Ndryshojnë taksat / “Reforma territoriale dhe decentralizimi fiskal”, preken 20.000 nëpunës vendorë dhe 4000 këshilltarë

0
144

fino cani cuciFlorenc Drizari

“Po, do t’i prekim, bëhet fjalë për 373 kryetarë njësish lokale, mbi 4000 këshilltarë vendorë dhe një administratë rreth 20.000 nëpunës vendorë. Kuptohet që kjo do të çojë në efiçencë dhe sigurisht që e gjithë kjo efiçencë do të çojë në 6 miliardë lekë kursime nga kjo administratë, para të cilat do të përkthehen në më shumë investime”

 

Pas miratimit të reformës administrative-territoriale në Kuvendin e Shqipërisë, mazhoranca hedh në tryezë rishikimin e kuadrit të decentralizimit fiskal. Qeveria argumenton se fuqizimi i njësive të qeverisjes vendore pas përmbylljes të reformës administrative kërkon një strategji të re, për të cilën pritet miratohen disa projektligje.

Parashikohet që në një periudhë afatmesme, tre deri në pesë vjet, të zbatohet sistemi i taksave kombëtare të ndara, një instrument fiskal që, sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Financave, hap perspektivë të re financiare për qeverisjen vendore. Gjithashtu, sipas këtyre argumentimeve, taksa mbi pasurinë do të jetë një nga burimet kryesore të taksave vendore, që do t’i nënshtrohet një reforme të thellë, përfshi aplikimin e kadastrës fiskale. Sipas përllogaritjeve të MF-së, nga mosmbledhja e taksës mbi pasurinë, aktualisht qeverisja vendore humbet çdo vit rreth 11 miliardë lekë. Një taksë e re vendore që do të aplikohet për herë të parë, do të jetë edhe taksa mbi truallin dhe, sipas përfaqësuesve të ekzekutivit, kjo do të rrisë të ardhurat dhe autonominë fiskale të qeverisjes vendore.

Reforma për decentralizimin fiskal prek drejtpërsëdrejti 373 kryetarë njësish lokale dhe shkurtimin e rreth 20 mijë punonjësve, ndërsa ministri i Financave, Shkëlqim Cani, theksoi se efektet do të çojnë në 6 miliardë lekë kursime nga kjo administratë.

“Që pushteti lokal nuk arrin të realizojë gjysmën e të ardhurave, nuk është ndonjë gjë e re kjo, ndërkohë që vetë fragmentarizimi i administratës lokale, jo vetëm që krijonte kosto, por prodhonte edhe inefiçencë dhe çka është më e rëndësishmja, qytetarit nuk i shkonte shërbimi në sasi, por sidomos në cilësinë e duhur. Kështu që reforma i prek këto, ne nga ana financiare themi që: Po, do t’i prekim, bëhet fjalë për 373 kryetarë njësish lokale, mbi 4000 këshilltarë vendorë dhe një administratë rreth 20.000 nëpunës vendorë. Kuptohet që kjo do të çojë në efiçencë dhe sigurisht që e gjithë kjo efiçencë do të çojë në 6 miliardë lekë kursime nga kjo administratë, para të cilat do të përkthehen në më shumë investime. Në këtë kuptim zgjidhim një problem që zgjat në mbi dy dekada”, – deklaroi ministri Cani gjatë tryezës së organizuar dje me ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, si dhe përfaqësues të USAID-it.

Tryeza e rrumbullakët pati në fokus diskutimet për “reformën territoriale dhe decentralizimin fiskal”, ndërsa theksi u vu tek rishikimi i kuadrit të decentralizimit fiskal, sfidat dhe masat që do të ndërmerren pas reformës së miratuar pak javë më parë nga qeveria.

Gjatë fjalës së tij në këtë tryezë, ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, theksoi se “fuqizimi i njësive të qeverisjes vendore pas përmbylljes të reformës administrative kërkon një strategji të qartë dhe një plan veprimi konkret për të cilën është punuar paralelisht me reformën territoriale dhe shumë shpejt pritet shpallja e saj. Masat që do të ndërmerren synojnë konturimin e një sistemi të qartë, të parashikueshëm, transparent dhe efektiv që do të hapë mundësitë e reja financiare për qeverisjen vendore për më shumë të ardhura lokale”. Përpos këtyre deklaratave, ndodhet edhe qëndrimi i opozitës, e cila e konsideron si antikushtetuese reformën administrative-territoriale. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, tha pak ditë më parë se me këtë hartë opozita nuk hyn në zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor.

 

 

Rekomandime për veprimet kryesore

USAID për projektin e planifikimit dhe qeverisjes vendore

Të miratohet një “Strategji e re Ndërsektoriale Kombëtare për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore”

Të rishikohet ligji 8652

Të miratohet një ligj për financat e qeverisjes vendore

Të rishikohet sistemi i granteve/transfertave ndërqeveritare

Të përmirësohen të ardhurat nga burimet e veta të NJQV

Të mundësohet huamarrja e qeverisjes vendore

Të shqyrtohet mundësia e ndarjes së të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale (TAP)

 

 

 

Vizita e Papës në Shqipëri, Rama e Basha “përplasen” për investimet e sheshit “Nënë Tereza”

Rikonstruksioni i sheshit “Nënë Tereza”, me rastin e vizitës së Papa Françeskut, bëhet sërish objekt debati mes qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës, Kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Lulzim Basha.

Me anë të një mesazhi në rrjetin social “Facebook”, Kryeministri Rama ironizoi punën e Bashkisë së Tiranës, duke rekomanduar lyerjen e shtyllave pranë bulevardit të kryeqytetit, ndërsa nga ana tjetër kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, njëherësh kryetar i PD-së, u është kundërpërgjigjur akuzave, duke shtuar se për 11 vite Rama e la kryeqytetin në pikë të hallit.

Rama shkruante një ditë më parë se Bashkia duhet të lyejë shtyllat dhe jo të krenohet me punët e të tjerëve. “T’ia thotë dikush Bashkisë të lyejë shtyllat e bulevardit se boll u krenuan me punët e të tjerëve për vizitën e madhe”, – shkruan Rama. Ndërsa një ditë më parë, gjatë inspektimit të punimeve në sheshin “Nënë Tereza”, kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, theksoi se institucioni që ai drejton po bën punët që të tjetër nuk i kanë bërë. Më anë të një mesazhi në rrjetin social “Facebook”, kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka bërë me dije se tani që nis lyerja e shtyllave, Kryeministri Edi Rama fillon e bërtet.

“Bashkia rregullon sheshin “Nënë Tereza”, Vajmedeti që e la në pikë të hallit për 11 vjet del e bën selfie. Bashkia financon altarin, Vajmedeti që refuzoi ta financonte poston fotot e projektit. Tani që Bashkia nis lyerjen e shtyllave, del Vajmedeti dhe bërtet: të lyhen shtyllat! Çfarë mjerimi…”, – thuhet në mesazhin e Bashës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency