Në grupin e PS-së/ Sot përballen Rama dhe Doshi, do përjashtohet deputetit rebel apo do tërhiqet kryeministri?!

0
114

Gëzim Saliu

rama,doshiTaktikat dhe strategjitë e një jave për të mbërritur në mbledhjen e sotme, nga takimet kokë për kokë tek negociatorët e përfshirë në lojë nga kryeministri

Java e ngarkuar me tension, debate dhe akuza në rradhët e socialistëve pritet të arrijë kulmin në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të forcës më të madhe politike në vend. Deputeti “rebel” Tom Doshi do të përballet sot me kreun e qeverisë Edi Rama, të cilin e akuzoi si bukëshkalë e mosmirënjohës, si edhe me qëndrimet e kolegëve socialistë, ku pritet të mos ngelen pas kritikat. Doshi ka bërë  të ditur prezencën e tij në mbledhjen e sotme dhe po ashtu kryeministri Rama pritet të jetë i pranishëm në këtë takim jashtë rradhe, pasi në të kundërt kjo do të interpretohej jo vetëm në media, por edhe brenda rradhëve të së majtës si një shenjë frike apo nënshtrimi. Mbledhja vjen pas disa takimeve që Doshi ka zhvilluar me deputetët të mazhorancës si edhe deklaratave të shpeshta në media, të disa deputetëve të njohur si mbështetës së kryeminisitrit, që kanë kritikuar ashpër Doshin për komentet e tij rreth Ramës dhe qeverisë. Pas konsultimeve dhe negociatave me deputetët Kokëdhima dhe Balla, Doshi dha shenja të zbutjes së gjuhës, duke thënë se i vetmi tolerim që është i gatshëm t’i bëjë Ramës është të presë deri më 21 qershor, për të parë nëse Kryeministri do të mbajë premtimet që i ka bërë qytetarëve shkodranë. Nëse ky armëpushim i përkohshëm do të pranohet nga kreu i qeverisë ekziston mundësia që mbledhja e sotme e grupit të mos sjellë situata jashtë normales. Nga ana tjetër, versioni i ndëshkimit për Doshin shkon nga një paralajmërim deri në largimin e tij nga grupi i deputetëve të PS, pasi mësohet se një pjesë e deputetëve të PS-së, të njohur për afrinë e tyre me kreun e qeverisë kanë theksuar se me deklaratat dhe komentet e dhëna deputeti i qarkut rë Shkodrës duhet përjashtuar nga grupi parlamentar.

 

Skenarët

Ndryshe nga cdo të martë, këtë herë grupi parlamentar socialist do të mblidhet jashtë rradhe ditën e sotme, kjo me arsyen kryesore të diskutimit të problemeve të shfaqura gjatë javës nga deputeti Tom Doshi. Sipas burimeve pranë selisë së forcës më të madhe partiake, mësohet se në mbledhje krahas sqarimit ballë për ballë mes kryeministrit Rama dhe deputetit të qarkut të Shkodrës, nuk do të mungojnë edhe deklaratat e ligjvënësve të tjerë socialistë. Kështu pritet që një pjesë e tyre të shprehin mendime mbi komentet e bëra nga Doshi  në media, ku nuk përjashtohet mundësia e parashtrimit në mbledhje edhe e kërkesës për largimin e deputetit nga grupi i PS-së. Por për këtë të fundit duket se shanset janë të pakta, ai për shkak të deklaratës së deputetit për të vërteta që trondisin themelet e mazhorancës dhe qeverisë, ashtu edhe në saj të peshës së vetë Doshit në elektorat.  Mundësia e rikthimit të normalitet në marrëdhëniet mes kryeminisitrit dhe deputetit të qarkut të Shkodrës duket e vështirë, por në mbledhjen e sotme shanset më të shumta janë për një paqe me kohë të limituar e me kushte mes tyre. Ndonëse kreu i qeverisë njihet për temperamentin e tij kundër deklaratave dhe kritikave  në publik të deputetëve të grupit parlamentar, duket se në mbledhjen e sotme do të kërkojë më shumë dialogun se sa konfrontimin me deputetin Doshi. Ndërkaq ky i fundit edhe pse duket disi më pak në pozita sulmuese ndaj kryeministrit dhe qeverisë sec ishte ditë më parë, ende nuk ka ndryshuar qëndrim. Edhe pse konsultat e negociatat me deputetët Kokëdhima dhe Balla nuk shkuan keq, takimi i fundit me ministrin e Brendshëm ka sjell një përkeqësim të marrëdhënies mes të dyve, gjë e cila pritet të reflektohet edhe në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar socialist.

 

Itenerari i konfliktit Rama- Doshi, negociatat dhe përplasjet

Konflikti i hapur mes kryeministri Rama dhe deputetit Tom Doshi, edhe pse ende pa një përballje direkte, nisi një javë më parë në mbledhjen e grupit parlamentar socialist. Në këtë mbledhje që drejtohej nga kreu i grupit parlamentar Ruçi, deputeti i Shkodrës shprehur një sërë kritikash ndaj disa ministrave të qeverisë, duke mos lënë pa akuzuar edhe drejtoreshën e tatimeve Briseida Shehaj. Në formë reagimi ndaj rebelimit të deputetit, kryeministri Rama mblodhi të nesërmen në kryeministri disa ligjvënës socialistë, ku i cilësoi deklaratat e Doshit si personale. Kjo ka mjaftuar për të acaruar edhe më shumë marrëdhëniet mes kreut të qeverisë dhe deputetit të Shkodrës, ku ky i fundit do të deklaronte nga oborri i Kuvendit se koha e paqes mes tij dhe Ramës kishte marrë fund. Duke e cilësuar kryesocialistin si bukëshkelur dhe mosmirënjohës, Doshi e sfidoi Ramën me të vërtetat e tij, duke thënë se publikimi i tyre do të trondiste themelet e mazhorancës së majtë dhe vetë qeverisë. Menjëherë në sallën e seancës plenare u përcoll lajmi i deklaratave që kishte dhënë Doshi jashtë, duke sjellë acarim të situatës në kampin e majtë. Në seancë nuk munguan gjestikulacionet e Doshit kundrejt kryeministrit e do të duhej ndërhyrja e deputetit Kokëdhima dhe nënkryetarit të grupit parlamentar Balla, për të qetësuar disi deputetin e Shkodrës. Negociatat në drekën mes tyre nuk ndryshuan qëndrimin e Doshit por se ndikuan në zbutjen e tonalitetit të deputetit socialist, i cili tha se kryeministri ka kohë deri më 21 qershor për të mbajtur premtimet e tij. Deklaratat e Doshit duket se janë diskutuar mes kryeministrit Rama dhe kreut të grupit parlamentar Ruçi në vizitën që ata zhvilluan ër dy ditë me rradhë në Bukuresht. Kjo ishte ndër të paktat raste kur në vizitat jashtë vendit, kreu i qeverisë zgjodhi si shoqërues të tij numrin një të grupit parlamentar socialist, gjë e cila duket si një masë paraprake e Ramës për të patur pas vetes në këtë përballje Ruçin. Ndërkaq ndaj deklaratave të Doshit nuk mungoi reagimi i deputetëve të PS-së, ku një pjesë e tyre u shprehën në media kritik ndaj qëndrimit të deputetit shkodran, Nga ana e tij ministri i Brendshëm, do t’i quante akuzat e Doshit si shpifje banale të tipit Berisha. Kjo duket se nuk i pëlqeu deputetit socialist, ku ditën e djeshme u zhvillua një takim mes tij dhe ministrit në një nga restorantet në Tiranë. Ky takim ka qenë mjaft i tensionuar mes ministrit dhe Doshit, ku nuk kanë munguar tonet e larta. Mësohet në këtë takim, ministri i ka pohuar deputetit se me sjelljen dhe akuzat e tij ka kopjuar opozitën dhe ish-kryeministrin Berisha. Kjo nuk i ka pëlqer Doshit, i cili i ka numëruar ministrit disa nga kritikat e bëra publike më parë lidhur me situatën e rendit dhe sigurisë në vend. Ministri Tahiri bën pjesë në grupin e deputetëve që kërkojnë përjashtimin e Doshit nga grupi parlamentar i PS, gjë kjo që mbështet edhe nga një pjesë tjetër e deputetëve socialist, kryesisht ato të njohur për afrinë me kryeministrin Rama. Nga ana tjetër edhe pse njihet si një bashkëpunëtor i kreut të qeverisë, deputeti Kokëdhima, nuk bën pjesë në grupin kundër ligjvënësit shkodran.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency