Marrëveshja në Uashington/ Terrorizimi, partneritet strategjik Shqipëri-SHBA. Kerry, Bushatit: Mbështetje për integrimin

0
113

Gëzim Saliu

 kerry bushati.Bushati: Shqipëria po shkon drejt BE-së falë angazhimit të vazhdueshëm të SHBA-së, po bashkëpunojmë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit islamik

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria lidhin marrëveshjen e partneritetit strategjik në kuadër të luftës kundër terrorizimit dhe ekstremizmit islamit. Kjo u arrit në takimin e djeshëm të Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, me ministrin e Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, ku kryediplomati amerikan ka vlerësuar Shqipërinë si një partnere të fortë në NATO. “Shqipëria është një mike dhe partnere e fortë e NATO-s. Ajo bashkëpunon ngushtë me SHBA-në dhe me partnerët e tyre në një numër frontesh të ndryshme. Sot do të kemi kënaqësinë të nënshkruajmë marrëveshjen SHBA-Shqipëri për partneritetin strategjik, që është një përpjekje për të bashkëpunuar më plotësisht për interesin tonë të përbashkët lidhur me luftën kundër terrorizmit, për sigurinë në rajon, kundër ISIS dhe nisma të tjera”, – tha Kerry. Më tej, Sekretari amerikan i Shtetit pohoi se në takimin e vitit të shkuar në Uells me Kryeministrin Rama u diskutuan disa probleme që lidhen me terrorizimin dhe luftën kundër ISIS-it. “Shqipëria ka ndihmuar shumë në transferimin e njerëzve të grupit të rezistencës iraniane MEK dhe në çështje të tjera. Ne e mbështesim anëtarësimin e Shqipërisë në BE sa më shpejt që të jetë e mundur dhe ata janë në rrugën për të bërë gjërat e nevojshme për këtë anëtarësim. Ne jemi gjithashtu të kënaqur që Shqipëria ka rënë dakord të bëhet mikpritëse e takimit ministerial për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Kjo ka rëndësi për të gjithë, duke pasur parasysh njoftimet lidhur me aktet në të cilat është angazhuar ISIS. Ne po punojmë gjithashtu në përpjekjet e përgjithshme rajonale lidhur me luftën kundër ISIS dhe bashkëpunimi i Shqipërisë si anëtare e koalicionit ka qenë absolutisht i rëndësishëm”, – tha Kerry.

 

Ministri i Jashtëm

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Sekretarin amerikan të Shtetit, ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, theksoi se SHBA mbetet një partner shumë i rëndësishëm strategjik i vendit tonë. “Shqipëria po shkon drejt BE-së falë angazhimit të vazhdueshëm të SHBA-së. Ne po bashkëpunojmë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit islamik dhe takimi me Sekretarin Kerry synonte përmirësimin e bashkëpunimit tonë strategjik”, – tha Bushati. Ndërkaq, shefi i diplomacisë shqiptare e nisi vizitën në SHBA me përurimin e rikonstruksionit të selisë së Ambasadës Shqiptare atje. Mjediset e reja të Ambasadës u përuruan me praninë e përfaqësuesve të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, të institucioneve kryesore, diplomatëve kryesorë e përfaqësues të diasporës. Për Bushatin, përmirësimi i kushteve të përfaqësimit në Uashington është një shenjë e qartë përgjegjësie si dhe një dëshmi konkrete e angazhimit ndaj aleatit strategjik.

 

 Gara për Tiranën/ Tahiri “detyrohet” ta mbështesë, Veliaj: Javën e ardhshme dorëhiqem si ministër

 Ministri i Brendshëm, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste për Tiranën, Saimir Tahiri, i pyetur dje nga gazetarët pas mbledhjes së grupit socialist nëse e mbështeste apo jo kandidatin e mazhorancës për kryeqytetin, deklaroi se ai ishte propozim i gjithë grupit. “Nuk ka asnjë diskutim që do ta mbështes Erion Veliajn, ai është kandidat i të gjithë grupit të Tiranës”, – tha ai shkurt. Kjo pyetje vjen për shkak se dihet që marrëdhëniet mes ministrit të Brendshëm dhe kandidatit të mazhorancës nuk janë nga më të mirat. Në shkrimin e dy ditëve më parë, gazeta, duke u mbështetur mbi burimet pranë selisë së PS-së, theksonte se Tahiri në garën e brendshme të socialistëve për Bashkinë e Tiranës fillimisht ka mbështetur fuqishëm Pandeli Majkon dhe më pas Blendi Klosin. Por nëse kundërshtitë e brendshme të kësaj kandidature nuk janë vetëm te Tahiri, por edhe tek anëtari i kryesisë së PS-së Ben Blushi, duket se ky i fundit është më i drejtpërdrejtë në shprehjen e kritikës së tij. Nga ana e tij, Tahiri, nisur nga fakti se ka një marrëdhënie të ngushtë me Kryeministrin Rama, duket se do ta “përtypë” antipatinë e tij për figurën e Veliajt dhe do të shfaqë publikisht mbështetjen për të, në mënyrë që të mos ndikojë negativisht në garën për Tiranën. Ndërkaq, një ditë më parë, ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Punës, bëri të ditur se javë e ardhshme do të japë dorëheqjen nga posti që mban, për shkak të kandidimit të tij për Bashkinë e kryeqytetit. “Duke qenë se mbledhja tjetër do jetë me një ministër të ri, do të doja të kishim në rregull punën në Këshillin Kombëtar, derisa të merret stafeta aty ku është lënë. Dhe kështu do të bëj deri javën tjetër, kur do paraqes dorëheqjen, për t’u siguruar që puna e nisur të ketë përfunduar dhe që puna të jetë gati për kolegun pasardhës”, – deklaroi Veliaj.

 

 

Konferenca e kryeparlamentarëve/ Meta në Romë: Me emigrantët po ndodhin veprime kriminale, të shemben muret që s’kanë efekt

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, deklaroi dje në Romë gjatë fjalës së tij në punimet e konferencës së kryeparlamentarëve të vendeve të Bashkimit Evropian se me emigrantët po ndodhin veprime kriminale. Sipas Metës, i takon Bashkimit Evropian që të marrë masa, por duke mos dëgjuar zërin e ekstremistëve. Gjithashtu, Meta është ndalur edhe te situata në Ukrainë, duke e cilësuar si një situatë që tregon që në lojë ka akoma disa interesa gjeopolitike që na vënë në rrezik. “Duhet të imponojmë të shemben muret që nuk kanë efekt. Jemi në pozicionin e duhur për të theksuar se sa e rëndësishme lëvizja e lirë. Ukraina dhe Krimeja na tregojnë se ka akoma interesa gjeopolitika që na vënë në rrezik. Me emigrantët po ndodhin veprime kriminale. Duhet t’u rezistojmë thirrjeve ekstreme. Parlamentet duhet të përpiqen që të forcojnë dhe te trupëzojnë më tepër Bashkimin Evropian”, – tha Meta. Shqipëria merr pjesë për herë të parë në një takim të këtij niveli, me statusin e vendit kandidat.

 

 Deri në fund të mandatit/ Rama: Do të çojmë ujin në çdo parcelë ku punohet

I pranishëm në veprimtarinë e Ministrisë së Bujqësisë për bordet e kullimit, Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se deri në fund të mandatit uji do të jetë në çdo parcelë që do të punohet. “Ky është një moment i rëndësishëm, sepse një nga segmentet e programit tonë që është futja e teknologjisë së re për shërbime cilësore dhe monitorimet e këtyre shërbimeve, hyn tani në jetë në një nga fushat më të rëndësishme që ka të bëjë më ujitjen dhe kullimin. Ne do çojmë ujin në çdo parcelë që punohet. Zotimi është ambicioz, sepse mundësia për ujitje që nga viti 1992 ka ardhur duke u ngushtuar. Sot kemi nën ujë vetëm 110 mijë ha tokë, nga 420 mijë ha tokë. Pjesa dërrmuese e tokës është shndërruar në ndërtime informale. Sidoqoftë ka ende një sipërfaqe të tokës që mund të punohet, por mbetet jashtë funksionit sepse mundësia për ujitje ka qenë e largët”, – deklaroi Rama.

 

Kushtetuesja e rrëzoi, Bushati: Byroja Kombëtare e Hetimit do të ngrihet

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, pas takimit që pati me Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, deklaroi se ka marrë mbështetjen e FBI për ngritjen e Byrosë së Hetimit. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Bushati tha se vendimet e Gjykatës Kushtetuese do të respektohen dhe se do të gjendet rruga e duhur për të jetësuar këtë strukturë. “Jam i lumtur të ritheksoj mbështetjen që po marrim nga FBI për sa i përket ngritjes së Byrosë së Hetimit në Shqipëri, që është një dëshmi e qartë e vullnetit tonë politik si qeveri për të bashkëpunuar me agjenci të specializuara dhe për të përfituar nga procesi të ndërtimit të kapaciteteve administrative. Ne jemi një demokraci kushtetuese dhe vendimet e gjykatës kushtetuese respektohen dhe besoj se ne do të gjejmë rrugën e duhur për ta jetësuar këtë strukturë, kuptohet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe mbështetjes teknike që do të marrim nga FBI në këtë drejtim”, – tha ai.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency