Memorie & Personazhe/ Aushvici i keqkuptuar

0
143

Daniel Jonah Goldhagen

 AushviciHeinrich Himmleri deklaroi plot krenari gjatë një fjalimi në vitin 1943: “Nëse kombet jetojnë në begati apo vdesin urie, kjo më intereson vetëm për aq sa na nevojiten si skllevër të kulturës sonë”. I tillë ishte mutacioni moral dhe mendor i nazistëve, më i thelli në historinë e Evropës, mbi të cilin u ngrit dhe Aushvici dhe që pikërisht ky i fundit e simbolizon më mirë se çdo vend tjetër. Kur udhëheqësit e Evropës të mblidhen në Aushvic në përkujtimin e 70-vjetorit, ata duhet të vajtojnë viktimat hebrenj dhe jo hebrenj. Ata duhet gjithashtu të kuptojnë se aty do të shohin humnerën që do të kishte konsumuar Kontinentin e tyre dhe gjithë botën.

Aushvici u çlirua 70 vjet më parë, në 27 janar 1944, dhe lajmi për ekzistencën e tij tronditi botën. Me qendrën parësore të vrasjeve në një prej kampeve të tij kryesorë, Aushvic-Birkenau, e cila u fut në funksion të plotë në vitin 1942, ai ishte vendi më i madh dhe më i famshëm i shfarosjeve në Gjermani. Atje, gjermanët vranë afro 1.1 milionë njerëz, 1 milionë prej të cilëve ishin hebrenj. Vetëm përmendja e tij të sjell në mendje ligësinë dhe tmerrin. Aushvici ishte një fabrikë e vdekjes, një oksimaron i paimagjinueshëm përpara Holokaustit, por që tani është i kuptueshëm, pa shumë mund.

Por Aushvici është edhe i keqkuptuar – dhe ky keqkuptim shtrembëron atë që ne mendojmë për Holokaustin, dhe për vetë nazistët.

Rrëfimet historikë dhe popullorë për Holokaustin kanë prirjen të vënë theksin në efiçencën e tij brutale, burokratike, me Aushvicin si kulmin teknologjik, përmasa industriale e të cilit ishte jo vetëm emblematike, por edhe e domosdoshme për suksesin e tij. Por sado ekzistencialisht shqetësues që ka qenë dhe është Holokausti, dhe sado ogurzi nëse Gjermania Naziste do të kishte fituar Luftën e Dytë Botërore, ai ishte teknikisht i panevojshëm për komisionimin e Holokaustit.

Nëse gjermanët nuk do të kishin krijuar kurrë instalimet e gazit në Aushvic, Treblinka, Solibor dhe gjetkë, ata sërish do të kishin vrarë afërsisht të njëjtin numër hebrenjsh dhe jo hebrenjsh. Afro gjysma e pothuajse 6 milionë hebrenjve që vranë gjermanët dhe bashkëpunëtorët e tyre evropianë, dhe prakitikisht gjithë ata miliona johebrenj që u vranë prej gjermanëve, u ekzekutuan me mjete joindustrialë, kryesisht përmes pushkatimeve apo urisë.

Klisheja “vrasjet në linjën e montimit” përgënjeshtron faktin që grumbullimi i hebrenjve dhe transporti i tyre, ndonjëherë me qindra milje, drejt një fabrike vdekjeje ishte shumë më pak i efektshëm se sa thjeshtë vrasja e tyre aty ku i gjenin gjermanët. Udhëheqja naziste i krijoi fabrikat e vdekjes jo për arsye përshpejtimi, por për të distancuar vrasësit prej viktimave të tyre.

Sulmet e mëhershëm dhe të mëvonshëm gjenocidistë hedhin poshtë gjithashtu idenë, dikur të vetëkuptueshme, se teknologjia moderne e bëri të mundur Holokaustin. Regjimet dhe ekzekutorit e tyre përreth globit kanë kryer aksione të gjerë eliminimi kundër njerëzve, duke përdorur një shumëllojshmëri mjetesh, përfshirë vrasjet në masë, dëbimet, konvertimin e detyruar dhe moslejimin e riprodhimit për të hequr qafe grupet e urryer apo të padëshiruar. Në Ruandë, në vitin 1994, vrasësit Hutu ekzekutuan 800 mijë Tutsi me një ritëm më të madh ditor se sa ai i gjermanëve që vrisnin hebrenj, duke përdorur mjete teknologjikë nga më primitivët, si hanxharë, thika dhe shkopinj.

Përqendrimi në karakteristikat mekanike të Aushvicit si një parakusht për shkatërrimin e madh që solli Holokausti i lejon njerëzit që të shohin aksionin eliminues të gjermanëve si diçka unike moderne – të besojnë se duhet një shtet i aftë teknologjikisht dhe me burokraci eksperte, për të vënë në zbatim një dhunë të tillë.

Dhe ndonëse ne të gjithë e pranojmë se gjenocidet mund të kryhen pa sisteme të tillë të përparuar, njerëzit vazhdojnë të supozojnë se aksioni i vërtetë eliminues, me qëllim shkatërrimin tërësor të një tjetër grupi, ka nevojë për një konstelacion relativisht të rrallë të një aparati shtetëror dhe mjeteve teknologjikë.

Por kjo nuk është e vërtetë. Për të kuptuar politikën e vrasjeve në masë dhe eliminimit, mjetet teknikë për të kryer bëmat nuk janë asnjëherë qendrore. Në të vërtetë, elementët më të rëndësishëm janë vendimi i udhëheqësve politikë për të kryer gjenocid, pjesëmarrja e një pjese të madhe të popullsisë, simpatia e një pjese edhe më të madhe të popullsisë civile – në rastin e Holokaustit, kryesisht gjermanët e zakonshëm, por edhe shumë evropianë – dhe mbi të gjitha, ideologjia që i motivon të gjithë ata të besojnë se asgjësimi i njerëzve në shënjestër është gjë e domosdoshme dhe e drejtë.

Kjo është e rëndësishme, dhe jo specifikimet teknikë të Aushvicit. Ky është fundit është një simbol i një revolucioni më të gjerë racor që gjermanët po sillnin në Evropë, i cili synonte të përmbyste themelet e qytetërimit perëndimor.

Instalimet e gazifikimit që u shndërruan në emblemë të Aushvicit ishin vetëm një pjesë e sistemit të më shumë se 40 kampeve dhe nënkampeve. Këta viheshin në punë nga mijëra gjermanë që masakronin mijëra hebrenj, rusë dhe të tjerë, që i përdornin si skllevër për të punuar në kushte të tmerrshëm në fabrikat e shumta të prodhimit në kampe, duke bërë gjithçka, nga produktet bujqësorë, tek ata kimikë dhe armatimet.

Aushvici ishte pra shumë më tepër se dhomat e gazit dhe krematoriumet – i marrë në tërësinë e tij, ai ishte një mikrokozmos, jo aq shumë prej mekanizmave specifikë të Holokaustit, se sa prej vizionit ideologjik të nazistëve për një botë që duhej sunduar prej një race superiore, që do të ngrihej mbi varret kolektivë të hebrenjve si dhe dhjetëra miliona viktimat e tjera, dhe të cilës duhej t’i shërbente një popullsi e madhe skllevërish. Ai zbulon se gjatë Holokaustit, asgjësimi në masë ishte pjesë e një agjende më të gjerë eliminimi dhe, në bërthamën e vet, një mekanizëm për transformim politik dhe social.

Gjithsesi, Aushvici e ka edhe veçantinë e tij: Ai shprehte vizionin e pashembullt të nazistëve që mohonte humanitetin e barabartë kudo, si dhe qëllimin global për të eliminuar apo nënshtruar të gjithë ata që nuk bënin pjesë në “racën superiore”. Heinrich Himmleri, kreu i SS-ëve dhe njeriu me përgjegjësinë më të madhe për vënien në zbatim të planeve të gjermanëve, deklaroi plot krenari gjatë një fjalimi në vitin 1943: “Nëse kombet jetojnë në begati apo vdesin urie, kjo më intereson vetëm për aq sa na nevojiten si skllevër të kulturës sonë”.

I tillë ishte mutacioni moral dhe mendor i nazistëve, më i thelli në historinë e Evropës, mbi të cilin u ngrit dhe Aushvici dhe që, pikërisht ky i fundit e simbolizon më mirë se çdo vend tjetër. Kur udhëheqësit e Evropës të mblidhen në Aushvic në përkujtimin e 70-vjetorit, ata duhet të vajtojnë viktimat hebrenj dhe jo hebrenj. Ata duhet gjithashtu të kuptojnë se aty do të shohin humnerën që do të kishte konsumuar Kontinentin e tyre dhe gjithë botën.

*The New York Times: Autor i “Ekzekutorët e Hitlerit: Gjermanët e zakonshëm dhe Holokausti” dhe “E keqja që nuk vdes kurrë…”

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency