Ndarja e territorit / Opozita nuk tërhiqet, harta territoriale, e papranueshme

0
142

korca

Erneta Shevroja

Ndarja territoriale është miratuar vetëm me votat e mazhorancës. PD e kundërshton

Ndarja e re e territorit me 61 njësi bashkiake është e papranueshme për Partinë Demokratike. Këtë qëndrim e ka mbajtur qëkur filloi diskutimi për ndarjen e re të territorit dhe këtë qëndrim vijon të mbajë edhe tani. Opozita e vlerëson hartën e re si “elektorale”, që do t’i japë së majtës fitoren në tryezë. Ndërkohë, lideri i demokratëve, Lulzim Basha, paralajmëroi se e djathta do të përdorë të gjitha mjetet për të kundërshtuar ndarjen e re të territorit me 61 njësi.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, i pyetur në lidhje me deklaratën e ambasadorit Arvizu në një intervistë televizive, që deklaroi se opozita duhet të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, u shpreh se nuk mund të mbahet tjetër qëndrim, ndarja nuk mund të pranohet nga PD-ja. Në një reagim për gazetën “Standard”, nënkryetari i PD-së, Spaho, tha se qëndrimi i shprehur nga kryetari Basha ishte përfundimtar. “Nuk kam asnjë reagim ndaj deklaratës. Kryetari i PD-së doli në një qëndrim zyrtar sa i përket ndarjes territoriale dhe nuk ka asgjë që mund të shtojmë. Ndarja territoriale e bërë nga mazhoranca është e papranueshme”, – tha Spaho për “Standard”.

Ditën që Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë ankimin e PD-së, kreu i saj, Basha, u shpreh i prerë se harta është e papranueshme dhe e djathta do të përdorë të gjitha instrumentet për ta kundërshtuar atë. “PD nuk e pranon dhe nuk do ta pranojë kurrë këtë tortë të dyshes Rama-Meta. Ne do ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm institucionalë e demokratikë për të vendosur interesin e qytetarëve mbi këtë çështje dhe për t’u kujtuar oligarkëve se pronarë të vendit nuk janë ata, por sovranët që shprehen e vazhdojnë të shprehen. 70 mijë firma janë mbledhur dhe PD do të jetë pranë protestës së tyre legjitime kundër kësaj maskarade”, – theksoi Basha. Po ashtu, demokratët kanë deklaruar se më këtë ndarje të djathtët nuk do të hyjnë në zgjedhjet vendore të 21 qershorit të vitit që vjen. Nga ana tjetër, mazhoranca është shprehur se ky është një vendim politik. Kryeministri Rama është shprehur se nëse opozita vendos të mos hyjë në zgjedhje, kjo është një gjë që nuk prek aspak mazhorancën dhe zgjedhjet do të zhvillohen edhe pa të djathtën. Pyetja shtrohet: A mund të zhvillohen zgjedhje vendore me vetëm një koalicion?!

Ndërkaq, mjeti për të cilin foli kreu i PD-së janë referendumet lokale. Sipas demokratëve, banorët e zonave, të cilat do të shkrihen për të formuar një njësi tjetër me të madhe, nuk janë pyetur. Qëndrimi i demokratëve është se para se njësitë (komuna dhe bashki) të shkrihen, duhet të merret mendimi i qytetarëve, nëse ata janë dakord apo jo me vendimin e qeverisë.

 

 

 

Mosrealizim investimesh

Buxheti i 2014-ës do të rishikohet, Cani: Vendimi, në fund të dhjetorit

Ministri: Ne jemi në diskutim, akoma ka nevojë rialokimi të investimeve apo jo

 

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, deklaroi se qeveria mund të rishikojë buxhetin e këtij viti, pasi janë shpenzuar vetëm 57% e tij për investime. Për 11 muaj, ekzekutivi ka shpenzuar vetëm 57% të buxhetit për investime, çka mund të detyrojë korrigjime të tjera në buxhet. Kështu, mosrealizimi i investimeve publike, sidomos ato me financim të brendshëm, duket se do të jenë dhe objekti i këtyre ndryshimeve. Referuar statistikave të Ministrisë së Financave, për 11-mujorin, investimet me financim të brendshëm janë realizuar vetëm 57% të planit vjetor. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, tha dje se vendimi përfundimtar nëse do të ketë rialokim investimesh do të merret në fund të dhjetorit. “Ne jemi në diskutim akoma ka nevojë rialokimi të investimeve apo jo, pasi ka ecuri goxha të mirë të investimeve në nëntor-dhjetor. Ne jemi në një fazë që duhet të bëjmë një përmbyllje, për të kuptuar më qartë nëse do të lindë nevoja për rialokime apo do të realizohen investimet aty ku janë. Duket që nuk do të qëndrojnë këto, pra dhe deficiti do të realizohet edhe investimet do të realizohen kuptohet në aq sa kemi rënë dakord në raport me FMN-në”, – tha Cani.

Kjo, sipas tij, ndodhi pasi buxheti i vjetshëm nuk është realizuar në kohë. “Ishim mësuar me traditë, gjithnjë, që buxheti nuk realizohej dhe nuk fillonte kurrë para tremujorit të parë, pra kalonte një tremujor dhe fillonte buxheti, kështu që administrata e mësuar me këtë gjendje kujtonte se do ishte e njëjta histori. Kështu që, së pari filloi me vonesë, pastaj filloi tempi i përshpejtimit dhe u bënë edhe investime, ndërkohë që u shlyen edhe detyrimet e prapambetura. Mirëpo edhe kjo kërkon një përputhje edhe me likuiditetin, sepse Shqipërisë iu kërkua njëherësh një sasi gati dyfish likuiditeti, të cilin për mua që jam bankier, edhe kushdo që ka njohuri nga ekonomia, e kupton se nuk është e lehtë që ta menaxhosh likuiditetin me një të rënë të lapsit”, – theksoi ministri i Financave.

 

Shpërblimi për fundvit

PD: Rama mashtroi, është ndarë sipas preferencave dhe interesave elektorale

 

Partia Demokratike e cilëson skemën e shpërblimeve për fundvit që u bë e ditur nga Kryeministri Rama si mashtrim dhe e ndarë sipas preferencave dhe interesave elektorale. “Në përpjekje për të larë, sadopak gjynahet e një viti në keqqeverisje, mazhoranca po përtyp cinizmin e radhës duke shpërndarë atë që deri dje e ironizonte. Kryeministri Rama ka vendosur t’i japë vetëm një kategorie të caktuar nëpunësish dhe qytetarësh një shumë parash si për të krijuar përshtypjen se është një qeveri sociale”, – the deputetja demokrate Jorida Tabaku. “Shpërblimi i premtuar nga Rama prej 2 mijë lekësh për pensionistët është lëmoshë po të krahasohet me shpërblimin prej 5 mijë lekësh që ata kanë marrë deri në 2012-ën, ndërsa shpërblimi i administratës nga fondi i veçantë është kothere për ata që marrin fletë lavdërimi në krahasim me shpërblimet deri në 2 paga që merrnin nëpunësit civilë për kontribute gjatë vitit dhe 10 mijë lekë për festat e fundit të vitit. Gjithashtu i kërkojmë Kryeministrit që të na shpjegojë shpërblimin me 5 mijë lekë për veteranët e luftës mbi moshën 65-vjeçare. A është ky shpërblim si pasojë e prapashtesës veteran apo si pasojë e faktit se këto persona janë pensionistë?! Njësoj si të përndjekurit politikë, që pasi i gënjeu me shpërndarjen e kësteve dhe rritjes së dëmshpërblimit të tyre vazhdon t’i gënjejë me një lëmoshë që po ua jep si pensioniste e jo si të përndjekur!”, – theksoi deputetja. Ndërkaq, në reagimin e selisë rozë, deputeti Ervin Bushati tha se shpërblimet e qeverisë janë të ndershme dhe të bazuara mbi dy arsyetime. “Filozofia e shpërblimeve që dha qeveria dhe Kryeministri është e thjeshtë dhe e ndershme: shpërblejmë ata që janë më në nevojë dhe pamundësi dhe promovojmë ata që janë më të suksesshmit në arsim, shëndetësi, polici etj.”, – tha Bushati.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency