Me sytë nga Berlini dhe mendjen nga xhepi  

0
165

 

 

Dr. Ndriçim MehmetiNga dr. Ndriçim Mehmeti

Ka më shumë se një vit që sytë e Ballkanit Perëndimor janë drejtuar nga Berlini, me shumë shpresë, ëndrra, fantazi dhe pritshmëri të mëdha. Natyrisht që edhe Berlini në vizionin e vet për një Evropë të stabilizuar dhe të përparuar ka një interes të veçantë për Ballkanin Perëndimor si një rajon me probleme të mëdha në fushën e demokracisë, të mbrojtjes së të drejtave të individit, probleme me emrin e Maqedonisë, marrëdhëniet Kosovë-Serbi, varfëria, e cila ka thelluar gjithnjë e më shumë hendekun e nivelit të jetesës mes këtyre vendeve dhe atyre të Bashkimit Evropian. Një ide që ka qarkulluar jo pak, që bie e del në pah sa herë zhvillohet një samit apo konferencë për Ballkanin, është se zgjidhja e të gjitha problemeve mund të vijë prej një “Plani Marshall”. A është e mundur një gjë e tillë? Pa dyshim që teorikisht mund të jetë e mundur që problemet ekonomike të mbyllen përmes investimeve strategjike, të cilat krijojnë mundësi për hapje të reja të vendeve të punës, rivitalizimin e ekonomisë, si dhe rritjen e shpresës e besimit se e ardhmja për vendin tonë mund të jetë më e ndritur. Mirëpo që të kryesh një hap të tillë, kaq të madh, duhet të gjesh edhe terrenin e duhur, vizionin për zhvillimin e vendit dhe jo mbushjen e xhepit të politikanëve, vizionin dhe garancitë e duhura për investimet e huaja dhe vendase dhe së fundmi përkushtimin për shtetin dhe jo për pushtetin. Në shumicën e vendeve tona, për fat të keq, këto mungojnë. Maqedonia është lëkundur prej përgjimeve që flasin për afera korruptive disa miliona eurosh të krerëve të rëndësishëm të qeverisë; Mali i Zi vazhdon luftën me korrupsionin në nivel qendror e lokalë; Shqipërisë i mungojnë miliona euro nga taksat e tatimet; Serbia përpëlitet mes dashurisë për Serbinë dhe dëshirës për një martesë me Bashkimin Evropian. Në këto kushte a është e mundur që “Plani Marshall”, të mbulonte të gjitha kusuret e qeveritarëve, mentalitetit të tyre të ngushtë për shtetin dhe vizonit të ngurtë për integrimin në Bashkimin Evropian?

Cila është pozita e Shqipërisë në gjithë këtë mesele integrimi, vizioni, planesh milionëshe të ëndërruara dhe të pamundësuara deri më sot?

Shqipëria si një zgjidhje për të dalë nga kriza e zhytur prej më shumë se 18 muajsh, kërkon të dalë duke shitur kanabisin mjekësor, në Evropë e kudo. Kanabisi që bëhet tek ne, nuk e gjen askund dhe Evropa mezi pret ta kultivojmë, ta korrim e t’ia çojmë të paketuar. Ekonomia do të përfitojë miliona euro, niveli i jetesës do të ngrihet dhe integrimi me BE-në është gjithnjë e më afër. Një tjetër mundësi për t’u futur sa më shpejt në Evropë me barkun bosh e kokën lart është të rrasim në burg sa më shpejt gjyqtarë, juristë, noterë, prokurorë, anëtarë të KLD-së, ish-kryetarë komunash, ish-kryepleq e disa njerëz nga 70 vjeç e sipër që kultivojnë 30-100 rrënjë kanabis. Po kaq i rëndësishëm është aksioni i “edukimit përmes zbatimit të ligjit”. Kush urinon, menderos, pështyn, lëpin qenë e mace të pakontrolluara nga Bashkia e Tiranës, demaskohen me publikimin e fotos dhe bashkëngjitur gjoba. Një rrugë suksesi mund të quhet edhe fillimi i sanksioneve tatimore për evazionin fiskal, ndërkohë që të gjithë verën nga pagesa e çadrave të plazhit e deri tek dreka e darka që hahej, nuk lëshohej asnjë faturë tatimore, në shumicën e bizneseve në bregdetin shqiptar. Mundësitë e eksploruara prej nesh janë të pafundme. Testimi për të gjithë, pa dallim profesioni, moshe, seksi, vendi pune që gëzojnë, është një tjetër “reformë strukturore”, që po lë me “gojë hapur” Perëndimin. Natyrisht që mungojnë disa elemente të rëndësishme të zhvillimit të vendit, si p.sh., politika për punësimin, zhvillimin rural, arsim sa më bashkëkohor, shëndetësi që t’u përgjigjet nevojave të popullatës, nxitje të zhvillimit të biznesit, hapja e vendeve të reja të punës, duke krijuar më shumë mundësi për njerëzit në nevojë dhe të rinjtë e kështu me radhë. Por këto në këndvështrimin e udhëheqësve tanë të dashur nuk kanë shumë rëndësi. Shpërngulja masive e shqiptarëve nuk është e vërtetë. Ata “pak shqiptarë që ikin”, nuk janë banorë shqiptarë ose edhe kur janë të tillë, nuk kanë informacionin e duhur. Pjesa më e madhe e azilantëve janë emigrantë shqiptarë nga Greqia, të dëshpëruar prej Tsiprasit, kurse këta tanët ikin se i gënjeu Gjermania për vende pune. Madje, Gjermania gënjen edhe për shifrat, prandaj ministri Tahiri ia vuri kufirin tek thana dhe i kërkoi qeverisë gjermane të ishte serioze me numrin e emigrantëve shqiptarë. Shkurt hesapi, qeveria “Merkel” gënjen, ndërsa qeveria “Rama” është në rrugë të drejtë. Mundësitë për punësimin, investimet, rritja e biznesit nuk mund të jenë në dorë të qeverisë shqiptare. Nuk e ka fajin ajo, kur Bashkimi Evropian po tregohet i mefshtë, nuk ka politika të qarta dhe luan me padurimin e Ballkanit Perëndimor për hyrjen në BE.

Po a i zgjidh të gjitha problemet rendja me ngut për të kapur me çdo kusht trenin e BE-së?

Bashkimi Evropian nuk është vetëm një komunitet ekonomik. Ai nuk është më një komunitet ekonomik evropian, përkundrazi, një Bashkim Evropian. Vlerat luajnë një rol të madh. Prandaj, për të gjitha vendet që ndodhen në rrugën drejt Bashkimit Evropian janë të rëndësishme diskutimi i vlerave dhe vendosja e një rendi vlerash, një aspekt i rëndësishëm ky për përgatitjen e anëtarësimit në BE”. Këtu bëhet fjalë për parimet themelore ku bazohet Unioni, që përkufizohen edhe si “vlerat e respektimit të dinjitetit njerëzor, të lirisë, demokracisë, barazisë, shtetit të së drejtës, si edhe respektimit të të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e komuniteteve. Këto vlera janë të përbashkëta për shtetet anëtare të cilësuar nga pluralizmi, mosdiskriminimi, toleranca, drejtësia, solidariteti dhe barazia midis burrit dhe gruas”, – kështu deklaronte Hannes Svoboda në 2006. Sa rëndësi ka për ne solidariteti, kur njerëzit enden në rrugët e Evropës për pak bukë, ca të holla dhe mundësinë e një punësimi kudo që të jetë, mjafton që të quhet punë? Cili është kuptimi i togfjalëshit barazi mes burrit e gruas, kur kjo e fundit rrihet me mjete më primitive, nga kërcuri i gardhit të shtëpisë e deri tek mbytja me rripin e mesit të ish-burrit. Sa respektohet dinjiteti njerëzor, kur njerëzve që qeveria ka marrë përsipër t’ua bëjë jetën më të lehtë i shtyn drejt rrugës së dëshpërimit, me pëshpëritjen që ka filluar të dëgjohet si një jehonë kohët e fundit: “Të ikim se ky vend nuk do të bëhet kurrë”? Demokracia, shteti i së drejtës, barazia, mosdiskriminimi janë fjalë të huaja, një luks i madh për shqiptarët. Kur humbet vendin e punës me pretekstin se nuk je yni dhe nuk i përket partisë sonë, mund të flitet vetëm për diskriminim dhe jo për mosdiskriminim. Kur të drejtën për të vënë çmimin e tokës që takon me ligj tani e 100 e kusur vjet më parë, nuk ka respektim të të drejtave të individëve. Vlera e tolerancës bie përditë e më shumë kur njerëzit trajtohen me cinizëm, me padrejtësi me intolerancë të thellë e madje nuk lejohen as që të dëgjohen për atë që mendojnë. Zhvillimi i një vendi është i lidhur ngushtë me arsimin e popullatës më të re në moshë, me të ardhmen e tij. Por në vend që të mendohet për ta, për të ndërtuar një shkollë të re, rikonstruktuar dhjetëra të tilla, rindërtohet ndërtesa e Ministrisë së Arsimit. Si mund të trajtohen me solidaritet prej ministrit të Mirëqenies të papunët, kur vetë ministri i papunë deri më tani bën një jetë luksoze e dasma princërish? Si mund të besohet se një Kryeministër pa lek, ndërton saraje me fitimet e një libri? Bashkimi Evropian kërkon më shumë se leksionet kundër saj, bejtet në konferencat e shtypit, selfiet dhe lyerjet disaminutëshe me bojë të mureve të kopshteve. Ai kërkon të shohë përkushtimin e munguar për ata që duhet të qeverisin e jo të bëjnë sikur qeverisin dhe fajin t’ua hedhin të tjerëve për dështimin e tyre. Dhe në fund, kujtojnë se do të shtrëngojnë Evropën që të vërë dorën në zemër e t’u hedh[ disa miliona euro që të mbyllin hallet e tyre. A thua se evropianët janë kaq budallenj, sa të lënë milionat e tyre në duart e njerëzve që sytë i kanë nga Berlini e mendjen për të mbushur xhepin e tyre?

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here