Maqedonia nënshkruan marrëveshjen për hekurudhën deri në Lin

0
131

Ervin Kaduku

 treni ne stacion–  Konkretizohen përpjekjet për realizimin e Korridorit 8 Panevropian nga fqinjët; pjesa shqiptare duhet të riaktivizohet

 Qeveria e Maqedonisë njoftoi se nënshkroi marrëveshjen me konsorciumin e përbërë nga kompania spanjolle “Tipsa” dhe ajo franceze “Lui Berzhe” për projektin e ndërtimit të hekurudhës nga Kërçova deri në kufi me Shqipërinë, pranë komunës Lin, që është pjesë e Korridorit 8. Realizimi i projektit duhet të fillojë në datë 15 të këtij muaji dhe do të përfundojë për 22 muaj. Në fazën e parë do të punohet në shpronësimin e tokës ndërtimore, pas së cilës do të vijojë thirrja për kompanitë e interesuara që do të ndërtojnë hekurudhën. Për ndërtimin e hekurudhës Kërçovë-Lin me gjatësi prej 60 km do të shpenzohen rreth 350 milionë euro. Pjesa Kërçovë-Lin është pjesa e pandarë e linjës perëndimore të Korridorit 8, që lidh Detin e Zi, Bullgarinë, Maqedoninë, Shqipërinë dhe Italinë përmes detit. Parashikohet që pjesa hekurudhore e Korridorit 8 të përfundojë pas 8 viteve, pra deri në 2022.

Për Shqipërinë ky vendim është ideal, pasi linja hekurudhore ekzistuese kalon pak kilometra larg kufirit me Maqedoninë, pranë Strugës. Kjo do të krijonte lidhjen e dytë ndërkombëtare mbi shina, pas linjës ekzistuese që na lidh me Malin e Zi dhe që është riaktivizuar fuqimisht vitet e fundit, mbi të cilën kalojnë kryesisht mallra me tonazh të lartë.

Megjithatë, do të duhej që pala shqiptare ta riaktivizonte të gjithë pjesën tjetër të linjës hekurudhore, nga Rrogozhina deri në Pogradec, pasi kjo prej vitesh nuk funksionon më, duke ja lënë transportin e mallrave dhe pasagjerëve vetëm automjeteve. Por transporti mbi shina ka një rendiment shumë më të lartë dhe kosto shumë më të ulët, vetëm se kërkon edhe shpenzime investimi për të sjellë linjat shqiptare të amortizuara në standardet e kohës.

Kohët e fundit është vënë re një vëmendje qeveritare në këtë drejtim. Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, inspektoi dy javë më parë punimet në stacionin hekurudhor të pasagjerëve në Kashar, si dhe terminalin hekurudhor në Portin e Durrësit. “Në fakt, është një stacion i linjës Durrës-Tiranë, por për momentin do të konceptohet si stacion kryesor për udhëtarët e Tiranës, pasi jemi në pritje edhe të zhvillimeve të infrastrukturës në Tiranë, të stacionit multimodal, i cili është një domosdoshmëri pasi mungesa e këtij stacioni ka sjellë volume në rënie në transportin e pasagjerëve deri në masën 60% të tyre”, – tha ministri Haxhinasto.

Një situatë krejtësisht tjetër është ajo në transportin e mallrave, e cila për 9-mujorin e këtij viti ka pasur një rritje mbi 40% dhe deri në fund të vitit presim që ajo të shkojë deri në masën 70% të planit të një viti më përpara. Interesi për hekurudhën do të vijë në rritje, pasi hekurudha është një sektor me potencial të madh për transportin në Shqipëri. Do të jetë një kontributor i zhvillimit ekonomik të vendit, por gjithashtu do të ofrojë një transport cilësor edhe për udhëtarët që preferojnë të zgjedhin këtë lloj transporti, tha ai.

Në fakt edhe zhvillimi i infrastrukturës hekurudhore po bën hapa të rinj çdo ditë. Aktualisht jemi duke realizuar projektin e detajuar të linjës Tiranë-Rinas-Durrës, që do të jetë një projekt, i cili do të ofrojë një shërbim shumë cilësor jo vetëm për pasagjerët që udhëtojnë midis Tiranës dhe Durrësit por edhe për udhëtarët të cilët përdorin Aeroportin e Rinasit.

 

Qeveria kërkon të shmangë raportimin për pastrimin e parave, refuzon Evropa

 –  Moneyval vendos që të vijojë raportimi i Shqipërisë edhe në muajin dhjetor 2014

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare i ka kërkuar Komitetit të Ekspertëve për Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (Moneyval), pranë Këshillit të Evropës, për t’u hequr nga procedura e raportimit të rregullt. “Sekretariati i Moneyval paraqiti konkluzionet kryesore dhe rekomandimet. Në to u theksua progresi që ka bërë Shqipëria që prej nëntorit 2010, pas vizitës në vend të këtij Grupi Pune, dhe veprimet pozitive për të përmbushur mangësitë kryesore. Megjithatë, iu propozua seancës plenare që Shqipëria të kryejë raportim edhe në dhjetor 2014, duke e plotësuar me informacion shtesë”.

Takimi është zhvilluar në Strasburg më 15-19 shtator 2014 në sesionin e 45-të plenar për vlerësimin e masave të marra në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit

Sekretariati i Moneyval raportoi për situatën e demokracisë, të drejtat e njeriut dhe zbatimin e ligjit në Evropë, raport që u mbajt nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës. Raporti analitik për progresin e Shqipërisë lidhur me rekomandimet e Grupit të Punës për Veprimtarinë Financiare (Financial Action Task Force, FAFT) u zhvillua në datë 17 shtator. Në raport thuhej: “Që nga vizita në vend, Shqipëria ka zbatuar legjislacion të ri, i cili ka rishikuar kuadrin ligjor në një sërë çështjesh. Ky kuadër ligjor është i ri dhe informacioni lidhur me efektivitetin nuk është bërë i mundur në disa aspekte. Në përgjithësi këto ndryshime në mënyrë të dukshme përmirësojnë zbatimin nga Shqipëria të kërkesave. Gjithsesi duke parë një numër boshllëqesh në informacionin për praktikat në terren, nuk është arritur akoma niveli i përputhshmërisë LC (e përputhur tërësisht)”.

 

 Vetëm në Tiranë po rriten depozitat bankare

Kryeqytetasit janë të vetmit, që kanë arritur të shtojnë kursimet e tyre në banka në gjashtë muajt e parë të këtij viti, sipas statistikave të detajuara të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Pak janë rritur depozitat edhe në Fier, ndërsa pothuajse të gjithë qytetet e tjera kanë parë një tkurrje të kursimeve në banka. Depozitat në Tiranë arritën në rreth 385 miliardë lekë, në fund të gjashtëmujorit të parë 2014, duke u zgjeruar me gati 4% në raport me fundin e 2013-ës. Me bazë vjetore, kursimet në kryeqytet janë rritur me gati 6%. Kjo tendencë pozitive ka ardhur kryesisht nga shtimi i depozitave në lekë, ndërsa ato në valutë kanë qëndruar në vend.

Në kryeqytet ndodhen rreth 40% e kursimeve të shqiptarëve, të ndjekura nga Durrësi, Vlora, Fieri, Elbasani përkatësisht me 9%, 7%, dhe dy të fundit me nga 6% të totalit. Në raport me vitin 2007, ka pasur një rritje te peshës së kursimeve të qyteteve të vogla. Nga qytetet e tjera, vetëm Fieri ka shënuar një rritje prej rreth 7% të kursimeve, në fund të qershorit 2014, në raport me dhjetorin 2013, për të arritur në 63.5 miliardë lekë.

Fare lehtë janë shtuar dhe kursimet në Durrës, me vetëm 0.4% për periudhën në fjalë. Qytetet e tjera kanë parë rënie, ku më e thellë në vlerë absolute ka qenë tkurrja për Korçën, ku kursimet ranë me 2.2% gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, në 59.7 miliardë lekë, kryesisht nga performanca e dobët e depozitave në lekë.

Rënie, por më të lehtë, kanë shënuar kursimet në Shkodër dhe Vlorë, që janë tkurrur përkatësisht me 1% dhe 0.7% në fund të qershorit, në raport me dhjetorin 2013.

 

 Konferencë për Ditën Botërore të Standardeve

Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit organizoi dje konferencën me temë “Standardet vendosin rregulla të njëjta për të gjithë”, në kuadër të Ditës Botërore të Standardeve. Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Brunilda Paskali, tha se standardizimi është i rëndësishëm për rritjen ekonomike, sigurinë dhe mbrojtjen e konsumatorit dhe vlerësoi punën e bërë deri tani nga Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit. Ajo tha se DPS duhet të vazhdojë të ndjekë ritmin e adoptimeve të standardeve evropiane e ndërkombëtare si standarde shqiptare dhe të marrë të gjitha masat për rritjen e pjesëmarrjes së të gjithë aktorëve kyç në procesin e standardizimit jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe në atë evropian e ndërkombëtar, në mënyrë që tregut vendas t’i ofrohen zgjidhje më të zgjuara e më efikase nëpërmjet standardeve të cilësisë dhe teknologjive më të fundit në fuqi”.

Nga ana e tij, drejtori i Përgjithshëm i Standardizimit, Riza Hasanaj, renditi disa nga arritjet e në punën e institucionit që ai drejton, duke theksuar se progresi në fushën e standardizimit është vlerësuar edhe nga raport-progresi i Komisionit Evropian për vitin 2014. Megjithatë, ai pohoi se ka ende shumë punë për të bërë, sidomos për ndërgjegjësimin e konsumatorëve lidhur me standardizimin.

Ndërkaq, kreu i Shoqatës së Konsumatorëve, Islam Cani, tha se duhet më shumë bashkëpunim mes institucioneve përgjegjëse në fushën e standardizimit dhe shoqatave të konsumatorëve, në mënyrë që të përparohet më shumë në këtë drejtim. Ai pohoi faktin se duhet bërë me shumë në drejtim të ndërgjegjësimit të qytetarëve.

 

OSHEE vijon aksionin për prerjet në Shijak

Drejtoria Rajonale e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Durrës ka vijuar dje aksionin për ndërprerjen e furnizimit me energji të abonentëve debitorë, si dhe prerjen e lidhjeve të paligjshme në rrjet. Të mbështetur nga forcat e Policisë së Shtetit, punonjësit e OSHEE-së ishin në zonën e Shijakut, ku janë evidentuar 554 abonentë debitorë.

Fillimi i aksionit për ndërprerjen e energjisë elektrike ka nisur të japë rezultate, pasi mjaft debitorë deklarohet se kanë nxituar të shlyejnë këstet e para të borxhit, ndërsa Operatori i Shpërndarjes njofton se pagesa e kamatëvonesës është një detyrim që nuk do të tolerohet.

Ndërprerja e energjisë po realizohet tek subjektet private dhe abonentët familjarë, ndërsa mbetet problem vjelja e borxheve nga institucionet dhe entet publike, që në Durrës kapin vlerën e afro 900 milionë lekëve.

 

Putini kërcënon Evropën me ndërprerje të furnizimeve me gaz

Presidenti rus Vladimir Putin arriti në Milano mbrëmjen e së enjtes për bisedime rreth paqes me udhëheqësit e Bashkimit Evropian, pasi kërcënoi të ndërpriste furnizimin e gazit natyror përmes Ukrainës nëse qeveria në Kiev ‘devijon’ karburantin për përdorim të brendshëm. Pasi arriti më vonë në takim, duke qenë se qëndroi për të marrë pjesë në një paradë ushtarake në Serbi, Putin u takua me Kancelaren gjermane Angela Merkel pak para mesnatës, teksa ata u përgatitën për bisedime formale mbi Ukrainën planifikuar për dje. Presidenti ukrainas Petro Poroshenko takoi gjithashtu Merkel si dhe Kryeministrin italian Matteo Renzi dhe Presidentin e BE-së Herman van Rompuy.

Putin, i cili shoqërohej nga shefi ekzekutiv i Gazprom-it Alexey Miller, tha se ai është i shqetësuar se Ukraina mund të vjedhë gazin rus destinuar për tregjet evropiane. “Ka rreziqe të mëdha transiti”, – tha në Beograd, Serbi, Putin, i cili mohon përfshirjen në konfliktin e Ukrainës. Nëse Rusia percepton se partnerët e saj ukrainas “po fillojnë të vënë dorë në gazin tonë nga rrjeti i tubacionit të eksportit, ne do të përgjigjemi duke reduktuar transportin në sasinë e vjedhur”, – deklaroi ai.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency