Me vendim qeverie/ Ndryshon çmimi i blerjes së tokës dhe  legalizimi i banesave

0
136

Florenc Drizari

informale shtepi Ndërtimet pa leje, çmimi i shitjes për 1 m2 është sa 50%-shi  i vlerës së përcaktuar për pasurinë “tokë truall”

Qeveria përcaktoi dje çmimet e shitjes së parcelës ndërtimore për objektet me funksion banimi dhe të përzier. Këshilli i Ministrave vendosi që për ndërtimet pa leje, çmimi i shitjes për një metër katror është 50% e vlerës së përcaktuar për pasurinë “tokë truall”, në njësinë administrative dhe zonën kadastrale përkatëse.

Për ndërtimet pa leje të ndërtuara brenda territorit administrativ të komunave, kur çmimi për metër katror i përllogaritur sipas kësaj pike është më i vogël se 400 (katërqind) lekë apo më i madh se 1 500 (një mijë e pesëqind) lekë, çmimi që do të aplikohet për shitjen e parcelës ndërtimore do të jetë në këto vlera kufi. Ndërsa për ndërtimet pa leje, të ndërtuara brenda territorit administrativ të bashkive, kur çmimi për metër katror i përllogaritur sipas kësaj pike është më i vogël se 500 (pesëqind) lekë apo më i madh se 2 000 (dy mijë) lekë, çmimi që do të aplikohet për shitjen e parcelës ndërtimore do të jetë po në këto vlera.

Për shtesat anësore dhe në lartësi në ndërtime me leje, me funksion banimi, vendimi i qeverisë thekson se pavarësisht nga territori ku ato janë ngritur, kur çmimi për metër katror i përllogaritur është më i vogël se 1 000 (një mijë) lekë apo më i madh se 3 000 (tre mijë) lekë, çmimi që do të aplikohet për sipërfaqen përkatëse do të jetë po në këto kufij. Vendimi i qeverisë thekson se për ndërtimet pa leje me funksion të përzier (banim dhe social-ekonomik), çmimi i shitjes së parcelës ndërtimore llogaritet në raport me sipërfaqen e ndërtimit pa leje, që shfrytëzohet për secilin nga funksionet e mëposhtme:

a) Sipërfaqja e parcelës ndërtimore, në raport me sipërfaqen e ndërtimit pa leje që shfrytëzohet për funksion social – ekonomik, shitet sipas vlerës së pronës, të llojit “tokë truall”, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

b) Sipërfaqja e parcelës ndërtimore, në raport me sipërfaqen e ndërtimit pa leje që shfrytëzohet për banim, shitet sipas çmimit të përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi (për ndërtimet pa leje, çmimi i shitjes për një metër katror është 50% e vlerës së përcaktuar për pasurinë “tokë truall”, në njësinë administrative dhe zonën kadastrale përkatëse).

 

Afatet e pagesës

Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Edi Rama ka firmosur vendimin për Vendimi i djeshëm i qeverisë për “përcaktimin e çmimit favorizues të shitjes së parcelës ndërtimore për ndërtimet pa leje me funksion banimi dhe të përzier, të subjekteve që përfitojnë falje të pagesës si dhe të mënyrës e afateve të pagesës”, i cili mban firmën e Kryeministrit Edi Rama, përcakton se shlyerja e vlerës së parcelës ndërtimore nga poseduesi i ndërtimit pa leje bëhet pas njoftimit me shkrim nga Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), në të cilin janë përcaktuar vlera, mundësia për pagesën në pjesë, si dhe afatet e shlyerjes. Pagesë e menjëhershme sipas vendimit do të konsiderohet shlyerja nga poseduesi i ndërtimit pa leje i vlerës së parcelës ndërtimore, brenda 45 ditëve nga data e njoftimit me shkrim.

 

Si kryhet pagesa për tokën dhe ndërtimet pa leje

 Këshilli i Ministrave nxori dje vendimin (VKM), ku përcaktohet se pagesa e detyrimit financiar për parcelën ndërtimore, pavarësisht nga funksioni i objektit pa leje, mund të kryhet: a) në lekë, në vlerë të plotë monetare; b) me bono privatizimi, deri në 50% të vlerës së parcelës. Për ndërtimet pa leje me funksion social – ekonomik, pagesa e vlerës së parcelës ndërtimore bëhet menjëherë. Vendimi i qeverisë thekson se nëse pagesa e vlerës së parcelës ndërtimore kryhet menjëherë, përfitohet zbritje prej 20% nga vlera e mbetur e detyrimit, pavarësisht nga funksioni i ndërtimit pa leje. Kjo zbritje përfitohet edhe për vlerën e parcelës ndërtimore për objektet e dyta pa leje, sipas përcaktimeve të nenit 25, të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.

Si garanci për shlyerjen e detyrimeve vjetore kontraktore të furnizimit me energji elektrike mbi vlerën e mbetur të parcelës ndërtimore të objektit pa leje aplikohet një zbritje prej 10%. Nëse subjekti dëshmon se, brenda një viti nga data e njoftimit mbi pagesën e parcelës ndërtimore, ka kryer rregullisht shlyerjen e detyrimeve të furnizimit me energji elektrike, vlera e garancisë falet.

 

Kategoritë e subjekteve që përfitojnë falje të pagesës

 “Për poseduesit e ndërtimeve pa leje, që kanë statusin e invalidit paraplegjik ose tetraplegjik në kuptim të ligjit nr. 8626, datë 22.6.2000, “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, me paraqitjen e dëshmisë zyrtare përkatëse pranë drejtorisë së varësisë së ALUIZNI-t, detyrimi financiar për vlerën e parcelës ndërtimore falet”,-thuhet në vendimin e djeshëm të qeverisë. Ndërsa për poseduesit e ndërtimeve pa leje, që kanë në përbërjen familjare persona me statusin e invalidit paraplegjik ose tetraplegjik, vendimi thotë se detyrimi financiar për parcelën ndërtimore zbritet në masën 50% nga vlera e llogaritur. Poseduesit e ndërtimeve pa leje, që janë subjekte të ndihmës ekonomike, në kuptim të ligjit nr. 9355, datë 9.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, përfitojnë zbritje në masën 30% nga vlera e parcelës e llogaritur në bazë të kreut I, të këtij vendimi.

 

Ndryshon rregullorja për Kodin Rrugor, distanca të reja  për karburantet dhe shërbimet që duhet të ofrojnë

Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, qeveria vendosi, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, ndryshimin e rregullores së zbatimit të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë. Më konkretisht, ndryshojnë rregullat teknike të vendosjes së zonave të shërbimit në rrugë, karburanteve. Impiantet e shpërndarjes së karburantit llogariten si pjesë e zonës së shërbimit. Ato, përfshirë dhe vendet e ndalimit, nuk duhet të zënë në asnjë rast karrexhatën. “Kushtet e përgjithshme: a) Zonat e shërbimit nuk duhet të pengojnë qarkullimin dhe të kufizojnë fushëpamjen. Zonat e shërbimit duhet të jenë të vendosura në vende të përshtatshme, duke përfshirë hapësirën për mjetet në lëvizje dhe ato të ndalura, të pajisura me korsi për rritje dhe ulje shpejtësie në hyrje dhe dalje. b) Zonat e shërbimit për rrugët e reja duhet të jenë pjesë përbërëse e projektit rrugor dhe duhet t’u përgjigjen kërkesave të sigurisë dhe rrjedhshmërisë së trafikut. c) Zonat e shërbimit nuk mund të vendosen në afërsi të kryqëzimeve, të vendqëndrimeve të mjeteve të shërbimit publik apo në ato pjesë të rrugës me kthesë dhe me dukshmëri të dobët”, – thuhet në vendimin e qeverisë. Në pikën ku përcaktohet përzgjedhja dhe distancat, thuhet se zonat e shërbimit vendosen në rrjetin rrugor duke respektuar distancat e mëposhtme: Për autostradat, minimumi 15 (pesëmbëdhjetë) km dhe maksimumi 60 (gjashtëdhjetë) km nga aksi i simetrisë së pompës/ave të furnizimit me karburant të njërës zonë në aksin e simetrisë së pompës/ave të furnizimit me karburant të zonës së mëpasme, në drejtim të njëjtë të lëvizjes. Për rrugët interurbane kryesore, minimumi 10 (dhjetë) km nga aksi i simetrisë së pompës/ave të furnizimit me karburant të njërës zonë në aksin e simetrisë së pompës/ave të furnizimit me karburant të zonës së mëpasme, në drejtim të njëjtë të lëvizjes. Për rrugët interurbane dytësore, minimumi 6 (gjashtë) km nga aksi i simetrisë së pompës/ave të furnizimit me karburant të njërës zonë në aksin e simetrisë së pompës/ave të furnizimit me karburant të zonës së mëpasme, në drejtim të njëjtë të lëvizjes. Për rrugët urbane kryesore, jo më pak se 500 (pesëqind) m midis ekstremiteteve të njëjta të zonave të njëpasnjëshme.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency