Me zyrtarin e lartë të KE-së/ Basha: Vendi po kthehet në terren të favorshëm për prodhimin dhe trafikimin e drogës

0
127

Gëzim Saliu

 Basha me zyrtarin e KEKreu i PD-së, Danielsson-it: Krimi i organizuar, sfida më e madhe për shtetin ligjor dhe integrimin

Instalimi i impiantit të kokainës në Elbasan dhe përfshirja e efektivit të FA-së në trafik droge ndërkombëtar tregon se vendi po kthehet në një terren të favorshëm për prodhimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Kështu bëri të ditur dje kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në takimin e zhvilluar me drejtorin e Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit pranë Komisionit Evropian, Christian Danielsson. Po ashtu, në këtë bisedë kryedemokrati ngriti një tjetër shqetësim për vendin, duke vënë theksin tek rritja e kriminalitetit dhe depërtimi i krimit deri në nivelet më të larta të qeverisjes. “Dekriminalizimi është një proces jetik për vendin e për të ardhmen evropiane, pasi çdo ditë po konstatohen raste të emërimit të personave me precedentë të rëndë penalë deri në postet me të larta të qeverisjes”, – tha Basha. Më tej, kreu i PD-së e njohu drejtorin e Zgjerimit me aktet e njëanshme të mazhorancës që synojnë kapjen e drejtësisë dhe jo reformimin e saj. “Korsia që po ndjek mazhoranca pa konsensus, pa ekspertizën e partnerëve ndërkombëtarë, pa përfshirjen e aktorëve të drejtësisë, është e rrezikshme, dhe e kundërta e modelit evropian për të cilin ka nevojë vendi”, – pohoi Basha.

 

Takimet me Nishanin e Metën

Ndërkaq, drejtor i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Christian Danielsson, zhvilloi dje një takim me Presidentin Bujar Nishani, ku kryefjalë ishte rëndësia e gjithëpërfshirjes në reformat e vendit. Bashkëbiseduesit ranë dakord se gjithëpërfshirja në këto reforma, duhet jo thjesht në optikën e ngushtë partiake, por duke përfshirë ekspertizën më të mirë vendase dhe evropiane. Nga ana e tij, Danielsson u shpreh se Komisioni Evropian do të vazhdojë të investojë në Shqipëri dhe se 5 prioritetet janë plotësisht të qarta, por fokusi duhet të zgjerohet edhe përtej, duke sjellë si shqetësim klimën e biznesit në vend, si dhe çështjen e pronësisë. Më herët, drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin u prit dhe nga Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, me të cilin bisedoi mbi progresin e Shqipërisë në përmbushjen e 5 prioriteteve të BE dhe mbi ecurinë e reformave të ndërmarra nga qeveria. Në këtë takim, zyrtari i lartë i KE-së u shpreh kritik për investitorët e huaj dhe për zgjidhjen e çështjes së pronave. “Komisioni Evropian do të vazhdojë të investohet në Shqipëri dhe se 5 prioritetet janë plotësisht të qarta, por fokusi duhet të zgjerohet edhe përtej, duke sjellë si shqetësim klimën e biznesit në vend, si dhe çështjen e pronësisë”, – thuhej në njoftimin e Kuvendit. Nga ana e tij, Meta shprehu vlerësimin për punën dhe përkushtimin e Komisionit Evropian ndaj axhendës evropiane të Shqipërisë dhe vuri në dukje: “Kuvendi do vazhdojë të intensifikojë zbatimin e planit të veprimit dhe rolit të tij mbikëqyrës përmes transparencës, gjithëpërfshirjes dhe fokusimit tek standardet që duhen arritur”. Ndërkohë, Danielsson e përgëzoi kryetarin e Kuvendit për marrëveshjen e dhjetorit që siguroi ripërfshirjen e opozitës në jetën parlamentare shqiptare, duke theksuar se KE është miku më i mirë i Shqipërisë përgjatë procesit të integrimit.

 

 Korçë/ Dule i PBDNJ-së: Bashkëpunimi me PS-në problematik, qeveria larg pritshmërive

Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, deklaroi dje nga Korça se bashkëpunimi i forcës që ai drejton me Partinë Socialiste nuk është ai i duhuri. Duke folur në lidhje me kandidaturat për zgjedhjet vendore të 21 qershorit, Dule theksoi se është domosdoshmëri marrëdhënia normale në koalicion. “Marrëdhëniet me PS-në nuk mund të mburremi për bashkëpunim koherent dhe funksional, bashkëpunimi është problematik”, – u shpreh Dule. Sa u përket kandidaturave për zgjedhjet lokale, Dule theksoi: “PBDNJ e bën përzgjedhjen e vet të kandidaturave që do të na shërbejë ne ose të gjejmë gjuhën e përbashkët me aleatët tanë. Duke qenë se minoriteti ka përfaqësim të madh, ne kemi përfaqësues të denjë për të kandiduar”. Ndërkaq, lidhur me qeverisjen e majtë në 1 vit e gjysmë, Dule tha se ekzekutivit Rama është larg pritshmërive. “Pas 1 viti e gjysme jemi larg pritshmërive të qytetarëve dhe shoqërisë dhe kjo ne një masë të konsiderueshme për faj të mungesës së këtij bashkëpunimi rezultativ. Nëse nuk do të nxjerrim mësimet nga kjo situatë, atëherë do të kemi shanse negative për te mos përmbushur misionin tonë”, – tha kreu i PBDNJ-së.

 

 Pas debatit në Kuvend/ Liqeni i Ohrit, Rama: Fund barbarisë. Spaho: Ke bllokuar punimet

Kryeministri Edi Rama inspektoi dje punimet në bregun e liqenit të Ohrit, ku shprehu kënaqësi lidhur me projektin për të cilin tha se do të mbyllet para nisjes së sezonit. “Objektivi është që kur të fillojë sezoni të jemi në kushte të tjera komplet, të jetë gjithçka e kalueshme dhe brenda vitit, ne ta kemi kryer totalisht si projekt, jo vetëm rrugën, por gjithë parkun, e rikthyer pas 30 vitesh. Gjithë zona e atyre ndërtimeve pa leje dhe asaj barbarie dhe kafshërie që u vu në jetë 20 vjet, me zhvillime të papërgjegjshme, kthehet në një park të madh për qytetarët dhe në një aset të madh për gjithë turistët që mund të lëvizin, mund të shëtisin, mund të vrapojnë, mund të kenë vend fëmijët për të luajtur. 17 kilometra park dhe me korsi biçikletash”, – deklaroi Rama. Por ndaj këtyre deklaratave reagoi dje deputeti demokrat i zonës, Edmond Spaho, i cili tha se qeveria prej thuajse dy vitesh ka bllokuar punimet në këtë segment. “Rikthim i përsëritur i Edi Ramës në bregun e liqenit të Pogradecit u kujton qytetarëve vetëm papërgjegjshmërinë e tij. Kjo rrugë ka nisur në periudhën e qeverisjes së Partisë Demokratike. Po mbushen pothuaj dy vjet qeverisje të kësaj mazhorance dhe e vetmja gjurmë që ka lënë Rama në të është bllokimi dhe ndërprerja e punimeve ç’ka ka sjellë stres dhe kosto të madhe ekonomike për banorët dhe bizneset e gjithë qarkut të Korçës të cilët udhëtojnë në këtë aks. Në Pogradec ka zemërim dhe ironi për shëtitjet pa bukë të kryeministrit dhe ato që lëshon nga goja të cilat janë shpesh fyese dhe të papranueshme. Puna në këtë segment ecën me ritmin e breshkës sikurse është edhe ritmi i punës së qeverisë së Ramës”, – u shpreh Spaho. Ndërkaq, Kryeministri Rama dhe nënkryetari i PD-së, Spaho, patën një debat të fortë në Parlament dy ditë më parë lidhur me sistemin e taksimit dhe situatën ekonomike në vend.

 

PD/ Malltezi: Rama mbron dy vilat te Liqeni, pasi pronari i tyre ndërtoi shtëpinë në Surrel

Partia Demokratike akuzoi dje kreun e qeverisë, Edi Rama, se ka marrë në mbrojtje dy vilat e paligjshme tek Parku i Liqenit të Tiranës dhe nuk lejon prishjen e tyre për shkak se pronari i tyre është ndërtues i shtëpisë së re të Kryeministrit në Surrel. Sipas shefit të departamentit për Mjedisin, Jamarbër Malltezi, Rama duhet t’u përgjigjet 10 pyetjeve konkrete dhe t’u tregojë shqiptarëve nëse vilat kanë leje ndërtimi apo janë ndërtime të paligjshme; nëse vilat ndodhen brenda vijës së Parkut të Liqenit, ku është rreptësisht i ndaluar ndërtimi dhe nëse vilat dhunojnë apo jo Planin Rregullues të Tiranës. A është ky ndërtues i njëjti që ka ndërtuar sarajet e Surrelit? A po e paguan në natyre mikun tënd z. Rama, duke e lejuar të kafshojë mushkëritë e Tiranës? Pse nuk vepron INUK që shkon deri në rrugica të qytezave në kundërshtim me ligjin dhe nuk vepron këtu që e ka me detyrim? Sa ligje të tjera duhet të shkelë ky familjari i Edi Ramës derisa të funksionoje shteti ligjor?”, – pyeti Malltezi.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency