Letra e 1956/ Kur Tito torturonte për vdekje shqiptarët, letra për Krujën: Denonco urgjent në agjensi të huaja

0
166

josip-broz-tito (1)Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Është  një cikël i gjatë me letra midis Mustafa Krujës dhe Tahir Kolgjinit, për të cilën na flet trashëgimtari i Krujës, ku merret informacion mbi organizimin e politikës shqiptare në emigrim

 Tahir Kolgjini që mban dhe epistolarin më të gjatë me Mustafa Krujën në letrat e mëposhtme na sjell një tjetër përshkrim dëshpërues se sa e pamundur ishte “çlirimi” i Shqipërisë nga Enver Hoxha, sidomos nga jashtë. Në letrën e tij marrim njoftime se kemi të bëjmë me një nga vitet e masakrave të Titos mbi shqiptarët në Kosovë, se si rriheshin për vdekje, sa në një rast një shqiptar kishte varur veten në litar nga kjo arsye. Duke u nisur nga këto informata Kolgjini i drejtohet Krujës për të shkruar e ngritur zërin nëpër mediat e Evropës, apo për të njoftuar agjensitë e huaja.

Tahir Kolgjini ishte shkolluar në Stamboll për teologji. Por veprimtaria e tij, ashtu sikurse dhe ajo e M.Krujës, kishte filluar në rolin e mësuesit në krahinën e tij, në Lumën, ku kishte lindur më 1903, në fshatin Lusen. Më tutje ai emërohet si sekretar i Gjykatës, më parë në Himarë (1928) e më pas në Kukës (1929), ku merr edhe drejtimin e Bashkisë (1939). Gjatë luftës, kur M.Kruja ishte Kryeministër, e emëroi T.Kolgjinin si prefekt të Gjirokastrës. Ishte një njeri shumë i mprehtë e që i kishte idetë e qarta. Me Krujën ndante idenë se rreziku i vërtetë i Shqipërisë nuk ishte pushtimi italian, i cili ishte një dukuri e lidhur me luftën dhe kohëzgjatjen e saj, por lëvizja nac.-çl., jo thjesht si ide, por si një sendërtim në bazë të parimeve të komunizmit e t’organizuar nga “shkjetë”, armiqtë natyrorë të shqiptarëvet. Në ardhjen e mundëshme të komunistëve në pushtet në fundin e luftës, ata shihnin një rrezik të madh për Shqipërinë e bashkuar, që ishte realizimi i idealit të themeluesve të Pavarësisë.

Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e tretë, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

 ***

Istanbul, me 9.3.1956

I dashuni Lala Mustafë,

Letrës s’ate të datës 3 të këtijë mueji po më duhet me iu përgjegjun me të shpejtë, mbassi jam i detyruem me dhanun skjarime rreth librit:

Në bisedim e sipër, Lutfiut i thash se, e kam njoftum Mustafën rreth përmbajtjes së librit (Türkiyede Siyasi Partiler) dhe i kam premtuem se do t’ia dërgoj njâ. Mustafa në përgjegjen e vet më thotë se, nuk do të bajsha keq, se pse në ket libër mund të ndodhen argumenta historike. Mbi ketê, Lutfi Beu më thotë se, ia dërgoj un, me qenë se këtu në shtëpi kam disa… Mâ në fund, mbassi un ngula kambë, vendosëm qi libri të jetë i ‘Tijë dhe dërgesa të jetë e emja. E pashë t’arsyeshme ketê për dy pika: 1. Për delikatesë: nuk deshta me ia ngarkuem atë barrë. 2. M’u-krue pak: deshta me e kënduem e mandej… Kështu. Kah del fjala del shpirti. Lutfi Beu u tregue i gadshëm në dërgimin e librit. Zjarm asht i shkreti, me gjith qi i kaluem pak në moshë.

Pra, për çashtjen e librit, aspak nuk duhet me pasun idhnim kundra mikut të vjetër, se e vërteta qëndron kështu. Un e kam mbështjellun punën. Ndoshta Ti tash don me e dijtun shkakun e vonesës. Si thotë Kapidani, helbeta, ké hak. Ehh… u vonue… Sesihen e seqyshen edhe un s’und e mora vesht. Fakti âsht se, deri tash as s’e k’kënduem (ne vend të këndimit qe mâ mirë leximi, për me mnjanuem kakofonin – as s’e k’çuem. Me shpresë të Zotit, sod mbas dreke ose nesër.

Për ndonji punë tjetër tregtare, me të vërtetë nuk qe kismet. Më duket se asht harxhuem shum me do konaqe. Mandej do troje, nji shtëpi e nji shtypshkronjë, qi i ka nxjerrun në shitje, për fat të keq, nuk i janë shitun. Zbute, më qafsh, zbute zêmrën.

Për shkresën e botueme në Flamuri, për të cillën i paske bamë për pesë pare, ajo mue, qe besa, në përmbledhjen e situatës politike dhe të sjelljeve e të synimeve të fqinjve, më qe dukun me vend. Veç se, do akuza kundra grupevet tjera dhe pretendimet monopolistike për sa i përket Blokut më qenë çfaqun gjâna të pa hijëshme, të shëmtueshme. Zaten, më fal por, mue më ka mbuluem pesimizma. Nuk jam i mendimit se Shqipnin do t’a shpëtojë emigracjoni. Ajo ka për të shpëtuem vetëm mbas njijë lufte të tretë botnore. Po kjo kuer?… Vetëm se, na emigrantat asht nevoja me punuem me sa të n’a vijë ndoresh, me qëllim qi të kemi nji kënaqsi shpirtnore, të justifikohemi rreth së kaluemes dhe t’ardhëshmes. Kaq. Dashtë Zoti e puna qëndroftë ndryshe.

Nga Jugoslavija: Për fat të keq kemi lajme t’idhta. Ka afër dy muej qi forcat qeveritare kan filluem e krehun Kosmet-in në të katër anët, tue kërkuem armë me dajak. Nuk kanë lanun katund e qytet pa e marrun ndepër dorë. Nji armë e gjatë ka mbërrijtun deri në njiqindmijë dinarë – për me shpëtuem nga huni –. Në Prishtinë, milicija paska shkuem e thirrë njanin qi të paraqitet në komandë. Aj i shkreti me nji herë ka hymë mbrenda dhe prej tute ka varun vehten me nji tërkuzë. Në katundin Sllovinë, njifarë Kurt Sojeva paska vdekun prej dajakut. Edhe në Kaçanik, njifarë Salih Tusha qenka në shtratin e vdekjes prej dajakut. Në grumbuj i rrahin. As mjeku as spitali nuk guxon me marrun masa mjekimi për personat e shkallmuemë.

Lajmet i kemi fare të sigurta; prandej sikur t’i epen ndonjije agjensije, kishte me qenë jo punë e keqe. Të shofim.

Tjetër nuk po kam. Të mârr ngrykë me shum mallë.

I yti

Tahiri

.

 Afyon, me 1.7.1956

Fort i dashuni Lala Mustafe,

Po. Si po e sheh edhe vetë, prej Afyonit po të shkruej. N’Istabul, me thânun të drejtën, isha mërzitun mjaft nga pàpunsija dhe pata ramë shum nga fuqija morale. Dhash e mora djathtas e majtas, por, nuk munda me gjetun asnji strehë. Satvet Lûtfiu i shkretë u përpoq, sà s’ka ku me votun mâ, por, nuk u zhdredh, nuk u zhdredh. N’ato dit, fati i em qe bâmë si nji dhâ bungu, qi nuk e çante as sakica e farkueme prej farkëtarit mâ mjeshtër të botës.

Njeriu sà rron, mëson. Hassha ndonji herë në ndonji mik dhe përshëndetshim njâni tjetrin, tue i shtrënguem dorën shoqi shoqit bukur fort. Dikuer, në mes tjerave, më drejtohej nji pyetje:

Tahir bey, ne yapiyorsunuz, ne işte siniz?

Un me vehte thojsha: “Shyqyr qi u hap kjo fletë” dhe disi përmbëledhshëm:

Efendim, bir idhalâtçi-ihracatçi firmanin yaninda işlemekte idim, fakat, biliyorsunuz, tahdidi idhalât vesilesi ile işler de kisildi. Firma, personelinden bir mikdarina, müsaade etmeğe mecbur kaldi. Böylece, maalesef, 4-5 aydan beri işsiz bulunmaktayim. Hâlen iş aramakla meşgulûm.

Po sà e shqyptojsha përgjegjen, persona e dytë bâhej gadi, o me më lëshuem dorën, ose me mârrun leje, dhe nuk mungonte (!) me më paraqitun urimet e veta:

Efendim, bulursunuz inşaallah, bulursunuz. Siz ağir başli ve kiymetli bir arkadaşsiniz. Efendim bendize müsaade…

Güle güle efendim! (Ket efendim e shkrova me e të vogël me qëllim. Bile për të tillë, do t’ishte mâ me vend fjala shqip:…). – Pà d veç.–

Sà herë më kà ramë ndër mênd fjala e kosovarve, qi thonë:-“Sà të t’thonë: Thij i biri thiut, i ké punët mirë; kur të t’thonë: Ah i shkreti, ké mbarue.”.

Pooo. Bulursun inşaallah, bulursun inşaallah. Zaten na nacjonalistat, tue mos u kujdesun e tue mos çamë kryet për njâni tjetrin, e kemi gjetun belàn. Nji kalaveshje e pà fund në punët t’ona… Nuk po i dihet as kryet, as fundi. Ndërsà âna kundrështare, me terror e me forcë, gjithkuej po i tregon vendin e vet.

Or Lalë,

Kur i kam pasun trût e freskëta, e kam pasë bâmë pèrmêndësh nji katërshore të HAYYAM-it. Me lejen t’ânde po e shkruej:

“Kavmî mütefekkirend der mezhb ü din.”

“Cem’î mütehayyirend der şekk ü yakin.”

“Nàgâh münàdîi berayed ‘zi kemìn:”

“Ey bìhaberàn, ràh ne ànest ü ne ìn.”

Kur nji palë ishte në mendim mbi fét dhe sektet, e, kur nji pjes tjetër ishte e harlisun mbi të vërtetën dhe dyshimin, pàpritmas, tue dalun nga prita, zâlëshuesi: “O Ju të pàdijshëm, rruga as ajo âsht, as kjo.”

Ndish, ore Lalë, rruga e vërtetë nuk po më duket se âsht, as ajo e të kuqve gjaksorë, as kjo e të bardhve spekuluesa. Po cilla âsht vallë? – Nuk e dijë. HAYYAMI nuk e tregon. Un nuk jam në gjendje me e gjetun, se âsht nji barrë e rândë, qi nuk mundem me ia ngarkuem vehtes, pse më shtypë. Njerzit mâ të dijshëm se un le t’a kërkojnë e le t’a gjêjnë e un do t’iu shkoj për mbrapa. Veç, deri sà të gjindet kjo rrugë, në paça jetë, do të bërtas: “Ràh ne àn est ü ne ìn!”

Bâne të mirën e hidhe në detë; në mos e din peshku, e din Zoti vetë. Edhe un, katër vjet mâ para, në  nji rasë kur ishte ngushtuem për së tepërmi, njijë kosovari i pata uhajtun pesëdhetë lira. Âsht vagabond i âmbël dhe i martuem me nji napolitane. Po sà të mbërrijë n’Adana, kam me t’i çuem, babë, me tha. Më thotë : babë, gjithmonë, për shkak se, nji herë ka qênë në polici e mandej SS dhe e çmon se, me të vërtetë e due. Janë disà tipa vagabondash qi, e terhjekin me forcë simpathìn e njeriut. Me gjith atê, si m’i muer 50 lirat, Zoti e dha e dreqi e muer. Nuk ia ndjeva mâ zânin…

Kur nji ditë, në ÇARŞIKAPI, qé Isa me napolitanen krahas e të dy me fëmijt për dore. Katër cullë, pak si të zeshkët. U kënaqa fort…. Ooooo, dhe u përqafuem, e nderova zojën, u përshëndeta me tê, putha mbarë e me rênd fëmijt dhe i propozova me shkuem te nji muhallebixhi lumnjanë. Ndër kaq, Isa pesëdhetshen m’a futi në xhep. Me nji ânë iu luta qi, të mos ngutet, e, në tjetren ânë, ashtu si tinëz e paltova të shkretën si mâ mirë dhe e rrasa pak mâ thellë në skutën e xhepit, për t’a venduem mâ mirë e mâ…, mbassi atë ditë, pata qëlluem si hollë kah paret. Me ket llapushe u trimnova aq tepër, sà nuk mund të më dilte kush përpara. Hangrëm, pijmë e biseduem. Historija shkon gjatë, por, më tha se: N’Eskişehir âsht nji shoqni italjane, ecilla mêrret me punë të mëdhaja dhe kà nevojën e shum përkëthyesave… Isa, më duket, e kishte bâ barrën e vet dhe mandej, si kishte rrahun mirë e mirë nëndrejtorin e shoqnis – me qëllim qi t’a nxjerrin vetë nga puna, tue i paguem dhe nji rrogë falas, në bazë të ligjit perkates – kishte bâmë vizë pasaportën dhe do të nisej, mbas dy ditësh, për te vjehrri i vet në Napoli.

Eh! Mos n’a lëshofte ora doret. U zhdredh fati. Iu drejtova shoqnìs në fjalë me nji letër italisht. Më thirrën me nji telegram me shpenzimet e tyne, dhe tash, prej datës 15.5.1956 jam në dispozicjon të sajë me nji rrogë pak mâ tepër se 650 lira në muej. Besoj, edhe pak kan me m’a shtuem. Kishin pasun shum përkëthyesa nga ragazzet e Stamollit, por, këta të shkretët nuk mund t’a dijnë tyrqishten në pjesën administrative-juridike? Mandej, edhe për sa i përket italishtes, gjuhën familjare si andare, venire, lavare, mangiare e tjera po, por, mâ thellë, me gjith qi italjanë, ve dahi duralar…. Nejse….Tahiri i Yt i përveshi krahët nat e dit, tue përkëthyem nga italishtja në tyrqishte e anasjelltas. Të shofsh, o djalë!….. Letërpërfaqsime të posaçme, 1. Përfaqsime të përgjithëshme, akte të ndryshme notarjale, dëftesa, programe, kontrata pune, regullore, dispozita të ndryshme ligjore, ed in fin’dei conti, e tânë korrispondenca tyrqisht me zyrat e ndryshme të vendit n’italishte e mandej me bâmë përgjegjet e tyne në tyrqisht dhe këto m’i përkëthyem në gjuhën e Dantes. Në fillim, me të thânun të drejtën, u hutova pakëz. Mâ vonë, kadal kadal, rashë me hullì. Nga fjalori i Floqit italisht-shqip pata ndihmë të madhe. Zaten, për tyrqishte mos më paç në qafë. Mirë po, nga tyrqishtja n’italishte kush m’i gjênë fjalët dhe kush më ndihmon në stilizimin e fjalinave! Eh! Edhe në ketê m’a mbërrini në ndihmë: “Nuovo dizionario turco-italiano”, compilato da P. Angelico Da Smirne, Cappuçino, botuem nga “Libreria editrice Frate Francesco, via Ferrari Bonini, 2 – Reggio Emilia.”. Nji fjaluer me të vërtetë i mbaruem. I lumtë priftit. Po më thonë se, paska filluem tjetrin nga italishtja në tyrqishte. Zoti ia bâftë ditën njimijë.

Tue punuem pàpushuem dhe tue u sjellun kryerândë e pastër, mûjta me gëzuem simpathìn e tyne në përgjithsì. Për shembull: Pardje më dhanë nji çek të bardhë dhe me nënshkrimin t’em tërhoqa nga Iş Bankasi shtatëdhetëmije lira. Nuk âsht nji besim i pakët. Veçse, sà për punë, mâ…, po e merr me mênd vetë. Pikërisht për ket shkak, nuk kam mundun me të shkruem, me gjith qi letrën t’ânde të datës 6 majë, e kam mârrun qysh kur isha n’Istanbul.

Shoqnija në fjalë âsht e përbâme prej dy shoqninash: TECHINT (e ftillkojnë kështu: Compagnia Tecnica Internazionale) dhe MEDIOLI. Kësaje së fundit ftillkimin nuk ia dijë. Thirren: TECHINT-MEDIOLI. Paskan degat në Neë-York, n’Amerikën e Jugut, n’Afrikën e Veriut e ngjeti. Në Brazil, kryetar’i sajë qênka Dino Grandi. Qendrën e paska ne Piazza F. Meda, 3-Milano.

Shoqnija në fjalë, këtu, punon në njehsì të NATO-s e nën urdhnin e Ministrìs së Punve Botore n’oliodotto, tue lidhun zonën e Egeut me kërthîzën e Anadollit, në mënyrë qi, fjala vjen, kur të shkarkohet benzina ne Bandirma, me ânën e qynqeve të vendosuna (në shtona) ndër tokë, me ânën e pompimit, të véjë n’Eskişehir. Nuk po e shof t’udhës me u zgjatun rreth qëllimit. Kuptohet vetiut.

Në qoftë se, nuk kà me mârrun për sipër ndonji punë tjetër, shoqnija në fjalë kà me i dhânun fund punimit aty kah marci i 57shes. Mandej Allah Qerim.

Sod dy javë se, jemi transferuem për Afyon. Mbas katër a pesë muejsh, do të nisemi për Antalya, pse n’a duhet me ndjekun vendet ku zhvillohet punimi. Prandej, drejtesa e eme do të jetë gjithnji ajo e vjetra. Grueja, ç’do gjâ m’a imposton në rregull.

* * *

Simbas njijë letre, qi e kam mârrun prej Munirit, puna e imametnìs në Filadelfia muer fund. Erdh imami i rì e Zoti iau çoftë për hajër. Tashmâ, i kam këputun shpresat për n’Amerikë. Me quota-n specjale të Kryetarit nuk jam i pranueshëm. Si refugjat, më pengon nënshtetsija e soçme. T’a pata shpjeguem. Me kërkuem quota-n shqiptare, mund të më vijë mbas dhetë vjetësh, atëhere kur nuk i duhem gjâ kuej. Mbassi nuk jam edhe i përgaditun kulturalisht e, n’ânë tjetër, me qênë se nuk kam ndonji zanat per atë vênd, me sodën, po më duhet me i làmë duert. Un jam malsuer, or Lalë, prandej, nji pjesë të shpresës do t’a kishem varun o në djalë, o në kalë. Atje asnjânin nuk e kam.

Për komitetin, n’a pastë mârrun të ligat. U vërtetuen fjalët e Shero Beqirit. Le t’i apë e Zoti i dhashtë forcë. Biniu këtyne zamastrekve, qi nuk janë në gjendje me sunduem as shtëpijat e tyne dhe pretendojnë – pà turpsisht – me ndrequn punët e Kombit! Njerz egoista e spekulatorë, qi nuk mund të shofin as mâjën e hundës. Të poshtër!… Më fal se, nuk e kam zakon me shamë, por, nuk m’u durue. Veç kësajë, sikur nuk mjafton maskarallëku i tyne qi, turpnuen vehten edhe né, zotnìt e tyne ia filluen me i mnjânuem edhe njerzit e vlefshëm të njoftun në botën shqiptare si nga pikëpamja e kulturës ashtu dhe nga pikëpamja e sakrificave. Sà për kështu, mâ mirë pà ‘tâ se me ‘tâ.

Vetëm nji punë t’a kesh parasyshë: un, gjatë vazhdimit të këtijë emigracjoni, mund t’i ngarkoj vehtes dy detyra, gjithnji alternative: O mundem me bâmë kërkime n’archivat historike të Perandorìs Osmanllijve mbi çashtje, qi i takojnë Shqipnìs, ose mundem me u veshun me cillsin e njijë imami modern dhe me i shërbyem emigracjonit shqiptàr, aty n’atë vênd ku ndodhet pà asnji kler müsliman. Për këto dy pika, jam në dispozicjon.

Nji vepër e Kadri Turgutit u shtyp në fletoren Sehir t’Istanbulit, më duket, në njâ 40 artikuj me radhë. Kam me kërkuem mënyrën për me t’a çuem. Me gjith qi nuk ké kohë, hidhja nji sy, mbassi i shkreti kà derdhun njifarë mendimi. Bânte fjalë mbi sistemin propagandistik, mbi turturat, mbi gabimet e demokratvet dhe mbi robnìn e tjera, qi kuqloshija kà sjellun në praktikë. Disà gjâna janë origjinale, të cillat nuk janë prekun drejtë për së drejti prej atyne, qi kan pasun fatin me zgjedhun lirìn dhe me shkruem rreth këtijë argumenti.

Për “BESA”-n, i kam shkruem dr. Ali Koprenckës, por, ende nuk më kà dhânun përgjegje. Nuk e dijë a kà me më dhânun. I bâjmë lajka njâni tjetrit, por, më duket se, âsht vrâmë pak ndaj meje, për arsye se, do kohë mâ para, më pat kërkuem shkrime për fletoren dhe un kërkesën e tijë nuk munda me e përmbushun. Veç kësajë, “Dashamiri” Kadri Ruguti i pat çuem do artikuj dhe L’Albanie Libre. Në qoftë se, iu kà ramë n’erë, zêmrimi do t’i jetë shtuem mâ tepër. Për veç me ânën e doktorit, ndryshe nuk mund të sigurohen.

Të vijme te dokumenti i  fâmshëm i botuem në Flamuri: Simbas mendimit t’em, kà qênë nji kryevepër, po të mos permbante 1/3tën e sajë. Njeriu, kur don me u bâmë i vogël, s’kà ç’e ndalë. Me gjith atê, tash për tash, u mbulue me njifarë shpuze, si po më thue edhe vetë, mbassi ana kundrështare nuk u përgjegj. E sà për zotimet e Tua, këto, gjithnji vleftën e kan, mbassi synojnë nji pjesë t’elementit të shëndoshë të BKI. Kur thomi elementi i shëndoshë, e kemi fjalën për Kapidanin e Vërlacin. Jam i sigurtë se, ajo shkresë do të jetë bâmë pà dijenìn e këtyne, por, edhe në qoftë se kan pasun dijeni, kan pasun dijenì në përgjithsì, por, jo në partikularitete. Ata, sigurisht, nuk do t’a kishin aprovuem me e shtijmë parmendën aq thellë. Jam i bindun. Mandej, në BKI kà elementë – si Nexhmedin Vrioni –, qi me e futun n’at kazan, i rrin uji veç. Natyrisht zotimi i Yt nuk kà se si i përfshijnë edhe këta. Si përmbyllje: Nuk t’i rrëzon mushka drût aspak. Vetëm duhet me shkuem kadalshëm e lëmueshëm, sikurse kà shkuem puna deri tash. Or Lalë, BKI përpiqet për vehte, por, në qoftë se, kà me u vuem përpara njijë dileme…, atëhere parapëlqen dhe âsht i detyruem me parapëlqyem rrugën t’ânde. Rreth këtijë argumenti nuk po shtrîhemi mâ gjatë. Vetëm se: – A mundet me e përballuem vetëm situatën BKI? Elxhevab: – JO. Në ket mënyrë qëndron fetvaja edhe për mbretnorët. D’akord?

Për ABETAR-in: Nji farë Merë Lleshi, katundar i emi paska pasë mârrun pjesë në nji zikr në Teqen e Fshatit. Shehi, tue prijmë, vjen në: Kahhar Allah Kahhar… Merë Lleshi, në nji ânë xhahil e ne tjetrën, i hutuem prej do femnave të bukura, të cillat ishin grumbulluem me ndigjuem në derën e dergjahit, lafiti, tue e ndjekë Shehin: Kanàr ALLLLAH Kanàr. Shehi:- “Gjodit or Llesh, gjodit;”. Lleshi:-“Eee, s’u gjodit, or Sheh, jo!”. Ndish, edhe kjo punë s’u-gjodit kurrsesi. Aj Avnija i shkretë krejt i pà energji. Un, tash në këto kondita, nuk kam ç’bâj. Pa të shofim. Mandej âsht edhe puna e 500 lirave…

Mâ në fund, duhesh me qênë shum i gjânë me né e mos me n’a e vuem veshin, edhe në qoftë se, nuk i kryejmë detyrat t’ona. “Ethimi mü’terife merhamet mürüvvettir.

“karini afv olagelmiş hatasi insanin.

* * *

Këtu jemi krejt mirë. Vasha e vogël po më rritet dhe âsht nji bîmë e pikatun. Njânin djalë të Shahsuvarit e kam me vehte si interpret këtu. I madhi âsht ushtàr. Grueja me vajzën e madhe po mbajnë dyqanin n’Istanbul. Për Bajram të Vogël do të shkoj me lêje. Atje në Shqipni si mâ para. Edhe në Jugosllavi kam shum kushrij, miq të ngatë e far’e fis. Njâni âsht në Gerovo me nânë e grue e katër vajza. Allah selâmet versin të tânve.

Motrës i bâj shum të fala.

Të përqafoj, tue t’kërkuem ndjesë, pse shkova shum gjatë.

I yti, Tahiri.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency