Mbi rishtetëzimin e universiteteve

0
104

Nga Artan Fuga

Artan_FugaÇfarë do të ndodhë pas miratimit të ligjit për arsimin e lartë që i shtetëzon universitetet?

Ne pedagogët do të vazhdojmë të marrim grada dhe titujt me shkrime në revista që veç llafeve nuk kanë asnjë dobi tjetër.

Do të vazhdojmë me pedagogë të varfër dhe studentë të varfër, duke pasur arsimin e lartë më të varfër në Evropë.

Cilësi e mirë shkence dhe arsimi do të quhen ato që përputhen me programin politik të qeverisë së radhës, cilado qoftë ajo. Dija tjetër nuk do të subvencionohet.

Ideologjizimi i dijes universitare do të vazhdojë të forcohet në kufijtë e propagandës.

INSTAT-i do të vazhdojë me fabrikimin e shifrave, sepse një pjesë e të rinjve nuk do të quhen të papunë, por studentë.

Mami dhe babi do të vazhdojnë të ngopen me lugë të zbrazët se po i japin diplomë shkolle të lartë çunit a gocës.

Fabrikantë diplomash pa vlerë do të vazhdojnë të bëjnë lekë si organizata kriminale dhe me to do të financojnë media që duke i bërë lavde politikës do të vazhdojnë të qetë të ngopin me iluzione rininë.

Tê shesësh diploma pa vlerë sjell fitime të larta si droga, por droga po u kap dënohet kurse diploma pa vlerë jo.

Shitës iluzionesh, jo dijesh.

Deputetët do ta vazhdojnë ta votojnë ligjin me metoda demokratike duke numëruar saktë votat e shumicës dhe votat e pakicës, do bëjnë sikur e analizojnë në komisione e komitete.

Pastaj ligji do të kthehet në vullnet i përgjithshëm i sovranit pa dije dhe i lënë pa kulturë.

Kultura kombëtare do të vazhdojë të degradojë në një paçavure ku askush nuk e kupton se na ka mbytur padija.

Politikani, militanti, nëpunësi i agjencive do të bëjë sikur gjoja punon dhe do të marrë rrogën e vet qesharake, por që i duhet, dhe do të votojë për nderin që i bëhet. Do ta kontrollojë cilësinë e mësimit dhe të shkencës militanti i caktuar nga politika e radhës.

Analistët dhe komentuesit anonimë të blogjeve do të vazhdojnë të vjellin sharje dhe budallallëqe marrish.

Studentët pas shkolle do të vazhdojnë të mbeten pa punë, sepse punë ka vetëm për ata që ia dorëzojnë shpirtin militantizmit, blejnë punë me parà a me miq.

Duhen vendosur në fillim qëllime dhe pastaj norma, jo norma ligjore që nuk sjellin rezultate të tjera.

Bota do të vazhdojë të rrotullohet.

Mijëra do të lindin, do të festojnë ditëlindje dhe do të vdesin pasi të kenë hedhur kapelet e zeza, marrë me qira, në tavanet e auditorëve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency