrugë shpëtimi, shkodranët gjithnjë e më shumë po largohen nga Shqipëria pasivisht, me gra dhe fëmijë, si në fillim të viteve ’90. Qeveria thotë se këta njerëz ikin të mashtruar nga krimi i organizuar, por i vetmi organizator dhe nxitës i kësaj të keqeje të madhe është dyshja Rama-Meta. Jemi këtu për të treguar vendosmërinë tonë për të rikthyer dinjitetin njerëzor nëpërmjet punës dhe përgjegjshmërisë. Ne duhet të bëjmë më shumë për Shkodrën tonë, Shkodrën e kulturës dhe traditës”, – tha ajo.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here