Ministria e Mjedisit/Pyjet dhe kullotat, ja gjobat e reja që parashikohen me ligj

0
175

ppppppppp

 

Projektligji është përgatitur nga Ministria e Mjedisit, parashikohet të hyjë në fuqi nga data 1 janar e vitit të ardhshëm

 

Ervin Kaduku

 

Me një projektligj të posaçëm, Ministria e Mjedisit ka dalë në një mbrojtje pa precedent të fondit të pyjeve dhe kullotave, që është dëmtuar vazhdimisht nga keqbërësit, por edhe nga neglizhenca e shtetit. Me nismë të këtij dikasteri, qeveria ka miratuar projektligjin, sipas të cilit, e drejta e shfrytëzimit të fondit pyjor publik/privat dhe e tregtimit të produkteve të saj pezullohet për një periudhë 10-vjeçare, nga hyrja në fuqi e tij, me përjashtim të plotësimit të nevojave të banorëve të bashkive për dru zjarri, rasteve të ndryshimit të destinacionit të fondit pyjor dhe kullosor, pastrimit të mbeturinave dhe pastrimit sanitar të pyjeve. Plotësimi i nevojave të banorëve të bashkive bëhet sipas procedurave të përcaktuara në mënyrë specifike. Shkelja e pezullimit përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë, në vlerën 5 milionë lekë. Ky ligj duhet të hyjë në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet juridike nga data 1 janar 2016.

Për mbrojtjen e kësaj pasurie kombëtare, janë parashikuar një numër gjobash si më poshtë, kur nuk përbëjnë vepër penale.

 

Kundërvajtjet në Fondin Pyjor Kombëtar

 

– Prerja pa damkë, e drurëve, apo prerja pa miratimin përkatës, e pyjeve, filizërisë dhe e fidanëve në fidanishte, kur pasojat materiale janë të lehta, dënohet me gjobë nga 80 mijë deri në 100 mijë lekë (kur është me pasoja të rënda përbën kundravajtje penale).

– Nxjerrja dhe grumbullimi i prodhimeve drusore dhe jodrusore, si fashina, shkarpa, thupra, cungje, petavra, rrënjë drurësh, kucka, hunj, bandiera, lëvore, lule, fruta, fara, sytha, bisqe, degë, drurë dekorativë, shpatulla, kalema, hala, boçe, gjethe, zhuka, kallamishte, rrëshirë, plisa, bar, rrënjë, zhardhokë, qepë, kërpudha, myshqe, humus, lëgushë, torfë, dhé, gurë, zhavorr dhe rërë, pa miratimin përkatës, dënohet me gjobë, me vlerë nga 5 mijë deri në 10 mijë lekë;

– Nxjerrja e rrënjëve të shqopës, bushit, maresë dhe prerja e thuprës së shelgut e të llojeve të tjera të drurëve pyjorë, gjatë periudhës së vegjetacionit, dënohet me gjobë me vlerë nga 20 mijë deri në 25 mijë lekë;

– Mbledhja e prodhimeve të dyta, si bimë mjekësore, eterovajore e tanifere, bimë të rralla e të kërcënuara, e të tjera të kësaj natyre, pa miratim, dënohet me gjobë, me vlerë nga 50 mijë deri në 70 mijë lekë dhe, kur mbledhja bëhet me mënyra që sjellin degradimin, kërcënimin, rrallimin, zhdukjen apo dobësimin e funksioneve të tyre, dënohet me gjobë, me vlerë nga 80 mijë deri në 100 mijë lekë;

– Kullotja e bagëtive në pyjet e rinj, në filizëri, në pyllëzime e reja, në fidanishte, në ngastrat gjenetike e eksperimentale dhe në pyjet mbrojtës, dënohet me gjobë, me vlerë nga 5 mijë deri në 10 mijë lekë;

– Krasitja për gjethe, kositja dhe grumbullimi i barit në fondin pyjor, pa miratimin përkatës, dënohet me gjobë, me vlerë nga 8 mijë deri në 10 mijë lekë;

– Ndërhyrjet me punime të ndryshme në ligatinat dhe dunat bregdetare, pjesë përbërëse të fondit pyjor kombëtar, pa miratimin përkatës, dënohet me gjobë, me vlerë nga 50 mijë deri në 70 mijë lekë;

– Ndërhyrjet për pyllëzime apo pasurimin dhe përmirësimin e bimësisë së tokave pyjore, pa miratimin përkatës, dënohet me gjobë, me vlerë nga 20 mijë deri në 40 mijë lekë;

  1. f) Ndezja e zjarreve jashtë vendeve të caktuara, dënohet me gjobë, me vlerë nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë;

– Prishja e shenjës së damkës në dru apo përdorimi i çekiç-damkës nga persona të paautorizuar dhe nga një zonë pyjore në tjetrën, dënohet me gjobë, me vlerë nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë;

– Ndërtimi i furrave të gëlqeres dhe i kaminave të qymyrit të drurit në fondin pyjor, pa miratimin përkatës, dënohet me gjobë, me vlerë nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë;

– Ngritja e ndërtimeve të thjeshta, gardhimeve, kampingjeve, parkimi i automjeteve brenda fondit pyjor, dënohet me gjobë, me vlerë nga 30 mijë deri në 50 mijë lekë dhe, kur kryhet në fondin pyjor të deklaruar me funksion mbrojtës e të veçantë, dënohet me gjobë, me vlerë nga 80 mijë deri në 100 mijë lekë;

– Ndryshimi i zërit kadastral nga pronari privat apo bashkia, në kundërshtim me procedurat ligjore në fuqi, dënohet me gjobë, me vlerë nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë;

– Mosraportimi nga bashkia dhe pronari privat i ndryshimeve përkatëse në fondin pyjor e kullosor kombëtar dhe në tokën pyjore, ngarkon me përgjegjësi kryetarin e bashkisë dhe pronarin privat dhe dënohet me gjobë, me vlerë nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë;

– Transferimi i të drejtave të siguruara nga kontrata e trajtimit, shfrytëzimit dhe përdorimit në fondin pyjor kombëtar, dënohet me gjobë, me vlerë nga nga 80 mijë deri në 100 mijë lekë;

– Transporti, me automjete apo mjete të tjera, i materialit drusor, nga pylli dhe prej shesheve të depozitimit për në qendrat e përpunimit e të shitjes, i pashoqëruar me dokumentacionin që provonon origjinën e tij, dënohet me gjobë, me vlerë nga 300 mijë deri në 500 mijë lekë;

– Tregtimi i materialit drusor dhe i prodhimeve të tjera të pyllit, të infektuara nga sëmundjet, barërat e këqija e parazitare ose të prekura nga insektet, dënohet me gjobë, me vlerë nga 80 mijë deri në 100 mijë) lekë;

– Mosripyllëzimi i sipërfaqeve ose brezave pyjorë pas prerjeve rrah, të llojeve që nuk ripërtërihen në rrugë natyrore, si dhe mospyllëzimi/ ripyllëzimi nga ana e personave fizikë/juridikë për sipërfaqet që hiqen nga Fondi Pyjor dhe Kullosor Kombëtar, dënohet me gjobë, me vlerë nga 180 mijë deri 250 mijë lekë/ha;

– Eksporti i lëndës së drurit të papërpunuar, lëndës së ndërtimit, druve të zjarrit dhe asortimenteve që rrjedhin nga tjetërsimi i tyre, si edhe i qymyrit të drurit, dënohet me gjobë, me vlerë nga 100 mijë deri 200 mijë lekë.

 

Kundërvajtjet në Fondin Kullosor Kombëtar

 

– Kullotja pa miratim dhe në kullota të tjera, veç atyre të miratuara, dënohet me gjobë, me vlerë nga 50 mijë deri në 100 mijë) lekë;

– Kositja e barit në livadhe, pa miratimin përkatës, dënohet me gjobë, me vlerë nga 30 mijë deri në 50 mijë lekë;

– Kullotja e bagëtive në ngastrat eksperimentale, në sipërfaqet ku kryhen punime përmirësuese ose që janë të degraduara e të lëna pushim, dënohet me gjobë, me vlerë nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë;

– Ndryshimi i destinacionit të veprave të ujit të pijshëm për blegtorinë dhe dëmtimi i infrastrukturës, dënohet me gjobë, me vlerë nga 30 mijë deri në 50 mijë lekë;

– Ndërhyrjet për pasurimin dhe përmirësimin e bimësisë dhe të kapacitetit të kullotave e livadheve, pa miratimin përkatës, dënohet me gjobë, me vlerë nga 20 mijë deri në 40 mijë lekë;

– Përdorimi i plehrave kimike dhe i pesticideve, pa miratimin përkatës, dënohet me gjobë, me vlerë nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë;

– Prerja e drurëve të veçuar dhe e shkurreve, pa miratimin përkatës, dënohet me gjobë, me vlerë nga 30 mijë deri në 60 mijë lekë;

– Pastrimi i kullotave dhe i livadheve, pa miratimin përkatës, dënohet me gjobë, me vlerë nga 20 mijë deri në 40 mijë lekë;

– Transferimi i të drejtave te të tretët, me nënkontratë, për kullotje apo kositje, dënohet me gjobë nga 80 mijë deri në 100 mijë lekë.

 

Kundërvajtjet në Fondin Pyjor dhe Kullosor Kombëtar

 

– Ndërtimi i objekteve dhe zhvillimi i veprimtarive që shkaktojnë degradimin dhe gërryerjen e tokës, dënohet me gjobë, me vlerë nga 100 mijë deri në 300 mijë lekë;

– Mosnjoftimi i Inspektoratit të Policisë Pyjore nga bashkia, për shkeljet dhe dëmet e konstatuara, ngarkon me përgjegjësi kryetarin e bashkisë dhe dënohet me gjobë, me vlerë 10 mijë lekë, ndërsa, për fondin pyjor/kullosor privat, ngarkon me përgjegjësi pronarin dhe dënohet me gjobë, me vlerë 50 mijë lekë;

– Nxjerrja e gurëve, plisave, rrënjëve, cungjeve, marrja e dheut, rërës dhe zhavorrit, kur pasojat materiale janë të lehta, pa miratimin përkatës, dënohet me gjobë, me vlerë nga 50 mijë deri në 80 mijë lekë dhe, kur pasojat janë të rënda, dënohet me gjobë, me vlerë nga 100 mijë deri në 300 mijë lekë;

– Prishja, fshirja ose dëmtimi i shenjave kufidëftuese, gjeodezike e topografike, i tabelave paralajmëruese apo treguese, të vendosura në Fondin Pyjor e Kullosor Kombëtar, dënohet me gjobë, me vlerë nga 15 mijë deri në 20 mijë lekë;

– Hedhja e mbetjeve brenda sipërfaqes së fondit pyjor e kullosor kombëtar dhe jashtë vendeve të caktuara, kur pasojat materiale janë të lehta, dënohet me gjobë, me vlerë nga 100 mijë deri në 300 mijë lekë; shkarkimet e kimikateve, të ujërave të ndotur industrialë, në Fondin Pyjor e Kullosor Kombëtar, dënohet me gjobë, me vlerë nga 500 mijë deri në 1 milion lekë;

– Gërmimi për karriera të çdo lloji, që përdorin lëndë plasëse, pa miratimin përkatës, dënohet me gjobë, me vlerë nga 500 mijë deri në 1 milion lekë;

– Mosrealizimi i masave apo punimeve të parashikuara në projekte në fondin pyjor dhe kullosor, dënohet me gjobë, me vlerë nga 300 mijë deri në 500 mijë lekë;

– Mosdërgimi i mundësisë vjetore të shfrytëzimit brenda afatit ligjor, ngarkon me përgjegjësi kryetarin e bashkisë dhe dënohet me gjobë, me vlerë nga 300 mijë deri në 500 mijë lekë.

Në varësi të dëmit mjedisor që shkaktojnë e të pasojave që sjellin në pyje, shkeljet vlerësohen me pasoja të rënda, kur:

– janë kryer në një zonë pyjore me funksion mbrojtës, duke e nxjerrë atë jashtë funksionit për të cilin ka marrë atë status, të cilësuar të tillë në planet e mbarështimit ose me akte ligjore e nënligjore;

– janë kryer në parcelat eksperimentale e studimore të pyjeve, kullotave e livadheve, duke bërë të pamundur vazhdimin e eksperimentimit e të studimit shkencor;

– kanë dëmtuar grumbujt e drurëve dhe të llojeve pyjore të paracaktuara për konservim, germoplazmë, in situ dhe ex situ, për grumbullim, përpunim, shpërndarje dhe certifikim të materialit mbjellës;

– kanë shkatërruar një monument pyjor natyror, të miratuar me një akt normativ;

  1. d) kanë asgjësuar, me prerje, me shkulje, me marrje, individë të llojeve të rralla të florës, të rrezikuara e që gëzojnë status të veçantë mbrojtjeje;

– ka shkatërruar cilësitë e një habitati konkret.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency